Partia Demokratike do të nisë këto ditë
fushatën për të zgjedhur kryetarin e vet të ri sipas parimit “një
anëtar, një votë”. Për ne demokratët kjo është ngjarja më e rëndësishme
pas asaj të Dhjetorit 1990, që shënoi themelimin e Partisë Demokratike.
Për herë të parë në historinë më shumë se 23-vjeçare të formacionit tonë
politik, të gjithë demokratët, pa asnjë përjashtim,
do të marrin pjesë
në zgjedhjen e kryetarit. Së paku të gjithë demokratët, pa asnjë
përjashtim, do të kenë të drejtën të shprehen për kryetarin e ri.
Pjesëmarrja në votim është, sigurisht,
në dëshirën e secilit. Megjithatë, do thënë se niveli i pjesëmarrjes së
demokratëve në këtë votim do të përcaktohet kryesisht nga niveli i
besimit që anëtarët e Partisë Demokratike do të kenë në ndershmërinë dhe
drejtësinë e këtij procesi. Ky besim do të jetë jetik për të ardhmen e
afërt të Partisë Demokratike. Është plotësisht e vërtetë se Partia
Demokratike, duke kuptuar këtu si anëtarësinë, ashtu edhe strukturat
drejtuese, nuk ishte e përgatitur për një fushatë të tillë. Në
kalendarin e saj të zakonshëm ishte i parashikuar një Kuvend Kombëtar në
vjeshtë, kur edhe do të zgjidhej kryetari. Por, deri mbrëmjen e 23
qershorit, ishte e paravendosur që kryetari të ishte përsëri Berisha.
Kjo e bënte ekzistencën e Kuvendit të ardhshëm një ngjarje thjesht
rutinore. Po ashtu, nuk ishte dhënë asnjë shenjë se do të vendosej më në
fund parimi i votimit “një anëtar, një votë”.
Në këtë kuptim, Partia Demokratike është
zënë në befasi të plotë nga fushata që pritet të fillojë nga dita në
ditë. Duke nënvizuar se Partia Demokratike nuk ishte e përgatitur për të
hyrë në një fushatë të tillë, pyetja duhet shtruar nëse formacioni ynë
politik është i pjekur për të përballuar një fushatë të tillë? Këtu
përgjigjja nuk mund të jetë pohuese e as mohuese en bloc. Mungon çdo
lloj përvoje për të zhvilluar zgjedhje të vërteta brenda partisë. Mungon
krejtësisht kultura politike për të cilën kanë nevojë zgjedhjet brenda
familjes politike. Kam parasysh kulturën politike të ballafaqimit të
alternativave të ndryshme nga kandidatët për postin e kryetarit të ri, i
cili do t’i udhëheqë demokratët gjatë katër viteve të ardhshme, kur
edhe do të zhvillohen dy beteja të mëdha elektorale: zgjedhjet për në
pushtetin vendor në vitin 2015 dhe ato parlamentare në vitin 2017.
Në një përpjekje të sinqertë për t’iu
përgjigjur pyetjes së mësipërme, do të thosha se anëtarësia demokrate më
duket përgjithësisht e pjekur. Gjatë ditëve që pasuan dorëheqjen e
Berishës kam marrë afro dy mijë mesazhe nga demokratët anembanë
Shqipërisë. Shumica e tyre dërrmuese shprehen të kthjellët si për
rëndësinë që ka zgjedhja e kryetarit të ri të partisë, ashtu edhe për
nevojën që gara të jetë e hapur dhe e ndershme midis kandidatëve. Ky
sigurisht nuk është një sondazh sipas kritereve metodike që nevojiten
për një sondazh. Por, në gjykimin tim, është një masë krejt e
mjaftueshme aktivistësh politikë, që më lejon të arrij në përfundimin se
anëtarësia demokrate është përgjithësisht e pjekur për ta zgjedhur
kryetarin e ri dhe për të ushtruar në vazhdim mbi të një presion
pozitiv.
Ndryshe paraqiten gjërat me strukturat
drejtuese në detyrë, përfshirë këtu edhe Berishën, të cilat morën
përsipër, edhe pse moralisht nuk u takonte, organizimin dhe drejtimin e
procesit zgjedhor. Veprimi i Berishës për ta futur menjëherë partinë në
zgjedhje ishte i drejtë jo vetëm pse nuk ka kohë për të humbur, por edhe
se kjo është mënyra më e mirë për t’i nxjerrë demokratët nga topitja e
disfatës së thellë. Po ashtu, vendimi i Berishës që zgjedhjet të bëhen
sipas parimit “një antar, një votë”, sado që në kundërshtim me statutin
në fuqi, mbetet parimisht më i përshtatshmi për ta mobilizuar mbarë
anëtarësinë. Ne kishim mbetur e vetmja parti në gjirin e Partisë
Popullore Europiane që nuk e zbatonte këtë parim.
Edhe thirrja e tij që kjo periudhë të
mos shndërrohet në një periudhë gjahu ishte me vend. Asnjë demokrat nuk
është i tepërt. Më tej nisin shqetësimet, të cilat po nuk u kuruan qysh
tani, mbartin rrezikun ta komprometojnë rëndë procesin. Po ndalem vetëm
në tri prej tyre, që i vlerësoj si më të dëmshmet. Berisha njoftoi në
mbledhjen e Kryesisë së partisë se gjatë fushatës nuk do të bëhet
analiza e zgjedhjeve parlamentare që sollën katastrofën e 23 qershorit
për Partinë Demokratike dhe të djathtën në përgjithësi. Këtë analizë,
tha ai, do ta bëjë kryetari i ri. Kjo do të thotë se nuk do të bëhet as
analiza e qeverisjes tetëvjeçare të PD-së. Berisha vendosi kështu një
tabu, e cila rrjedhimisht i heq palcën një fushate zgjedhore.
Të gjitha gjasat janë se anëtarët e
Kryesisë në detyrë, ku përfshihen edhe dy nga kandidatët e paralajmëruar
deri tani, do t’i përmbahen ad literam këtij urdhri. Po çfarë do të na
thonë ne demokratëve ata, për të fituar besimin tonë dhe për të ngjallur
shpresën tonë? Ndoshta atyre individualisht kjo censurë e Berishës u
përshtatet, ua lehtëson punën. Por partisë nuk i bën aspak mirë.
Përkundrazi. Serioziteti i një formacioni politik matet me cilësinë e
saj për vetëkritikë. Partia Demokratike nuk e ka njohur ende këtë
shkollë. Ky do të ishte rasti më i përshtatshëm për ta filluar. Në qoftë
se kandidatët për kryetarin e ri vijnë te ne vetëm për të na premtuar
një të ardhme të ndritur, ata do të jenë thjesht në një garë gjuhësore
kush zgjedh fjalët më të bukura. Ne demokratëve kjo nuk na mjafton për
të na ringjallur shpresën.
Doktori e di më mirë se kushdo tjetër se
pa një diagnostikim të saktë, nuk ka shërim. Partia Demokrate është e
sëmurë rëndë. Njëri nga personalitetet me përkushtim të gjatë dhe
koherent në Partinë Demokratike, Roland Bejko, është shprehur të hënën
nëpërmjet rrjeteve sociale se listat e anëtarësisë demokrate në
Gjirokastër po manipulohen. Nuk kemi parë ende asnjë reagim nga Kryesia,
që do të ishte edhe angazhim për t’u dhënë garanci demokratëve se nuk
do të preken listat. Të paktën katër vitet e fundit Partia Demokratike
nuk ka ekzistuar si organizëm i gjallë politik. Është krejt logjike që
listat e anëtarësisë të jenë në rrëmujë të madhe e fort të pluhurosura.
Si çdo gjë e braktisur, zaten! Sepse PD u kthye në parti nëpunësish.
Prandaj ndershmëria e këtij procesi
zgjedhor fillon te qëndrimi ndaj listave “të votuesve” për kryetarin e
ri. Jemi në vëzhgimin e mbarë shoqërisë shqiptare. Në qoftë se do të
fillojnë të manipulohen listat, morali i demokratëve do të njolloset
rëndë, aq sa do të jetë e vështirë t’u kërkojmë besimin shqiptarëve pas
dy vjetësh. Si mund të shpresojmë të na ndjekë shumica e shqiptarëve po
qe se udhëheqësit tanë të rinj damkosen qysh në pagëzimin e tyre si
hileqarë? Dëgjova zotin Patozi t’i ndërsehej publikisht me një fjalor të
shëmtuar njërit prej kandidatëve që nuk bën pjesë në Kryesinë aktuale.
Unë e dëgjova me vëmendje Berishën kur
paralajmëroi nisjen e një fillimi të ri me këtë fushatë. Më erdhi mirë
dhe e mora si një shenjë reflektimi nga ana e tij. Ai e di më mirë se
kushdo dobinë që pati Partia Demokratike në periudhën 2003-2004 me
fillimin e ri. Partia u hap ndaj të gjithë atyre që kishin ikur apo i
kishte përzënë. Në PD gjeti vend deri edhe Arben Imami, fama e të cilit
në vitin 1997 ishte ende e gjallë në kujtesën e të gjithë demokratëve, e
posaçërisht të Berishës. Dhe mirë u bë. Ndryshe nuk mundej dot Fatos
Nano, përveç se duke pasur përballë një familje demokrate të bashkuar.
Nisur nga kjo përvojë, unë e çmova, bie fjala, si të drejtë vullnetin e
Aleksandër Biberajt për t’u përfshirë në këtë fushatë.
Dhe me të njëjtën parimësi do të gëzohem
për çdo kandidaturë, i bindur se nëse gara mbyllet midis kolltukëve të
Kryesisë, ajo nuk është më garë. Ky qëndrim është në thelbin e tij
parimor nga ana ime dhe nuk do të thotë aspak se mbështes njërin apo
tjetrin kandidat. Unë për veten time prej vitesh nuk jam më kandidat për
asnjë funksion drejtues në politikë. Por gjykoj me sinqeritet se kjo
gjendje rehatie nuk më jep të drejtë të jem një soditës indiferent i
agonisë së PD-së. Rrjedhimisht, nisur nga vullneti i mirë, nuk dua të
shoh te deklarata nervoze e plot mllef e Patozit një simptomë më të
përhapur se tek ai vetë. Patozi nuk është aq i ri në politikë sa të mos
dijë ta përmbajë veten, pavarësisht rrethanave veçanërisht të pakëndshme
në të cilat gjendet sot.
Të gjithë ne demokratëve na mundi Partia
Socialiste. Patozin e mundi personalisht Koço. Ky realitet është i
vështirë të tretet, por Astriti duhet ta tretë me dinjitet, ndryshe
bëhet me ulçer. Kryesia e PD-së nuk po e bën punën që mori përsipër për
organizimin e fushatës brenda partisë. Të paktën do thënë se nuk e ka
nisur ende. Do të duhej të ekzistonte tashmë një rregullore e
përkohshme, ku të sqarohej kuadri brenda të cilit do të zhvillohet kjo
fushatë. Fjalën nuk e kam vetëm për administrimin korrekt të listave të
anëtarësisë. Ky kuadër nënkupton disa piketa të domosdoshme, të tilla
si: do të shkojnë apo jo kandidatët në takim me anëtarët? Nëse po, kush
do t’i thërrasë mbledhjet e anëtarësisë nëpër rrethe?
Vajtja nëpër seksione do të bëhet veç e
veç për secilin, apo do të organizohen debate me dy a më shumë kandidatë
për të ballafaquar platformat? Sallën e madhe në seli do ta përdorin të
gjithë kandidatët, apo vetëm disa? Po faqja zyrtare e partisë në
internet si do ta paraqesë këtë fushatë? Janë një mori rregullash shumë
të thjeshta, pa të cilat cenohet parimi themelor i barazisë në garë për
të gjithë kandidatët. Dhe një garë pa barazi prodhon një lider me
legjitimitet të kufizuar. Ose edhe pa legjitimitet fare. Edhe Flamuri e
ka mësuar kaq gjë.
No comments:
Post a Comment