Monday, July 1, 2013

Ëndrra gjermane

Shkruar nga Ermal Gjinaj
Është gruaja më e fuqishme në botë, por nuk mjafton për të përshkruar rolin e saj.

Nëse e ardhmja jonë do të shkojë mirë apo keq, tashmë ne të gjithë në Europë mendojmë, e duam apo jo, që varet prej saj. Në luftën e ftohtë, udhëheqësit e rinj rendnin në Uashington apo në Moskë, sipas fushës, ndërsa sot të gjithë – edhe kryeministri britanik, edhe presidenti francez, apo madje edhe ai kinez – fluturojnë në fillim tek ajo, pastaj tek Obama apo Putini. Buzëqesh, përpiqet të ofrojë siguri, lëshon paralajmërime si një mësuese e duruar, brenda vendit, por edhe mes satelitëve të rinj në jug të alpeve.



Mund ta marrësh inat, sepse të imponon rreptësi, mund të mos e durosh dot për shkak të paqartësive taktike, apo mund të ndihesh në anën e saj, në mungesë të një alternative më të mirë në Berlin. Fansat e quajnë Angie, kritikët Caresha. Nuk lë indiferent askënd, e pikërisht në shtëpi ajo përballet me sfidat më të vështira. E kanë me të edhe kur Gjermania, ndonëse me një këngë mediokër, më të keqe se ajo e një 20-vjeçareje të mrekullueshme daneze, humbet eurofestivalin e dalë mode të këngës. “Kemi humbur, sepse ajo na ka bërë të na urrejë i gjithë kontinenti”, thuhej me tituj të mëdhenj tek “Bild” e madje edhe nga drejtuesit e televizioneve publike. Prapa kuintave, e kërcënojnë dy kalorës të zinj, shumë më tepër madje se sa sfidanti i natyrshëm në demokraci, kandidati socialdemokrat për kancelar, Peer Steinbrueck.

Gjermania, fundi i pranverës 2013, pak më pak se katër muaj nga zgjedhjet: është Jugu i zjarrit europian të Angela Merkelit, kancelarja që ka shtyrë Italinë dhe Spanjën, Greqinë dhe Francën drejt një rreptësie të pamëshirshme që shtyp fate njerëzore, por njëkohësisht udhëheqësja, humbja e të cilës mund të na lërë një shije të fortë keqardhjeje.

Po ta shohësh përditë, në metro apo në radhë në arkat e supermarketit, është një vend shumë i veçantë, Gjermania e “vajzës që erdhi nga Lindja”, zogthi, siç e quante Kohli kur e promovoi, me të gjithë mospërfilljen e tij paternaliste, në nivelet e mesme të nomenklaturës demokristiane. Një vend optimist si pak të tjerë: e lexon nga Mynihu në Lubek në fytyrat e nënave – shpeshherë vajza-nëna – që shtyjnë karrocat e pazarit apo ato të voglat me fëmijë drejt makinës “Passat” me portobagazh, apo “BMV X5”, përpara se ta lexosh në sondazhe. E ardhmja do të jetë më e mirë, për ne dhe fëmijët tanë, të thotë kushdo, menaxher, punëtor apo i papunë që jeton me subvencionet e mirëqenies sociale që janë më mirë se gjetkë. Një diskutim që në Europë nuk e dëgjon pothuajse askund, nga asnjë anë. Është një vend, vërente pak ditë më parë gazetarja Anke Schipp në “Franfurter Allgemeine”, që nuk e di se çfarë do të thotë në bisedat intime familjare nevoja për të thënë që këtë vit nuk ka para për pushime. “Si, ende nuk e ke prenotuar shtëpinë e pushimeve?”, është një prej pyetjeve klasike për të nisur një bashkëbisedim. Bëhet fjalë për një shtëpi, minimumi në Provenzë apo Toskanë, jo një zgjidhje me kosto të ulët.

Qendra të reja tregtare ngrihen në radhë, madje edhe në Berlin, aty ku duken se janë të tepërta. Dhe mbushen menjëherë me njerëz, njerëzit shpenzojnë: ashtu si në Boulevard mbi Schlossstrasse, në lagjet e reja të blerjeve në Mynihun barok apo në Hamburg, në pallate me tulla të kuqe. Kapitalizmi i konsensusit, industrial dhe i ngjeshjes jo “mur më mur” si në Mirafiori. E sheh dhe e ndjen, mirëqenia rritet, sidomos aty kur për gjysmë shekulli u ishte mohuar: nga Jena në Laipcig, nga Rostoku në Dresden, në ish-“Prusinë e kuqe” njerëzit shpenzojnë. Dhe me arsye, çfarëdolloj moshe që të kenë, më vë në dukje një mik, këshilltar në qeveri: kushdo që del nga universiteti apo ndonjë shkollë e lartë ekuivalente e ka kontratën dhe zbritjen në botën e punës në xhep. Varfëritë e reja italiane, dramat sociale greke, por edhe periferitë e errëta franceze të para që këtu duken të largëta e të pakuptueshme, si në një planet tjetër. Edhe “minorancës turke” apo imigrantëve të tjerë në “territorin federal”.

Në mënyrën e vet është një mirëqenie me fytyrë njerëzore, siç vërehet në çdo mbledhje prindërish në shkolla: tema prioritare, ftesa për në gjimnazin e borgjezisë së mirë të Berlinit Perëndimor një të mbijetuar të Holokaustit, një ekspert i edukimit seksual, dikush që u flet të rinjve të GYUantanamos apo refugjatëve sirianë.

“Tek ne, edhe klasa punëtore shkon në parajsë”, më thotë në Shtutgart një sindikalist i “IgMetall”, “Porsche” e dikurshme.

“Tama”, edhe “Ferrari” gjerman ku, ashtu si në Maranello, çdo makinë është e montuar me dorë, ka marrë 3000 punonjës, me paga të arta. Edhe imigrantë. Sigurisht, recesioni i të tjerëve fillon të ndihet në fytin e gjermanëve. Në disa sektorë, terri nis të bjerë: mijëra shkurtime në ThysenKrupp, gjiganti i fundit europian i çelikut: “Me rënien e pothuajse të gjithë pjesës tjetër të Europës jemi edhe ne një hap larg nga humnera”, shkruajnë në media liderë opinioni të gjithfarëlloj ngjyrave, që nga “Tagesspiegel” tek “Suedeutsche”.

Kështu, lë të kuptojë Thomas Schmid i “Die Welt”, Angie ka vendosur t’i japë më shumë kohë Italisë së Lettas dhe Francës së Hollande: “E ardhmja jonë varet edhe nga suksesi apo falimentimi i tyre”.

Dhe prej ditësh, kancelarja – në vend që të përsërisë fjalët rreptësi, reforma, rreptësi – fillon që të lartësojë konkurrueshmërinë dhe kurajën e Jugut, madje edhe duke lëvduar edhe sukseset minimale të Greqisë së rraskapitur.

Mbetet një Europë në terr, pa vizione apo projekte të mëdhenj ruzveltianë apo kenedianë, e zënë mes papunësisë së të rinjve në masë në Itali e Spanjë, rënies franceze, dramave helenike, ajo e lidershipit gjerman. Por është edhe një Europë, vendi më i fortë i të cilës ka frikë që të bëhet lider. Peshon e kaluara, nënvizon Malte Lehming, i “Tagesspiel”, horrori i Memories Hitler, por edhe armatat e masakrave të fëmijëve të Kaizerit në Belgjikë dhe në Francën e gushtit 1914, gjë për të cilën Solzhenicini shkruajti edhe një libër. Frika, këmbëngul gazetari, që përgjegjësia për të tjerët bëhet gjithmonë dhe vetëm negative.

Për pjesën tjetër, shton Giovanni de Lorenzo, drejtor i “Die Zeit”, një prej gazetarëve më të mirë gjermanë “nëse flasim për racizëm, paragjykimet raciste të gjermanëve kundrejt Jugut janë të vjetra, nuk kanë lindur me krizën e euros, por unë i kuptoj zgjedhësit e trembur nga berluskonizmat e shumtë në Jug, apo nga katastrofat dhe falimentimet e lindur gjetkë”.

Madje edhe Caresha shpjegon tani – ndoshta me vonesë – që shumat e investuara nga gjermanët në drejtim të shpëtimit të euros janë edhe kredi, jo vetëm ndihma. Që edhe vendet e tjera injektojnë likuiditete jo më pak se Berlini në fondin e shpëtimit europian. Dhe këmbëngul që pjesa më e madhe e shpenzimeve të BE për të shpëtuar monedhën e përbashkët – kontributi dominues gjerman në bilancin e Bankës Qendrore Europiane, kyç për blerjet – blic titujsh sovranë italianë apo spanjollë që frenojnë përhapjen e krizës, të imponuar nga Draghi me mbështetjen e Merkelit kundër Bundesbank – janë një investim në të ardhmen e gjermanëve. Në këto tema, duke patur zili popullaritetin e saj në dukje të pathyeshëm, e sfidojnë dy kalorës të zinj, kërcënimi i vërtetë i apokalipsit për Gjermaninë dhe pjesën tjetër të Europës.

I pari është një “enfant prodige” që ka tradhtuar sponsorin e vet, një Lucifer modern. Jens Weidmann, ish-këshilltar i Careshës, guvernatori i ashpër i Bundesbank. Që kur Draghi ka filluar të shënjestrojë me ndërhyrje të BQE me likuiditete të pakufi, duke ulur taksat, sulmon pothuajse përditë këtë politikë të Eurotower.

Masa lehtësuese, taksa rrezikshëm shumë të ulëta, thotë, duke i bërë jehonë frikës historike të gjermanëve: inflacioni që fundosi Republikën e Vejmarit, duke i hapur rrugën Hitlerit. Nuk ndërtohet në këtë mënyrë një union monetar i qëndrueshëm, shton ai. Sulmon Draghin për të goditur Careshën. Dhe thotë se eurobonot do i kushtonin Gjermanisë 200 milionë euro.

Kalorësi i dytë i zi mund të bëhet edhe më i rrezikshëm, për Angien dhe të gjithë ne. Quhet Bernd Lucke, është i ri, dinamik, i buzëqeshur, ekonomist akademik, ish-demokristian që di si të bëjë politikë si profesionist dhe jo si ish-komik. Ka themeluar partinë Alternativa për Gjermaninë, për të cilën, sipas një sondazhi të Focus, mund të votojnë një e katërta e gjermanëve. Ka kërkuar rikthimin tek marka, më pas është rimenduar: dakord me euron, por pa Jugun. Çdo ditë, në një klimë disi shqetësuese, Aleanca e tij hap zyra të reja në të gjithë Gjermaninë. Re të zeza, të shtyra nga dy kalorës të zinj, shtrihen kërcënueshëm mbi të ardhmen e Europës. “Vetëm lamtumira ndaj unionit monetar siç është sot mund të nxisë vëllazërinë mes popujve të Europës”, thotë kalorësi i apokalipsit Bernd Lucke, duke buzëqeshur ftohtë, i veshur me kostum të zi dhe kravatë, mes të rinjve dhe të moshuarve që shpesh e brohorasin duke iu drejtuar flamurit kombëtar dhe ndonjëherë i pranishëm është edhe ndonjë neonazist i infiltruar në publik.

Gjermania, nëna e zbehtë që siç thotë një ambasador i një fuqie perëndimore, me burimet e saj, me mirëqenien, realitetin e ri të bashkëjetesës multietnike, barazisë së gjinisë aq shumë të kërkuar nga Merkel më 2005, mund të ndihet në paqe me vetveten.

Ashtu si shumë herë në historinë e Europës, zemra e të ardhmes pulson në Berlin dhe nëse Caresha Angie do të humbiste bastin e saj për mandatin e tretë, ndoshta të gjithë do të na vinte hidhur.

No comments: