Monday, October 29, 2012

EUROPEIZMI: NGA UTOPI NË PROJEKT DHE MËNYRË JETESE

Për librin e prof. dr. Liman Varoshit “Europeizmi si histori mendimi”
Nga Luçiano Boçi
Libri “Europeizmi si histori mendimi” (botimet “Naimi”, Tiranë 2012), me autor prof. dr. Liman Varoshi, është i treti studim monografik i tij brenda tre vjetësh. Ai vjen pas monografisë “Ballkani mes tri perandorive”,
kushtuar zhvillimeve historike gjeopolitike që ndodhën në gadishullin e vjetër prej gjysmës së dytë të shekullit të 19-të deri në shembjen e perandorisë austro-hungareze, perandorisë otomane dhe perandorisë cariste ruse; vijuar prej monografisë tjetër, titulluar “Lufta e ftohtë në Europën e Lindjes”, një argument që në dekadat e fundme është sundues në studimet historiografike në botë, por në vendin tonë është vështruar në mënyrë të njëanshme, jo si histori e shoqërisë së vigjilencës, por si histori raportesh dypalëshe, kryesisht me fqinjët. Jo vetëm me titullin, por me gjithë përmbajtjen e librit të tij të ri, Liman Varoshi ka identifikuar thelbin e zhvillimeve në Europë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar e në vijim. Kjo është Europa e re, “Europa e europeizmit”, që, siç argumentohet në librin e autorit, është filozofi, mënyrë të menduari, rrjedhë politike dhe ideologjike, organizim politik.
Liman Varoshi, në librin e tij të ri, ka për qëllim të certifikojë procesin se si utopia europeiste, pasi u bë një ide romantike, u kthye në një projekt funksionues, që është Europa e sotme, e cila përbën konfederatën më interesante në histori, një konfederatë të bashkimit vullnetar, “et pluribus in unum”, “shumë në një”; e ngjashme shumë formalisht me perandoritë historike dhe supershtetet e kohës së luftës së ftohtë, por thelbësisht e mbështetur në një mekanizëm tjetër, që është mekanizmi i njëzëshmërisë, i barazimit votë-veto, i zhdukjes së dallimit, i pozitës së barabartë të Luksemburgut me Gjermaninë, siç do të shprehej në vitet 1980 në konfidencë Franz Joseph Strauss në bisedimet e lidershipin e vjetër shqiptar, me shpresë se mund t’i bindte për një afrim me Europën e re.
Zotësia e autorit të librit “Europeizmi si histori mendimi” është se vepron me një tezë, dhe kjo tezë provohet deri në fund: koha e revolucioneve ka vdekur prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, çështjet europiane nuk zgjidhen më me veprim në rrugë por me lëvizje mendimi; vetë europeizmi është një ide mit, ideja e përjashtimit të urrejtjes, e flijimit të sovranitetit klasik nacional, e bashkimit në ndryshim; është ideja e solidaritetit jo midis individëve, por midis kombeve; një eksperiencë krejt e ndryshme nga ajo atlantike. I vetmi “revolucion” që njeh autori në periudhën e themelimit të europeizmit e këndej është një revolucion specifik postindustrial, revolucioni multimedial, i cili shembi të gjitha muret që ndajnë botët, kufijtë dhe bunkerët, duke u bërë shkak themelor për një ndërgjegje të re politike, ndërgjegjen e Europës si “little continent”; ndërgjegjen e botës si një “little vilage”. Kjo është një meritë themelore e librit të autorit.
Duke u marrë gjerësisht me idenë europeiste autori ka arritur të argumentojë se një prej faktorëve themelorë të dështimit të botës së Lindjes ish-komuniste është se asaj i mungoi pikërisht çka e propagandonte si vlerë themelore: humanizmi dhe solidariteti. Përkundrazi, europeizmi përfitoi nga të gjitha vlerat themelore tradiconale, që prej ideve utopiste deri tek kejnsianizmi dhe neokejnsianizmi; liberalizmi e neoliberalizmi, për të krijuar një shoqëri të njerëzve të lirë, të qytetarëve të barabartë. Europeizmi u ngrit mbi vlerat morale të Europës antifashiste dhe zhvilloi më përpara sloganet e hershme të revolucioneve: sloganet e lirisë, barazisë dhe vëllazërimit. Autori me të drejtë ka argumentuar se europeizmi nuk është një ide armiqësore ndaj nacionalizmave, por, duke u dhënë mundësi shteteve dhe kombeve të zhvillohen në mënyrë vetëvepruese, njëherësh ata duhet të jenë të barabartë dhe në konventën e një bashkësie pa monedha lokale, pa dogana, pa kufij dhe pa pasaporta.
“Europeizmi si histori mendimi” është një monografi emancipuese në shumë kuptime. Emancipuese, sepse e çliron mendjen e njeriut nga obsesioni i vjetër se bota mund të ndryshojë vetëm prej protestës dhe revolucionit. Emancipuese, sepse e çliron mendjen njerëzore prej tmerrit të diskriminimit prej fqinjit. Emancipuese, sepse, më në fund, duhet kuptuar e duhet pohuar se pavarësia në kuptimin klasik të fjalës ka vdekur, se vendin e indipendencës e ka zënë interdipendenca, se pavarësi ka kush ka identitet; se vendin e sovranitetit e ka zënë solidariteti, se vendin e urrejtjes e ka zënë dashuria, se vendin e luftës e ka zënë paqja, dhe duhet përsëritur: paqja më e gjatë në Europë. Kur lexuesi arrin në fundin e këtij libri me të drejtë bashkohet me thirrjen e mendimtarëve europeistë, që disa dekada më parë ankoheshin pse nuk ka një këngë me titullin “God, bless the Europe!”. Tani një këngë e tillë ekziston.

No comments: