Friday, June 14, 2013

Max Reinhardt: Si e zbulova gjeniun e skenës Aleksandër Moisiu



NGA PJETER LOGORECI
Meritat e Max Reinhardit në teatrin gjerman janë shumë të njohura: ishte ai që solli në skenë e i ngriti në sukses një grup të madh aktorësh, të cilët u bënë pjesë e historisë së teatrit gjerman që mund të thuhet “u shkrua” nga i madhi Max Reinhardt. Merita e madhe e Reinhardit ishte jo vetëm se solli një mënyrë të re në artin skenik, por edhe
se ishte zbuluesi i shumë talenteve, më shumë se kushdo tjetër në Teatrin Gjerman.

Ai nxorri talente nga masa e  madhe e aktorëve të kohës, nga kryeqyteti Berlin, nga periferitë, njerëz që nuk kishin dalë asnjëherë në skenë apo që i kish parë vetëm në prova, e pastaj me durim solli në dritë dhuntinë e talentin që gjindej në secilin prej tyre. Nga të gjithë këto zbulime, ajo e Aleksandër Moisiut ishte më e përmendura. Jo vetëm se ishte talenti më i madh që kishte gjetur, por sepse për ta mbajtur e për ta zhvilluar atë ju desh shumë guxim dhe energji si për askënd tjetër në karrierën e tij.

Njerëzit të cilët e quanin Reinhardtin  gjuetar me instinkt talentesh, ishin të bindur që ai ishte gabuar me Moisiun. Reinhardti  e provoi me durim Moisiun në të gjitha mënyrat, në role të mëdha e të vogla, në drama e komedi, muaj pas muaji, vite me rradhë, e në Berlin pat shumë autorë pjesësh teatrore që e ironizuan dhe e tallën Reinhardtin për këtë.

Në të vertetë asnjë drejtor tjetër teatri, nuk i trajton bashkëpunëtorët si Reinhardti Aleksandrin tonë.Së pari drejtuesi është i interesuar për fitimin që mund të sigurojë nga aktori e më pas kërkon të bindet për talentin e tij skenik. Përpjekja e pashembullt e Max Reinhardtit për të sjellë drejt suksesit Moisiun, është një ndër të paktët kapituj të historisë të teatrit gjerman që të bën përshtypje për moralin pozitiv.

Reinhardt kujton: Sapo ishte krijuar në Berlinin lindor një teatër i vogël  (1904 - “Vorstadtbühne”), me deshira shumë të mëdha, por me mundësi ekonomike shumë të vogla. Aty mblidheshin aktorët e rinj  të panjohur, me pak talent e të varfër, të cilët mundoheshin të aktivizoheshin e të tregoni talentin e tyre. Kisha dëshirë të vija në skenë Genoveva-n e Hebbels-it. Elementët e talentuar më mungonin e kjo më bëri të humb durimin tim profesional. Vendosa më vehten time të mbaj pak distancë, nga dëshirat e mija për të vënë në skenë këtë pjesë,  e pamundësisë për të gjetur  elementet (aktorët) që më duheshin.

Isha i lodhur dhe i zhgënjyer, kur ... papritur qëndron në skenë perpara meje një i ri i panjohur i cili fillon të bëjë rolin e Golos. Duhet të theksoj se Golo është ndoshta figura më e vështirë nga të gjitha rolet për tu interpretuar, sepse teksti është pothuaj i tëri një monolog, brenda të cilit krijohen situata të ndryshme, nga ajo e brendshme e personazhit në kohën e tashme, e më pas në të kaluarën....

Autori Hebbel ka shkruar një formë të pazgjidhur e shumë të veshtirë dialogu, duke i veshur personazhit ndjenjën djallëzore të dobët e dyshuese të Luzifer-it, por edhe të dashuruarit njëkohësisht....fjalët e tij rrjedhin në disa raste të vetëdijëshme  si rryma uji drejt pellgut të madh plot  siguri, e që këtë figurë nga 100 aktorë, 50 prej tyre do të krijonin dashnorin klasik, kurse  49 të tjerë dashnorin patetik e të pa jetë.

Mendimet e këtij personazhi nuk munden të jenë si një rreze drite që ndriçon e qetë e normal, ato duhen të dalin verbuese e shpërthyese nga një gjoks njerëzor që digjet e që do të ndezë zjarre të tjerë të rinj... Për këtë rol, aktori duhet të “ndizet flakë”, por ai  aktor të cilit nuk i mungon shpirti shpërthyes dhe i zjarrtë. Ky aktor duhet që më pas të jetë në gjendje që teknikisht këtë lumë fjalësh të monologut ta vendosë në lëvizje, e si në levizjet fizike të memecëve, të shprehë çdo mendim e çdo emocion të tij.

Unë personalisht nuk njoh një detyrë më të vështirë në të gjithë fushën e literaturës teatrore se interpretimi i Golos. ... E në këtë rast (nga Moisiu) kjo detyrë ishte e zgjidhur me mjeshtri e talent, nga një aktor i cili nuk e fliste gjuhen gjermane, e cila i krijonte paqartësi e pasiguri, por nga e cila pa pushim ai arrinte të reflektonte pasion dhe emocion.

Ai  arrinte që me energji të papara fizike ti jepte çdo mendimi të brendëshëm lëvizjen përkatëse trupore e cila i dilte instinktivisht duke ndihmuar edhe në kuptimin e tekstit të vështirë, por gjithmonë pa humbur fillin e rolit dhe të pasionit që roli përmbante, duke i dhënë jetë nga qenia e tij, duke arritur të na tundojë e trazojë në shpirt ne të gjithëve. Ky aktor ishte Aleksandër Moisi.

Moisiu nuk ishte aktori i “kulturës moderne”, ai që donte të binte në sy e të mundohej të krijonte famë botërore, një profil e personalitet i rëndë, ai nuk ishte një aktor mediokër, as edhe besnik i “deshirave të vogla” të autorëve. Ai është një nga sera e vjetër e aktorve, kategoria më e thjeshtë qytetare, i “pagdhenduri”, njeriu pa kufij, natyra e vagabondit, ishte aktori i ndjenjave njerzore në lojën aktoriale, ishte “egërsira e zbutur”, shpirti, nervat, gjaku, lëkura dhe flokët e të cilit ishin pjesë dinamike e lëvizjeve të mëdha emocionale jetësore,  për tu reflektuar në veprat e çdo dramaturgu.

Moisiu krijoi një tip të ri aktori në botën e dramës: artistin e shekullit të 20-të që rrezaton vetvehten me zgjuarsi e personalitet në skenë, që vendos shpirtin në zgjidhje të çdo roli e figure skenike. Kritikët e artit janë të mendimit që: “është e tepërt të thuhet që pa Reinhardtin nuk do të kishte Aleksandër Moisi, por mund të thuhet që: Max Reinhardt u kujdes që figura e magjishme Moisi të rrezatojë në skenë. Me pak “kujdes e distancë”, por mund të thuhet edhe që suksesi vezullues i Reinhardit pa Moisiun nuk do të ishte kështu siç është.” (R.S. Moissi, faqe 80).

Përveç Moisiut, Reinhardt nuk ngurroi kurrë të angazhojë në skenën e teatrit gjerman, aktorë me akcent të huaj që vinin nga Hungaria, Rusia apo Amerika e kjo kishte edhe arsyet e veta ekonomike mbasi, kur luante Moisiu arka (kasa) ishte plot.

Askush nuk e “ndizte” publikun si Aleksandër Moisiu, por edhe Max Reinhardt nuk mundi që atë që ishte aktori kryesor i shfaqjeve të tija, këtë burrë që transformohej nga roli në rol me magjinë e talentit të tij, ta mbante përgjithmonë. Mbi 20 vjet punuan dy gjigandët së bashku. Ndarja ndodhi në vigjilje të luftës së parë botërore. Aktori Moisi nga skena e Berlinit u kthye në aktor shetitës, jeta e tij artistike vazhdoj  nga një turne në tjetrin...

Wien, me 3 qeshor 2013

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013

Redaksia online

No comments: