Situata - Në vitin 1926, Shqipëria kishte një stabilitet politik prej pak më shumë se një viti. Shqipëria nis bisedimet për një seri marrëveshjesh me Italinë. Nënshkruhen kontrata të rëndësishme koncesionare dhe në shkurt 1927, nënshkruhet kryemarrëveshja: Traktati Italo-Shqiptar i Miqësisë dhe SigurisëNjë analizë britanike
Trazirat - Traktati shkaktoi shqetësime të mëdha në Beograd. Gazetat e Beogradit e konsideronin atë si ekuivalent të aneksimit të Bosnjës nga Austro-Hungaria më 1908, një nga hapat që çoi drejt Luftës së Madhe, siç njihej në atë kohë, Lufta e Parë Botërore
Deklarata - Në vitin 1921, qeveritë e Fuqive të Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore nënshkruan një deklaratë, ku garantohej pavarësia e Shqipërisë si pjesë e situatës së përgjithshme të Sigurisë për Mbretërinë e Italisë
Pavarësia e humbur - Sot, dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste njihet ende si 7 prilli i vitit 1939, por në terma diplomatikë, pavarësia u humb në vitin 1927. Shqipëria pushoi së qeni një vend i pavarur politikisht dhe ekonomikisht
Udhëheqësit - Shqiptarët udhëheqës shfaqen në analizën e Steed si një turmë njerëzish mjeshtër për të pranuar “subvencionime” nga të huajt dhe shumë shpesh, duke pranuar nga dy fuqi të huaja njëherësh, pa limit e pa kufizim
Analiza e H. Wickham Steed, më 5 prill 1927, Instituti Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare
Dallimet mes Italisë dhe Jugosllavisë në lidhje me Shqipërinë, të cilat shkaktuan ankth të madh tri javë e gjysmë më parë, janë ende të pazgjidhura. Ato janë të vështira për t’u përkufizuar, për shkak se e kanë origjinën nga probleme më të thella se sa çështjet e dukshme. Jo vetëm që këtu kemi të bëjmë me vetë problemin e Adriatikut, por ato prekin edhe perspektivën e paqes në të gjithë gadishullin Ballkanik. Për të diskutuar këtë çështje ne duhet të kemi parasysh natyrën e vërtetë, në rast se duam t’i gjykojmë qartë, qoftë në raport mes vetes, qoftë në raport me politikën e Britanisë.Para luftës, pra mes viteve 1897 dhe verës së vitit 1914, politika e Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan në përgjithësi ishte e qartë. Objektivi ishte të ndalohej çfarëdolloj ndryshimi i dëmshëm për sigurinë e Italisë; ose, në rast ndryshimi, për të siguruar avantazh të përshtatshëm për Italinë, të barabartë me atë që mund të merrte Austro-Hungaria. Edhe para vitit 1897, interesat e Italisë në Shqipëri kanë qenë të gjalla. Crispi, i cili ishte vetë me rrënjë siciliano-arbëreshe, nuk e hoqi kurrë nga vëmendja çështjen shqiptare; dhe, sipas mendimit të tij mbi Aleancën Trepalëshe, kishte një provizion të pashprehur se marrëdhëniet e tolerueshme mes Romës dhe Vjenës kërkonin që Austro-Hungaria të mos kryente ndërhyrje aktive në çështjet shqiptare. Ai shpenzoi para të konsiderueshme për të mbajtur shkolla italiane në Shqipëri dhe – ndoshta – duke subvencionuar disa nga udhëheqësit e klerit katolik në këtë vend. Më kujtohet zhgënjimi që ai pati kur pasardhësi, Marquis di Rudini, pezulloi më 1896, paratë e alokuara për të mbajtur shkollat italiane përgjatë Adriatikut.
“Pse ata nuk kanë besim tek unë?”, u ankua ai. “Unë pranoj dhuratat nga Perandori Franc Jozef si provë e vullnetit të mirë kundrejt tij dhe tregoj madje edhe paanësi, duke mos refuzuar dhuratat që ofrojnë italianët dhe nuk ka asnjë arsye që austriakët të më trajtojnë mua si një spiun”.
Duke marrë subvencionime nga dy, apo kur është e mundur, nga tri burime të ndryshme, si dhe duke bërë pak a shumë se çfarë i kërkohej, nuk qenë të paktë dinjitarët dhe kapedanët shqiptarë që treguan paanësi fisnike. Kam dëgjuar, megjithëse kjo histori mua vetë më duket e pabesueshme, se disa madje ia kanë dalë të nxjerrin flori edhe nga ai ekonomisti piktoresk Mbreti Nikolla i Malit të Zi. Vetë Nikolla ishte një ekspert në artin e gjetjes së subvencioneve. Për më tepër, ai i deklaroi luftë Turqisë më 1912, një apo dy ditë më vonë se sa aleatët ballkanikë, në mënyrë që të kapë në tempin e duhur Bursën e Parisit para se tregtarët e tjerë më pak të zhdërvjellët të gjenin mënyra për të shfrytëzuar situatën. Ka një proverb shumë të mençur turk për të shpjeguar këtë: kur një shqiptari i thuhet se duhet të shkojë në ferr, ai reagon duke pyetur: “A ka flori atje?”. Ne mund të jemi gjithsesi gabim në rast se dalim në konkluzionin se të gjithë shqiptarët janë të korruptuar të pakorrigjueshëm. Ata thjesht sa shfrytëzonin rivalët për përfitim të vet. Vendi i tyre ka qenë dhe mbetet një vend i varfër. Ari nënkupton armatime dhe municione. Pushkët dhe fishekët nënkuptojnë pavarësi personale dhe mundësi për të mbajtur gjakmarrjen e nderuar apo luftëra të tjera mes fiseve. Imagjinoj se asnjë shqiptar nuk ka ëndërruar kurrë të shesë vendin e tij për para. Por të përfitosh nga qëndrimet e të tjerëve në lidhje me këtë vend, është një çështje tjetër.
Nuk duhet gjithashtu të harrohet se, kur Abdul Hamid u zëvendësua nga Xhonturqit, dhe politikat e tij të mençura u zëvendësuan me skemën fanatike të “turqizmit”, Shqiptarët u ngritën menjëherë. Qe pikërisht përpjekja e xhonturqve për të “turqizuar” shqiptarët përmes dhunës dhe masakrimit që solli me të vërtetë aleancën ballkanike dhe Luftën Ballkanike të vitit 1912.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes Austrisë dhe Italisë qenë acaruar gjithnjë e më shumë dhe frika e italianëve për të ardhmen e Shqipërisë ishte e konsiderueshme. Agjentët e Austro-Hungarisë qenë shumë të zënë me punë nëpër malësitë e Shqipërisë gjatë atyre viteve; dhe, megjithëse unë dyshoj se ushtarakët e Austro-Hungarisë kanë qenë ndonjëherë aq budallenj sa të besojnë se interesat e vendit të tyre mund të plotësohen përmes pushtimit të një vendi kaq të vështirë, ata qenë natyrisht shumë të interesuar për të shtypur lëvizjen jugosllave, ose, siç quhej në atë kohë, lëvizjen panserbe, duke përdorur armët për të zgjidhur llogaritë me Nikollën e Malit të Zi, i cili po lajkatonte me shqiptarët ashtu si edhe me Italinë. Në punimet e Konferencës së Ambasadorëve që u zhvillua në Londër më 1912-‘13, Shqipëria ishte një çështje e rëndësishme. Pavarësia u shpall në Vlorë gjatë Luftës së Parë Ballkanike më 28 nëntor 1912. Tri javë më vonë, Konferenca e Ambasadorëve ra dakord në parim për autonominë e Shqipërisë. Kufijtë e vendit u caktuan me përafërsi dhe William Wied u përcaktua si princ. Një pikë e rëndësishme në përcaktimin e kufijve të vitit 1913 ishte se, me kërkesë të Italisë, ishulli i vogël i Sazanit, i cili kontrollon hyrjen në Gjirin e Vlorës, iu caktua Shqipërisë. Ai ka qenë pjesë e ishujve të Jonit dhe i ishte transferuar Greqisë më 1864 në kontekstin se duhet të mbetet neutral. Gjiri i Vlorës, duhet thënë se është gjiri i vetëm i mirë i Shqipërisë.
Pas shpërthimit të Luftës së Madhe më 1914, Princi i largua nga Shqipëria, e cila u kalua nga forcat serbe gjatë tërheqjes së tyre të famshme më 1915-n dhe shpartallimit nga austriakët në vitin pasardhës. Italia, gjithsesi pati zbarkuar një bateri detare në Sazan në tetor 1914, shtatë muaj para se ajo të hynte në luftë dhe në Traktatin Sekret të Londrës më prill 1915, ajo i detyroi Aleatët të njohin sovranitetin e saj mbi Vlorën dhe Sazanin. Ata mbetën me të vërtetë nën pushtimin italian deri më gusht 1920, kur një kryengritje anti-italiane shpërtheu në rrethinat e Vlorës. Lëvizja solli nënshkrimin e Traktatit Italo-Shqiptar të Tiranës më 2 gusht 1920, ku Italia njohu Pavarësinë e Shqipërisë, evakuoi Vlorën dhe tokën shqiptare por, – ndoshta përmes ndonjë marrëveshjeje të fshehtë – mbajti pushtimin e Sazanit.
Pjesërisht si pasojë e njohjes së pavarësisë, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, si një shtet i pavarur më dhjetor 1920.
Në fund të qershorit 1921, kur çështja shqiptare erdhi para Konferencës së Ambasadorëve në Paris pas luftës për përcaktim final, posedimi i Sazanit nga Italia hapi debate të mëdha. Vetëm në nëntor 1921, konferenca përcaktoi statusin e Shqipërisë së pavarur dhe formoi një komision për delimitimin e kufijve të saj në bazë të vendimeve të marra nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913, e cila ia kishte dhënë Sazanin Shqipërisë. Për rrjedhojë, ndërsa pozicioni i Sazanit nuk u përmend në mënyrë eksplicite në vendimin e vitit 1921, duket se, i pushtuar apo jo nga trupat italiane, ishulli në të vërtetë është pjesë e territorit të Shqipërisë.
Kur marrim në shqyrtim marrëdhëniet aktuale të Italisë me Shqipërinë, tri dokumente, që të gjitha të regjistruara te Lidhja e Kombeve, kanë rëndësi të madhe. E para është Deklarata e qeverive të Britanisë, Francës, Italisë dhe Japonisë që u nënshkrua në Paris më 9 nëntor 1921, në të njëjtën ditë kur Konferenca e Ambasadorëve fiksoi kufijtë e Shqipërisë në përputhje me vendimin e Konferencës së Londrës, pra duke përfshirë Sazanin në territorin shqiptar. Kjo Deklaratë njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe e konsideroi integritetin e kufijve të saj tashmë të saktësuar, si çështje me rëndësi ndërkombëtare. Dhunimi i tyre apo dhunimi i pavarësisë së Shqipërisë përbën një kërcënim për sigurinë strategjike të Italisë. Deklarata thotë se Shqipëria është e lirë të kërkojë ndihmë të huaj para Këshillit të Lidhjes së Kombeve në rast se nuk është në gjendje të ruajë integritetin e saj territorial. Deklarata thotë më tej se, qeveritë e Britanisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, në rast se Shqipëria kërkon ndihmë te Lidhja, do të instruktojnë përfaqësuesit e tyre të rekomandojnë se rivendosja e kufijve të Shqipërisë duhet t’i besohet Italisë. Deklarata shton se në rast se Shqipëria dështon të bëjë një thirrje të tillë drejtuar Lidhjes brenda një kohe të arsyeshme, “në rast kërcënimi të pavarësisë territoriale të Shqipërisë apo integritetit ekonomik të lindur nga një agresion i huaj apo nga çdo formë tjetër”, qeveritë nënshkruese do ta ngrenë vetë çështjen për dijeni të Lidhjes së Kombeve dhe do të instruktojnë përfaqësuesit e tyre të veprojnë sipas klauzolës së sipërpërmendur në rast se Këshilli do ta konsiderojë ndërhyrjen të nevojshme. Në rast se, Këshilli vendos me shumicë kundër ndërhyrjes, qeveritë nënshkruese të Deklaratës do ta ekzaminojnë vetë çështjen në gjykimin e parimit se çdo ndryshim në kufijtë e Shqipërisë përbën një rrezik për sigurinë e Italisë.
E marrë si një manifest politik nga ana e katër qeverive që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Lidhjes së Kombeve dhe referimi që gjoja i bëhet Lidhjes, kjo deklaratë është një largim i jashtëzakonshëm dhe i paimagjinueshëm nga parimet e Lidhjes. Duke parë këtë Deklaratë, ndoshta nuk duhet të duket habitëse se pse palët nënshkruese janë disi nguruese për të ngritur mosmarrëveshje mes Italisë dhe Jugosllavisë mbi Shqipërinë para Këshillit të Lidhjes.
Dokumenti i dytë me rëndësi të madhe është Traktati i Miqësisë dhe Sigurisë i nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë në Tiranë më 27 nëntor 1926. Preambula e saj thotë: Me synimin për të forcuar marrëdhëniet e ndërsjellta të miqësisë dhe sigurisë, siç reflektohet edhe nga pozicionet gjeografike dhe për të kontribuuar për konsolidimin e paqes; të vendosur nga dëshira për të mbajtur status quo-në politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë brenda kuadrit të traktateve që të dyja palët kanë nënshkruar dhe në përputhje me Konventën e Lidhjes së Kombeve:
Qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë kanë rënë dakord të nënshkruajnë Traktatin aktual, si më poshtë:
- Shqipëria dhe Italia pranojnë se shqetësimi i çfarëdolloj ndaj status quo-së aktuale politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat politike të palëve.
- Në mënyrë që të mbrohen interesat e sipërpërmendura, palët nënshkruese ndërmarrin t’i japin njëra-tjetrës mbështetje dhe bashkëpunim të përzemërt të ndërsjellë, dhe të mos nënshkruajnë me Fuqi të tjera politike apo ushtarake që kanë paragjykime ndaj interesave të palës tjetër kontraktuese të përcaktuar në këtë traktat.
- Palët e larta kontraktuese marrin përsipër t’i nënshtrojnë një procedurë paqëtimi apo arbitrimi çështjeve që mund t’i përçajnë ato dhe që mund të kenë mbetur pa zgjidhur përmes metodave të zakonshme diplomatike. Format dhe procedurat e zgjidhjeve paqësore do të përcaktohen në një konventë të posaçme që do të përfundohet pa vonesa.
- Kohëzgjatja e Traktatit aktual do të jetë për pesë vjet dhe mund të denoncohet ose rinovohet një vit para skadimit.
Këto dokumente, Deklarata e Parisit e Nëntorit 1921 dhe Traktati Italo-Shqiptar, janë shumë të njohura; por rëndësia e një dokumenti suplementar mbi këtë Traktat nuk është dalluar siç duhet. Qeveria e Shqipërisë duket se ka pasur disa dyshime mbi marrëdhënien ku po hynte dhe i ka kërkuar qeverisë së Italisë të thotë ekzaktësisht se çfarë nënkupton me disa fraza të traktatit. Kjo, së paku duket te një interpretim i arsyeshëm për një letër që iu drejtua ministrit Shqiptar të Punëve të Jashtme më 5 dhjetor 1926, një javë pas përfundimit të Traktatit, nga Baroni Aloisi, ministri italian në Tiranë. Kjo letër meriton të citohet e plotë:
Në mënyrë që të qartësohen mendjet e disa personave shqiptarë, ju qetë aq i mirë sa të më pyesni mua për opinionin e Qeverisë së Italisë mbi qëllimin e disa frazave që përmban teksti i Traktatit të Miqësisë dhe Sigurisë, veçanërisht një faktor paqeje, që ne nënshkruam më 27 Nëntor.
Ju më pyetët mua posaçërisht për të ditur nëse Qeveria e Italisë, njësoj si ajo e Shqipërisë, beson se fraza “Traktatet që ne komi nënshkruar” i referohen vetëm Traktateve ligjërisht të firmosura dhe publikuara që nga pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Në përputhje me sqarimet verbale që sakaq jua kam thënë, ju lutem të konfirmoni se ky është gjithashtu opinioni i Qeverisë së Romës.
Ju, për më tepër, keni qenë kaq i mirë sa të tërhiqni vëmendjen time për frazën që përmban pjesa e dytë e fjalisë së parë të artikullit të dytë të Traktatit që lidhet me ‘mbështetje të ndërsjellë dhe bashkëpunim’. Mbështetja e përbashkët dhe bashkëpunimi mund të interpretohet vetëm si një bashkëpunim që rrjedh nga propozimet e bëra nga njëra prej palëve dhe lirisht e pranuar nga pala tjetër. Për rrjedhojë, është e qartë se mbështetja dhe bashkëpunimi nuk mund të jepen me përjashtim të kërkesës së njërës nga dy palët.
Në fund, unë kam nderin të rikonfirmoj sigurimin se, në përputhje me instruksionet nga Qeveria ime, jam tërësisht në dispozicion të Qeverisë së Shqipërisë për të filluar bisedimet për procedurën e posaçme të pajtimit dhe arbitrazhit të parashikuar në artikullin e tretë të Traktatit.
Pjesa më e rëndësishme e letrës është fakti që ai përmend marrëveshjet e nënshkruara dhe publikuara pas anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Për rrjedhojë, Marrëveshja Italo-Shqiptare e gushtit 1920, e cila e la Sazanin nën pushtimin italian, ndodhi para anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhje dhe rrjedhimisht duket se ka humbur vlefshmërinë. Kjo ndoshta duket edhe në irritimin e parë në shtypin italian nga lajmi se trupat e Italisë kanë zbarkuar në ishullin e Sazanit kohët e fundit.
Çështja në diskutim mes Italisë dhe Jugosllavisë është, në të vërtetë, nëse ndonjë nga këto dy vende ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Jugosllavia natyrisht që është shqetësuar nga marrëveshja italo-shqiptare, ndoshta sepse ndjen se Italia ia ka dalë të kapërcejë atë duke pranuar propozime që Shqipëria aludohet se ia ka bërë Jugosllavisë më herët këtë vit, por që kjo e fundit nuk i ka pranuar; dhe megjithëse Jugosllavia vështirë se mund të jetë kaq budallaqe sa të shpresojë të rrisë territorin e saj në kurriz të Shqipërisë, me siguri që disa banda që po veprojnë në territorin e Jugosllavisë bënë disa përpjekje për të kapur Shkodrën shtatorin e kaluar. Për më tepër, lëvizja që rrëzoi ish-kreun e qeverisë së Shqipërisë, Imzot Fan Noli, disa vite më parë, dhe vuri kreun aktual, Ahmed Bej Zogu në vend të tij, u organizua në Jugosllavi. Mund të ketë pasur një bazë të vërtetë historia e treguar nga italianët për komitë shqiptarë dhe refugjatë që po përgatiteshin për të rrëzuar Zogun me një lëvizje të ngjashme me atë që e vuri Zogun në pushtet. Nëse ky është me të vërtetë rasti, rruga e duhur për Shqipërinë apo Italinë natyrisht duhet të jetë ta ngrenë çështjen para Këshillit të Lidhjes dhe t’i kërkojnë të organizojë një hetim – një rrugë që do të ishte më natyrale po të kemi parasysh pozicionin e fortë që iu dha Italisë nga Deklarata e britanikëve, francezevë dhe japonezëve në nëntor 1921. Por as Italia dhe as Shqipëria nuk e morën këtë hap të logjikshëm. Italia parapëlqeu të lëshojë akuza ndaj Jugosllavisë përmes shtypit të vet zyrtar, si dhe të informojë Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë – është e paqartë nëse është informuar edhe Japonia – duke thënë se nuk do të qëndrojë indiferente ndaj çdo përpjekjeje të organizuar në territorin e Jugosllavisë, që synon të trazojë rendin aktual në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, ajo bëri përgatitje për ndërhyrje, gjë që duket se u krye edhe përmes zbarkimit të forcave të armatosura në ishullin e Sazanit. Objektivat e vërteta të kësaj lëvizjeje, për rrjedhojë, disi të dyshimta, edhe për faktin se udhëheqësit e bandave shqiptare në Jugosllavi duket se nuk e kanë harruar traditën e pranimit të subvencionimeve nga më shumë se një fuqi e huaj njëherësh. Elementë të errët në Jugosllavi ndoshta imagjinojnë se kanë interes në trazimin e qeverisë së Ahmed Bej Zogut; por është po kaq e mundshme që, nëse Italia dëshiron të ndërhyjë në Shqipëri, agjentët e saj në anën jugosllave të kufirit mund të jenë joshur për të vepruar nga parimi që natyra njerëzore e shqiptarëve përmban një vakum monetar.
Është gjithashtu mbresëlënëse që qeveria e Jugosllavisë nuk duhej t’u përgjigjej akuzave të Italisë duke u ankuar menjëherë te Lidhja. Ajo ndoshta duhej ta kishte ndjerë se duart e Britanisë së Madhe, Francës dhe Japonisë qenë të lidhura paraprakisht nga Deklarata e nëntorit 1921 dhe se, në këtë kontekst, Këshilli i Lidhjes do të ishte thjesht një gjykatë e manipuluar. Mund të kuptohet se, nëse vendimi i Lidhjes do të shkonte drejt Fuqive të Mëdha, ato mundet të mbanin qëndrimin e tyre në bazë të parimit të sigurisë strategjike të Italisë, siç përcaktohet në Deklaratën e Nëntorit 1921. Por është më e mundshme që arsyeja kryesore se pse Jugosllavia nuk ndoqi rrugën e përshtatshme është dyshimi i saj se Britania e Madhe do të dalë paraprakisht në mbështetje të politikës së Italisë. Është e njohur se, në intervistën e tij me Mussolinin në Leghorn vitin e kaluar, Sër Austen Chamberlain, disi pa kujdes, pranoi ose së paku, nuk iu përgjigj një kërcënimi se Italia po merrte hapa për fuqizimin e pavarësisë së Shqipërisë; e megjithëse sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë ishte alarmuar kur lexoi tekstin e Traktatit të Miqësisë Italo-Shqiptar dhe kërkoi garanci për kuptimin e saktë të tij, nuk ka pasur asnjë shenjë zyrtare për mospajtim nga ana e Britanisë me këtë traktat. Shqetësimi kryesor i Italisë ka qenë bashkimi i saj me politikën e Britanisë në Kinë dhe në anëtarësimin në traktatet me të cilat Britania e Madhe dhe Franca kanë njohur zotërimin e Rumanisë mbi Besarabi. Aktualisht propaganda sovjetike po e paraqet Britaninë e Madhe si një fuqi që po përpiqet të rrethojë Rusinë me një zinxhir armiqsh. Kjo ka thelluar përshtypjen se Italia po pajtohet me qëndrimet e Sër Austen Chamberlain. Jugosllavia, ishte në fakt e fiksuar me bindjen se Britania e Madhe dhe Italia po kërkojnë ta izolojnë atë; rrjedhimisht ajo pati tendencën t’i kushtonte më shumë vëmendje se sa duhej ndaj sugjerimit të Moskës për bashkim të saj me aleancën turko-sovjetike.
Ka gjithsesi disa arsye për të shpresuar se këto keqkuptime të rrezikshme tani janë sqaruar falë përpjekjeve të ministrit të Jugosllavisë në Londër, i cili i ka mohuar ato. Gjithsesi, çështja mbetet e hapur; ka një të vërtetë në proverbin italian “le cose lunge diventano serpi” pra çështjet e stërzgjatura kthehen në gjarpërinj. Italia deri tani nuk e ka ndjekur këshillën që Chamberlain thuhet se i ka dhënë asaj – pra që t’ia përsërisë Beogradit deklaratën e saj, ku thuhet se synimi i vetëm i Romës është ruajtja e Pavarësisë së Shqipërisë; as zyrat e mira të Francës nuk e kanë sqaruar ende atë pozicion të errët dhe të rrezikshëm, në të cilin Italia duket se po luan atë që dikur luante Austro-Hungaria dhe Jugosllavia dhe pjesërisht e luajtur nga Italia.
Për pjesën tjetër të Europës ka vetëm një parim të mirë në politikën negative – atë që asnjë fuqi joballkanike nuk duhet të lejohet të vendoset në Ballkan. Nëse Britania e Madhe e ka adaptuar zyrtarisht këtë politikë apo jo, nuk e di. Por nuk gjej asnjë angazhim të saj që bie ndesh me këtë parim. Parashikimi i shumëkuptimtë që ajo ka vendosur në Deklaratën e Nëntorit 1921, mund të shpjegojë ngurrimin e dukshëm të Sër Austen Chamberlain për ta parë mosmarrëveshjen italo-jugosllave të shqyrtuar nga Lidhja e Kombeve. Megjithatë duket qartë se Marrëveshja Italo-Shqiptare e Miqësisë dhe Sigurisë ka shkuar përtej kësaj Deklarate deri në fazën që Shqipëria mund të kthehet virtualisht në protektorat të Italisë dhe, aksidentalisht, kjo hedh dyshime edhe për vetë cilësitë e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve. Herët apo vonë, e gjithë kjo çështje do të duhet të ekzaminohet nga Lidhja; dhe mund të jetë e pakujdesshme që kjo gjë të shtyhet deri sa ndonjë komplikim serioz të ndodhë. Ky vend dhe Fuqitë e tjera të Mëdha do të duhet një ditë të zgjedhin përfundimisht mes metodave të Lidhjes dhe diplomacisë së shkëputur nga Lidhja. Nëse ajo zgjedh në favor të metodave të Lidhjes, do të duhet të heqë dorë nga këto angazhime të heshtura apo të hapura pasi ato mund të jenë të papajtueshme. Ndërkohë, publicitet konstant do të nevojitet. Por për sa i përket publicitetit që iu dha fazës më kritike të mosmarrëveshjes italo-jugosllave të disa javëve më parë, Europa ndoshta mund të jetë nisur sakaq në një situatë kur një krizë tjetër e madhe ndërkombëtare do të jetë krijuar nga një çështje ballkanike. Siç e kam thënë, ka vetëm një parim të shëndoshë negativ për qeveritë e Europës që duhet të zbatohet në lidhje me problemet e Ballkanit – ai për të këmbëngulur se asnjë shtet joballkanik nuk duhet të hedhë një këmbë në Gadishull – por ka edhe një parim gjithashtu të shëndoshë pozitiv – për t’u përpjekur, qoftë drejtpërsëdrejti dhe qoftë përmes instrumenteve të Lidhjes së Kombeve për të promovuar marrëveshje dhe bashkëpunim mes popujve të Ballkanit.
Botuar në Gazetën e Institutit Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare, Volumi 6, nr. 3 (Maj 1927) f. 170-178
Përgatiti: Gjergj Erebara
No comments:
Post a Comment