“UET Press” dhe “Klan” hedhin në treg “100 vjet (1912 – 2012)”
“Zogu la në heshtje shumë firmëtarë, Enver Hoxha mbuloi emrat e kundërshtarëve me një foto”
Fjalimi i fundit i Mbretit dhe largimi nga Shqipëria.
“Zogu mori me vete 11 valixhe me 178 kg flori”
“Me kursin e sotëm, ka marrë me vete 5.6 milionë euro”
Pas suksesit të librit bestseller “Enver Hoxha”, Blendi Fevziu vazhdon sërish në fushën e historisë. Në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar, Fevziu boton “100 vjet (1912 – 2012)- Një ekskursion 100-vjeçar në politikën shqiptare”. Libri, i cili prej ditës së sotshme është në treg, vjen sërish nën siglën e UET Press dhe TV Klan. Në këtë botim, Fevziu përshkruan gjithë etapat më të rëndësishme ku ka kaluar vendi ynë në këtë shekull. Ai e nis pikërisht me Shpalljen e Pavarësisë, udhëtimin e Ismail Qemalit, ngritjen e flamurit, listën e firmëtarëve, njohjen nga fuqitë e mëdha,
falsifikimet që i janë bërë Aktit të Pavarësisë nga shtetarët gjatë historisë, Zogu dhe Enver Hoxha, për t’u ngjitur shkallë-shkallë te Princ Vidi, Mbreti Zog, pushtimi italian, largimi i Mbretit bashkë me gjithë ç’kishte arka e shtetit, për të ardhur te Lufta Antifashiste, krijimi i Partisë Komuniste, dalja në skenë e emrave që do të bëheshin më pas protagonistë të historisë së diktaturës 50-vjeçare. Faqe pas faqeje fillon dhe konturohet qartë portreti i Enver Hoxhës, por edhe antagonistëve të tij, eliminimet e kundërshtarëve politikë, por edhe i rivalëve të mundshëm. Kjo atmosferë do të sundonte që para vendosjes së diktaturës, deri në vdekjen e Hoxhës. Ndonëse me tone më të zbutura, edhe pasardhësi i tij, Ramiz Alia, vijoi të njëjtën politikë, të cilën u detyrua ta lëshojë, kur në të gjitha vendet e Europës Lindore tashmë ishin përmbysur diktaturat. Në vitet ’90 një erë e re po frynte për Shqipërinë. Të tjera ngjarje dhe të tjera personazhe. Janë plot 22 vjet të cilat mbyllen me zgjedhjen President të Republikës së Bujar Nishanit. al.mi
Falsifikimi i historisë
Historia e pavarësisë u manipulua shpesh gjatë 100 viteve. Në vitin 1937, në një biografi zyrtare të Mbretit Zog, u nënvizua fakti që Mbreti kish qenë në Vlorë dhe kish firmosur dokumentin më të rëndësishëm të historisë sonë. Në fakt, firma e Zogut nuk figuron në dokument, ndërkohë që procesverbali i mbledhjes së fundit të Kuvendi, më 7 dhjetor 1912 shënon:
“Lajmërohet të ardhurit e delegatëve të Ohrit, Hamdi Beu dhe Dervish Hima; nga Starova Z. Hajdar Blloshmi dhe Mustafa Efendiu dhe nga Mati, Ahmet Muhtar Beu, Riza Beu dhe Kurt Agai”!
Pra Ahmet Zogu kish mbërritur me mandatin e Matit, plot 9 ditë me vonesë. Siç dëshmon edhe ai vetë në një telegram të datës 2 dhjetor 1912 për Ismail Qemalin, nisur nga Tepelena:
“U sgjodha përfaqësues i Matjes. Ndëshkruani për mua vendimet e kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhënin tuaj.”
Zogu la në heshtje shumë firmëtarë që ishin kundërshtarë të tij. Po kështu veproi Enver Hoxha që mbuloi emrat e kundërshtarëve politikë me një foto të pleqësisë që u vendos mbi dokument. Në vitin 1982, Hoxha deklaroi se xhaxhai i tij, Hysen Hoxha kishte qenë atje. Filmi “Nëntori i dytë” paraqet mbërritjen e Ismail Qemalit në anën tjetër të Urës së Mifolit, më 27 nëntor 1912 dhe një person që i prezantohet: “Hysen Hoxha, delegat i Gjirokastrës”. Por Hysen Hoxha nuk u bë dot firmëtar i Pavarësisë. Firma e tij nuk është në dokument dhe një procesverbal i mbledhjes së datës 3 dhjetor 1912 sqaron:
“Sot ardhnë delegatët e Gjinokastrës, emrat e të cilëve janë këto: Myfit Bej, P. Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjinokastra dhe Veli Bej Klisura”
Hysen Hoxha, po ashtu si Ahmet Zogu, kish ardhur me vonesë! Pavarësisht kësaj, të dy ata qenë delegatë të zgjedhur në atë Kuvend.
Largimi i Zogut
Në mbrëmje herët, Mbreti qëndroi pak kohë në shtëpinë e Mehdi Frashërit, ish-kryeministrit të tij. Në orën 19:00, pikërisht në atë minutë që skadonte ultimatumi italian, ai lexoi në Radio Tirana këtë deklaratë me zërin e tij:
“Italia i ka bërë Shqipërisë disa kërkesa që, nëse do të plotësoheshin, do t’i hiqnin vendit tonë pavarësinë.
Unë dhe qeveria ime nuk do të pranojmë kurrë kushte të tilla që kanë për qëllim minimin e lirisë së fituar me gjakun e popullit. Përballë pushtimit, e ftoj popullin shqiptar të bashkohet sot, në këtë moment rreziku, të mbrojë sigurinë e vendit dhe pavarësinë e tij deri në pikën e fundit të gjakut. Unë jam i bindur se populli shqiptar, i vogël në numër por i madh në shpirt e guxim, do të dijë të tregojë ato ndjenja të larta nacionaliste që kanë frymëzuar atë dhe paraardhësit e tij. I bindun, që një komb i bashkuar në këtë frymë, do të ketë mbështetjen e Zotit, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të mos e humbin guximin dhe dashurinë për atdheun. Rroftë Shqipëria! Rroftë Populli shqiptar!
Zogu I, Mbret i shqiptarëve, 6 prill 1939″
Ishte komunikimi i fundit publik i Mbretit me shtetasit. Ishte deklarata e tij e fundit si kreu i shtetit shqiptar. Pak orë më pas, afër mesnatës, komandanti i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare, Xhemal Aranitasi, kërkoi një takim urgjent me Mbretin. Ai i vendosi mbi tavolinë një zarf. Ishte dorëheqja nga detyra. Po ato momente që Ushtria italiane, e hipur në anije, qe nisur drejt bregdetit shqiptar.
Në orën 4 të mëngjesit të datës 7 prill 1939, Mbretëresha Geraldinë, në gjendje të rënduar shëndetësore, Princi i sapolindur Leka dhe një numër i madh shoqëruesish u nisën për në Korçë. Parlamenti kishte aprovuar nisjen e tyre, pak pas mesnate. Ai pati autorizuar që në kushte më të vështira, Mbretëresha të largohej jashtë vendit për në Greqi. Një makinë “Mercedez” u adoptua me një barelë ku qëndronte Geraldina dhe karvani mori rrugën e Elbasanit.
Zogu i përcolli vetë dhe vijoi të shëtiste ende në oborr me Kryeministrin Koço Kota dhe ministrin e Jashtëm, Eqrem Libohova. Ende nuk ishte zbardhur kur ai mori raportet e para nga rojet kufitare. Teksti dhe shënimet e tyre të marra me nxitim e sipër në telefon ishin këto:
“Saranda raporton: Flota italiane hyri në Portin e Sarandës dhe filloi shkarkimin në tokat tona. Kam në dispozicion vetëm një togë, ushtarë të rojës së kufirit. Luftën e fillova. Kam për të bërë detyrën, për të vdekur për Mbret e atdhe. Rroftë Mbreti e rroftë Shqipëria! Toger Taifur Dibra!
Vlora raporton: Flota italiane tani filloi bombasdimet prej detit e ajrit dhe shkarkoi në Portin e Vlorës e Karaburun. Luftën e fillova vetëm me një kompani ushtarake të Rojeve të Kufirit nën komandën e kapiten, Dodë Nikollës e 50 xhandarësh. Asnjë fuqi tjetër akoma nuk kam. Jam duke u tërhequr ndër shpatet e Sevasterit e të Llogorasë, për sistemimin e ndërlidhjeve me fuqitë tona që po i presim orë më orë. Rroftë Mbreti, Rroftë Shqipëria! Kolonel Ali Rizaja.
Durrësi raporton: “Flota italiane ka rrethuar Durrësin dhe hyri në port. Janë më se 30 copë anije në Durrës, Porto Romano e zonat e Banjavet. Nuk patëm kohë për të minuar portin. Ne do të bëjmë detyrën, aviacioni po na dëmton shumë. Urdhëroni komandën e Shijakut që të na vijnë në ndihmë, e sidomos të sigurojë zonjën e Banjavet. Tani që po raportoj filloi bombardimi dhe mitralozat, dhe u ndërpre telefoni. Lufta vazhdon por menjëherë dërguam një stacion radio R3 në Shijak. Major Abaz Kupi”
Shëngjini raporton: “Flota italiane filloi shkarkimin në zonat e Shëngjinit, luftën e filluam me një togë ushtarësh të rojeve të kufirit, nën komandën e toger Mark Jakut dhe 30 xhandarëve. Jemi në pritjen e ndihmave dhe jemi duke luftuar në afërsi të Kokarriqit. Do ta vazhdojmë deri në fund. Rroftë Mbreti! H.Bekteshi dhe toger M.Jaku”.
Një numër i vogël xhandarësh, rojesh bregdetare dhe pak vullnetarë arritën të luftojnë atë ditë për thuajse 10 orë. Një mbrojtje më e organizuar mund të kishte qenë katastrofë për Italinë dhe do ta kishte ngritur lart emrin e Shqipërisë. Gjithsesi, trupat e Musolinit u pritën me luftë. 11 ushtarë italianë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën atë ditë në portet shqiptare. 21 ushtarë dhe vullnetarë shqiptarë humbën jetën. Shqipëria u bë vendi i parë i Europës që iu përgjigj me armë një agresioni! Austria dhe Çekosllovakia përpara saj, nuk kishin rezistuar.
Në orën 6:30 të datës 7 prill, Eqrem Libohova njoftoi Fuqitë e Mëdha dhe Lidhjen e Kombeve për sulmin. Ai nuk mori asnjë përgjigje. Madje as konfirmimin se telegramet u vendosën mbi tryezat e punës së Kryeministrave të Europës. Por nëse të gjitha fuqitë botërore mbyllën sytë, aprovuan në heshtje apo me miratim të hapur pushtimin e Shqipërisë, shtypi botëror, në të gjithë kontinentet u vu në mbrojtje të saj. Siç dëshmojnë këto copa gazetash:
Journal Des Debats – “Vërtetohet sot se megjithëse lajmet që vijnë nga Italia përpiqen t’i paraqesin operacionet të përfunduara pa asnjë kundërshtim, trupat Italiane përkundrazi, gjetën një qëndresë të rreptë kur mbas shkatërrimit të qyteteve të zgjedhura si pika zbarkimi, filluan të zbresin në tokë”
Le Journal – “Një fuqi detare e rëndësishme, e përbërë prej 180 anijesh dhe 200 mijë ushtarësh pushtoi të gjitha pikat kryesore të bregdetit shqiptar dhe vazhdon përparimin në thellësi. Aviacioni italian, i përbërë prej 400 aeroplanësh, bombardoi rreptësisht qytetet, duke vrarë e masakruar gratë, fëmijët dhe pleqtë e pambrojtur. Disa qytete janë krejtësisht të shkatërruara”
Nga zelli për t’i dalë në krah Shqipërisë, disa prej tyre botuan edhe reportazhe të ekzaltuara si ky i “The Times”:
“Mbreti Zog i Shqipërisë, i veshur me kostum kombëtar, udhëhiqte sot Ushtrinë e tij në një luftë që do t’u ndalonte italianëve zbarkimin në Durrës. Zëra nga Tirana thanë se shqiptarët po qëndrojnë heroikisht dhe në shumë vende italianët janë detyruar të kërkojnë shpëtim në det. Duket se tratativa e parë italiane për të zbarkuar ka qenë dramatike. Afro 20 oficerë italianë zbritën nga një varkë e një kryqëzori që ndodhej jashtë portit. Kur u kërkuan dokumentet, ata u përgjigjën: Kemi ardhur ta pushtojmë vendin tuaj. Disa pushkë u dëgjuan dhe u ndalua kalimi. Mbas kësaj, lufta filloi”.
Por gazeta si “The Daily Telegraph” që akuzuan ashpër Kryeministrin britanik Cambërlen për dorëzimin e Shqipërisë, i dedikuan asaj një editorial që fillon me këto fjalë:
“Shqipëria foli me një gjuhë të cilën Europa e kish humbur zakonin ta dëgjonte. Shqiptarët refuzuan të nënshtrohen dhe po vazhdojnë luftën. Pushtuesit u përballën me një qëndresë të fortë, por dje, sipas njoftimeve tona, po përparonin në thellësi të vendit.”
Në orën 11:30 në Pallatin e Mbretit erdhi një telegram nga Musolini, në përgjigje të një kërkese të Mbretit Zog. Ai i kërkonte Mbretit të dërgonte përfaqësues pranë gjeneral Guxonit në Durrës për t’u marrë vesh. Ekziston ende mundësia për një marrëveshje, shkruante Musolini. Mbreti Zog nisi ministrin e Ekonomisë, Rrok Gerën dhe kolonel Sami Kokën. Forcat e Mbrojtjes në Shijak u njoftuan të lejonin delegacionin të kalonte për Durrës. Gjeneral Guxoni u sqaroi dy përfaqësuesve të Mbretit se kishte urdhër që të priste deri në orën 6:00 plotësimin e kushteve të Musolinit.
Në orën 5:00 pasdite trupat italiane, që tashmë kishin zbarkuar në Durrës, çanë mbrojtjen në Shijak ku u zhvilluan luftimet më të ashpra dhe u nisën drejt Tiranës. Por hedhja në erë e urës mbi Erzen i vonoi disa orë. Në orën 7:00 Parlamenti u nis me kamionë drejt Korçës.
Mbreti Zog qëndroi ende, sipas kujtimeve të vetë atij, deri në datën 8 prill në orën 3 të mëngjesit. Që në mbrëmje, Parlamenti kishte votuar spostimin e Mbretit dhe Oborrit në qytetin e Korçës. Parlamenti kishte shpallur Korçën kryeqytet të përkohshëm të Mbretërisë. Korça do të qëndronte kryeqytet për 4 ditë! Zogu bashkë me të qeverinë mbërriti në Pogradec në orën 10:00 të mëngjesit.
Po atë ditë, herët në mëngjes, pak orë pasi Zogu kish ikur, trupat italiane hynë në Tiranë në një atmosferë të qetë. Akti i vetëm heroik i ditës ishte ai i Mehdi Frashërit, një zyrtari të moshuar, ish-kryeministër, që u mbyll në godinën e Bashkisë prej nga u drejtoi qytetarëve një fjalim prekës, patriotik dhe frymëzues në radio. Në kujtimet e tij, Mehdi Frashëri e përshkruan kështu këtë moment:
“Atë çast përpilova një thirrje për gjithë popujt e botës në gjuhën frënge, të cilën intelektualët që u mblodhën rreth meje e përkthyen në dhjetë gjuhë njëherësh. Radioja zuri ta përhapë në gjithë botën…”
Pa e ditur edhe vetë, Mehdi Frashëri po luante rolin e një Kasandre. Fjalimi i tij drejtuar botës, që kishte frymëzuar atë ditë shqiptarët, ishte një paralajmërim që u vërtetua shumë shpejt:
“Një popull prej 44 milionësh sulmoj sot më ora 4:30 të mëngjezit një popull prej një milionësh, që po qëndron me trimëri. Armiku me gjithë forcën e tij ka pasur katër humbje gjer më tani në Sarandë, Vlorë, Durrës e Shëngjin.
Nofta armiku do ta fitojë luftën por do të marshojë mi kufomat e të gjithë shqiptarëve, burra dhe gra. Popull i botës! Ngrihuni kundër barbarëve modernë se nesër do të jetë rrezik për të gjithë por do të jetë edhe vonë. Ajo që na ngjet ne sot, do t’ju ngjasë të tjerëve nesër”
I pajisur me një pistoletë, bashkë me disa djem të rinj, Mehdi Frashëri rezistoi edhe pak kohë, derisa kërkoi strehim politik në Ambasadën Turke. Në kujtimet e tij ai shpreh keqardhjen për mungesën e organizuar të qëndresës:
“…Gjithë populli bërtiste se donte armë të luftonte. Për fat të keq Mbreti, ministrat dhe servilët e tij kishin frikë për kokat e tyre, U diftua edhe një herë në faqen e botës historike se despotizma është tradhtar i kotë e gjithnjë ka frikën e tij…”
Gjesti i Mehdi Frashërit befasoi edhe vetë italianët, që i premtuan se do ta falin dhe më pas e internuan në Itali. Ai do të luante sërish një rol në vitet 1943 – 1944.
Mbreti Zog pati me sa duket edhe një shpresë të fundit. Ai dhe Kryeministri Koço Kota tentuan gjithë kohën të lidhen me Kryeministrin grek Metaksas. Më 9 Prill 1939, ora 19:00, eskorta e Mbretit, Qeveria e Shqipërisë, deputetët e Asamblesë, një pjesë e Gardës, thuajse 1300 veta në total, dolën nga kufiri shqiptar në doganën e Kapshticës. Autokolona ndali një moment aty. Garda u rreshtua, flamuri shqiptar u ul dhe Mbreti e vendosi në makinën e tij. Pastaj iku tej, pa e ditur që kjo ishte ikja e fundit e tij nga Shqipëria, ku nuk do të kthehej më kurrë! Madje as i vdekur.
Në autokolonën e Mbretit udhëtonin edhe 11 valixhe me afro 178 kg flori që ai kishte marrë me vendim të Këshillit të Ministrave mbrëmjen e datës 6 prill 1939. Historia e floririt që Zogu mori me vete ka qenë gjithnjë objekt debati. Dokumentet e Arkivit të Shtetit sqarojnë se në datën 6 Prill 1939, rreth orës 21:00 Mbreti urdhëroi ministrin e Financave, Kol Thaçi, që e gjithë gjendja e Thesarit të Shtetit t’i bëhej atij prezente. Në fakt, ari i Shqipërisë ruhej kryesisht në Banka di Napoli (2 454 kg ar) dhe vetëm një pjesë e vogël floriri (afro 178 kg) gjendej në kasafortën e Bankës së Shqipërisë. Arkëtari i Përgjithshëm, Ramadan Berberolli, sipas urdhrave të qeverisë, i dorëzoi Mbretit shumën prej 448 535 monedhave ar në shtëpinë e Koço Kotës dhe afro 118 195 monedha, vonë në mesnatë në shtëpinë e vëllait të Mbretit në afërsi të stadiumit të sotëm “Qemal Stafa”. Zogu i zhvillonte mbledhjet e qeverisë aty. Sipas dokumenteve, Mbreti Zog tërhoqi në total 566 975.5 franga ari. Thuajse gjithë atë që kishte në dispozicion thesari shqiptar. Nisur nga llogaria që një napolon flori përbëhej nga 20 franga ar, Mbreti kish marrë me vete një shumë prej 27 848 napolonash flori. E kalkuluar me kursin e floririt të sotëm (Kursi i datës 20 gusht 2012), rezulton se Mbreti Zog kish marrë me vete, një shumë të barabartë sot me 5 milion e 630 704 euro. Në kujtimet Mbreti sqaron se pjesa kryesore u shpërnda nën kujdesin e një komisioni prej 7 vetash për zyrtarët e dalë në Larisa, Follorinë dhe Beograd. Por askush nuk di të thotë sot se sa mund të ketë qenë sasia e arit që Mbreti posedonte personalisht dhe që e ruante në kasafortën e tij në Pallat, por ashtu si edhe bizhuteritë dhe gjërat e tjera me vlerë.
Mbreti dhe Mbretëresha u takuan në Larisa të Greqisë. Udhëtimi i tyre i përbashkët zgjati plot 22 vjet, ndërsa ai i Oborrit Mbretëror, 63. Ata shkuan fillimisht në Stamboll ku qëndruan 2 muaj; më pas u nisën për Francë duke kaluar nëpër Rumani, Poloni, Lituani, Suedi, Norvegji, Belgjikë dhe mbërritën në Paris në shtator 1939. Për qëndrimin e tij dhe të 115 vetave që e shoqëronin, Zogu mori me qira nga ish-Mbreti i Anglisë i abdikuar, kështjellën “De la Maye” në Versajë. Por ai do të qëndronte aty pak muaj, deri në qershor 1940. Kur Franca u pushtua nga gjermanët, arriti të largohet me anijen e fundit për në Londër.
BLENDI FEVZIU /Gazeta Panorama/

No comments:
Post a Comment