Vëllezër dhe motra të Shkrelit dhe Kastratit, trashëgimtarë dhe
trashëgimtare të denja të atij brezi që me qëndresën e vet për dinjitet
kombëtar dhe shpirt të paepur për dashurinë njerëzore evidentuan në historinë e
një populli të vogël dhe të shtypur, si yni,
në vitet makabre të Luftës së Parë Botërore, shembullin më të shkëlqyer të
vetmohimit dhe altruizmit duke dëshmuar
shkallën e lartë të vetëdijes së kthjellët për vlerat e jetës dhe unitetin e një
kombi, vërtet dashnor i jetës, me një të ardhme të qartë.
Jemi në atë periudhë kur
Evropa plakë, e mbushur me mëllefin e urrejtjes dhe të mallkimit ndaj fatit të
popujve të vegjël si yni, do ta kthente truallin shqiptar në shesh lufte për
interesat e Fuqive të Mëdha dhe sidomos të
fqinjëve tanë grabitqarë. Këtij momenti makabër, shqiptarët, një popull i
papëfillshëm në Hartën e Evropës, po i mbushnin zgafellat e errta të shpirtit të saj antihuman,
me shembuj të shkëlqyer të humanizmit, të dashurisë njerëzore dhe të altruizmit
të pashoq.
Ky është konteksti brilant
historik dhe motivi madhor që na mblodhi
me kaq krenari dhe solemnitet historik në Ditën e Dëshmorëve të Kombit – 5 Majit,
këtu tek Ura e Zhajës, ku u luajt sfida e madhe njerëzore e qëndresës sa fizike,
sa morale në emër të jetës së lirë, të dinjitetit moral dhe kombëtar nga 16
djemtë malësorë, djemtë e M.Madhe, djemtë e Kastratit dhe të Shkrelit, ballëpërballë
me vdekjen nga më mizoret.
”Pushtuesit austro-hungarezë
varen dhe ekzekutuan rreth 100 nga burrat më të rëndësishëm të M.Madhe, por që
kurrë nuk mundën ta mposhtin këtë popull, as historinë e Urës së Zhajes, e cila
do të mbetet në kujtesën, jo vetëm të M.Madhe, por të gjithë kombit shqiptar”- shprehej, njëri
nga intelektualët më të shquar shqiptarë në SHBA-s, Kosta Çekrezi, në të
përditshmen”Nju York Time”, më 20 tetor 1918.
Ky është konteksti brilant dhe motivi madhor, që na mblodhi me kaq
solemnitet historik, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit - 5 Majin, në nderim dhe respekt të përjetshëm
për të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në emër të Çlirimit të Atdheut nga
pushtuesit, nxjerrjes nga errësira mesjetare-totalitare dhe drejtimit të suksesshëm
drejt hapësirave të lirisë dhe
demokracisë, me ambicien e kthjellët për t’u bërë pjesë e Evropës së Re.
Sakrifica e djemve të
kësaj treve vinte si akti fisnik më i pashoqi në Evropë, kur fatkeqësisht, nga
gjiri i Saj hidheshin shigjetat e helmatisura kundër së Ardhmes sonë si komb
duke na quajtur deri komb barabar apo primitiv, që nuk meriton të Ardhme në
liri. Bijtë dhe bijat që sot po kujtojnë dhe nderojnë historinë e tyre, si ju motra dhe vëllezër të
Kastratit dhe Shkrelit, janë të vetënderuar duke nderuar Ardhmërinë e tyre.
Dhe kur nderimi bëhet për
ata që shkëlqyen nga dashuria për njëri-tjetrin, madhështia e aktit human
sfidon madhështinë e maleve përreth nesh: Nderim dhe lavdi ndër breza: Ujkë
Halil Zarajt, Has Brahim Hasajt, Brahim Musli Kurtajt, Sali Musli Kurtajt, Kasem
Musli Kurtajt - Hysaj, Salo Abdyl Kurtajt, Zeqir Tafil Ujkisufajt, Selman Met
Çelajt, Haxhi Selman Kurtajt, Sadik Zeqir Hasajt, Rrok Kocit, Brahim Lad Ladës duke u kërkuar ndjesë publike emrave që s’kemi
arritur t’i evidentojmë. Homazhi në këtë Ditë Historike-5 Majin, që na sjell në
mend rënien e “Heroit të Popullit”, Qemal Stafa, në përballjen me pushtuesit
fashistë, për bijtë dhe bijat e Shkrelit dhe të Kastratit, vjen edhe si obligim
respekti dhe mirënjohjeje edhe për organizatorët e këtij evenimenti , autoritetet lokale këtu në Shkrel , por, në veçanti, për djalin e Kastratit dhe të
Malësisë, kryetarin e shoqatës”Malësia”, zotin Hilmi Kurtaj, që vazhdon të
investohet, kaq mrekullisht, nga
intelekti, djersa dhe mundi i një emigranti patriot dhe intelektual filluar nga memoriali i ngritur këtu, tek Ura
e Zhajes, për përjetësimin dhe përcjelljen ndër breza të historisë së kësaj
qëndrese brilante morale duke ofruar, në ditët tona, mes nesh një standart dhe
dimension evropian, përballë krizës së jashtëzakonshme totale, pra, edhe të asaj
morale të njeriut bashkëkohor, brenda vetes,
në shkallë botërore.
Shembuj tё shkёlqyer të altruizmit malёsor, si
ky që po nderojmë nga lartësia e 115 vjetorit të tij, në Malësi të Madhe, ndёr
vite kanё qenё aq mbresёlёnёs, sa tё kenё tronditur edhe shpirtrat mё gjakatarё,
prej pushtuesi, si atё tё komandantit tё
Korparmatёs Austriake në Shkodër, Kapitenit Hessler ”njё bishё e plagosur, gati
nё tёrbim, qё kёrkonte armё, municion, rekrutё me çdo kusht:
”Rebelёt e Smajl Delisё sё Lohes”qё, sipas
tij, do t’i rrjepte tё gjallё dhe t’i shkonte nё hell... Mjafton t’i referohemi njё historie tё pёrjetuar me aq ndjenjё nga njeriu shpirtlirё, Caf Nuzi nё shkrimin ”Njё akt i rrallё trimnije”, ku shndrit si mrekulli
njerёzore altruizmi i malёsorit: Nё janar 1916, pas shkatёrrimit
tё ushtrisё serbo-malazeze, hyn nё Shkodёr ushtria austriake. Në 17 korrik 1918 koha, kur komanda e
pushtuesve austriakë dërgon në fshatin Lohe një oficer me disa ushtarë për të mbledhur taksat, përkonte
me një stinë tepër të thatë. Rrjedhimisht, taksambledhësit s’kanë ç’të mbledhin
dhe në këto kushte, kur as vetë fshatarët nuk kishin mbledhur as ato pak të
mbjella, kërkojnë të marrin bagëti, të cilat ndodheshin në kullosë.
Të revoltuar tej mase, si
debatojnë egër me fshatarët, marrin forcërisht dy prej tyre: Dul Delinë dhe
Rexhep Islamin që t’i dërgonin rekrutë kundër vëllezërve të tyre shqiptarë.
Ndërkohë ka rastisur të takohen me dy lohjanë të tjerë: Smajl Delinë dhe Brahim
Hasën, të cilët në përleshje e sipër me ta,
vrasin oficerin austriak dhe ushtarët që e shoqëronin. Gjithë Lohja
zien, vihet në lëvizje me të gjitha mjetet rrethanore. Trupat e pushtuesit, të
vendosura, në gazermat e tyre, tek Ura e Zhajes, vihen në alarm, në ndjekje
këmba-këmbës të banorëve, të evakuar, në drejtim të bjeshkëve. Atje arrin të
kapin dy burra lohjanë: Has Brahim Lohen, të cilin e varin në një ah dhe Zeqir
Tafil Ujkisufajn, që e vrasin me pushkë, në mungesë të litarit. Lohes i doli
flaka, digjet gjithçka që kishin, por jo shpirti liridashës, dinjiteti moral
dhe atdhetar i lohjanëve. Kush nuk i bindej etjes
sё pushtuesit austro-hundgarez
pёr taksa, armё dhe rekrutё do tё pёrjetonte masakrёn mё të pёrbindshme mbi vetveten dhe mbi gjithё ç’kishte mbas shpirtit...
Kёshtu: ”Nё korrik 1918-tёs,
tek Ura e Zhajes, afёr Pёrroit tё Thatё, ishin grumbulluar qindra e qindra malёsorё nga mosha 15 deri nё 100 vjeç çka pёrfshinte
zona e Shkrelit, Lohes, Reçit dhe Rrjollit.Ulur sheshit, tё porositur tё merrnin me vete kazma dhe lopata me tё cilat do tё hapnin varret e veta, qёndronin kryeulёt
nёn rrezet e diellit pёrvlues tё gushtit dhe nёn kёrcёnimin e
vdekjes....Kanali i hapur prej tyre 15 metёr i gjatё, 2
metra i gjёrё dhe njё metёr i thellё priste kufomat e tyre...
Ora ishte 16oo. ”Njё heshtje varri kudo. Njerёzit jetonin nё njё gjendje ma
shumё tё vdekur se tё gjallё. Koha dukej sikur nuk ecte fare, edhe dielli dukej
sikur ka xan vend. Gjashtё orё nё kёtё gjendje” - shprehej gjithё dhimbje Prekё
Gjoni nga Bajza. Nё kёtё kohё kapiteni bardhosh nga natyra, por i zi nga
shpirti...urdhёron masakrёn, ekzekutimin me varje, nё 7 shtyllat e vendosura
enkas, pёr 16 malёsorёt, apeli… : Brahim Lada, i pari(reçjan), Rrok Koci, i
dyti (rrjedhuer), Selman Meti (reçian), Has Brahim Hasaj e Sadik Zeqir Hasaj(lohjanё),
Haxhi Selman Kurtaj, Salo Abdyl Kurtaj, Brahim Musli Kurtaj dhe Kasem Musli
Kurtaj-Hysaj (kastratës) si dhe Zeqir Tafil Ujkisufaj(lohjan)… deri te i 16-ti”.
Skuadra e pushkatimit priste vetёm fjalёn: “Zjarr”.
Ndёrkohё nga mesi i turmёs ngrihet njё djalё 22 vjeçar, shpatullgjёrё, me
tipare tё theksuara burrёnore nga Lohja:
Ujkё Halil Zaraj, i cili i drejtohet
pёrkthyesit:
“ Zotni, tё lutem, i thuej komandantit,
po pati mundёsi, ta lirojnё bashkёfashatarin tim, Haxhi Aliaj, mbasi me vrasjen
e tij vriten tre vetё: Ai, e ёma dhe e shoqja, fiket njё hise, shkretohet njё
shtёpi dhe mbyllet njё konak... Nё vend tё tij po shkoj unё.
Jeta ime nuk ka fare rёndёsi para jetёs sё tij: Jam i pamartuem, as i
fejuem, prindёr nuk kam. Kam vёllanё e shtёpinё
plot...”U ba ndёrrimi...Haxhiu, disi i turpnuem e si i xanun nё faj, me
gishtat qё i kullonin gjak nga telat me gjemba, ashtu siç i kullonte edhe zemra
tek shihte bashkёfshatarin e tij, qё e zёvёndёsoi pёr tё vdekur nё vend tё
tij, u fut nё turmё. Kur dukej se
gjithçka po mirrte fund, ndodh mrekullia tjetёr :
Prifti i Shkrelit Dom Simon Doda(Nemcja), njohёs
i shkëlqyer i gjuhёs austriake, si ka marrë dijeni nga Pjetër Mirash Gjinaj, një
dukagjinas me banim në Gruemirë, për masakrën që po përgatitej tek Ura e Zhajes kundër malësorëve, ka arritur
të sigurojë nё komandёn austriake nё Shkodёr, urdhrin pёr anullimin e kёtij
ekzekutimi dhe, pas dy orёsh udhёtimi me kalё nga Shkodra, nё sekondat e fundit,
ka sjellё anullimin e tij”(Caf Nuzi, gazeta”Malёsia”,
”Njё akt i rrallё trimnije”1998). Nën ethet e pushtuesit, i cili në memorien
popullore, edhe sot, thirret si Nemcja, gjeneralët Hochman Hagrepi dhe Stefan
Foolchen, me të marrë urdhrin, ndalojnë varjet, duke i hequr litarin nga qafa
Ujkë Halil Zarajt dhe Lac Rrustem Vuçajt dhe vënë para kushtit: “100 armë, ose
të gjithë do t’i pushkatojmë”, Dom Simon Dodën, të cilin populli më pas do ta
thërriste “Nemcja” dhe jo “Doda”, si ironi ndaj pushtuesit austro-hungarez. Kleriku i
nderuar, si garanton, me burrat më të rëndësishëm të krahinës: Zenel Sadiku, Sejdin Zeneli, Bajram Iseni,
Hajdar Ujka, Keq Sadiku, Sejdin Muça etj.etj. sigurimin e këtyre armëve, qoftë
edhe duke i blerë me flori, hyn garant, tek dy gjeneralët, me besën e bajrakut të Shkrelit.
Kështu, si groposin të vrarët dhe të
varurit, austro-hungarezët burrat nën 40 vjeç i nisin drejt komandës ushtarake në
Shkodër prej nga s’do të ktheheshin më, kurse ata mbi 40 vjeç i dërgojnë në
Myzeqe, një pjesë e të cilëve do të vdisnin gjatë rrugës. Kështu Malësia, e
tronditur tejmase, si ka mbledhur vetvehten përballë kësaj masakre, me ndihmën e burrave të Dukagjinit dhe të
Postribës, ndihmë që nuk i mungoi kurrë kësaj treve, në vazhdën e traditës së
shkëlqyer të koordinimit të veprimeve luftarake kundër pushtuesit turk, veҫmas
në 1911-tën, mes Ded’Gjo Lulit dhe Mehmet Shpendit, i ka dhënë goditjen e befasishme, shpartalluese,
moralit të pushtuesit duke e detyruar të lërë mbi 80 ushtarë të vrarë aq sa
gjeneralët austriakë të tronditur, në krizë të plotë besimi, do të shtronin
pyetjen, botërisht të njohur: ”More, sa milionë është Lohja?!”
Diskriditimi moral i maskaradës
austriake nga njё “popull derr, tё tillё qё s’e gjen nё tё gjithё globin
tokёsor, njerёz qё shkёmbejnё jetёn me vdekjen sikur tё ishte njё plaçkё tregu”,
sipas Kapiten Hessler (”Kujtime nga Lufta e Ballkanit”), sjell mes nesh
krenarinë e ligjshme ndaj këtyre Malësorëve që, duke sfiduar moralisht një
perandori si ajo Austro-Hungareze, vjen, sot, mes nesh si një e kaluar e
shëndetshme, që meriton t”i referohemi në ditët tona të entuziazmit modern, të
krizës brenda vetes, tё shplarjes deri nё pafytyrёsi: nё emёr tё parcelës, pushtetit,
parasё, klientelёs sё fёlliqtё...
Edhe njëherë nderim
dhe lavdi bijëve të Shkrelit dhe të Kastratit, bijëve të Malësisë së Madhe, që
me shembullin e tyre të vetmohimit dhe të qëndresës morale, na bëjnë të
ndjehemi krenarë, në krah të popujve të qytetëruar, falë vlerave brilante të
historisë sonë si popull: sa lokale, sa
kombëtare.
Ura e Zhajes, më 5 maj 2013 Kadri Ujkaj ,
kritik letrar,
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve-M.Madhe
No comments:
Post a Comment