Thursday, November 1, 2012

Rekordi i sigurimit me listat e vdekjes, në kohën e Alisë

Aida Tuci
“Kontingjentet armike” arritën shifrën më të lartë në kohën kur Sekretar i Parë ishte Ramiz Alia. Përtej këtij konstatimi, drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, në librin
“Sigurimi i Shtetit 1944–1991. Historia e policisë politike të regjimit komunist”, botuar këto ditë nga “Botimet 55”, sjell studimin e parë të plotë në lidhje me aktivitetin e një prej strukturave më të mprehta të diktaturës komuniste në Shqipëri. Mekanizmi i ndërtimit të Sigurimit të Shtetit, platformat e tij, funksionimi nga qendra në bazë etj., marrin përgjigje në këtë libër. Platformat mbi të cilat bazohej puna e organeve të punëve të brendshme, veçmas e Sigurimit, çelësi i gjithë veprimeve të këqija, njihen tashmë në mënyrë më të plotë e më të qartë. Roli i jugosllavëve në strukturimin e parë të Sigurimit apo emërtimin e tij, dhe ai i sovjetikëve në formatimit agresiv e agjenturor të kësaj arme, analizohen në kapituj të veçantë të librit. Për herë të parë dalin në pah statistika mbi rrjetin agjenturor të Sigurimit, përpunimet dhe përndjekjet, sipas niveleve të tij, rolit, vërtetësisë dhe peshës që ka pasur. Shpjegohen mënyrat e arrestimeve, internimeve, veprat politike më të përndjekura, kontingjentet etj. Libri hedh dritë mbi rolin e vërtetë të Sigurimit, pa zmadhimet e pa figurën e mitit dhe përfytyrimit, por mbi bazën e fakteve dhe analizës historike. Libri është i strukturuar në 15 kapituj. Ai merret me kohën e vërtetë kur është krijuar arma e specializuar e diktaturës, drejtimin e saj me Partinë e Punës të Shqipërisë, rolin e Enver Hoxhës në të, drejtimet kryesore kundër elementit antikomunist etj. Shpjegohet mirë koha kur u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit dhe Seksionet e Mbrojtjes së Popullit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare në vitet 1944 –1946. Po ashtu, formimi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe ndarja në tri koka e kësaj strukture në vitet që pasojnë. Në një kohë me këtë studim studiuesi Kastriot Dervishi boton edhe enciklopedinë me të dhëna biografike të atyre që na kanë qeverisur këto 100 vjet. Libri “Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet” është në fakt një fjalor enciklopedik i veçantë, që tregon të dhënat kryesore të 467 personave që kanë qenë kryeministra dhe anëtarë të Këshillit të Ministrave të shtetit shqiptar në këto 100 vite. Botimi me ilustrime është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Libri është i ndarë në disa kapituj. Në fillim jepen të gjitha kabinetet shqiptare dhe një përmbledhje e programeve dhe historikut të tyre sipas epokave. Jepen jetëshkrimet me foto të personave që kanë qenë anëtarë të Këshillit të Ministrave, ndërsa statistika të tjera tregojnë të dhëna mbi ministrat. Një vend i posaçëm autori Kastriot Dervishi u ka lënë fotografive, ku kanë qenë selitë e Këshillit të Ministrave si dhe ministrive kryesore.
Zoti Dervishi, vini me dy libra që ngjallin kureshtje jo vetëm për faktin se janë botime të veçanta në tregun e librit, por dhe për informacionin që ato përcjellin. I pari është një studim dhe historik i Sigurimit të Shtetit, ose siç e keni quajtur dhe ju, “policia politike e regjimit komunist”. A zbulon ky studim gjithë skutat e errëta të Sigurimit të Shtetit?
Studimi mbi Sigurimin e Shtetit është vijim i studimit të parë mbi shërbimin sekret shqiptar në vitet 1922-1944. Kuptohet që ky është për periudhën 1944-1991, për një shërbim krejt ndryshe nga ai i mëparshmi. Bëhet fjalë për policinë politike të regjimit komunist. Mendoj që kam arritur të nxjerr organizimin e këtij shërbimi me gjithë të vërtetën e tij, pasi më shumë Sigurimi ka qenë mit, mekanizëm jo inteligjent, por agresiv. Nëse oficerët e Sigurimit ishin nga origjina e profesionit këpucarë, rrobaqepës, teneqexhinj, gjellëbërës, çobanë etj., kuptohet se këtu nuk mund të flitet për inteligjencë. Brutaliteti dhe ashpërsia nuk është inteligjencë.
Sigurimi ka qenë tehu i shpatës i Partisë së Punës të Shqipërisë. Organizimi i Sigurimit dhe funksionimi i tij, për mua mbetet një rrugë që mund të lexohet në këtë botim. Gjithashtu, më duhet të them edhe diçka tjetër. Në fund të vitit 2008, unë në përbërje të një delegacioni shqiptar kam vizituar Arkivin e STAS-it në Berlin. Atje përveç të tjerash bëhej një punë e madhe studimore me të kaluarën. Siç dinë gjermanët, çdo gjë ishte e organizuar në përsosmëri. Veç kësaj ata kishin të dhëna të plota për çdo vend të Lindjes komuniste, me përjashtim të Shqipërisë. Këto të dhëna ishin të formës: sa oficerë ka pasur arma e shërbimit sekret, sa bashkëpunëtorë etj. Të gjitha vendet e Lindjes kishin botime në këtë fushë. Vetëm Shqipëria ishte pa asnjë informacion. Megjithatë, për sa u informova, STAS-i nuk ishte në agresivitetin dhe makabritetin e regjimit komunist të Shqipërisë.
Në cilat dosje apo dokumente jeni bazuar për ta shkruar këtë historik?
Në ato që ka krijuar Partia e Punës dhe vetë Sigurimi.
Mbi ç’baza u ndërtua Sigurimi i Shtetit dhe kush pati rol më të madh, jugosllavët apo rusët në atë që u shndërrua më pas në policinë politike të regjimit?
Ka disa probleme. Gjithçka që është krijuar në Luftën e Dytë Botërore dhe vitet pas saj, që lidhet me komunistët e Shqipërisë, ka dorën e jugosllavëve. Të gjitha emërtesat janë përkthime nga serbishtja në shqip. Duke filluar nga “Vdekje Fashizmit – Liri Popullit” (Smrt fashizmi – sloboda narodni) e duke vazhduar me të ashtuquajturat emërtesa si Këshilli Nacionalçlirimtar, komiteti i tij etj., të gjitha ishin kopjime jugosllave. Në Jugosllavi mbahej kongresi i AVNOJ-it (Këshilli Nacionalçlirimtar Jugosllav), në Shqipëri mbahej Kongresi i Përmetit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me organizimin e shërbimit sekret. Gjatë luftës ky shërbim është diletant. Propaganda e mëvonshme e ka glorifikuar për qëllime politike. Në dhjetor 1944 krijohet Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, edhe kjo sipas përkthimit jugosllav. U krijua sepse në Jugosllavi ishte krijuar OZN-a (Organizacija Zabranja Naroda). Në vitin 1946 u krijua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (sipas përkthimit jugosllav), sepse në Jugosllavi ishte krijuar UDB (Uprava Drzavne Bezbenosti). Sigurimi ishte një filial i UDB-së. Pas vitit 1948, drejtimin në dorë e morën këshilltarët sovjetikë. Ata ishin ekipi i vërtetë drejtues i Sigurimit, pasi ishin në çdo drejtori e degë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ata filluan të ndërtojnë punën mbi bazën e platformës drejtuese me koncepte pune. Deri atë vit Sigurimi nuk kishte koncepte pune, pasi punohej sipas parimit: arresto tani, se provat dalin në hetuesi.
Ju thoni se për herë të parë dalin në pah statistika mbi rrjetin agjenturor. A mund t’ia shpjegojmë lexuesit çfarë përmbajnë këto statistika dhe si funksiononte rrjeti agjenturor në Sigurimin e Shtetit? Cila shtresë e shoqërisë ishte në shënjestër të rekrutimeve?
Sigurimi ka qenë sikurse ju thashë, polici politike. Ka pasur mision kryesor ndjekjen e kundërshtarëve politikë, hetimin (deri më 1974 hetimi ka qenë pjesë e Sigurimit dhe deri më 1983 pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme), internim – dëbimet, vizat, përfaqësitë diplomatike, sigurimin e ushtrisë, ekonominë etj., po ashtu ka pasur edhe një degë që merrej me statistikat. Mbi bazën e shumatoreve të mbledhura nga kjo degë nxjerrim edhe shifrën mbi numrin e rrjetit sekret. Në këtë të fundit bënin pjesë rezidentët, agjentët, informatorët dhe strehuesit. Pra këto ishin klasat e rrjetit sekret. Në mbështetje me platformat e Sigurimit, ndërtohej edhe rrjeti sekret. Rezidentët dhe strehuesit duhej të ishin patjetër anëtarë ose kandidatë partie. Ndërsa agjentët dhe informatorët, përgjithësisht “nga radhët e armikut” në një raport 70% me 30% me anëtarët ose kandidatët e partisë. Sipas meje, vetëm 60% e rrjetit ka qenë fiktiv. Këtë rrjet e drejtonin punëtorët operativë të Sigurimit të Shtetit, që ishin të vendosur në qendër dhe në degët e punëve të brendshme në rrethe. P.sh. rrethi i Durrësit ka pasur 11 punëtorë operativë, Tirana 30, Elbasani 8 etj. Nga të dhënat mbi përpunimet ose ndryshe përndjekjet, janë dhënë me shifra sa persona ndiqeshin çdo vit në përpunim aktiv, kontroll operativ dhe sa ishin kontingjentet. Këto të dhëna zhveshin një tjetër mit mbi Sigurimin.
Çfarë roli ka luajtur Enver Hoxha në veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit?
Enver Hoxha ka qenë “mentori” kryesor i tij. Në bazë të platformave ai informohej rregullisht mbi çdo gjë në vend. Për rolin e tij në këtë intervistë mjafton të citoj një diskutim të tij të datës 23 shkurt 1967 (natyrisht jopublik) kur thotë: “Punëtorët e Sigurimit të Shtetit janë vetëm punëtorë partie, në radhë të parë punëtorë politikë dhe asgjë tjetër”.
Po Mehmet Shehu?
Puna e tij lidhet me vitet 1948-1954, kur ishte ministër i Punëve të Brendshme. Mehmet Shehu, në bashkëpunim me këshilltarët sovjetikë, ndërtoi një armë agresive për nga aspekti i goditjes. Shehu pas vitit 1954, si kryeministër e kishte në varësi Sigurimin nga pikëpamja shtetërore, por nga pikëpamja politike ai varej drejtpërdrejt nga Enver Hoxha. Kësisoj, roli i Mehmet Shehut mbetej i zbehtë.
Meqë folëm për mite. A ka patur bashkëpunime mes Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe atyre të huaja gjatë kohës që ju keni marrë në studim, dhe realisht, Sigurimi i Shtetit shqiptar ka patur agjentë të huaj perëndimorë si bashkëpunëtorë?
Njihet bashkëpunimi me organet e punëve të brendshme të Lindjes Komuniste. Bashkëpunim në shkëmbimin e informacionit. Ndërsa sa i takon “bashkëpunëtorëve të huaj”, Sigurimi nuk ka pasur kurrë bashkëpunëtorë cilësorë. Edhe këtu Sigurimi e ka ngritur punën mbi bazën e një miti për zotësi të “jashtëzakonshme” etj. Puna zbuluese ka qenë afër zeros, e bazuar kryesisht mbi gazetat e huaja. Në libër është një kapitull për këtë aspekt Në kohën e kujt ka qenë më i egër Sigurimi i Shtetit kur drejtohej nga p.sh., Mehmet Shehu, Koçi Xoxe apo të tjerë?
Nuk bëj dallime për kohët, pasi misioni është kryer njëlloj me të njëjtin përkushtim. Koha e Koçi Xoxes nuk ka dallim nga kohët e tjera, por vetëm se u bë më transparente se kohët e tjera. Veçse këtu po shtoj një fakt: “kontingjentet armike” arritën shifrën më të lartë në kohën kur Sekretar i Parë ishte Ramiz Alia. “Kontingjente armike” ishin të gjithë kundërshtarët e regjimit të listuar në degët e punëve të brendshme. Alia realizoi shifrën më të lartë të parë ndonjëherë.
Dhe sa ishte kjo shifër?
Koha e Ramiz Alisë si Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së tregoi se dinamika e përndjekjes ishte rritur. Gjatë vitit 1986 Sigurimi kishte ndjekur aktivisht gjithsej 4782 persona. Gjatë vitit 1987 Sigurimi kishte ndjekur gjithsej 4873 persona, ndërsa 12.776 në kontroll operativ. Zërin më të madh e zinin spiunazhi, agjitacioni i propaganda dhe orvatja për arratisje. Për vitin 1987, në mbarë vendin llogariteshin 66.066 të futur në listat e kontingjenteve. Përpunimet aktive, kontrollet operative, përpunimet paraprake, por edhe listat e kontingjenteve ishin në rritje. Zëri kryesor, ai i kontingjenteve arriti shifra të larta. Kontingjentet ishin listat e elementit kundërshtar, ishin ajo kategori njerëzish “të deklasuar me përbërje e qëndrim të keq politik e shoqëror, të infektuar me ideologji reaksionare, që kishin mundësi në rrethana e kushte të caktuara të zhvillonin veprimtari armiqësore e keqbërëse kundër partisë e popullit”, ndaj të cilëve organet e Sigurimit kishin për detyrë të drejtonin vëmendjen. Këto lista përdoreshin për të hartuar më vonë ato që quheshin në popull “listat e vdekjes”.
Keni përgatitur ndërkohë edhe të parën enciklopedi me të dhënat kryesore të atyre që na kanë qeverisur në këto 100 vjet. Sa e vështirë ka qenë mbledhja e të dhënave për të gjithë?
Zakonisht pëlqej tema që lidhej me historinë e shtetit shqiptar nga themelimi i tij, në fusha që i mendoj se nuk është shkruar kurrë, është shkruar keq ose përciptazi. Libri në fjalë është i ri. Nuk ka një të dytë që të krahasohet për nga tematika apo informacioni që jep. Hedhja e të dhënave biografike për kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar ka qenë një ide që më ka lindur diku nga fundi i vitit 2007. Një vit pasi kisha botuar librin tim “Historia e shtetit shqiptar 1912- 2005”, e quaja me vend “zgjerimin” e tij në drejtime e botime të tjera. Duke qenë si isha i vetmi person që zotëroja listën e plotë të të gjithë ministrave të shtetit shqiptar, m’u duk e arsyeshme botimi i një fjalori enciklopedik, ku të përfshiheshin me fotografi të gjithë ata që kishin qenë anëtarë të Këshillit të Ministrave, qoftë edhe një ditë të vetme. Puna ka filluar me renditjen e të dhënave që kam pasur të gatshme nga puna e gjatë me shtypin shqiptar në bibliotekë, si dhe nga shënimet që kam marrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH). Një ndihmë të madhe më ka dhënë konsultimi me një fond të ri të AQSH-së, ai nr.803, që ishte hapur në 2007-ën. Pastaj janë shfrytëzuar të gjitha të dhënat që kam mundur të siguroj, nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dhe burime të tjera jo pak të rëndësishme. Libri ka qenë një punë e hapur dhe e përditshme. Të dhënat shtoheshin dhe pasuroheshin përditë, derisa vendosa që të botohej me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Padyshim ka qenë një punë e vështirë. Do ju duket e habitshme, por më e vështirë ka qenë për disa ish-ministra të kohës së tranzicionit, të cilët nuk kishin asnjë dëshirë bashkëpunimi. Të tjerë jepnin të dhëna biografike që të ballafaquara, rezultonin të pavërteta. Në këtë kuptim vështirësia për të ndërtuar një model biografik ndryshe nga ai që jemi mësuar bëhej edhe më e madhe. Vështirësi ka pasur edhe për figura të harruara që nuk kanë lënë gjurmë të thella në histori. Kështu për shembull janë emrat e Kara Seit Pashës, ministër i Luftës për disa ditë në vitin 1914,  Shahin Dino, ministër i Punëve të Brendshme në vitet 1914-1916, apo Jusuf Dibra, ministër i Luftës në të njëjtën periudhë. Vështirësi tjetër ka qenë ajo e të dhënave të sakta. Ish-ministrat trashëgojnë problemet që ka pasur shteti shqiptar me administratën e tij. Kësisoj, një ish-ministër dilte brenda një viti me katër data apo vite lindjeje. Por libri ka edhe informacione të tjera mbi kohët, programet, vendet ku kanë qenë selitë e qeverisë apo ministrive etj.
A janë paraqitur në këtë jetëshkrim të gjitha anët (e ndritura dhe të errëta) të karrierës së tyre politike?
Miku im Robert Elsie, gjatë një përurimi libri në Tiranë në fillim të këtij viti në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, tha një fjalë interesante: Në përgjithësi librit shqiptar i mungon informacioni. Elsie e ilustroi me disa raste duke thënë se kur shkruajmë për figurën “X”, themi që “me shpatë në dorë” bëri këtë apo atë, por nuk themi asgjë biografike për të. Kësisoj, në radhë të parë unë jap informacion mbi anëtarin e Këshillit të Ministrave të shtetit tim. Nuk mund të bëja atë që dikur quhej “vërtetim i komplikuar biografik”. E rëndësishme për mua mbetet krijimi i një standardi dhe ruajtja e një etike në shkrim, pasi fjalori nuk është as tabelë nderi dhe as prokurori publike. Po kështu nuk është as vend dekorimi dhe as mjet për t’u përdorur për lëvdata. Në traditën shqiptare të shkrimit biografik ka mbizotëruar shkrimi për heroin dhe shkrimi për tradhtarin. Nëse do vini re Fjalorin Enciklopedik të vitit 1985, do vini re dy forma shkrimi që fillojnë përkatësisht me formulën “figurë e shquar…” dhe “figurë reaksionare, antikombëtare…”. Ky është shkrimi i gabuar dhe më primitiv i fjalorëve enciklopedikë. Por po ashtu, një prirje e keqe është të bazohesh vetëm në të dhëna të familjarëve, të cilët manipulojnë një figurë në mënyrën më të habitshme që mund të jetë. Unë vija në këtë fushë si autor zërash pas një përvoje në dy botime të rëndësishme: “Enciklopedia e Elbasanit”, (2003), si dhe “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, (2010). Në rastin e parë trysnia më e madhe ishte nga trashëgimtarët e të menduarve për t’u futur në enciklopedi, ndërsa në rastin e dytë, në evidentimin e vlerave dhe të antivlerave.  Në enciklopedi futesh nga vendi që zë në histori dhe jo detyrimisht nga merita.

No comments: