Tashmë ajo çfarë shkruhet në rrjetet sociale dhe që filtet mes njerëzish për blerjen e votave është një realitet.
Në fakt që gjatë ditës së votimit më 23
qershor dhe më parë, policia evidentoi disa raste dhe kapi në flagrancë
disa biznesmenë që blenin votat në këmbim të parave siç ishte rasti i
Korçës, Lezhës, Tiranës, etj.
Por
denoncimi në organet e drejtësisë i një të riu nga Puka, pasi ditën e
votimit i kishin marrë kartën e identitetit, duke i dhënë 200 mijë lekë
për të mos votuar për PD-në është një fakt i fortë që tregon se si e
majta i bleu votat. Skema e blerjes së votave u përgatit që në momentin
që u ngjiz bashkimi PS-LSI. Ky bashkim prodhoi edhe tre skemat për
blerjen e votave, të cilat po i shtjellojmë një nga një.
Karta e identitetit
Partia
Socialiste krijoi disa grupe të fuqishme me biznesmenë, ish-punonjës
policie dhe ish-drejtues policie të liruar nga detyra për korrupsion apo
për vepra kriminale me pretekstin se do të ruanin votën më 23 qershor.
Në fakt këto grupe me prapavijë kriminale kishin si qëllim vënien në
përdorim paratë e pista për blerjen e votave. Këto grupe bashkëpunonin
me seksionet e PS për të bërë identifikimin e votuesve, që ishin të
lëkundur apo votues të PD-së dhe më pas u merrnin atyre kartat e
identitetit dhe u jepnin nga 50 deri në 200 mijë lekë për të mos votuar
më 23 qershor. Kjo skemë është evidentuar tashmë në mijëra raste, por
rasti më flagrat është ai i denoncimit në Prokurori nga një i ri.
Burime
nga organi i akuzës bënë të ditur dje se, Prokuroria e Tiranës ka nisur
hetimin ndaj 21-vjeçarit Bekim Tahiri. Sipas Prokurorisë, ndaj këtij
shtetasi rëndon akuza për shpërblim ndaj zgjedhësve. Mësohet se, ky
shtetas është denoncuar nga një tjetër 21-vjeçar nga Puka për blerje
vote më 23 qershor. Sipas tij, Tahiraj i kishte marrë kartën e
identitetit dhe në shpërblim i kishte dhënë 20 mijë lekë për të mos
votuar për PD-në. Ky është një fakt i evidentuar tashmë, dhe Prokuroria
ka nisur hetimet, por janë me mijëra e mijëra raste të kësaj natyre dhe
skemash të tjera, të përdorura nga e majta për blerjen e votave.
Zarfet 50 mijë lekëshe
Skema
që u përdor gjerësisht nga LSI ishte ajo e përgatitjes së zarfeve me 50
mijë lekëshe brenda që i jepej votuesit para se të hynte në qendrën e
votimit dhe i kërkohej që të votonte për LSI-në. Kjo skemë u përdor
pothuajse në të gjithë vendin. Biznesmenët e LSI dhe drejtuesit e saj në
rrethe, sidomos ata që u larguan nga puna pas largimit të kësaj force
politike nga qeverisja, përgatisnin zarfet me lekë dhe i shpërndanin
nëpër familjet që ishin të lëkundura për të votuar. Pasi u mësonin se sa
veta ishin në familje për të votuar, jepnin zarfet me lekë dhe i
kërkonin të parit të familjes që pjesëtarët e familjes të votonin për
LSI-në. Kjo skemë u përdor edhe gjatë ditës së votimit. Për këtë mund të
përmendim rastin e Korçës, ku një drejtues i LSI u kap me 10 zarfe me
50 mijë lekëshe brenda, të cilat do t’ua jepte votuesve në këmbim të
votës për LSI-në.
Ky
fakt u deklarua edhe nga Policia e Korçës, e cila bëri të ditur se, u
arrestua në flagrancë shtetasi Pajtim Selman Myrtollari, 51 vjeç nga
Korça. Ky shtetas ditën e shtunë, rreth orës 23.10 në vendin e quajtur
Ura e Fajancës është kapur në flagrancë me automjetin tip “Benz” KO
8013, me 11 zarfa me nga 5000 lekë të reja, të cilat dyshohet se do u
ndaheshin personave të ndryshëm për të votur për subjektin politik LSI,
ku ky i fundit ishte dhe koordinator i këtij subjekti.
Fleta e votimit e bardhë
Një
skemë tjetër që u përdor për vjedhjen e votës ishte ajo marrjes së
fletës së votimit nga Qendra e Votimit, e cila ishte e vulosur dhe e
bardhë, pra e papërdorur për votim. Pasi shënohej kryqi tek nr.29 nga
grupet e PS të ngritura posaçërisht për këtë punë, i jepej votuesit dhe i
kërkohej atij që të hidhte në kutinë e votimit këtë fletë dhe të
nxirrte jashtë fletën, që merrte te komisioni të pavotuar. Kur dorëzonte
fletën e votimit që kishte marrë në Qendërn e Votimit, i jepej shuma e
lekëve, ndërsa fleta e votimit plotësohej sërish dhe i jepej votuesit
tjetër që të vepronte në të njëjtën mënyrë. Kjo skemë vazhdonte zinxhir
tek votuesit, duke arritur të vidhen mijëra vota.
Burime
që nuk duan të identifikohen, bëjnë të ditur një fakt tjetër, se ditën e
votimit në Dibër, biznesmeni kanditat për deputet i LSI, shpenzoi 20
mijë euro, duke ua dhënë votuesve që të votonin për LSI-në. Veç eurove,
ky kandidat ka pajisur me lavatriçe dhjetëra familje në Dibër në këmbim
të votës. Duke përdorur këto skema të jashtëligjshme, ai arriti të
fitonte mandatin e deputetit. Këto janë skemat e fëlliqura, që u
përdorën nga e majta për të blerë votat më 23 qershor. Këto fakte janë
publikuar këto ditë në faqet sociale në internet, por edhe pëshpëriten
gojë më gojë nga vetë ata që kanë qenë viktima në blerjen e votës.
Tashmë, ata ndjehen të kërcënuar nga grupet e PS që të mos hapin gojë
për blerjen e votës.
No comments:
Post a Comment