Friday, June 14, 2013

Nermin Vlora, amanetet që u la mbesa e Ismail Qemalit emigrantëve



DHURATA HAMZA
Afrohet një zonjë fisnike dhe e rëndë dhe na takon. “Unë jam mbesa e Ismail Qemalit. Kam ardhur t’ju them të mos rrini kështu në pritje, organizohuni dhe ju lutem mos e humbni identitetin”, -u thotë ajo. Këtë rrëfim e sjell në intervistën për “Shqiptarja.com”, Vitore Stefa (Leka), poete dhe publiciste, e cila mbi të gjitha është sot një emër i madh i humanizmit. Vitorja është gruaja që gjendet kudo ku duhet mbrojtur identiteti shqiptar.

Është ajo emigrantja shqiptare që mbajti në shtëpinë e saj dhe shpëtoi adoleshenten italiane nga droga, ajo që mban sot epitetin “Nënë Lokja”. Rruga e bamirësisë për Vitore Lekën nisi menjëherë pas takimit të saj të parë me mbesën e Ismail Qemalit, Nermin Vlora Falaskin. Kur anijet e para me emigrantë shqiptarë zbarkuan në Itali, Nermini shkoi t’i takonte me zemër të dredhur nga malli 50-vjeçar.

E shkolluar në Shqipëri, edhe pse në të njëjtin kolegj me gruan e diktatorit, asaj nuk iu lejua vizita në atdhe gjatë regjimit komunist. I dëgjoi lajmet tronditëse në mediat italiane Nermini dhe u nis në të gjitha brigjet ku kishin zbarkuar shqiptarët për t’u dhënë kurajë, shpresë, dhe dashuri, shoqëruar me amanetin e saj: ruani identitetin.

Zonja Vitore, ju përfaqësuat shoqatat shqiptaro-arbëreshe në Konferencën i të Gruas Gazetare në VLorë. Cili është roli juaj në këto shoqata?   
-Unë jam pjesë e Fondacionit “Nermin Vlora Falaski” që ka 12 vjet e më shumë që bën aktivitete për nder të së ndjerës Nermin Vlora që për ne emigrantët ka qenë si një dritare e hapur në vitet e para kur zbarkuam në brigjet e Italisë. Nermin Vlora, mbesa e Ismail Qemalit, në vitin 1991, kalonte nga një qytet në tjetrin për të takuar shqiptarët. I takonte dhe ishte ajo që na nxiti të krijonim shoqatat e para të shqiptarëve, të cilat sot kanë një veprimtari të gjerë në Itali.

Çfarë bëri konkretisht Nermin VLora?
-Në ato vite, për shembull, kujtoj rastin tim kur unë isha në Trieste. Ardhja e saj ishte e domosdoshme, sepse të gjithë shqiptarët ishim të hutuar dhe të shpërndarë pa asnjë orientim, në një vend të panjohur. Pjesa më e madhe nuk dinin gjuhën, mentalitetet, rregullat e vendit. Të trembur e të hutuar më shumë duke parë se çfarë jepnin lajmet për ne, qëndrimi ynë po bëhej i frikshëm.

Kur shohim se në kamp na vjen një zonjë, një fisnike, një grua e madhe, që na u prezantua se “Unë jam Nermini, mbesa e Ismail Qemalit”. Kjo na ngrohu zemrat. U ul të bisedonte me dhe na dha këshillat e para: “Ju lutem, mblidhuni bashkë dhe mos u shpërndani. Mos rrini kështu, formoni shoqatat, me to do të kërkoni të drejtat tuaja dhe mbani dinjitetin tuaj.

Në atë kohë në lajme dëgjonin gjëra të tmerrshme për shqiptarët dhe ishim të frikësuar se pasojat do të binin mbi ne. Nermin Vlora tha: “Mos e lëshoni dinjitetin. Përpiquni të ruani imazhin e vërtetë të shqiptarit. Mos e humbi identitetin tuaj, edhe pse do të jetoni në Itali”. Këto janë fjalët e para të saj, të cilat i kam dëgjuar në vitin 1991.

Çfarë misioni konkret patën në Itali këto shoqata?
-Nermini u bë shkak që u formuan shoqatat e para shqiptare me emigrantë nga veriu dhe jugu i vendit tonë. Nisën sipas porosive të saj të krijoheshin katër shoqata shqiptare, të cilat më vonë u bashkuan në një të vetme, ku presidente nderi ishte Nermin Vlora Falaski. Për ne emigrantët, ajo dukej si një shpëtimtare, sepse ne ishin mes dallgëve kaq të mëdha, sa me zor përballoheshin.

Dëgjonim lajme që ky vodhi, ky shkeli këto rregulla, dhe kështu vihej epiteti keqdashës për shqiptarët. Edhe vjedhje ka pasur, sepse ne shqiptarët jemi një natyrë krenare, kemi unin e fortë. Nuk e zgjasim dorën për lypje. Kështu që në disa raste bënin veprime me kokëfortësi. Duke pasur ndihmë dhe frymëzim Nermin Vlorën, shoqatat e emigrantëve shqiptarë u bënë aktive, vepruese.

Nisën të bëheshin prezantime nga kultura jonë, filluan të vinin studentë në këto shoqata, dhe nga të parët erdhi Kledi Kadiu, një nga balerinët më të mëdhenj sot, më i madhi që ka Italia, i cili sot ka ngritur akademinë e tij në mes të Romës. Kemi Ambeta Toromanin, Ilir Shaqirin e shumë personalitete të tjera që filluan të vepronin në shoqatat në ndihmë të imazhit të mirë të Shqipërisë dhe në përkrahje të emigrantëve.

Nisën të vinin edhe biznesmenë. Plani ynë i parë ishte që studentët e talentuar, kur të mbaronin atje t’i kthenim në atdhe. Ne duhet t’i jepnin mesazh Europës se do bënim një shndërrim rrënjësor të vendit tonë,që vinte nga një diktaturë e egër. Gjatë kësaj kohe Nermini vinte gjithmonë në aktivitet dhe veprimtaritë tona. Ajo ishte gjithmonë pranë nesh.

Në atë kohë lidhja ishte e vështirë me Shqipërinë, se sot në kohën e internetit është shumë e lehtë. Aktiviteti i tyre u shtri edhe brenda Shqipërisë, ku gazetarja Zenepe Luka kishte krijuar shoqatën “Nermin Vlora Falaki” që në kohën kur jetonte ende Nermini. Më erdhi shumë keq kur Nermini vdiq.

Ju e dini se ajo la amanetin e saj, që ta varrosnin në Kaninë dhe u varros bashkë me bashkëshortin Renzo Falaski, i cili vdiq para saj, por dhe la amanetin e tij që të prehet në tokën shqiptare në Kaninë të Vlorës. Zenepja e çoi në vend amanetin. Unë sot jam zgjedhur presidente nderi e 35 shoqatave shqiptaro-arbëreshe, që punojnë me frymën e Nermin Vlorës.  

Sa e dobishme ishte këshilla e Nerminit në fillimet tuaja si emigrantë?
-Ne në brigjet e Italisë ramë si zogjtë e korbit, ishim të humbur si pa nënë, pa baba. Ajo ishte e para që na u bë nënë në atë vetmi të madhe të madhe të emigracionit. Pastaj ne e morën veten duke u bashkuar, por Nermini na ndihmoi të ngriheshim moralisht. Nermini thoshte në takimet me shqiptarët dhe shoqatat e sapokrijuara: “Ju lutem, prezantoni sa të mundni në këtë vend atë kulturë të lashtë që kemi”.

Dhe me konceptin nisi të punohej me një status të vetëm, kur Alban Kraja në Rimini formoi bashkimin e këtyre shoqatave dhe mua më zgjodhën rolin që ju thashë. Pas kësaj filloi ngritja morale. Nuk zihej më emri i shqiptarit për keq, dhe që nga ai moment filluan të dilnin në skenë shembuj të ndryshëm suksesi, biznesmenë, balerinë me famë si Kledi Kadiu, Ilir Shaqiri, Ambeta Toromani e të tjerë si  Alensio Lubonja.

Nuk dua të harrohet në këtë rast Mardena Kelmendi me shoqatën e saj “Të ecim së bashku”, e cila është një vajzë aktive. Ajo mblodhi në një situatë të vështirë bashkë kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë në kohën e luftës. Ajo bëri me të gjithë pjesëtarët e trevave shqiptare një bashkim kombëtar. Kudo ishin porositë dhe vizioni i Nerminit.

Ne nisëm të prezantoheshim, jo vetëm me shkrimtarët dhe veshjet karakteristike të bukura që italianët i pëlqenin shumë, por edhe me gatimet tona, byreku, flija e Kosoves, etj. “Mos i lini mënjanë gjellët tuaja tradicionale. –na thoshte Nermini”. Kështu që në në gjitha festat kur përgatisnin tavolinat pritëse, ku vinin dhe italianët, servirnim byrekun e Korçes, flinë e Kosovës, tavat, etj, etj.

Ja kjo ishte perspektiva e Nermimit, e cila krenohej vet me këto tradita dhe na bëri edhe ne krenarë. Shoqatat shqiptare tashmë janë shumë dinjitoze. Ne kemi dhe shoqatën “Iliria” që drejtohet nga një juriste Edlira Zhuri dhe nënkryetari, poeti Beqir Cikaqi. Këta vazhdimisht bëjnë festa, sepse Edlira punon edhe në Komunë e Tristes.

Po ashtu edhe Mardena me shoqatën “Të ecim së bashku” ka hapur shkollë shqipe, pra hapin klasa në gjuhën shqipe në shtëpitë e tyre. Po unë nuk mund të lë një gazetare të madhe ardhur nga Vojvodina, nga Novi Sad, Drita Binaj Nikoliqin, e cila i ka të gjithë punëtorët shqiptarë atje dhe ata festuan 28 nëntorin aty.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)  04.06.2013

No comments: