Saturday, November 24, 2012

Akademiku Mark Krasniqi: "E ardhmja e Shqipërisë, etnike"

PRISHTINË – Akademiku i shquar, lideri shumëvjeçar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, politikani dikur afër Ibrahim Rugovës, Mark Krasniqi, që tanimë ka hyrë në vitin e 93-të të jetës, ka rrëfyer përvojën e tij jetësore në periudha të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët e Kosovës, prej viteve të para pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, 100 vjet më parë.

Në një intervistë për emisionin “Pressing” të KTV-së, Krasniqi ka folur për rininë e tij zogiste, kohën e kaluar si i punësuar i administratës së okupatorit fashist, studimeve në Italinë e Musolinit,

daljen në anën e partizanëve të Titos, si dhe vitet e kaluara në Beograd si i punësuar në Akademinë serbe të Shkencave dhe Arteve.

Krasniqi, në intervistë, jep edhe vlerësimet e tija për disa prej personaliteteve të historisë shqiptare dhe të Kosovës, duke insistuar se edhe sot e kësaj dite mbetet një admirues i Mbretit Zog, ndërsa meritat për lirinë që e gëzon Kosova sot thotë se më së shumti i takojnë Ibrahim Rugovës.

Edhe pse kritik i madh i sistemit të Jugosllavisë socialiste, Krasniqi e sheh me sy pozitiv liderin e shqiptarëve të Kosovës të asaj kohe, Fadil Hoxhën, ndërsa insiston se herdo kurë, Shqipëria do të jetë etnike dhe Kosova do t'i bashkohet asaj.


/Koha Ditore/Shekulli Online/Përgatiti:M.A.

No comments: