Monday, June 3, 2013

Ngjela: Edi Rama të shpallë marrëveshjen që unë do jem pjesë e kabinetit qeveritar

Aleati i PS: Po s’e shpalli, është e prishur.
“Kemi rënë dakord që unë të jem pjesë e kabinetit dhe ai ta shpallë para zgjedhjeve”
Aleati i Partisë Socialiste në koalicionin opozitar, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, shprehet se ka bërë marrëveshje me Edi Ramën që ai pas zgjedhjeve të jetë ministër i kabinetit të ri qeveritar. Ngjela shprehet se Rama ka detyrim ta bëjë publike këtë marrëveshje para zgjedhjeve, në të kundërt ajo konsiderohet e prishur.
I pyetur rreth propozimit të Edi Ramës, i cili është bërë edhe pjesë e bashkëpunimit me LSI-së, që ministrat e ardhshëm nuk do të mbajnë mandatin e deputetit, Ngjela thotë se nëse ky përcaktim nuk është në Kushtetutë, është i pavlefshëm. Avokati i njohur shprehet se nuk ka pasur marrëveshje me Ramën për të qenë pjesë e listës së PS për deputet. Përfshirja e aleatëve në listat e PS do të kishte pasur sens nëse do të kishte qenë një listë e përbashkët e koalicionit, ku PS të kishte 60 mandate dhe të tjerat të shpërndaheshin me aleatët, një skemë e aplikuar nga PD në zgjedhjet e vitit 2001.
Zoti Ngjela, ju keni një marrëveshje me zotin Rama për të qenë pjesë e kabinetit qeveritar?
Unë kam një marrëveshje me zotin Rama, ku kam pranuar për të qenë pjesë e kabinetit të tij qeverisës. Unë e kam shpallur këtë marrëveshje në emisionin “Opinion”, para disa ditësh. Ikni dhe kërkojani Ramës dhe jo mua, sepse unë e kam shpallur, nëse ai nuk e shpall, ajo nuk ekziston më, nëse ai nuk e shpall këtë marrëveshje, ajo është e prishur.
Ju prisni që kryetari i Partisë Socialiste ta shpallë marrëveshjen para datës 23 qershor?
Është i detyruar ta shpallë atë, nuk është se e pres unë. Ne për këtë kemi rënë dakord, që ai ta shpallë marrëveshjen para zgjedhjeve dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Si e vlerësoni ndarjen e Legjislativit nga Ekzekutivi, një nga pikat e marrëveshjes mes PS-së dhe LSI-së, ju duket normale?
Nëse nuk është normë kushtetuese, kjo ndarje nuk ka asnjë vlerë. 10 deputetë që nuk pranojnë të japin dorëheqjen nga mandati i tyre rrëzojnë Kryeministrin. Procedurat parlamentare të tilla janë. Dhjetë deputetë, më përpara rrëzojnë Kryeministrin sesa të japin dorëheqjen nga deputetë, nëse kjo nuk është një normë kushtetuese.
Cili është mendimi juaj në debatin që bëhet nëse do të jetë Rama apo Meta Kryeministër? Do të përcaktohet kjo nga sasia e mandateve që do të marrë çdo parti, përtej përcaktimit kushtetues?
Nuk di të të them për këtë, duhet parë se çfarë marrëveshje kanë me njëri-tjetrin. Kushtetuta shprehet se partia më e madhe ose koalicioni fitues nxjerrin Kryeministrin. Pyetini ata se çfarë marrëveshje kanë bërë mes tyre.
Mospërfshirja e aleatëve në listat e PS, ndryshe nga ç’bëri kreu i maxhorancës me aleatët e tij, mendoni se është një gabim?
Për këtë pyesni Ramën. Kjo varet nga marrëveshja që ai ka bërë me ta. Unë, që të hyj në listat e PS nuk kam pasur ndonjë marrëveshje. Nëse ajo do të ishte një listë që do të quhej lista “Rilindja”, ku të merrte pjesë e gjithë opozita dhe ku ai të mbante 60 mandate për vete dhe t’i kishte lëshuar të tjerët për të bërë betejë elektorale për të marrë sa më shumë deputetë, ajo atëherë do të ishte skemë, që ne e kemi bërë me BF në 2001-shin. Unë nuk kam marrëveshje për të hyrë me të në listat e PS.
Ka dhe një kuotim që zoti Rama ka bërë me të gjitha partitë e koalicionit, sipas të cilit në qeverisjen qendrore do të përfaqësohen ata aleatë që marrin mbi 10 mijë vota. Është e arritshme?
Nuk di t’ju them. Kjo është pjesë e marrëveshjeve bilaterale që kanë bërë palët për marrjen e votave dhe përfshirjen në qeverisje.
ARISTIR LUMEZI

No comments: