Friday, October 29, 2010

Imuniteti i vlerës së krimit, që ruan mandatin





Written by Gazeta Sot
Thursday, 28 October 2010 00:00

Nga Besi BEKTESHI

Ka disa herë që zoti Berisha, bën thirrje te opozita për të votuar së bashku, largimin e imunitetit në përfaqësuesit e popullit. Unë besoj se opozita e sotme nuk ka për ta votuar dhe kjo jo pse nuk duan, apo ngaqë janë të pasigurtë (kjo edhe mundet), por kryesisht se

kur nuk bashkëpunuan edhe atëhere kur deshën amerikanët, imagjinohet lehtë tani kur ju duhet të largojnë një mbrojtje më tepër, që ligji ju ka siguruar. "Të heqim imunitetet dhe të dëshmojmë se e ndjejmë veten të barabartë me qytetarët, kur vjen puna te fondet publike", tha Berisha. “I bëjmë thirrje kreut të PS të mos frenojë heqjen e imunitetit, por të ndihmojë për të, si një akt përgjegjësie ndaj qytetarit të thjeshtë shqiptar, si një akt ndaj donatorëve që ndihmojnë këtë vend, të ndihmojë heqjen e imunitetit dhe të mos ta ndalojë këtë. Ne këtë ligj, do ta kalojmë së shpejti në Parlament”. Në të vërtetë, kryesocialisti Rama ka lënë të kuptohet qartë se po “numëron dhe numëron” shifra, dhe deputetë, për të bërë të mundur ndonjë tip rrokade politike, me anën e alkimive që ka siguruar edhe modeli i kodit zgjedhor që i afron shumë pozitën me opozitën, pikërisht me numra. Rama edhe pse thotë protesta, duhet të ketë marrë vesh se ky popull nuk do dhe nuk ka për ta rrëzuar Berishën, sepse, nuk është e drejtë dhe e udhës, por edhe një model i mirë demokratik. Pastaj, Berisha nuk është person që trembet shumë, dhe e dyta, demokracia e sotme i lejon protestat, nuk i shtyp ato, dhe ato si zakonisht, shuhen në mënyrë të posaçme, duke mos marrë aq shumë dhe miratimin e të huajve. Në qoftë se korifejtë e lartësisë socialiste, besojnë se ky popull do të paralizojë çdo veprimtari pse Rama dhe Ngjela apo Zogaj thonë “diktatori Berisha, krimi, ekonomia, jeta e vështirë, familja dhe të tjera si këto”, mund edhe të vazhdojnë utopinë e sjelljes si në Francë apo Greqi, por në Shqipëri e kanë parasysh mirë, se çfarë përgatitën po të tillë njerëz, edhe ndoshta akoma më të përgatitur në ‘97-tën dhe në vitin 2005, Berisha ju kthye Kryeministër, për të vazhduar edhe për shumë vite të tjera. Nuk ka gjë më të dobët, se sa kujtesa e keqe. Prandaj Rama, edhe pse në mënyrë jo kaq të përbuzshme, po përgatitet të luajë numra në Kuvend. Nuk e di sa më i zoti se sa Berisha mund të jetë, por duke pasur parasysh se karizma e Edit nuk është ajo e viteve kur PS-ja kishte demokraci brenda, nuk ma merr mëndja se do të luajë “shah” më mirë se Berisha i cili ka edhe një fant te LSI-ja dhe një torre socialiste herë këtu dhe herë në Vienë. Pastaj është edhe vetë sa për një ushtri dhe këtu mbyllet puna. Ka mbi 250 akuza politike dypalëshe dhe shumë palëshe të bëra vetëm vitin e fundit. Megjithëse Berisha i bën thirrje dhe iu jep leje Kryeprokurorisë dhe prokurorive, atyre nuk ua mban të maten me “jakat e bardha”. Në fakt “Silvia Konti” ka kujtuar se është në film, jo në jetë dhe për këtë gjë është nevrikosur edhe Topi. Në këtë pikë, e gjithë kjo gjurulldi akuzash bëhet në erë, sepse Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë lloj b...the të përballet, me përfaqësuesit e popullit, që kanë edhe jaka të bardha, sepse ka frikë dhe burrnia deri këtu i shkon. Por në fakt, akuzat janë të jashtëzakonshme dhe në vendin kur bëhet akuza e shtetit tmerrohen, se po kërkuan largim imuniteti dhe të akuzojnë, do t’ju vihen në shpinë dhe aty dikush pastaj do të shkojë për lesh!! Por, kur është kështu puna, atëhere është rruga më e mirë të mos ketë imunitet. Edhe këtë e kanë kërkuar amerikanët dhe pse jo edhe evropianët, por! Por Rama justifikohet se ai nuk ka imunitet, ligjërisht edhe pse është i zgjedhur me votat që zgjidhen shumë deputetë! Megjithëse akuzon dhe akuzon, nuk do të lejojë zgjidhjen e imunitetit të deputetëve.
Është shumë kollaj, të thuash që “imunitetin” e shfrytëzon ai që ka vlera krimi. Është e lehtë, por edhe e vërtetë. Pse nuk u dashka të largohet sot ai imunitet, që e bën drejtësinë të frenohet në momentet kur akuza është më lart se sa kurrë? Por “imuniteti i vlerës së krimit” nuk i duhet askujt. I duhet vetëm atyre që bëjnë demagogji. Që e kanë filluar shumë e shumë vite më përpara, kur deklaronin se “nuk jam për këtë përpara”, por pastaj dilnin përpara. Asnjë lloj imuniteti nuk duhet pasur sot, megjithëse unë jam për të pasur një diçka më tepër përfaqësuesi i popullit, se sa populli. Normalisht, që ai duhet të jetë njeriu numër një, që duhet të tregojë barazinë ndaj ligjit, dhe pastërtinë e moralit dhe figurës së tij. Ndryshe ai ndyn edhe figurën e popullit, që medemek përfaqëson. Largimi i imunitetit, është një liri e drejtësisë, për të pasur kontakt me “jakat e bardha” në zyrat e drejtësisë. Kurse Rama sot, nuk do, sepse do të bëjë provën e forcës me Berishën për punë numrash alkimikë, që të thotë pastaj “Berisha nuk ke numra”. Po, natyrisht, që është edhe kjo. E fundi, është se nuk lëshohet dot imuniteti për disa aty. Sepse, sepse, pastaj me të vërtetë që numrat ndoshta edhe mund të mos lëvizin, por njerëzit po. E kjo është kryesorja e kryesoreve. Drejtësisht, janë disa që duhet të lëshojnë një karrige, që është e mjeruar kë mban sipër saj. Janë disa, dhe po vazhdojnë prosperitetin e tyre në saj të jo vetëm imunitetit, por edhe mungesës së lojës normale të demokracisë në Shqipëri. Po të mos ekzistonte imuniteti, ndoshta ligji, drejtësia, do të shpejtonin dhe do të ndaleshin aty ku nuk mban më pilafi ujë. Ku korrupsioni dhe krimi ekonomik apo financiar, evazioni, e deri krimi i organizuar vazhdojnë të jetojnë të qetë. Të qetë dhe të mbrojtur nga imuniteti.

No comments: