Tuesday, July 2, 2013

Rrëfimi i piktorit Avni Delvina: “Çfarë ndodhte në oborrin e ambasadës më 2 korrik 1990”

Piktori Avni Delvina tregon historinë e tij pas 23 vjetësh.
“Na lanë disa ditë pa bukë. Sigurimi i Shtetit na provokonte, vuri ushtarë të na pështynin kur hipëm në autobus”
Fillimi i vështirë në vitet ‘90 dhe hapja e ekspozitave në galeritë e mëdha.
“Piktor në Itali, ëndrra e mohuar nga diktatura”
Vitet dhe eksperienca e kanë mësuar që jeta duhet marrë me optimizëm…
Ka parë një fis të tërë të nëpërkëmbej në diktaturë, edhe pse dera e Delvinave i kishte dhënë shumë Shqipërisë, kishte vizituar njerëzit më të afërt nëpër burgje e internime, iu mohua shkollimi, provoi presionin e Sigurimit të Shtetit, deri sa vendosi të largohej nga Shqipëria, duke u futur në Ambasadën Italiane më 2 korrik të vitit 1990. Kanë kaluar 23 vjet që atëherë
dhe piktorit Avni Delvina i duket sikur nuk ka qenë ai që i ka jetuar ato ditë. Tashmë ai ka ndërtuar jetën e tij në Itali, ka një djalë që erdhi në jetë vetëm pak muaj pas largimit përtej detit, i quajtur Stiv (si Stivi Uonder) dhe vajzën Lara, në nderim të të gjitha vajzave e grave që vuajtën nën diktaturë. Është një artist i suksesshëm dhe shumë aktiv në jetën artistike italiane, por edhe në rrjetet sociale përmes “provokimeve” përmes grafikave të tij, ku ironizon gjithçka, që nga e kaluara nën diktaturë, te fenomenet e së përditshmes. I nderuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe një nga 100 shqiptarët ekselentë nëpër botë, Avni Delvina, i cili mban emrin e gjyshit të tij, delegat i Delvinës dhe Sarandës më 28 nëntor 1912, kthehet pas në kohë. Ai tregon për familjen, kalvarin e vuajtjeve dhe 2 korrikun e vitit 1990. Çfarë ndodhte brenda Ambasadës Italiane, si reagonte partia-shtet dhe si u pritën në Itali.

Grafikë e Avni Delvinës, “Rrënjët e komunizmit në Shqipëri”

Avni bej Delvina, firmëtar i Pavarësisë
Ju mbani emrin e gjyshit, firmëtar i Pavarësisë, ç’kërkoi pinjolli i një patrioti në oborrin e një ambasade të huaj, më 2 korrik 1990?
Linda dhe u rrita në një familje që luftën kundër komunizmit nuk e ka nisur në vitet ’90, por në vitet ’40. Një familje me tradita patriotike, mjaft të përmend personazhe si Sulejman Delvina, Kryeministri i Qeverisë së Lushnjës, gjyshin Avni Delvina, emrin e të cilit unë mbaj, që ka qenë delegat i Delvinës dhe Sarandës gjatë Shpalljes së Pavarësisë në 1912, por edhe shumë të tjerë. Ka ndodhur që shumë familje, për interesa të ndryshme, janë bërë palë me okupatorin, ndërkohë që familja Delvina nuk ka asnjë “njollë” në këtë drejtim dhe unë jam krenar për këtë. Por, pavarësisht kontributit që ka dhënë në historinë e këtij vendi, arrestimet, burgosjet, vrasjet e kanë ndjekur vazhdimisht këtë familje, çka bëri që të krijohej tek unë ndjenja antikomuniste dhe forca e karakterit.
E megjithatë, në këtë sagë duhet të ketë një ngjarje që ka lënë më shumë gjurmë tek ju, apo jo?
Më kujtohet fare mirë, kur isha vetëm 10 vjeç, që shkoja në burg te kushëriri i parë i nënës sime, Xhelal Koprencka. Më kishte mbajtur gjithnjë pranë dhe kur e vizitova në dënimin e tij të dytë, më kujtohen sytë e tij krenar, koka e qethur, pas hekurave të burgut. Mund të kujtoj Astrit Delvinën, nipin e patriotit të madh Namik Delvina, bashkëpunëtor i ngushtë me Ismail Qemalin, i dënuar me 20 vjet burg e internim, për të vazhduar me dajën tim, kitaristin Mehdi Prodani, i dënuar me 8 vjet burg… Dhe të gjitha këto histori, ajo çka ata kishin transmetuar tek unë, ndikuan shumë në formimin tim dhe në radhitjen e asaj armate që iu kundërvu diktaturës së hekurt komuniste. Një ngjarje që më ka shënjuar fort ishte thirrja nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1978 për të dëshmuar për mikun tim Ilir Malindi. Më mbajtën dy ditë për të më bindur. Isha vetëm 19 vjeç dhe më kujtohet puthja e nënës sime në ballë, kur i tregova se çfarë kishte ndodhur dhe se nuk kisha pranuar të dëshmoja. Po kaq tronditëse ishte edhe ikja e kushërirave të mija Izabela dhe Zamira Islami dhe mbytja e vëllait të tyre në Sarandë. Madje, ai më ftoi të shkoja dhe unë, dhe kam një peng sot, sepse pyes veten se ç’do kishte ndodhur po të kisha shkuar edhe unë…
Patrioti Namik Delvina ulur në qendër me kostum gri në të djathtë të Ismail Bej Vlorës, 1908
Po çfarë ndodhi me familjen Delvina, së cilës historia ia njihte kontributin?
Historia ishte e manipuluar, e vërteta mbahej e fshehur, pasi pushteti komunist nuk e donte traditën. Ata donin që gjithçka të niste në vitin 1941. Jeta fillonte me ata.
Si e kujtoni pas 23 vitesh 2 korrikun?
Më kujtohet takimi me nënën dhe babain. Ishin vetë ata që më shtynë: Ik, më thanë, largohu! U përqafuam. Mora edhe nusen, e cila atëherë ishte shtatzënë, madje ishte në maternitet. Një herë mendoja ta lija, por ajo këmbënguli dhe të dy u futëm në Ambasadën Italiane.
Si u përgatit hyrja në ambasadë, cila ishte atmosfera?
Llahtari i madh i komunizmit ishte fundi i Çausheskut. Ajo ishte goditja finale. Te stacionet e huaja ne shikonim se çfarë ndodhte në Rumani. Shembulli i popullit rumun ishte vendimtar. Pa diskutim ishte rënia e Murit të Berlinit… Të gjitha këto krijuan terrenin. Hymë në Ambasadën Italiane dhe ndiheshim si të dehur. Ishte efekti i kundërshtimit, i mundësisë për të folur të lirë. Brenda mureve të ambasadës, bashkë me disa miq të mitë, si Agim Kubati, Fatjon Cara etj., nisëm të këndonim këngën “Liberta” të Albanos dhe një punonjës i ambasadës na kërkoi që të pushonim, pasi ata nuk donin asnjë lloj provokimi. Gjatë asaj kohe nisa të vizatoja në një fletë me kuadrate ata djem e vajza të futur në ambasadë, që sot ka vlerë historike.
Shqiptarë në oborrin e një prej ambasadave të huaja, në korrik 1990
Ndërsa ju ishit brenda, pushteti i kohës dhe shtypi ju quante “vagabondë” e “huliganë”, kush ishin ata që hynë në ambasada?
Ata ishin djem shumë të mirë, që përfaqësonin në mënyrë të denjë popullin shqiptar. Ishin djem dhe vajza me kurajë, që morën pjesë në një moment historik. Disa ndoshta jeta i kishte sakatuar, i kishte lënë në padituri, kishte njerëz të studiuar, kishte nga ata që kishin dalë nga burgu si Valer Dyrzi dhe një djalë i mrekullueshëm, që sot nuk është më, Buran Kalaja, që me kamionin e tij çau portën e ambasadës. Ishin nga të gjitha shtresat e popullsisë dhe nuk mund t’i gjykoje, pasi vetë regjimi ishte shkaktar i kësaj drame, i degradimit, mendor, shpirtëror dhe fizik që i kishte bërë Shqipërisë. Më kujtohet takimi me të dërguarin e OKB-së, Stefan De Mistura, i cili na mblodhi dhe na tha: Nga ky moment dua një qetësi absolute dhe këtë do ta vendosim vetëm me një shikim me sy. Ishte e jashtëzakonshme se si ai përmbajti gjithë atë gëzimin tonë, entuziazmin… ne ishim të gjithë në këmbë, me dy gishta, ishte gëzim i jashtëzakonshëm të takonim një përfaqësues të OKB-së, por ai na qetësoi me një shikim…
Sa ditë ndenjët të mbyllur, cili ishte “ditari” i atyre ditëve?
Në ambasadë ndenjëm 13 ditë. Disa ditë na lanë pa bukë qëllimisht. Ndërkohë që Ambasada Italiane kërkonte të spostohej nga Tirana. Në atë kohë as qyteti nuk kishte të hante… Ndokush na sillte domate apo qumësht… Më kujtohet drama e femrave të mbyllura. Kishte disa gra shtatzëna, si ime shoqe, që kishin marrë kurajën të futeshin në ambasadë… vështirësitë ishin të mëdha, por të gjithë u harmonizuam me njëri-tjetrin. Ishim 800 veta që nuk ishim takuar kurrë më parë, por vendosëm mes nesh kodin e respektit. Na u dha mundësia të flisnim me të huajt, çka nuk e kishim bërë kurrë më parë. Ishin momente të veçanta, që kanë lënë shenjë në jetë..
A pati presion nga ana e Sigurimit të Shtetit që të dilnit?
Presioni ishte shumë i madh. Punonjësit e Sigurimit nga jashtë na pyesnin se ku do shkonim, na bënin presion për familjet. Ka qenë shumë e rëndë nata kur dolëm nga ambasada. Kishin vënë një rresht ushtarësh që të na pështynin, kur do të futeshim nëpër autobusë. Nuk dua t’i gjykoj, ishin të manipuluar…, atëherë të gjithë ishin skllevër.
Çfarë ndodhi me familjen tuaj, a u penalizuan ata prej jush?
Pasi ikëm ne, babain e thirrën në lagje, për ta diskretituar, por ai tashmë ishte 78 vjeç. Ishte burrë i fortë. Ai e dinte këtë që më parë dhe ndaj dhe më shtyu të ikja. Pasi i dëgjoi të gjitha sharjet në drejtimin tim, iu kthye dhe numëroi gjithçka që na kishin privuar dhe duke u treguar bërrylin u tha: “Shkoni dhe gjejeni atje ku ka ikur tani!”.
“Unë me teze Nadon, nënën e Izabela, Zamira e Klement Islamit….. Kur i shkova për herë të parë më 1988 në Berishë të vogël të Pukës, së bashku me Edlirën… Binte borë. Hajdari(i shoqi)i kishte vdekur para 20 ditësh. Ecëm nja 8 orë nëpër male pas shtyllave të telefonit. Na shoqëroi një fshatar në errësirë, nëpër rrëpira me llambë dore me vajguri. Mbërritëm natën në një kasolle në majë të një shkëmbi. E thirri ai djali: Nadire, Nadire, Nadire… Një zë i dobët u dëgjua nga brenda… por kur dëgjoi: hape teze se jam Riçja…. një klithmë e llahtarshme shpërtheu brenda kasolles! S’ju besonte syve dhe në dorë mbante një sopatë për t’u mbrojtur. Kamioni me të cilin e mora, kur e liruan në fund të 1989. Kam veshur xhakaventon e Klementit, djalit të saj të vetëm..”, shënon Avni Delvina.
Pastaj erdhi largimi drejt Italisë, ç’kujtoni nga ai moment ndarjeje?
Largimi nga Tirana ishte shumë emocionues. I gjithë autobusi ishte i përlotur. Sot është e paimagjinueshme, por atëherë flitej për një ndarje definitive. I kam përjetuar ato momente si protagonist, si një njeri i ndërgjegjshëm dhe i përgatitur për atë që po bëja. Më kujtohen përshëndetjet e popullit të Tiranës nga dritares, puthjet që na dërgonin me duar, kishte nga ata që na ndoqën pas me vrap. I hodhëm nga dritaret gjithë ato para që kishim nëpër xhepa, kush kursimet, kush ndonjë borxh që kishte marrë tek të afërmit… Nuk na duheshin më. Pastaj erdhi Durrësi, kalimi në traget. Ishte shumë e dhimbshme mbyllja e portës së tragetit. Na u duk si një ndarje… S’kishte më kthim mbrapa. Ishim të mbytur nga ndjenja të kundërta, nga keqardhja që po linim pas vendin tonë, shtëpinë, familjen, miqtë, dashuritë… Me një gomë të madhe po fshinim gjithë jetën tonë dhe nuk e dinim se si do ta shkruanim atë që do të vinte më pas. Por ama, nga ana tjetër ishte liria, shpresa, kurioziteti për gjithçka që komunisti kishte vrarë.
Përse zgjodhët Italinë?
Në ato momente Ambasada Gjermane ishte mbyllur, ndërkohë që ishte më komode për time shoqe që ishte 4 muaj shtatzënë. Por, me thënë të drejtën, afeksioni për Italinë ishte shumë i madh. Babai kishte mbaruar studimet për shkencat ekonomike në Bolonjë, në vitin 1939, xhaxhai për agronomi në Katania, halla kishte mbaruar konservatorin në Firence, si dhe shumë të afërm të tjerë që kishin studiuar dhe kishin afeksion shumë të madh për Italinë. Pastaj ishte gjuha italiane, muzika, që na mbajti gjallë në rininë tonë, hit-paradat e famshme etj., që i ndiqnim mes valëve që kapnim me kanoçe. Italia ishte një burim oksigjeni për ne, ishte një ëndërr, kontakti i parë me botën.
Si ju pritën në vendin fqinj?
Ne ishim një habi për ta. Ne ishim ambasadorët e asaj “perdeje të hekurt”, siç e quanin ata. Sot as ne vetë nuk i besojmë dot ato që tregojmë. Ishim ne vërtetë protagonistë të asaj jete? Por tashmë opinioni ka ndërruar. Shqiptarët janë njerëz të nderuar, me ambicie nga ana profesionale. Dhjetëvjeçari i parë, për shkak të asaj njollës që na la komunizmi, ishte shumë i vështirë, por tashmë jemi të privilegjuar në Itali. Ne nuk jemi nomadë, jemi njerëz që aty ku ngulemi, duam të kemi punën tonë, shtëpinë tonë dhe shumica ia ka arritur, me shumë sakrifica…
Ishit ju më të privilegjuar se pjesa tjetër e shqiptarëve që erdhi me eksodin?
Po, patëm një lloj privilegji. U ndihmuam shumë nga shteti italian, pasi ne ishim të parët dhe shiheshim me një lloj kurioziteti, ndërkohë që ata nuk ishin të përgatitur për një eksod si ai i anijeve, çka u kthye në një problem për ta.
Çfarë ndodhi me ju personalisht?
Kur mbërritëm, është i kuptueshëm impresioni i parë, vend i madh, me tradita… Duke qenë se nuk pranova të bëhesha bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, m’u mohua shkolla e lartë dhe Italia ishte realizimi i ëndrrës sime. Sa mbërrita aty, nisa të pikturoja. Zgjodha Bolonjën, meqë atje kishte studiuar babai im. Në ato kohërat e trishtuara të komunizmit kujtesa ishte ajo që na mbante gjallë, flisnim për kolonadat, harqet, rrugët… Në Vila Palavicini (Villa Pallavicini) pata mundësinë të takoja personalitete shumë të njohura. Aty organizova dhe ekspozitën time të parë. Kanë marrë pjesë në ceremoninë e përurimit figura si Giulio Andreoti, personaliteti më i madh i Pasluftës në Itali. Aty takova autorin e enciklopedisë italiane Paolo Zauli, që më nxiti të shkoja në Amerikë, e megjithatë unë gjeta dimensionin tim njerëzor në Itali. Sa i përket aspektit financiar, ka shtete të tjera ku njeriu mund të ndihet më mirë, por nga ana shpirtërore për ne shqiptarët zor se gjendet një vend tjetër si Italia, ku të ndihet aq mirë. Në vitin 1992, pata rastin të hapja një ekspozitë në një nga galeritë më të mëdha të Italisë, në Bolonjë, ku erdhi edhe mbesa e Ismail Qemalit, Nermin Vlora dhe më në fund të lirë, erdhi edhe një ekip i TVSH-së, që bëri një reportazh mbi ekspozitën e një njeriu që kishte ikur me ambasadat.
Shumë shqiptarë që ikën panë se Italia nuk ishte ai vendi i reklamave në televizor…
Kërkohej një përgatitje për këtë… Ne kishim qenë të gjithë të burgosur, tamam skllevër, të izoluar, pa asnjë lloj informacioni, të izoluar. Ne ishim vetëm hije. Këtë e kam pasqyruar edhe në një punë të timen, ku kam pasqyruar xhiron e Bulevardit. Privilegji ynë më i madh ishte kjo xhiro, aty ishte kontakti i vetëm mes djemve dhe vajzave. Dhe ne ishim si hije, nuk ishim më njerëz, ishim të shpërfytyruar. Njeriut po i more mendimin, fjalën, shpirtin, asi thjesht merr frymë. Ne vetëm merrnim frymë. Ishte një dramë shumë e madhe, mbi të cilën duhej analizuar shumë më thellë, duhej reflektuar. Një pjesë e mirë nuk ka kërkuar ende falje, por dëmi më i madh i bëhet atij që e mban brenda vetes. E megjithatë koha bën të vetën dhe është ajo që i vë gjërat në pozicionet e duhura.
A jeni ndier ndonjëherë të përdorur nga politika shqiptare?
Gjërat duhet t’i kërkosh. Edhe atë faljen që ne duam nga tjetri, mund ta marrim vetëm nëse ia themi në sy gabimin. Duhet ngritur zëri. Një pjesë e klasës sonë i donte gjërat e gatshme. Çdo njeri duhet të japë kontributin e tij. Personalisht, përveç artit, jam duke shfrytëzuar rrjetet sociale për të thënë fjalën time mbi gjithçka, me çdo detaj, duke filluar që nga ironizimi i komunizmit, i Sigurimit të Shtetit, Enver Hoxhës, mitomanisë që na la trashëgimi diktatura… Reagimi i lexuesve është i menjëhershëm, mendoj që t’i publikoj të gjitha këto.
Sapo ka ndodhur një rotacion politik, pati nga brezi juaj që e quajtën si një kthim mbrapa, si dhunim i idealeve të atyre që përmbysën sistemin, ju si e shihnit?
Unë nga natyra jam optimist, pastaj duhet thënë se sot Shqipëria, duam apo nuk duam, është një vend i konsoliduar në disa drejtime, me gjithë defektet kolosale që trashëgojmë në mentalitetin tonë nga diktatura komuniste. Por, sot nuk mund të harrojmë që jemi në NATO, nuk mund të harrojmë që jemi të lirë të udhëtojmë ku të duam, ndërsa më parë na shihnin me përçmim. Sot kemi miq të mëdhenj që na orientojnë dhe na duan, qoftë nga ana emocionale dhe qoftë për interesa gjeopolitike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që unë jam entuziast dhe e mira është që gjithçka të merret me shumë urtësi, filozofi. Merita të padiskutueshme t’i jepen, pavarësisht gabimeve, edhe Sali Berishës. Sa u përket vlerave unë, u referohem vlerësimeve që jep Departamenti i Shtetit Amerikan për të. Kam pasur rastin ta takoj me rastin e 20-vjetorit të 2 korrikut. Na priti në Kryeministri, ku zhvilluam një bisedë të gjatë.

ALMA MILE

No comments: