Friday, May 17, 2013

Zëri i Amerikës 70 vjet në shërbimin shqip

Nga Keze Kozeta Zylo

Në mjediset e zyrave të Zërit të Amerikës në Washington DC u festua 70 vjetori i Zërit të Amerikës në shërbimin Shqip.  Gazetarë, personalitete të shquara amerikane dhe shqiptare nderuan dhe vlerësuan punën e palodhur të Zerit të Amerikës në shërbimin shqip që ka kryer plot 70 vjet me radhë.  Zëri i Amerikës është një nga mediat më kryesore dhe që ka realizuar një nga misionet më fisnike për të frymëzuar popujt që jetonin nën diktaturë që të çliroheshin dhe të
fitonin Lirinë e mohuar.  Për rrjedhojë kurrë shqiptarët nuk do ta harrojnë emisionin: "Ju flet Zëri i Amerikës" veçanërisht në luftën dhe përpjekjet e përmbysjes së sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë.  Zëri i ikonës së gazetarisë Dr.Elez Biberaj u bë një nga zërat më të dashur dhe më besues se shumë politikanë të tjerë që morën frenat e drejtimit pas përmbysjes së diktaturës...
            Ceremoninë e ka hapur Dr.Elez Biberaj drejtor i Euroazisë për Zërin e Amerikës i cili ndër të tjera tha se ishte i nderuar t'i përshëndeste dhe të festonin së bashku 70 vjetorin e Zërit të Amerikës në shërbimin shqip.  Zëri i Amerikës në shërbimin shqip ka qenë protagoniste e etapave më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.  Dr.Biberaj falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe vlerësimin që i bëjnë punës së gazetarëve duke u bazuar në principet më demokratike.  Gjithashtu përshëndeti Zv/Sekretarin e shtetit që kishin ardhur në këtë ceremoni z. Philip Reeker, senatorin Dennis DeConcini, Kongresistin Eliot Engel, ambasadorin e Kosovës, të Maqedonisë, sekretarin e parë të Ambasadës të Montenegros, ish ambasadorë të Shqipërisë, diplomatë, ekspertë të çështjeve të Shqipërise dhe Ballkanit etj...  Me mjaft respekt foli për kontributin e ish gazetarëve si: Gjon Kadeli, Idriz Lamaj, Gjek Gjonlekaj, Frank Shkreli, and Shaqir Salihu si dhe për shumë ish dhe gazetarë të tanishëm që punojnë në rajon në kondita shumë të vështira dhe që po japin një kontribut shumë të madh në programin e VOA-s.  Ata janë: Armand Mero, Ilirian Agolli, Pëllumb Sulo, Raimond Kola, Besim Abazi, Leonat Shehu, Ali Salaj, Ramadan Isaku, Aferdita Saracini-Kelmendi, Ibrahim Osmani, Linda Karadaku, Shefki Morina, Fahri Musliu, dhe Diana Toska.
Ceremonia është moderuar plot kulturë dhe profesionalizëm nga z.Arben Xhixho, drejtor i programit të Zërit të Amerikës në Shqip.  Në këtë ceremoni përshëndetën z.David Ensor, drejtori i Zërit të Amerikës, Richard Lobo, Jeff Trimble, nobelisti Dr.Ferid Murad, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri Ryerson, prof.Nicholas C.Pano etj... Zëvendës ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker, Kongresisti Eliot Engel, ish senatori Dennis DeConcini, z.Ali Ahmeti deputet në Parlamentin e Maqedonisë etj.
Ata e çmuan lart rolin e Zërit të Amerikës në shqip dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka luajtur dhe luan në çështjen kombëtare.  Me konsideratat më të larta u shprehën dhe për Dr.Elez Biberaj i cili me fuqinë e të vërtetës së fjalës demokratike ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për të përmbysur diktaturën.  Një nga gazetarët amerikanë gjatë bisedës së lirë m'u shpreh se kur ai vizitoi Kosovën pasi ishte prezantuar se ishte gazetar i Zërit të Amerikës, menjëherë shqiptarët m'u përgjigjën se atje kemi Elez Biberaj, Rock Star!...
            Me mjaft interes u ndoqën dhe vidiot e përgatitura enkas për këtë ceremoni ku pjesëmarrësit shikonin me emocion si ardhjen e James Baker në Tiranë, ish Sekretarit të Shtetit amerikan apo momente të ndryshme nga filmimet dhe materialet e gazetarëve. 
Me duartrokitje të fuqishme u mirëprit dekorimi që iu bë Zërit të Amerikës nga Presidenti Nishani.  Çmimi i mirënjohjes iu dorëzua z.David Ensor Drejtorit të Zërit të Amerikës nga z.Edwin Schwartz dhe nga z.Arben Idrizi këshilltarë pranë Presidentit Nishani.              Njëkohësisht në këtë ceremoni u dekorua me çmimin e lartë "Nderi i Kombit" Dr.Elez Biberaj, dekoratë që u mirëprit me plot respekt dhe mirënjohje nga të gjithë të pranishmit.
Në 70 Vjetorin e Zërit të Amerikës në Shqip z.Frank Shkreli ish Drejtor i Divizionit Evropian, dhe seksionit shqip solli mjaft kujtime gjatë karierës së tij si gazetar.  Ai tha se unë praktikisht jam rritur në këtë ndërtesë. Prandaj kthimi këtu është gjithmonë një kënaqësi e madhe për mua.  Është si të kthehesh në shtëpi.  VOA shqiptare e vogël, por guximtare u përballë me mungesën e stafit për të paktën 45 vitet e para të historisë së saj. Duke pasur parasysh natyrën e regjimit komunist shqiptar, Shërbimi Shqiptar - ndryshe nga shërbimet e tjera të VOA-s që transmetoheshin në Evropën Lindore – nuk kishte asnjë lloj kontakti me audiencën e saj në Shqipëri.  Për shkak të mungesës së stafit, na është dashur të punojmë shumë, shpesh pa ndalesë, shtatë ditë në javë për periudha të gjata kohore.  Por gjithësesi kjo nuk ishte gjëja më e vështirë, ajo që ishte e vështirë gjatë këtyre viteve, ishte fakti se ne nuk kishim asnjë ide nëse dikush ishte duke na dëgjuar nga ana tjetër.  Mbaj mend një prej kolegëve të mi, Xhevat Kallajxhi nga Gjirokastra, kur pasi mbaronim programin, ai kthehej nga unë dhe thonte: "E mo Shkreli, thua na dëgjoi njeri sot?''. Shqipëria ishte një shoqëri e mbyllur komuniste, si asnjë vend tjetër...
Mjaft emocionale dhe tronditëse ishte fjala e gazetares znj.Zamira Edwards e cila së bashku me vëllain dhe motrën u arratisën nga Shqipëria me not drejt Korfuzit... Drithëruese ishte kur jepej në vidio fotografia e vëllait të saj aq simpatik, i cili mjerisht nuk e kaloi dot detin Jon.  Kur Zamirën e pyeten se nëse motrat do ta dinin se vëllai do të mbetej në ujëra përgjithmonë, ato thanë se ne nuk do ta ndërmerrnim kete hap aq te guximshëm.  Familja e saj dhe vetë ato kanë qenë të internuara, të persekutuara tmerrësisht nga sistemi diktatorial në Shqipëri.  Tmerret që ato panë i detyruan të largoheshin përgjithmonë nga prindërit dhe toka shqiptare.  Historia e tyre është e denjë për një film horror në Hollivud, shpresoj që një dite ta shoh të realizuar...
Nëpërmjet vidios kanë përshëndetur presidenti i Shqipërisë z.Nishani dhe presidentja e Kosovës znj.Atifete Jahjaga të cilët në emër të popullit shqiptar iu uruan Zërit të Amerikës dhe seksionit shqip 70 vjetorin duke e çmuar si zëri më i fuqishëm i medias shqiptare. 
Në pjesën e fundit të ceremonisë kanë përshëndetur nëpërmjet ekranit të gjithë gazetarët shqiptarë që punojnë pranë Zërit të Amerikës, ku ndërmjet tyre ishte dhe vajza e vogël Fiona Prifti, e bija e gazetares së mirënjohur Keida Kostreci, e cila me zërin e saj fëminor ka uruar Zërin e Amerikës: Gëzuar 70 vjetorin, çka flet qartë për mësim të historisë në breza!  Ndërkohë z.Xhixho ka ftuar të gjithë pjesëmarresit në kokteil të cilët u argëtuan me zërin e bukur të sopranos së shquar Lindita Mezini Lole të shoqëruar mjeshtërisht në piano nga Merzana Kostreci.
TV Alba Life ishte i ftuar në këtë ceremoni dhe së shpejti do të transmetojë në kanalet televizive aktivitetin që u zhvillua në selinë e Zërit të Amerikës në Washington DC me rastin e 70 vjetorit të Zerit të Amerikës në Shqip.

9 Maj, 2013
Washington DC




Dr.Elez Biberaj nderohet me cmimin e larte: "Nderi i Kombit". Ne emer te Presidentit te Shqiperise z.Bujar Nishani dekorata u dorezua nga z.Arben Idrizi – Këshilltar Ligjor i Presidentit. Shume shqiptare e kujtojne me nostalgji zerin e gazetarit te shquar Dr.Biberaj i cili duke pasur baze principet e Demokracise Amerikane frymezoi gjithe degjuesit e tij per te permbysur diktaturen dhe per te sjelle Lirine. Mirenjohje per punen tuaj!

No comments: