Monday, October 29, 2012

Genc Tukiçi dhe Inva Mula, pas Kosovës, në Tiranë për albumin me këngë patriotike

Krijimtaria muzikore patriotike shqiptare së shpejti do të vijë në skenë nga dy artistë të njohur jo vetëm në vendin tonë, por fama e tyre është dhe në skenat e tjera të botës. Pianisti Genc Tukiçi dhe sopranoja e njohur Inva Mula në muajin nëntor pritet të jenë me një koncert me krijimtari patriotike në skenën e Tiranës. Të dy do të jenë para publikut shqiptar dhe për të promovuar albumin muzikor që përmban 12 këngë të njohura të ripunuara, dhe duke qenë se ka krijimtari patriotike duket se është menduar nga artistët dhe në kudaër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në një prononcim dhënë për gazetën nga Parisi, pianisti Genc Tukiçi pohon se para se të vijnë në skenën e Tiranës albumi do të promovohet si fillim në Prishtinë, Kosovë. “Koncerti që ne do të zhvillojmë me Inva Mulën do të jetë me këngët më të bukura patriotike shqiptare, të cilat janë ripunuar nga unë. Në Tiranë ne mund të vijmë nga data 20 nëntor, por më herët ne do të jemi në Kosovë për të promovuar albumin”, u shpreh pianisti Genc Tukiçi. Këngët do të interpretohen në skenën e koncertit që pritet të zhvillohet në TOB nga sopranoja Inav Mula, e cila në këtë koncert vjen në vijim të bashkëpunimit që ka me pianistin Genc Tukiçi. Albumi me këngë patriotike shqiptare, përmban këngë si “Hymni shqiptar”, “Për ty atdhe”, etj, këngë që janë të njohura për publikun, por që këtë herë vijnë të ripunuara nga Genc Tukiçi. Ky nuk është bashkëpunimi i parë mes pianistit Genc Tukiçi dhe sopranos Inva Mula, pasi ata dhe më herët kanë pasur të tjera bashkëpunime në skena të ndryshme në botë duke marrë jo pak vlerësime. Por ardhja e tyre gjatë muajit nëntor në Tiranë për pianistin, është dhe një detyrë ndaj tokës shqiptare. “Është shumë normale që vajza e Avni Mulës dhe djali i Ibrahim Tukiçit ti këndojnë atdheut të tyre në ditën më të bukur në 100-vjetorin e Pavarësisë, të vazhdojmë traditën e baballarëve, të shuajmë mallin, të bëjmë detyrën tonë ndaj tokës mëmë”, shprehet pianisti Genc Tukiçi, i cili aktualisht ndodhet në Paris. Duke folur për jetën e tij artistik ai shton se aktivitet artistik zhvillohet normalisht dhe nga viti në vit më intensiv, duke takuar skena dhe publik të ri, në vende të ndryshme të botës.  
Tukiçi dhe Mula në skenat koncertore
Genc Tukiçi ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranën, ku u shqua për koncertet e tij të nivelit të lartë, dhe sot gjendet në Paris si pedagog i Konservatorit të Parisit, por dhe si një pianist që po bën një karrierë të shkëlqyer në vendin e kulturës botërore siç është Parisi, dhe në shumë vende të tjera të Europës. Vlerësohet si një pianist i nivelit botëror, ndërsa është dhe një emër i pandarë i koncertit që zhvillohet çdo vit në Tiranë nën emrin "Tre Tenorët”. Ndërkaq që sopranoja e njohur Inva Mula gjithashtu ka një karrierë shumë të vlerësuar larg Shqipërisë. Interpretimi i saj i fundit në skenën e TOB ishte me para shumë muajsh me “Përrallat e Hofmanit”, ndërsa rikthehet në Tiranë vetëm për krijimtarinë shqiptare. E ndërsa ajo vijon interpretimet në skenat e botës me vepra të ndryshme operistike, së bashku me pianistin Genc Tukiçi ata shkëlqyen dhe në Festivalin "Al Bustan" që u zhvillua në Bejrut. Programi i festivalit në një natë të tij ishte rezervuar për sopranon Inva Mula dhe pianistin Genc Tukiçi, ku sopranoja Mula u konsiderua si diva e festivalit, që është mbajtur nën titullin "Along the Danube to the Black Sea" (Përgjatë Danubit dhe Detit të Zi). Me interpretimin e saj, sopranoja Inva Mula dhe shoqëruesi i saj në piano Genc Tukiçi i dhanë audiencës më të mirën e muzikës klasike dhe asaj tradicionale shqiptare. Në aktivitetin e tyre, të dy artistët kanë axhenda të ngjeshura artistike, por duket se muaji nëntor do të jetë i përqendruar në skenën shqiptare.


Historia e popullit shqiptar në “100 vjet Pavarësi-Flamuri që Ringjalli një Komb”
 “100 vjet Pavarësi-Flamuri që Ringjalli një Komb”, me autorë Dr. Moikom Zeqo dhe Dëshira Jazexhiu u promovua dje në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe themelimit të shtetit modern shqiptar. Libri “100 vjet Pavarësi- Flamuri që Ringjalli një Komb” jep informacion të saktë për figurat kryesore kombëtare, të kulturës dhe politikës, heronjtë e kryengritjeve popullore dhe në shumë raste edhe informacione e fakte historike të panjohura deri më sot që dëshmojnë seriozitetin dhe hulumtimin e ngjarjeve të asaj periudhe nga autorët. Libri enciklopedik është sintezë pasqyruese dhe gjithëpërfshirëse e kësaj ngjarje të madhe në historinë e kombit tonë. Si një prej autorëve të librit, shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo gjatë prezantimit të librit tha se ngjarjet e mëdha si për çdo komb tjetër edhe për popullin shqiptar përbëjnë thelbin e memories sonë. “Ata nuk janë asnjëherë e shkuara në kuptimin kohor, por kërkojnë njohje e thellim të përhershëm, jo vetëm për brezat e sotëm, por edhe për ata që vijnë pas. Ky libër hedh dritë mbi aktin historik të ngritjes së Flamurit më 28 Nëntor 1912, duke respektuar parametrat shkencorë, paraqitjen korrekte të ngjarjeve historike, që përgatitën dhe u finalizuan me shpalljen e Pavarësisë”, u shpreh Moikom Zeqo, autor i librit. Botimi u promovua mbrëmë më mjediset e MTKRS dhe sipas autorëve, në libër i është dhënë rëndësi jo vetëm dokumentacionit origjinal, por edhe paraqitjes grafike, në mënyrë që lexuesi i gjerë, por edhe i specializuar, të krijojë ide sa më të sakta për ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë. “100 vjet Pavarësi-Flamuri që Ringjalli një Komb”, nxjerr në pah lashtësinë e popullit tonë, me një histori të gjatë përpjekjesh tragjike, me një etje të pafundme për lirinë dhe një vullnet të paepur për të sendërtuar më në fund strukturën e përshtatshme shtetërore me barazi në raport me të gjitha subjektet shtetërore evropiane dhe të botës. Sipas shkrimtarit dhe studiuesit Moikom Zeqo, ky libër i vlefshëm është botuar me synimin që të jetë në dorën e të gjithë kategorive të lexuesve, ndaj edhe është bërë kujdes i veçantë në përdorimin e një gjuhe të qartë e koncize, të saktë e të kuptueshme.

Al Xhazira, kronikë për turizmin shqiptar
 Rrjeti televiz arab Al Xhazira i kushton turizmit shqiptar një kronikë të zgjeruar. Gazetarët e Al Xhaziras kanë pasqyruar bukuritë natyrore të jugut, por mbi të gjitha ajo që ka tërhequr vëmendjen është bunkerizimi i vendit në kohën e diktaturës së Hoxhës. Larg kësaj, për televizionin Al Xhazira, vendi ynë ka një panoramë, e cila është pasqyruar me anë të një mini-reportazhi kushtuar Sarandës, e cila etiketohet si “kryeqendra e turizmit shqiptar”. Sipas televizionit arab rruga e Shqipërisë drejt BE-së kalon nëpërmjet plazheve të Adriatikut dhe Jonit. Saranda sipas reportazhit të rrjetit televiziv Al Xhazira është një qytet mjaft i joshës për biznesin. Shqipëria përcaktohet si një vend ekzotik për vizitorët e huaj, të cilët tashmë janë thuajse nga e gjithë bota.

Budapest, shesh me emrin “Nënë Tereza”
Një nga sheshet kryesore të Budapestit ka marrë emrin "Nënë Tereza". Në një ceremoni të veçantë, që u zhvillua para disa ditësh në përkujtim të ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, autoritetet hungareze i vendosën emrin e humanistes një prej shesheve shumë të njohur të qytetit si dhe zbuluan statujën që nderon figurën e saj. E pranishme në ceremoni ishte themeluesja dhe Presidentja e Fondacionit “Nënë Tereza”, Liri Berisha e cila së bashku me zonjën e parë e Hungarisë, Anita Herczegh, patën nderin dhe kënaqësinë për të zbuluar bashkarisht pllakatën me emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza. Aktiviteti vijoi me një vizitë në qendrën e misionareve të Nënë Terezës në Budapest, ku Zj. Berisha u njoh me punën e misionareve në ndihmë të njerëzve në nevojë. Nga Julia Vrapi

No comments: