(Libri në kohën e krizës)
-
Njerëzit lexojnë gjithnjë e më pak.
-
Dikur lexuesit rrinin në radhë për të blerë
librin e ri të autorëve të preferuar. Tani rrinë autorët në radhë në kërkim të
lexuesve.
-
Mbyllen ose rrezikojnë të mbyllen librari që
kanë bërë histori në propagandimin e shitjen e librit.
Kohët
e fundit kam ndeshur në disa fakte tronditëse për çdo dashamirës të kulturës e
veçanërisht të librit, të cilat tregojnë se libri po humbet gjithnjë e më shumë
terren në jetën e përditshme të njerëzve. Arsyet janë të shumta, e padyshim
vendin e parë në këto arsye e zë kriza e rëndë ekonomike, që po ha në radhë të
parë librin. Në Sant’ Arcangelo, një qytet i vogël por i bukur në afërsi të
Riminit, me një kështjellë të bukur mbi kodrinën që dominon qytetin, mësova një
fakt të hidhur. Kështjellës së parë, që rrezaton kulturë e histori, i është
vënë përballë një “kështjellë” tjetër prej betoni, një kapanon i madh me
lartësinë e një pallati 3 katësh, që flet për degradimin e kulturës. Në këtë
“kështjellë” janë mbyllur mbi 100 milionë volume, libra të pashitur, që i kanë
sjellë këtu nga libraritë e Emilia Romanias. Një shifër marramendëse, po të
mendosh se këto libra i përkasin vetëm njërës nga 20 rajonet e Italisë.
Destinazioni i këtyre librave: Të përfundojnë në karton. Deri tani janë dërguar
për karton 1 milion libra në vit. Por kjo sasi është shumë e pakët, duke
menduar sasinë që vazhdon te vijë e për kartonizimin e tyre do të duheshin
njëqind vjet me këtë ritëm. Kështuqë po kërkohen mundësi të reja për ta
boshatisur më me shpejtësi kështjellën që ha libra.
Midis radhëve me lartësi mbi 10 metra të librave, vërtitet herë pas here
ndonjë bukinist i pasionuar por edhe nevojtar, që vjen e zgjedh libra me vlerë
të veçantë, për t’i shitur pastaj nëpër bankarela për 1 euro. Me vlerën e 4-5 librave blen një panine, sa për të
mbushur barkun. M’u kujtua që verën e kaluar, kur pushonim në Alpe, në një
mercatino të gjërave të përdorur, gjeta edhe një vëllim me tri komedi të
Molierit në gjermanisht, shtypur në vitin 1947 në Austri. Çmimi : 50 cent,
domethënë gjysmë euro. Nuk mund ta lija një botim të tillë, me një grafikë që
të ftonte, pavarësisht se nuk di gjermanisht. (Për fat tani e ka dhënë vajza
provim gjermanishten dhe e lexon ajo). Njerëzit në atë mercato ndaleshin edhe
përpara gjërave më të kota, por, për fatin tim, askush para atij libri.
Një dizinteresim për librin që po çon edhe
në mbylljen e shumë librarive. Kohët e fundit u mbyll një nga libraritë
historike në Palermo të Siçilisë, që ishte kthyer gati në një tempull të
librit, libraria « Flaccovio ».
E dyta në Sicili për nga rëndësia, ajo ka qenë një lokal i dashur ku
kalonin orë e orë shkrimtarë e artistë si Leonardo Sciascia, Moravia. Guttuso,
Maraini e shumë të tjerë. Por, kriza e pamëshirshme nuk kursen as gjërat
ekselente. Pronarët e saj u detyruan ta mbyllin librarinë e famshme. Asnjë
interesim apo investim nga ana e enteve kulturale lokale e kombëtare. Dhe të
mendosh se në atë lokal hapet tani një dyqan për rroba intime. Të vjen të
thuash me vete se njerëzit në kohët e sotme mendojnë më shumë për prapanicën se
për kokën.
Në
rrezik është vën� edhe ekzistenca e librarisë “Hoepli” në Milano. Kjo librari
është hapur në vitin 1870 nga zvicerani
Ulrico Hoepli dhe ka mbi 140 vjet që është bërë pikë referimi për cilindo që
kërkon të gjejë një libër të rrallë, një manual apo hartë që nuk e gjen në
libraritë e tjera. Me aktivitetin e vet, familja Hoepli në vite u bë një
dinasti. Në raftet e saj 175 mijë tituj e mbi 500 mijë volume. Pjesëtarët e saj
punonin këtu, mes rafteve e volumeve të kësaj librarie. Barbara, një nga
pinjollët e fundit të dinastisë, deklaron: Libraria jonë ka patur sukses, sepse
ne nuk e kemi parë kurrë librin si një mjet comercial, për ne libri ka qenë e
mbetet mision, ndaj është kthyer në pasion e traditë të familjes.
Për
fat të mire pinjollët e kësaj dinastie, përballë krizës, kanë ditur të
përshtaten dhe të bëhen krijues në punën e tyre. Duke ditur që tashmë është
interneti që i bën një konkurencë të pamëshirshme shitjes së librit (sepse
miliona libra shkarkohen falas nga rrjeti), pronarët e librarisë kanë vënë on
line shumë tituj e emri Hoepli bën që të pasionuarit e vërtetë të librit të
porositin aty ndonjë libër. Veç kësaj, ata kanë menduar që në ambientet shumë
tërheqëse të librarisë të organizojnë çdo javë 1-2 promovime librash, duke
tërhequr kështu jo vetëm autorë, por edhe shumë lexues, të cilët pastaj kthehen
edhe në blerës. Janë ide rinovuese që librarët e sotëm duhet t’i praktikojnë
për t’i bërë ballë krizës. E kisha parë këtë praktikë edhe në një librari të
vogël në Romë, ku një djalë i ri, i laureuar i papunë, kishte hapur një librari
ku bënte edhe promovime librash dhe aktiviteti i ecte mirë.
Më
ka qëlluar jo rrallë që, duke lëvizur nëpër qytete të ndryshme të Italisë, më
kanë ndalur njerëz me libra në dorë, që t’i jepnin për çfardo oferte që t’i
bëje. Në Verona e pyeta njërin: -E di autori që ju i shisni kështu librat e
tij? Dhe ai m’u përgjigj: - Po unë jam autori.
Fakt që flet vetvetiu më shumë se çdo koment.
Libri është në krizë. Nga njëra anë se ka një inflacion botimesh, sa nuk
i zënë as raftet e librarive e mbeten atje për vite me radhë derisa përfundojnë
në “kështjellën që ha libra”. Nga ana tjetër se ministritë e kulturës, apo
entet kulturore, merren me çdo gjë tjetër, veç me librin jo. Ndaj u mbetet
autorëve të merren vetë edhe me shpërndarjen, shitjen, apo në fund të fundit me
dhurimin miqve, veç që libri të mos përfundojë në karton.
Shumë lexues (edhe këtu padyshim kriza ka pjesën e vet) i shkarkojnë
librat nga interneti. Unë per vete nuk heq dot dorë nga kënaqësia e marrjes së
librit në dorë dhe e shfletimit të tij. Se libri nuk është një objekt që të shërben për momentin, por është një
mik i dashur që të shoqëron tërë jetën.
Ndue Lazri
No comments:
Post a Comment