Monday, October 29, 2012

Pas suksesit me “Salla e banjës”, Inis Gjoni rikthehet në skenë me “Klani i të divorcuarve”

“Klani i të divorcuarve” është komedia që pritet të ngjitet pas disa ditësh në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Vepra vjen nën regjinë e Inis Gjonit, e cila duket se falë kësaj vepre premierë që ajo sjell në skenën teatrore bën që publiku të shijojë një shfaqje e cila vjen dhe me një mesazh të madh për shoqërinë. Vepra do të interpretohet nga aktorët Romir Zalla, Jonida Vokshi, Adriana Tolka dhe Orsi Vagjeli.
Si regjisore Inis Gjoni rikthehet pas suksesit teatror që ka pasur dhe me vepra të tjera që ajo ka vënë më parë në skenën teatrore, si “Salla e banjës”, vepër që mori jo pak duartrokitje. Vepra e cila është shkruar nga autori i njohur Alil Vardari është përkthyer nga Ylljet Aliçka, dhe natën e parë të premierës do ta ketë më datë 1 nëntor për të vijuar deri më datë 9. Regjisorja tashmë është në provat e fundit për të sjellë në skenë shfaqjen, për të cilën pohon se kjo është një komedi intime, ashtu siç ishte komedia “Salla e banjës” e realizuar vitin e kaluar. Sipas regjisores, këto komedi flasin për jetën reale, atë të prekshmen ku publiku pa shumë sforco me anë të gjuhës dhe zhargonit që gjen në komedi shikon jetën me të cilën ballafaqohet çdo ditë. Sipas regjisores Inis Gjoni, ajo që të bën përshtypje nga divorcet sot, por edhe në komedinë “Klani i të divorcuarve”, është forca e femrës. “Është një temë shumë e gjerë. Por, komedia “Klani i të divorcuarve” tregon se sot divorci nuk është një dramë e pakalueshme nga femrat. Veçse me intrigon tema, nga ana tjetër më bën përshtypje se si femra e shikonte divorcin dje dhe si e shikon sot. Rruga që ka ndjekur më përpara dhe çfarë zgjidhjeje i jep sot divorcit. Nga ana tjetër edhe pse janë femra të forta, kanë dhe anën e brishtë. Kanë nevojë për përkëdhelje dhe bëjnë gjithçka për ti shpëtuar vetmisë”, pohon regjisorja Inis Gjoni. Ideja për të sjellë në skenë këtë vepër ka qenë prej disa kohësh tek regjisorja Inis Gjoni, e cila gjatë kohës që ka nisur të punojë për këtë vepër ka hulumtuar shumë për të parë se ku ndodhet shoqëria jonë, por edhe ajo mbarëbotërore. “Duket se çiftet e reja janë më pak të prirur të sakrifikojnë nga vetvetja qoftë edhe për interesa familjare. Duket se të gjesh burrin apo gruan nuk është arritje më e madhe sot. Janë tre gra që bëjnë gjithçka për ti shpëtuar vetmisë, por në fund kanë kuptuar që mund t’ia dalin dhe vetëm. Më mirë vetëm, se sa i keqshoqëruar”, pohon regjisorja Inis Gjoni,e cila me datë 1 nëntor sjellë në skenë premierën e saj. Vepra ka mbështetjen e “Digitalb” dhe skenografia e veprës është realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografia nga Bukuroshe Sinanaj, formulimi muzikor nga Ermir Shaphasa dhe producente Julia Sinanaj.

“Klani i të divorcuarve” në teatër
Tre gra që nuk njihen me njëra-tjetrën, fati i ka bashkuar në një shtëpi pas ndarjes martesore. Ngjarja zhvillohet në apartamentin e tyre dhe këtu krijohet klani i të divorcuarve. Komedia “Klani i të divorcuarve” ka në qendër të saj tre personazhe, Stefania, Brixhilda dhe Meri. Stefania dhe Meri kanë zgjidhur martesat e tyre me koshiencë. Ndërsa nga ana tjetër kemi dhe femrën e braktisur nga bashkëshorti, që është Brixhilda, e cila arrin ta përballojë divorcin, të shikojë përpara dhe të gjejë shpresën pas një dhimbjeje të madhe siç është dhe ndarja. Mes aktorëve  Adriana Tolka dhe Jonida Vokshi, aktori Romir Zalla do të vijë këtë herë në skenën teatrore në rolin e një femre.

 Shqipëria turistike, me foto nga Roland Tasho në Rusi
Shqipëria turistike është prezantuar në një ekspozitë fotografie në qytetin më të madh të kulturës dhe artit rus, Shën Petërburg. Ekspozita me foto të fotografit të njohur Roland Tasho, që përcjellin imazhe nga vendet më të bukura turistike dhe trashëgimia historiko-kulturore në Shqipëri, u organizua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në kuadër të Ditëve të Shqipërisë në Rusi, në bashkëpunim edhe me ambasadën tonë në Moskë. Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj.Brikena Arapaj në çelje të ekspozitës tha se këto fotografi janë një pjesë shumë e vogël e asaj ç’ka Shqipëria turistike është dhe ofron për vizitorët e saj. Megjithatë këto fotografi janë një pasqyrë e mirë e bukurisë natyrore, e trashëgimisë kulturore dhe historike, të vendit tonë, bukuri që mund të preken dhe shijohen edhe nga turistët e vizitorët rusë. Fotografitë e artistit Tasho, pjesë të kësaj ekspozite përcjellin pamje nga veriu në jug të Shqipërisë, të disa prej trevave dhe monumenteve më të njohura historike dhe turistike. Bregdeti i jugut të vendit, Alpet e veriut, qytete si Shkodra, Berati apo Gjirokastra objekte dhe monumente të trashëgimisë tonë kulturore e historike, si dhe veshjet tona tradicionale janë përjetësuar në aparatin e fotografit Tasho, duke i bërë ato të njohura edhe në Rusinë e largët. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët e qytetit të Shën Petërburgut deri më datën 1 nëntor, e më pas do të jetë Moska qyteti i radhës, ku do mund të ndiqet ky aktivitet. Në Shën Petërburg, Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Brikena Arapaj pati një takim edhe në pallatin e qeverisë të këtij rajoni, me Drejtorin e Çështjeve të Turizmit, z. Aleksandër Martynov. Në këtë takim, Arapaj, duke bërë një përmbledhje të  zhvillimeve  në sektorin e  turizmit në Shqipëri, tha se numri i turistëve të  huaj po vjen në rritje vit pas viti. Edhe drejtori për çështjet e Turizmit në Qeverinë e Shën Petërbugut, z.Martynov, u shpreh i të njëjtit mendim se Shqipëria mund të jetë një destinacion mjaft tërheqës për qytetarët rusë, duke shprehur gatishmërinë e administratës së tij për të punuar në këtë drejtim.

Përfundon restaurimi i Muzeut Historik të Vlorës
Muzeu Historik i qytetit të Vlorës është një dëshmi e gjurmëve të kaluara, në të cilën udhëtoi shteti nëpër shekuj. Ky muze kas qenë në një gjendje jo të mirë dhe kërkonte restaurim, por tashmë punimet në Muzeun e Pavarësisë në qytetin e Vlorës janë në fazën përfundimtare. Ndërhyrjet kanë zgjatur plot një muaj, ndërsa i janë përmbajtur afateve zyrtare. Muzeu i Pavarësisë sot prezantohet me një pamje tërësisht të rinovuar, ndërsa rikonstruksioni i godinës ka përfshirë, si pjesën e brendshme, por edhe restaurimet e jashtme të godinës. Muzeu i Pavarësisë në këtë 100-vjetor, prezantohet me fasadë të rinovuar, me dritare e dyer te rikonstruktuara, ndërsa është zëvendësuar tërësisht struktura e ballkonit të famshëm të godinës, i cili rrezikonte shembjen kohë më parë. Pas përfundimit të rikonstruksionit do të nisë faza e dytë, ajo e pasurimit të këtij muzeu me dokumente historike, si dhe zëvendësimin e atyre të dëmtuar.


Bienalja e Venecias pranon kërkesën e Kosovës
Bienalja e Venecias i ka kthyer përgjigje pozitive Ministrisë së Kulturës në Kosovë, me të cilën artistëve kosovarë u jepet e drejta që të marrin pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare e Artit. Kjo ekspozitë vitin e ardhshëm shënon edicionin e 55-të. Sipas komunikatës, presidenti i Bienales së Venecias, Paolo Baratta, ka miratuar kërkesën e ministrit të Kulturës, të drejtuar ditë më parë për pjesëmarrje të Kosovës. “Marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në Binelen e Venecias, është bërë në saje të bashkëpunimit që ky institucion ka krijuar me organizatorët e evenimentit prestigjioz, dhe po ashtu nga prezantimi i mirë i Kosovës në Bienalen e sivjetshme të Arkitekturës”, thuhet në komunikatë. Për MKRS ky është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për artin në Kosovë. “Pjesëmarrja jonë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm është një vazhdimësi e prezantimit të Kosovës”, citohet të ketë thënë Krasniqi. Nga Julia Vrapi

No comments: