Saturday, June 15, 2013

Pse e shtyu Rama festën e PS? Do të kuptohej se ka ngritur parti të re


Preç Zogaj
Libri i Spartak Ngjelës me kujtime dhe refleksione të periudhës 1991-1996, sapo është botuar. Ndoshta s’e keni lexuar ende librin, por a mendoni, duke ditur edhe inkursionet mediatike të këtyre katër viteve të avokatit, pamja e tij mbi historinë e re të tranzicionit do të mjegullohet nga anti-berishizmi, një gjendje psikologjike, siç e quanit ju në 7 çështjet e javës së kaluar këtu te MAPO?


Dje fillova ta lexoj. Më intereson shumë ky vëllim i tretë i kujtimeve të Ngjelës. Së pari, sepse shpresoj të gjej dhe të shijoj sërish stilin didaskalik dhe plot jetë të dy vëllimeve të mëparshme, stil i cili ka ardhur dhe është afirmuar si një risi në letrat shqipe. Së dyti, sepse në këtë vëllim autori referon ngjarjet e një kohe jo aq të largët, të cilën e kemi jetuar shumica prej nesh. Së treti, vitin e kaluar, siç keni njoftuar edhe ju në gazetën  MAPO, unë kam shkruar në dorë të parë një libër rreth ngjarjeve të periudhës 1990-1992, libër të cilin shpresoj ta botoj nga vjeshta e këtij viti. Është e kuptueshme të kem një kureshtje të shtuar në lidhje me optikën e avokatit për këtë periudhë. Ai ishte akoma në burg kur studentët, pedagogët dhe intelektualët e lëvizjes së dhjetorit 1990 krijuan  Partinë Demokratike dhe gazetën “Rilindja Demokratike”. Shumica e këtyre themeluesve do ta mësonin disa javë apo disa muaj më vonë se në burgjet e egra të regjimit komunist “kishin teprue”, siç do të thoshte at Zef Pllumi, gra dhe burra shumë të kulturuar, me  formim perëndimor, me karakter të fortë, kalitur në vuajtje të papërshkrueshme. Ka qenë e pritshme që ish të burgosurit politikë të kësaj stature të ndiheshin të papërmbushur  qysh në krye me opozitën që krijuan studentët dhe intelektualët brenda regjimit, të  bëheshin ndërgjegjja kritike e kësaj opozite, apo të distancoheshin prej saj. Po të lexojmë  esenë “Arti i romanit” të shkrimtarit të madh çek Milan Kundera, do të kuptojmë shumë më tepër për mallkimin e hendekut dhe distancës në fjalë. E parandiej se në librin e ri të  Ngjelës do të përballem me këtë qasje, domethënë me gjykimin e opozitarëve të rinj nga një opozitar i regjur, që kthehet në liri dhe në qytet drejt e nga burgu pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Shpresoj të gjej bonsensin dhe gjerësinë e atij që nuk ka vetëm dinjitetin e tij kriter gjykimi; të atij që, sikurse thoshte shën Agostini, mban në veten e tij vetëdijen e një dobësie që e ruan nga mëkatet më mirë se sa krenaria.
Në të vërtetë, faqet që kam lexuar deri tani i kushtohen pikërisht takimit të Ngjelës me lirinë dhe qytetin e dashur. Shoh një roman të ngjeshur, psikologjik, lirik dhe prekës në këto faqe të mrekullueshme. Autori ka një përjetim të ngjashëm me atë të Kunderës që thoshte me dëshpërim se gjithçka do të jetë e harruar dhe asgjë e ndrequr, se roli i ndreqjes do të mbahet nga harresa, por duke u ngushëlluar me faktin se për të ndëshkuar kriminelët e për të marrë hakun e vuajtjeve nuk ka tjetër veç letërsisë.
Rama u ka lëshuar socialistëve një mesazh online duke u kumtuar se nuk do të kishte festë për 22-vjetorin e PS, por ajo do të bëhej pas fitores së 23 qershorit, duke sjellë si përligjie fushatën. Armand Shkullaku në një editorial te MAPO ka lexuar te kjo ‘tërheqje’ frikën e Ramës për të ndërtuar në këtë festë një dekor përfaqësues të PS ndër vite…
Mendoj se Shkullaku e ka lexuar drejt këtë “tërheqje”. Në rrethana normale përkimi i  ditëlindjes së partisë me fushatën elektorale është një dhuratë. Lidershipit të partisë i jepet rasti të reklamojë bashkimin dhe kohezionin e formacionit politik dhe ta përdorë këtë   legjitimisht për qëllime elektorale. Por rrethanat nuk janë normale në PS-në e sotme. Rama po çon drejt zgjedhjeve një parti të përçarë si asnjëherë tjetër edhe për shkak të listave arbitrare. Në njëfarë mënyre, ai ka patur frikë se po të kërkonte të festonte 22- vjetorin e partisë, mungesat do të ishin aq plateale dhe pranitë aq befasuese, sa do të vërtetonte tezën e kundërshtarëve të tij se ka krijuar një parti të re. Ai e ka ndjerë se  vetëm do të rrezikonte me afishimin e kësaj gjendjeje të rëndë. Prandaj ka vendosur “shtyrjen”, një fjalë pa kuptim në rastin e dhënë. Datat e historisë, qoftë edhe ato të një partie politike, nuk mund të jenë në funksion të axhendës së liderit të radhës. E gjithë kjo  është pa dyshim një fyerje për gjithë themeluesit e PS-së. Më e pakta. E kupton edhe më naivi se në skenarin e fitores së zgjedhjeve do të ketë një festë mavi të së tashmes, por e kuqja apo roza e historisë nuk do të jenë më në defter.
Rama ndërkaq ka vijuar të enjten përballjen me gazetarët kundërshtarë në studion e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut, ndërkohë që Berisha, pas një mungese të gjatë ka vendosur të shkojë sonte (mbrëmë) në emisionin “Zonë e lirë” të Arjan Çanit, i cili e tregon hapur mbështetjen ndaj Berishës, ç’është e vërteta. Si e shihni sjelljen e këtyre liderëve me mediat në finalen e fushatës?
Format e komunikimit të liderëve politikë me zgjedhësit dhe publikun në fushatë janë të shumëllojshme, por dua ta përsëris se përballja me gazetarët profesionistë është një formë e pazëvendësueshme komunikimi. Kush beson në programin dhe aftësitë e tij, nuk i shmanget kurrë kësaj përballjeje. Rama ka marrë plagë, por ka fituar edhe terren në këto përballje. Kam përshtypjen se në këto përballje ai ka mësuar për programin e tij më shumë se në të gjitha konventat, mitingjet dhe bisedat që ka bërë. Pyetjet e gazetarëve profesionistë dhe debatet me ta e kanë detyruar apo ndihmuar të njohë të çarat e mëdha të një programi të qepur me pe të trashë në shumë kapituj të tij. Pyetjet dhe vërejtjet e  gazetarëve kanë ndihmuar edhe publikun të kuptojë të vërtetën e programeve. Kjo është shumë e rëndësishme. Ma merr mendja se nga debati i gjatë i së enjtes në emisionin “Opinion”, kujtesa e publikut të interesuar ka seleksionuar e fiksuar dy momente kyçe që ngërthejnë kundërthëniet e programit të PS-së. E para është se lidershipi socialist nuk  provoi dot se si do të mbajnë njëkohësisht premtimin për ulje taksash dhe premtimin për rritje shpenzimesh. Është tjetër gjë të bësh propagandë populiste, e tjetër gjë të argumentosh. Programi socialist është agjitacion në këtë pikë. E dyta, falë përgatitjes së mirë të gazetarëve, Rama me bashkëpunëtorët e tij u detyruan që për herë të parë të kalkulojnë një faturë të premtimeve që kanë hedhur e vazhdojnë të hedhin si Babonatale. Shifra ishte marramendëse për treguesit e buxhetit tonë dhe nuk kishte përgjigje  profesionale se ku do të gjendeshin këto para. Doli qartë se programi socialist mbështetet me përparësi në parulla, jo në resurse. Kam bindjen se radhën tjetër, Rama ose do të marrë masa të mos ketë gazetarë të përgatitur përballë, ose do të përpiqet të shmangë ilaritetin e përgjigjeve amatoreske.
Berisha deri në këtë fazë të fushatës e ka në disfavor faktin se nuk është përballur me gazetarë profesionistë të pavarur apo opozitarë. Kam dëgjuar se javën tjetër do të shkojë në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës. Kjo më duket një gjë mjaft e mirë. Berisha ka një përvojë të madhe në administrimin e përballjes me gazetarë oponentë dhe opozitarë. Nuk ka asnjë arsye për të mos e shfrytëzuar këtë përvojë në këtë fushatë.

OSBE- ODIHR ka publikuar raportin paraprak ndërkohë që shefja e misionit, Connie McCormack në një intervistë për ‘Deutsche Welle’ vëren se duhen pesë anëtarë, sidomos kur të vijë radha e certifikimit të zgjedhjeve. Por gjithashtu, ajo ka thënë se duhet parë peizazhi i procesit zgjedhor dhe jo rastet e shkëputura, të cilat mund të jenë të mira ose të këqija…dhe peizazhi sipas saj është pozitiv.
Ju  citoni me të drejtë shefen e misionit të OSBE-ODIHR-it, që po monitoron zgjedhjet në Shqipëri. Sot ka patur alarme dhe apele nga të gjitha anët për plotësimin e vendeve bosh në KQZ. Cili është kuptimi i këtyre apeleve në rrethanën e dhënë? Pavarësisht se frazat rrumbullakosen dhe mesazhet u drejtohen të gjithëve dhe askujt njëkohësisht, kuptimi real është ky: PS të rikthejë në KQZ anëtarët e dorëhequr. Nuk shoh të ketë zgjidhje tjetër. Siç e kemi shtjelluar edhe më parë në këtë rubrikë, duke tërhequr komisionerët, PS e ka lënë litarin jashtë për këto zgjedhje. Pra, nëse rezultati nuk kënaq pritshmërinë e saj, do të punohet që zgjedhjet të zënë në thua apo të rrëzohen në këtë boshin e komisionerëve të dorëhequr. Ka një interesim dhe angazhim të madh popullor për zgjedhje të lira e të ndershme, por kjo e komisionerëve të dorëhequr, në analizë të fundit, pavarësisht si nisi, duket si një lojë kalamajsh me zjarrin. Unë parashikoj që presioni ndërkombëtar për plotësimin e KQZ-së të rritet këto ditë dhe të jetë më konkret.
Ka patur një intensifikim të aktivitetit të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha: a janë ‘pjekur’ projektet apo z. Basha është në fushatë?

Janë të dyja. Shihet qartë se ka një numër projektesh që kanë përfunduar gjatë kësaj periudhe në përputhje me kontratat e afishuara, sikurse kam parë në tabela dhe projekte të tjera në proces që do të përfundojnë pas zgjedhjeve. Unë nuk e ndaj dot a janë elektorale apo janë koincidenca këto data, por dua të nënvizoj se personalisht e kam konsideruar dhe e konsideroj një dhunti të demokracisë faktin që fushatat elektorale shërbejnë për të motivuar organet e pushtetit qendror apo vendor të bëjnë më shumë për publikun, për qytetin, për komunën, për vendin. Zgjedhjet krijojnë ritme të reja dhe përkushtim të ri gjithashtu. Kjo është një histori që përsëritet. E kanë bërë të gjithë. Në zgjedhjet e vitit 2001 unë bëra humor politik me shiritat elektoralë të Ramës dhe Metës, duke prerë edhe unë një shirit me mbështetësit e mi në Qytetin Studenti. Momenti gjithsesi nuk është problem. Problem për mua do të ishte cilësia e keqe e punimeve. Me aq sa kam parë, këto rrugët e reja që po ndërton Bashkia e zotit Basha janë të një cilësie dhe standardi bashkëkohor. Kjo ka rëndësi. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e zotit Basha në fushatë është një fakt i njohur botërisht posaqë ai drejton shtabin demokrat për qarkun e Tiranës. Mua më duket e kërkuar dhe naive ajo që thuhet se kryetari i bashkisë është i gjithë qytetarëve dhe s’duhet të marrë pjesë në fushatë politike. Mbaj mend kur isha kandidat për deputet i PD-së në Lezhë në vitin 2005, zoti Rama, kryetar bashkie atëherë, erdhi dhe bëri fushatë për rivalin tim të atëhershëm, Gjovalin Kadelin. Sot, kryetari i bashkisë së Lezhës po bën fushatë intensive për kandidaten e LSI-së, zonjën Kryemadhi. Të gjithë kryebashkiakët e  kryekomunarët janë në fushatë. Një kryetar bashkie “e tradhton” mandatin kur tradhton stilin e fitores së tij, por jo kur rreshtohet me forcën që e ka zgjedhur.
Në të dy krahët politikë vihet re angazhim i shtuar për votën e emigrantëve…Për kë  votojnë emigrantët, sipas jush?
Pak më pak se gjysma e zgjedhësve aktivë të regjistruar ndodhen jashtë Shqipërisë. A  duhet argument tjetër për të kuptuar rëndësinë e votës së emigrantëve? Ata kanë qenë dhe janë një fuqi e madhe e stabilitetit dhe zhvillimit të vendit. Për rolin që kanë luajtur në mbajtjen e familjeve dhe ruajtjen e treguesve makroekonomikë në vend, ata e kanë merituar dhe e meritojnë përfaqësimin, por nuk ka qenë e mundur deri më sot të  realizohet votimi i tyre atje ku janë. Mua, kjo gjithnjë më është dukur e vështirë dhe nuk i kam besuar ata që e kanë premtuar. Me përparimet e mëdha të teknologjisë, mund të arrihet. Por jo shpejt. Kështu që emigrantët, ose votojnë “me delegim”, duke u sugjeruar të afërmve në Shqipëri për kë të votojnë, ose, me të rrallë, vijnë vetë, qëllojnë këtu. Ju më pyetni për kë do të votojnë. Në përgjithësi, votojnë pak a shumë si pjesa tjetër e popullit që banon në Shqipëri, mendoj unë. Kësaj radhe, duke qenë se shumica dërrmuese e tyre jeton në dy vende që u rrëzuan nga kriza, siç janë Greqia dhe Italia, kam përshtypjen se vota e emigrantëve anon më shumë nga koalicioni qeveritar që u mbajt në këto vite  krize, nuk ra në recesion, nuk qëndroi vendnumëro, por ruajti një nivel modest zhvillimi.
Beteja e dy partive kryesore është përqendruar në ato qarqe që shihen si fushë-betejë, ato që mund të bëjnë ose zhbëjnë fitoren e 23 qershorit. Pse kanë marrë këtë peshë specifike Berati, Elbasani, Tirana, dhe më pak Lezha e Fieri?
Është beteja që dikton sistemi dhe gjendja e votave. Berati, Elbasani dhe Tirana janë qarqet ku e djathta është në mbrojtje të rezultatit të vitit 2009, ndërsa e majta është në sulm. Kjo është një betejë në letër, gjithsesi. Zgjedhjet përmbajnë të panjohurën, përndryshe nuk do të kishin emocionin që kanë. Ndërsa po flitet e po fushatohet shumë në këto qytete, kushedi ç’po ndodh në qarqet e tjera që mendohen “të blinduara”. Nata e 23 qershorit duke u gdhirë 24-tra do të na e tregojë.

No comments: