Stadiumi "Lluzhniki" i Moskës. Foto: RIA Lajmet
|
Në vitin 2018 Moska do të shndërrohet në qendër të jetës së futbollit botëror. Në kryeqytetin e Rusisë do të zhvillohet ceremonia e hapjes dhe ndeshja e parë e Kampionatit Botëror të Futbollit dhe në të njëjtin vend edhe loja finale e tij. Në një nga qytetet më të mëdha të Evropës do të krijohen të gjitha mundësitë jo vetëm për t’u kënaqur me futbollin, por edhe për një kalim të shkëlqyer të kohës së lirë.
Ndeshja finale do të luhet në stadiumin
"Lluzhniki", i cili u bë në kohën e ekzistencës së Bashkimit Sovjetik
arena kryesore e Lojrave Olimpike Verore të vitit 1980. Deri tani ky
kompleks i madh sportiv konsiderohet si një nga më të mirët në botë.
Vitin e ardhshëm do të fillojë rikonstruktimi i plotë i tij. Për
ndeshjen finale nevojitet rritja e numrit të vendeve të shikuesve nga 70
mijë deri në 90 mijë. Përveç kësaj, do të realizohen një sërë
ndryshimesh teknike, të cilat nuk do të ndikojnë në pamjen e jashtme të
arenës legjendare, thotë Kryeredaktori i Agjencisë "PR-sport" Andrei
Selianinov:
- Ky është një stadium i nivelit me “pesë
yje", i kategorisë më të lartë. Por FIFA ka kërkesat e veta përkatësisht
zhvillimit të ndeshjes finale të Kampionatit Botëror të Futbollit.
Prandaj nevojitet rikonstruktimi i tij. Stadiumi "Lluzhniki" është
objekt historik. Pamjen arkitektonike të stadiumit, i cili u hap në
vitin 1956, askush nuk do ta ndryshojë. Prandaj nga ana aparenciale ai
nuk do të pësojë ndryshime, ndërsa infrastruktura e brendshme do të
bëhet e tillë, që t’i përgjigjet kërkesave më moderne sportive.
Ndeshjet
e serisë finale do të zhvillohen në dy stadiume të kryeqytetit rus.
Përveç stadiumit "Lluzhniki" ndeshjet e Kampionatit do të zhvillohen
edhe në stadiumin "Spartak". Ndërtimi i tij do të fillojë së shpejti.
Sipas projektit, ai mund të pranojë më shumë se 40 mijë sportdashës.
Pritet
që në Moskë, në ceremoninë e hapjes dhe në ndeshjen finale të
Kampionatit Botëror, të vijnë qindra e mijëra vizitorë. Pothuajse në çdo
park të e qytetit, madje dhe në Sheshin e Kuq, do të krijohen të
ashtuquajturat zona të tifozëve, ku në ekrane gjigante do të
transmetohen të gjitha ndeshjet e serisë finale të Kampionatit.
Në
pushimet midis ndeshjeve tifozët do të kenë mundësi të shëtisin nëpër
qytet, të vizitojnë dhjetra muzeume. Përveç kësaj, në kryeqytetin rus ka
mijëra klube, bare dhe restorante, që punojnë 24 orë. Përfaqësuesja e
Agjencisë Federale të Turizmit Irina Shegolkova vë në dukje, se në
kryeqytetin rus ata që dëshirojnë mund të provojnë edhe kuzhinën ruse,
edhe kuzhinat kombëtare të vendeve të tjera.
- Gjëra
tradicionale verore ruse janë kvasi (një lloj pije tipike ruse si boza,
në ngjyrë çaji), okroshka (një lloj supe e ftohtë me zarzavate të stinës
dhe me kvas). Me kënaqësi të madhe provojnë turistët gatimin e quajtur
pelmenji (topa brumi të mbushura me mish, të zier në ujë; gjellë
karakteristike siberiane), borshin (supë me panxhar, lakër, patate e
karrota is dhe kocka poroze mishi me palcë), supën e quajtur shi (me
lakër arme). Të gjithëve u pëlqejnë shumë palaçinkat me havjar, me
smetanë (krem kosi) dhe reçel. Ato në mënyrë të garantuar do t’u
pëlqejnë të gjithëve. Ne kemi në Moskë edhe shumë restorante italiane,
japoneze dhe kineze.
Përsa i përket hoteleve, në kryeqytetin rus ka
mjaftueshëm edhe hotele me pesë yje, edhe hotele buxhetore, edhe
hostele. Ekspertët i rekomandojnë turistëve të zhvendosen nëpër qytet me
metro. Nga njëra anë ky është transporti më i lirë dhe më i shpejtë, i
cili nuk i trembet ngecjeve të trafikut, ndërsa nga ana tjetër, metroja
është një nga kartvizitat më prezentuese të Moskës./Zeri i Rusise/
No comments:
Post a Comment