Sunday, August 21, 2011

Bashkia e Shkodrës: Për Vllazninë do të kujdesemi ne.

Pas largimit të Fushajt, Jera e Uldedaj në horizont për drejtimin e klubit

Bashkia e Shkodrës nuk është vonuar dhe kur nuk kishin kaluar as 24 orë nga largimi i presidentit Valter Fushaj, ky institucion ka dhënë garanci për mbështetjen financiare të Vllaznisë. Drejtuesit e pushtetit vendor kanë premtuar se brenda një kohe shumë të shkurtër do të ngrihet një grup pune, i cili do t’i sigurojë klubit mbështetjen e nevojshme financiare për të evituar shpërbërjen, por edhe për realizimin e procedurave për ndryshimin e statusit në Sh.A. Deri në momentin që kjo do të realizohet, kryebashkiaku Lorenc Luka ua ka besuar drejtimin e skuadrës në këtë periudhë delikate drejtorit të përgjithshëm administrativ, Kujtim Shaba dhe sekretarit të klubit, Agim Medja. Ata kanë detyrën që të evitojnë eksodin e yjeve, duke nisur nga Vujadinoviç, Smajli, Belisha, Sukaj e Vajushi dhe të garantojnë zbatimin e kontratave. Ndërkohë, bashkia i ka bërë thirrje të gjithë biznesmenëve që të afrohen për të mbështetur ekipin kuqeblu. “Bashkia e Shkodrës dëshiron të sigurojë të gjithë stafin teknik, futbollistët dhe sportdashësit, se merr impenjimin maksimal për drejtimin e klubit dhe do të respektojë detyrimet ligjore në mënyrë që Vllaznia të jetë një klub elitar, – tha zëdhënësi Ridvan Dibra. – Në të njëjtën kohë po punohet seriozisht për transformimin e klubit në shoqëri aksionere, një transformim për të cilin është ngritur edhe grupi i punës. Gjithashtu, bashkia Shkodër është e hapur në veprimet e saj dhe mirëpret sponsorizimet nga persona apo subjekte dashamirës të futbollit”.

Ndërkohë, kanë nisur të lakohen edhe emrat e parë për marrjen e presidencës së klubit, pas largimit të Fushajt. Përveç Agron Çelës, ish-president i shkodranëve në periudhën 2003-2006 dhe Xhevdet Amulit, ish-zv/president në atë periudhë, kandidatë janë edhe deputeti Gjokë Uldedaj, që më parë ka drejtuar Besëlidhjen e Lezhës dhe ish-lojtari i Vllaznisë në vitet ’80-’90, Fatbardh Jera.

No comments: