Monday, July 1, 2013

Apologjia e Berishës

Nga Hamit TAKA


Gjatë fushatës zgjedhore mbi Berishën u derdhën një lumë i rrëmbyer e i turbullt akuzash. Menjëherë pas zgjedhjeve, pas fitores së koalicionit të majtë, u tha lumi i akuzave?! Edhe gjuha e drunjtë e “Top Channel”, më kritiku, më i ashpri e më agresivi ndaj Berishës, u bë prej mishi, më e butë e më e moderuar. Për shembull, pas miratimit të gazsjellësit TAP, në lajmet kryesore nga ky kanal u tha se Berisha kishte lobuar shumë në Azerbajxhan e nëpër korridoret e BE.
Sot, në qetësinë që ka rënë pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve, të vlerësuara si më të mirat (edhe kjo meritë e Berishës dhe e qeverisë së tij),
si dhe pranimit të rezultatit nga të dyja palët, mund të thotë dikush se ai lumë akuzash ishte thjesht “material konsumi” për fushatën. Dikush tjetër mund të thotë se nuk ishte ndonjë hata, “çmim tregu” ishte për fushatat tona të nxehta. Edhe këto qëndrojnë, duke patur parasysh kulturën konfliktuale që na karakterizon ne, jo vetëm në kohë fushatash. Por e vërteta është se akuzat ndaj Berishës, nga më ordineret deri tek ato më të rafinuarat e më ekstremet, kanë një vazhdimësi 23-vjeçare. Dhe nuk do shumë mend për ta kuptuar se kundërshtarët politikë, nuk kanë synim vetë Berishën, por veprën e tij.
Fillimisht, ishte kasta e vjetër e parti-shtetit, e cila humbi pushtetin dhe privilegjet politike, ekonomike dhe morale, për vete dhe familjet e tyre, të cilat i mendonin të përjetshme. Kjo kastë nga akuzat për pasojat e vetë sistemit demokratik, i cili do të zëvendësonte diktaturën e tyre, si: pushtimin e vendit nga NATO dhe kultura e shthurur borgjeze, rikthimin e bejlerëve dhe agallarëve, futjen e koncesioneve kapitaliste të ndaluara me Kushtetutë etj., filloi me të gjitha levat e saj të anatemonte e mallkonte protagonistët e lëvizjes studentore, intelektuale dhe mbarëpopullore. Partia Demokratike quhej parti fashiste (edhe nga disa që sot na bëjnë leksione për demokracinë), ndërsa nismëtarët, të shitur e vegla të “reaksionarëve” të gjithë botës. Sigurisht, në fokus të shigjetimeve ishte doktor Berisha, karizma dhe vendosmëria e të cilët i dha atij legjitimitetin dhe moralin për të qenë lideri numër një i proceseve demokratike. Atë mot, Berisha ndihej si Danieli në shpellën e luanëve, provë që e kaloi me sukses.
Pas instalimit të sistemit, mbështetjes së mahnitshme të ndërkombëtarëve ndaj Presidentit Berisha dhe arritjeve të admirueshme brenda pak viteve, krahas përpjekjeve të humbësve për t’i vënë gurë nën rrota demokracisë, te një brez më i ri politikanësh filloi të shfaqet xhelozia dhe ambicia, hem për pushtet, hem për protagonizëm. Kjo bëri dhe bën që edhe sot, nëpërmjet luftës politike dhe morale ndaj Berishës, të goditet vepra e tij, sistemi që ai ndërtoi, me qëllim që meritat nesër t’i marrë dikush tjetër dhe të ngulitet mendësia se Shqipërinë e ka bërë dhe po e bën e majta. Domethënë as Zogu dhe as Berisha nuk kanë lënë gjurmë në histori. Ndërsa Enveri dhe dikush tjetër po. Jo pa qëllim kundërshtarët e tij anashkalojnë intelektualin Berisha. Por jeta e përditshme e Berishës, si lider partie dhe burrë shteti, ka treguar një aftësi demoniake pune dhe një vullnet të pamëshirshëm ndaj vetes, duke mos humbur asnjë grimë të kohës së tij për qëllime vetjake. Pathyeshmëria e këtij zelli, ndërgjegjja e sertë në punë dhe përkushtimi, mbase përbëjnë tiparin më të habitshëm të qenies së tij intelektuale.
Realisht, Berisha shfaqi një “të metë” që në fillimet e tij si lider politik. Duke kapërcyer kurajon dhe guximin e njohur të tij, ai ishte edhe një optimist i pandreqshëm në krahasim me varfërinë e aspiratave të masës së madhe të njerëzve, ndërgjegjja e të cilëve ishte shtypur e dhunuar nga diktatura gjysmëshekullore. Ky optimizëm u bë adrenalina e rinisë gjatë lëvizjes demokratike dhe më pas. Për Berishën e pamundura ishte veçse fantazma e të druajturve dhe streha e frikacakëve. Veç kësaj, ai ishte edhe shumë inteligjent, tepër energjik, një punëtor i palodhur dhe me një dinamizëm të pakrahasueshëm me liderët e ngathët e të rënduar, të kredhur në përtacinë dhe mediokritetin e tyre proverbial, që ne kishim njohur gjatë regjimit të mëparshëm. Këto cilësi, shto edhe joshja që u afronte të huajve, e bënë atë sa popullor (kundërshtarët i thonë populist), aq edhe të distancuar nga liderët e tjerë politikë, të formuar në shkollën e Partisë së Punës dhe Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste. Kjo ishte arsyeja që agjencitë e lajmeve të vendeve perëndimore thanë se komunizmin në Shqipëri e mundi karizma e Berishës. Fjalë për fjalë, e cituar nga Agjencia spanjolle e Lajmeve.
Begraundi politik dhe distanca me liderët e tjerë të politikës bashkëkohore në vendin tonë, bëri që kundërshtarët, jashtë e brenda partisë, të shumtët nga spektri i majtë, të “vërejnë” me djallëzi e cinizëm prirjen autokratike të Berishës, për të cilën mediat kritike të tij shpreheshin me ngazëllim. Kjo vjen edhe nga fakti se ne, si ballkanas, hyjmë në ato specie të gjalla që nuk i pranojnë lehtë rregullat e demokracisë dhe pushtetin e të tjerëve. Duke ardhur nga diktatura, nuk e kishim paqen e ndërgjegjes, e cila mund të ngrihet vetëm mbi tolerancën, pasi dhuna ndaj ndërgjegjes ishte gjendja e natyrshme e regjimeve komuniste, të cilën tek ne dinin mirë ta mbarështonin atë. Kush e ka ngritur lart tolerancën si flamur mbi portën e përparimit dhe ndërtesën e qytetërimit, nuk mund të jetë një diktator. Njeriu dhe pushteti përbëjnë një balancë delikate dhe mendoj se Berisha e ruajti më mirë se të tjerët këtë ekuilibër.
Berisha nuk ka nevojë për apologjetë, të autorizuar apo të paautorizuar. Apologjia më e mirë e Berishës janë e do të jenë veprat reale dhe të dukshme, që nuk i merr dot me vete harresa. Ato u përkasin brezave. Askush s’mund të harrojë zërin e ngritur dhe kundërshtues të Sali Berishës në takimin e ish-Sekretarit të Parë të KQPPSH-së, njëherësh dhe president i vendit, Ramiz Alia, në gushtin e vitit 1990, me elitën e intelektualë të kohës; inspirimin dhe drejtimin e lëvizjes studentore dhe intelektuale të dhjetorit ’90; përmbysjen e diktaturës dhe instalimin e demokracisë; Presidentin e parë të shtetit demokratik dhe Marrëveshjen e Asociimit, si i pari vend ish-komunist i Lindjes; NATO-n dhe lëvizjen e lirë në zonën Shengen; statusin e kandidatit për anëtarësim në BE; joshjen e sa personaliteteve të huaja për të vizituar vendin tonë, që nga Papa i Romës e deri te Presidenti Bush; TAP-in… Rruga e Kombit, tuneli i Krrabës, autostradat moderne Tiranë-Durrës, Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë, rruga e Bregdetit, hidrocentralet, ullishtet e sa e sa të tjera, që nuk të vijnë dot njëherësh në kujtesë. Të gjitha këto mbajnë firmën e Presidentit e Kryeministrit Berisha.
E kam përsëritur shumë herë në shkrimet e mia dhe prapë është rasti për ta përsëritur: Berisha ka romantikën e të qenit i pari. Disa shkrues e komentues përpiqen ta errësojnë këtë fakt, që e bën njeriun sa fatlum aq edhe të lavdishëm (kujtoni kryeministrin Majko për kohën e luftës në Kosovë), se gjoja Berisha ishte projektuar nga ish-presidenti komunist, Ramiz Alia dhe gjithë “reaksionarët” e botës kapitaliste- mendësi tipike enveriste. Por për një intelektual të vërtetë nuk ka shumë rëndësi pika e nisjes, rëndësi ka pika e mbërritjes. Shqipëria ishte këtu, shqiptarët ishin këtu, por nuk doli ndonjë tjetër të bënte atë që bëri Berisha dhe të merrte atë që fitoi Berisha, mirënjohjen kombëtare, panteonin e lavdisë, vendin në histori. Prandaj edhe kundërshtarët politikë të tij kanë hedhur aq shumë gurë e baltë mbi staturën politike dhe morale të Berishës, pasi vepra e tij i mbante larg nga pushteti, larg nga roli i protagonistëve në historinë e deritanishme postkomuniste. Urojmë ta pasojnë dhe të ecin më para pasardhësit.
Vlerësimi i personaliteteve dhe ngjarjeve epokale shpesh kalon nëpër një skemë trinome (si triada e Hegelit). Në fillim sundon apoteoza: mitizimi, kulti, apologjia. Pastaj vjen apotema, një mohim pak a shumë rrënjësor. Etapa e tretë është sinteza e elementeve racionalë të dy etapave të para. Jam i sigurtë se në fazën e tretë, e cila sapo ka filluar, edhe shumë kundërshtarë të tij do të pendohen e do të bëjnë vlerësimin real. Këtë kanë filluar ta bëjnë, menjëherë pas dorëheqjes nga funksionet partiake, edhe mediat më kritike ndaj tij. Dhe ai që ka meritën të jetë i pari në vlerësimin racional të figurës dhe që bëri apologjinë e Berishës është vetë zoti Rama, i cili, në ligjëratën e parë publike, si fitues i zgjedhjeve demokratike dhe të lira, tha se në të ardhmen historia do ta vlerësojë për atë që ka bërë zoti Berisha. Kjo është shenjë e një burrështetasi.

No comments: