Friday, May 17, 2013

NJË JAVË E KEQE PËR ADMINISTRATËN OBAMA


  Nga Frank Shkreli
Jam i bindur se Presidenti Barak Obama dhe administrata e tij po presin me ankth fund javën.  Ishte një javë tepër e vështirë për ta por edhe për sistemin politik amerikan, pasi presidenti dhe zyrtarët e tij u përballuan me akuza të ashpëra nga media dhe nga Kongresi në lidhje me zbulimin se Departmenti i Thesarit, që në të vërtetë është Agjencia Tatimore, kishte venë në shënjëstër grupe dhe organizata
konservatore, të cilat gjatë dy vjetëve të fundit janë përpjekur të aplikojnë për stausin e përjashtimit nga taksat.   Sipas njoftimeve, ato iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm duke mos aprovuar statusin e tyre, ndërsa, sipas gazetës amerikane USA Today, grupet me prirje liberale që kishin aplikuar gjatë të njëjtës periudhë, u aprovuan pa asnjë  problem.    Presidenti Obama, gjatë ditëve të fundit, i ka cilësuar këto veprime të Agjencisë Tatimore, që media amerikane po i cilëson skandaloze, si të ''patolerueshme dhe të pafalshme.''    Ai gjithashtu u zotua se punonjës të kësaj agjencie që mund të jenë fajtorë, do të mbahen përgjegjës, dhe njëherazi bëri thirrje për marrjen e masave që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë më.    Edhe Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder tha se çfarë ka ndodhur në këtë agjenci, ''është sigurisht skandaloze dhe e paranueshme" dhe shtoi se ka urdhëruar bërjen e hetimeve nga zyra e tij në lidhje me këtë çështje.   Ndërkohë, Agjencia Tatimore ka kërkuar ndjesë për ato që kanë ndodhur dhe presidenti Obama njoftoi dje se si rrjedhim, kishte pranuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithëshëm të kësaj agjencie.
Çështja tjetër skandaloze me të cilën po përballet këtë javë administrata e Z. Obama është konfiskimi i të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë për një periudhë prej dy muajsh, të një numëri gazetarësh dhe redaktorësh të agjencisë së njohur të lajmeve Associated Press (AP).    Megjithë zemërimet e shprehura nga media dhe nga Kongresi për këtë masë, që ekspertët ligjorë dhe anlalistët e quajnë si të pa precedencë,  Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder mbrojti të drejtën e entit që ai drejton -- për  hetimet  rreth njoftimit të agjencisë së lajmeve AP në lidhje me një operacion të agjencisë së fshehtë amerikane CIA, që kishte parandaluar një operacion terrorist në Jemen.   Ai tha se këjo nxjerrje informacioni nga agjencia e lajmeve AP “ishte tepër, tepër serioze” dhe se informacioni i nxjerrë nga agjencia AP, sipas tij, "pa ekzagjerim rrezikon popullin amerikan".
Reagimet ndajë këtyre veprimeve të administratës Obama, ishin të shpejta dhe të furishme, nga media, nga Kongresi amerikan dhe nga nga grupe të ndryshme të të drejtave civile dhe të mbështetës të lirisë së shtypit, nga spektri i majtë dhe i djathtë.   
Vet agjencia e lajmeve Associated Presss, duke reaguar ndaj konfiskimit të të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë, në një letër të ashpër dërguar Prokurit të Përgjithshëm Erik Holder, më heret këtë javë, Presidenti i AP, Gary Pruitt protestoi duke thënë se, ''Nuk mund të ketë asnjë justifikim të mundshëm për një konfiskim të tillë  të të dhënave të komunikimeve telefonike të agjencisë AP dhe gazetarve të saj.    Këto të dhëna telefonike zbulojnë burimet konfidenciale të gazetarve dhe të operacioneve të agjencisë AP, aktivitete këto për të cilat qeveria nuk ka asnjë të drejtë të dijë për to.   Ne e konsiderojmë këtë masë të Ministrisë së Drejtësisë si një ndërhyrje serioze në të drejtat konsitucionale të agjencisë AP, për të mbledhur dhe raportuar lajmet.''
Shoqata e Gazetave Amerikane, pasi mësoi për konfiskimin e të dhënave telefonike të agjencissë AP,  nga ana e Ministrisë së Drejtësisë ,  lëshoi një deklaratë duke thënë se, “këjo masë shokon ndërgjegjen amerikane dhe  shkel lirinë kritike të shtypit që mbrohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara “.    Gazeta  Nju Jork Tajms tha  në një editorial kritik ndaj administratës Obama, se  “Këto taktika nuk do të na frikësojnë ne as agjencinë AP, por mund të frikësojnë burimet dhe kontaktet konfidenciale mbrenda në qeveri, të cilat janë ablsolutisht jetike për median, për të raportuar mbi punët e qeverisë.”
Gazeta USA Today në editorialin e saj mbi këtë çështje thotë se, “është e vërtetë se qeveria ka përgjegjësinë për të mbrojtur sigurimin kombëtar, por këjo përgjegjësi ka kufi dhe rasti i agjencisë AP është  i tepruar.   Këjo administratë ka nevojë të mendojë gjatë e mirë në lidhje me abuzimin e pushtetit.”
Ndërsa gazeta Uashington Post, e njohur për vijën e saj liberale dhe  normalisht përkrahse e politikës së Presidentit Obama, në një koment kritik në lidhje me abuzimet në Agjencinë amerikane të Tatimeve  -- kundër grupeve të djathta konservatore --  u shpreh se, “Gur themeli i parimeve të demokracisë amerikane  është se pushteti i qeverisë nuk duhet të përdoret kurrë për qëllime partiake.’’
Kongresi ka njoftuar se në ditët dhe javët e ardhëshme, një e treta e komisioneve të Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit, do të mbajnë séanca në lidhje me këto çështje.    Kongresistët, si republikanë ashtu edhe demokratë, janë të zemëruar dhe po kërkojnë shpjegime për ato që kanë ndodhur, dhe njëkohsisht  i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Obama që të ndëshkojë fajtorët dhe të sigurojë marrjen e masave  të menjëhershme që aktivitete të tilla  nuk do të përsëritën më.   Udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Deputetve, John Boehner tha dje gjatë një konferencë shtypi se, “Pyetja ime nuk është se kush do të japë dorëheqjen”, pyetja ime”, shtoi ai, “ është se kush do të ndëshkohet me burg, për këtë.”    Në lidhje me abuzimet në Agjencinë Tatimore, Kongresisti Boehner tha se, “Për këtë lloj abuzimi ne kemi ligjet” dhe është e nevojshme, tha ai, të dimë se cilët janë personat që abuzuan dhe nëse ata shkelën ligjin.
Edhe udhëheqsi i demokratëve në Senat dhe përkrahës i flakët i administratës Obama, Senatori Harry Reid iu bashkua kritikave  të kolegëve të tij në Kongres, ndaj Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e të dhënave telefonike të agjencisë AP, duke thënë se, “e kam shumë të vështirë të mbroj atë që ka bërë Ministria e Drejtësisë.  “Është e pafalshme.  Nuk ka asgjë që mund të justifikojë një gjë të tillë”, tha udhëheqsi demokrat  i Senatit.
Këjo javë ishte  me të vërtetë shumë e keqe për presidentin Barak Obama dhe për administratën e tij, sigurisht java më e vështirë e mandatit të tij deri tani.  Por vera mund të jetë edhe më e vështirë dhe më e nxehtë politikisht në Uashington.   Megjithëse siç duket  administrata Obama ia shkaktoi vetvetes  këto probleme – republikanët me zi kanë pritur për një moment të tillë, duke njoftuar menjëherë mbajtjen e një numëri seancash në Kongres për të zbuluar të vërtetën, jo vetëm për  këto dy çështje, por edhe për sulmin terrorist në Bengazi të Libisë, shtatorin e vitit që kaloi,  ku mbetën të vrarë katër diplomatë amerikanë, përfshirë edhe  ambasadorin Christopher Stevens, pasi kohët e fundit kanë dalur në shesh informacione të reja që nuk përputhen me shpjegimet fillestare të administratës së Presidentit Obama në lidhje me atë sulm.   
Për të gjitha këto, Kongresi dhe populli amerikan duhet të kërkojnë nga Presidenti Obama dhe administrata  e tij të vërtetën, si dhe pushimin nga puna ose ndëshkimin me burg të atyre që mund të kenë shkelur ligjin dhe Kushtetutën amerikane.  Amandamenti i parë i kushtetutës amerikane që, ndër të tjera, garanton lirinë e shtypit, është aty dhe i pari ndër amandamentet e tjera  për një arsye.   Baballarët e këtij kombi dhe hartuesit e kushtetutës amerikane e kishin paraparë rëndësinë e tij.   Populli amerikan ka të drejtën dhe meriton të mësojë të vërtetën për të gjitha këto abuzime nga qeveria e tij, ose përfaqsues të saj.
Frank Shkreli



No comments: