Klinton dhe Ashton përshëndetën guximin e treguar nga kryeministri Thaçi
dhe kryeministri Dacic, për t'u takuar. Sipas Klinton statusi dhe
kufijtë e Kosovës nuk diskutohen.
Statusi dhe kufijtë e Kosovës nuk diskutohen
“Dua të jem e qartë jo vetëm këtu në Prishtinë, por për secilin që na shikon dhe dëgjon në rajon. SHBA janë të prera plotësisht në qëndrimin e tyre për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe duan të shohin sundim të ligjit kudo në Kosovë. Nuk do të ketë biseda për ndryshime teritoriale apo rihapje të çështjes së statusit të pavarur të Kosovës. Këto çështje nuk do të diskutohen. Kufijtë e Kosovës sovrane dhe të pavarur janë të qartë dhe të përcaktuar përgjithmonë,” - tha Hillary Clinton. ”Mesazhi im të martën në Beograd është i njëjti më atë që do ta them sot këtu. SHBA u bëjnë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të arrijnë marrëveshje në fusha të reja dhe të avancojnë me masa konkrete për normalizimin e marrëdhënieve. Normalizimi i marëdhënieve Kosovë-Serbi, është thelbësore për progresin e ardhshëm të Kosovës dhe Serbisë si dhe për paqen në rajon." - tha Hillary Clinton.
Dialogu Kosovë-Serbi thelbësor për paqen në rajon
”Jam këtu së bashku me shefen e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton, sepse SHBA mbështet aspiratat e popullit të Kosovës që të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në institucionet euroatlantike. Në besojmë se dialogu që kryeministri Thaçi ka filluar me zonjën Ashton dhe me kryeministrin e Serbisë, është esencial sepse siguron një rrugë të një stabiliteti afatgjatë, për prosperitet dhe paqe për të gjithë popujt në rajon”, tha sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton.
“Dialogu që kemi filluar nuk është i lehtë. Nuk është i lehtë as për kryeministrin Thaçi, por as për kryeministrin e Serbisë Dacic. Unë e di që për popullin e Kosovës me historinë dhe frikën që ka nuk është i lehtë, por ne duam t'u bëjmë thirrje se ky dialog është që të përmirësohet jeta e njerëzve. Qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës ta jetojnë jetën e tyre të përditshme duke u ndier si pjesë e komunitetit, pjesë e kësaj shoqërie.
Dhe kjo mund të behët vetëm duke biseduar hapur dhe lirshëm”, tha baronesha Kathrin Ashton.Kryeministri i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, nga ana e tij e siguroi sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton dhe shefen e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton, se ai do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sikundër do të punojë edhe me komunitetin serb në veri të Kosovës në mënyrë që ata të integrohen në institucionet kosovare. “Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është vendimtar për evropianizimin e rajonit. Kosova është e vendosur për këtë process. Por të jemi të qartë, ora e historisë nuk do të kthehet prapa. Shteti i Kosovës po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë. Pavarësia e Kosovës, integriteti i saj territorial dhe organizimi i brendshëm shtetëror janë fakte të njohura ndërkombëtarisht dhe të padiskutueshme”, tha kryeministri Thaçi.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton dhe shefja e diplomacisë evropiane, Katherin Ashton, shkuan në në Prishtinë të marten në mbrëmje pas vizitës që realizuan në Beograd. Klinton dhe Ashton u takuan dhe me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe do të takojnë edhe disa familje serbe te kthyera në Kosovë. Pas Kosovës, Klinton viziton Shqipërinë, duke përmbyllur kështu turnin ballkanik të vizitave që nisi të hënën./Deutsche Welle/
No comments:
Post a Comment