Friday, October 29, 2010

Albumi 6 botim i Fototekes Kombetare “Marubi”


Albumi Marubi-6 përbën një arritje në fushën e botimeve arkivistike. Ajo paraqitet me fondet e një prej arkivave më të vlerësuara në Europë, Fototekës Kombetare Marubi. Në faqet e këtij albumi parakalojnë dokumente, nga pasuritë më të mëdha të kulturës dhe historisë sonë kombëtare. Kemi të bëjmë me një arritje në lëmin e botimeve cilësore që plotëson një nevojë të kahershme për të afruar fondet e pasura të Fototekës Kombetare Marubi sa më pranë qytetarëve. Deri kohet e fundit kishin mbijetuar koncepte konservatore që përpiqeshin të përmbyllnin fondet e bibliotekave, arkivave, fototekave, muzeumeve sa më larg syrit të qytetarëve, duke i rrethuar ato me hekura, zinxhirë e mistere, në emër të sigurisë së fondeve, të çensurave ideologjive e gjithfarë pengesash absurde. Tani, në botë kanë lindur tendenca për institucione të hapura, për liberalizimin e praktikave menaxhuese, për t’i çliruar ato nga burgosja, për t’i afruar pranë studiuesve e njerëzve të thjeshtë. Këtë e kishin kuptuar punonjësit e Fototekës Kombetare Marubi me në krye drejtoreshën Semiha Osmani. E kishte nxitur edhe Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë e Sporteve , e cila i dha projekteve të fundit nxitjen e duhur. Dhe ja rezultati: sot kemi në dorë albumin Marubi-6, që plotëson serinë e albumeve Marubi, si dëshmi i këtij trendi të ri.

Albumi Marubi-6 tregon se Fototeka Kombetare Marubi, po i përgjigjet kërkesave të kohës për të bërë hapa në drejtim të sistemimit, përpunimit, dixhitalizimit e sistemeve mbrojtëse, si edhe për të proganduar e publikuar pjesë nga fondet e zgjedhura të saj. U hapën dyert për studiuesit, për qytetarët e thjeshtë, por edhe për atelietë e organizmat e huaja të interesuara për fondet e pasura të saj. Krahas punës për ruajtjen e dixhitalizimin e fondeve janë bërë hapa interesantë për publikimin e tyre, si kurimi dhe hapja e fotoekspozitave në Shkodër, Ulqin, Tiranë, Itali, Francë. Pas një pune të gjatë studimore, me fondet e përzgjedhura të Fototekës Kombetare Marubi, deri tani janë botuar gjashtë albume. I pari eshte “Gjurme Historike Kombetare ne Fototeken Marubi”, i dyti është realizuar në bashkëpunim me Atelienë franceze të Parisit. Më pas u realizuan, në edicione luksi, albumet e tjera të kuruara nga drejtoresha e Fototekës Kombetare Marubi,. Ka pese vjet që Fototeka Kombetare Marubi ka krijuar një traditë të re: T’u ofrojë bashkëkombësve kalendarin vjetor me pamje karakteristike të përzgjedhura nga fondet e Fototekës Kombetare Marubi, të cilët, gjithashtu, kanë shërbyer për propogandimin e tyre.

Fondet e pasura të Fototekës Kombetare Marubi, karakteri unikal i saj në Europë, si edhe publikimi i fondeve të saj me metodat nga më të ndryshmet ka bërë që të rritet interesimi i studiuesve, dhe rretheve kulturale, organizmave nderkombëtare për ruajtjen e modernizimin e kësaj fototeke. Janë edhe forma të tjera që do të shfrytëzohen në të ardhmen në fushë të publikimit e propagandimit.

Çfarë do të shohë syri i kurreshtarit kësaj radhe në Albumin Marubi-6 ? Si gjithnjë mjeshtrat e njohur të fotografisë së Shkodrës, Pjetër Marubi, Kel Marubi, Gegë Marubi, Shan Pici dhe Dede Jakova do të paraqesin punët e tyre të zgjedhura me kujdes e shije të kuruara me zotësi e kulturë profesionale nga Semiha Osmani. Bie në sy hapsira më e madhe që kanë zënë kësaj radhe fotografitë e Shan Picit. Ndërsa duken edhe punët profesionale-artistike të fotografëve të rinj Gegë Marubit dhe Dedë Jakovës. Fotografitë e vjetra të shekullit XIX i takojnë babait të fotografisë shqiptare, Pjetër Marubit. Janë theksuar veçoritë e secilit fotograf: kështu karakteri historik i fotografive të Kel Marubit, karakteri modern i fotografive të Dedë Jakovës, dhe Gegë Marubit, dominimi i botës së brendshme të personazhit dhe karakteri protagonist i natyrës në fotografitë e Picit. Pjesa më e madhe e fotografive i përkasin qytetit të Shkodrës, por areali i shpërndarjes përfshin edhe Alpet e Veriut, kryeqytetin e ri të Shqipërisë, Tiranën, portin e Durrësit, qytetin e vjetër shqiptar të Tivarit, si edhe Krujën e Elbasanin.

Tematika e albumit është e larmishme, por shihet qartë se kuratorja ka patur qellime të studiuara dhe ka përdorur metoda efikase pune. Aty ka etnografi, histori, urbanistikë, gjeografi e Shqipërisë, ekonomi, transport, art, etj. Albumi ka gjithejt 136 fotografi, 15% e të cilave i kushtohen plotësisht kostumeve të Veriut, që ndryshojnë për gratë, për nuset, për burrat, ndryshojnë sipas përkatësisë fetare, muslimane, katolike e apo ortodokse, ndryshojnë sipas moshës, sipas gjëndjes civile, të martuara, vajza fëmijë, për qytetin, për malësitë, apo për fushën. Edhe këto të fundit, ndara sipas krahinave, si Shala, Shoshi, Mirdita, Dukagjini, Zadrima. Por ka edhe fotografi me synime komplekse. Kjo sidomos kur fotografohet Pazari i Shkodrës, jepen elementet e urbanistikës, por edhe larmia e veshjeve e elementeve të tjera etnografike të banorëve të krahinave përreth Shkodrës, të cilat vinin për të bërë treg në Pazarin e Shkodrës. Ose kur ka fotografuar burra apo gra nga krahinat kanë dhënë jo vetëm veshjet apo elemente psikologjisë së portretit të tyre, por edhe elemente të natyrës, si për të theksuar se çdo banor ishte pjesë e produkt i atij mjedisi. Shpesh janë theksuar në mënyrën e fotografimit në grup të pjesëtarëve të një familjeje, mentaliteti i theksuar maskilist i strukturës së familjes malësore, ku vendin kryesor e kishte djali, si element i rëndësishëm i mbijetesës së kësaj familjeje. Në qendër të fotografisë renditeshin në menyrë tendencioze meshkujt, ndërsa vajzat e femrat në përgjithësi vendosen në pozita anësore, që mështeteshin dukshëm në supat e burrave.

Portreti është lavruar ndofta edhe për shkaqe të kërkesës që kanë patur studiot fotografike në Shkodër. Në këtë lamë janë dalluar Gegë Marubi dhe Shan Pici. Ato kanë kërkuar gjendjen sa më të natyrshme me qëllim që të nxjerrin sa më të plotë botën e brendshme të personazheve. Dallohet fotografia e Picit, me dy malësorë nga Dukagjini që pijnë duhan. Porteti i malësorit të parë dallohet për portetin e qeshur, ndërsa duart e shkathëta lidhin në mënyrë të vetëvetishme cingaren e duhanit. Malësori tjetër i ulur në tokë, është i përqëndruar në lëvizjet për fazën e fundit të lidhjes së cingares së duhanit. Kutija e duhanit qëndron e hapur, si për të treguar se zemrat e hapura mes dy miqve. Më tej në plan të dytë janë dy malësorë të tjerë që përshëndeten kokë për kokë, karaktersitikë kjo e malësorëve shqiptarë. Në plan të fundit janë malet me borë që qëndrojnë si symbol përjetësie. Pici ka bërë fotografi të plota të malësorëve apo grave të tyre, duke theksuar karakterin burrëror, krenarinë e ligjshme të malësorëve, zotër të vërtetë të trojeve të tyre. Ndofta të varfër, me veshje të grisura por të arnuara, të vjetra por plot sqimë, plot dinjitet e nur në fytyrat e tyre të thekuara nga dielli e shqota, ndofta nga dhimbjet e nga vuejtja, nga shtypja apo lodhja fizike. Por kuratorja ka mbajtur masën në këtë drejtim, duke dominuar në album notat optimiste, sidomos pasuria shpirtërore, aty ka shumë vend për portrete të personaliteteve të shquara të Shkodrës që kanë luajtur një rol të dukshëm në jetën artistike, shkencore dhe intelektuale të qytetit më të madh verior. Kështu dallohet fotoja e doktorit të parë të Shkodrës, Dr Basri Qallimit, i cili erdhi në Shkodër që në kohën e Turqise dhe ishte kirurg, patolog, ftiziatër, pediatër, gjinokolog e që bëri deri punën e mamis. Pastaj vijnë fotoja e klinikës së parë dentare në Shkodër, ajo e dentistit Hafiz Haxhi Hasan Kadukut, si dhe portretet e dr. Tasin Karagjozit, dr. Selaudin Mbrojes, dr. Bahri Kopliku, dr. Dhimitër Litos. Për të vazhduar me portretet e njohura në tërë vendin, ato të studiuesit Jup Kastrati, shkrimtarit Fadil Kraja, artistëve Tinka Kurti e Serafin Fanku, muzikantit Prenkë Jakova, trombistit Gjon Halili, farmacistit Pashko Ashiku, shkrimtarit Kristo Floqit, fotografëve Kel Marubi e Gegë Marubi, shkrimtarëve Risto, Llazar e Drago Siliqi, të reformatorit të ahengut shkodran Kolë Gurashit.

Me vlerë dokumentare historike janë fotot e anëtarëve të Këshillit të Bashkisë së Shkodrës, të deputetëve të parlamentit shqiptar, të anëtarëve të qeverisë Delvina, Vrioni, të anëtarëve të Doganës, të anëtarëve të policisë së qytetit, të shoqërive Bashkimi, Taraboshi, Lekë Dukagjini. Merr vlera historike sidomos fotografia fiksuar me rastin e ardhjes në Shkodër, të Tefta Tashkos e Lola Gjokës, krahas të cilave gjënden personalitete si Ernest Koliqi edhe Asdreni. Dallohen dy foto interesante: ajo e bibliotekës së qytetit të Shkodrës, me kryetarin e bashkisë së Shkodrës Zenel Prodanin, si dhe ajo e bibliotekës franceskane me Atë Gjergj Fishtën. Shumë interesante fotografia e një grupi intelektualësh shkodranë me Gjergj Fishtën në qendër. Shumë prej tyre luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen mendore shqiptare, si folkloristi Kolë Gurashi, mësuesit veteranë Kolë Margjini, Luigj Shala, Gaspër Harusha, Kolë Zezaj, Gjush Sheldija, Kolë Mosi, Kel Ujka, Karlo Shiroka, Kolë Laca, Ndue Paluca, piktori i popullit Simon Rrota, piktorët Ndoc Shala, Duro Guri, gjuhëtari Kolë Kamsi, si edhe Etërit franceskanë Martin Gjoka,Ambroz Marlaskaj, Lekë Filipi, Bernardin Palaj, Marin Sirdani, Anton Harapi. Jeta artistike e Shkodrës paraqitet me fotot e aktorëve të dramës Mustafa Pasha dhe të komedisë Don Kishoti, pamje nga karnavalet e Shkodrës.

Urbanistika e qytetit përbën një nga temat më të dashura të fotografëve shkodranë, të cilët kanë fotografuar me një përkushtim të madh pjesë të rëndësishme të jetës urbane të qytetit. Kështu Kafja e Madhe, lulishtet e qytetit, posta, pjaca, qendra e qytetit, Fushë Çela, Truma e Dugajëve të Reja, Agjensija e udhëtarëve Shkodër-Tiranë, Durrës, Ura e Bunës, Ambulanca Tepeks, Pazari i Shkodrës, etj.. Alkbumi Marubi-6 ka pamje nga jashtë të Dajlanit, të Kështjellës Rozafat, Doganës së Shkodrës, pamje nga brenda të Kalasë së Shkodrës. Bie në sy se një pjesë e fotove duan të tregojnë prirjen liberale dhe civilizuese të qytetit të Shkodrës.

Kuratorja Osmani ka ruajtur masën në krijimin e hapësirave për fotot e të huajve që janë instaluar në qytet me shërbime të ndryshme, të konsujve të Rusisë, Austrisë, Francës, Italisë, Jugosllavisë, shpesh me gjithë familjarët e punonjësit e konsullatës. Aty kemi edhe fotot e inxhinierit Briot, Attilio Siminit, pronarit italian të fabrikës së bukës e të miellit, Giuseppe Scapinni. Kemi fotot e Pazarit të Shkodrës që vizitohet nga turistë të huaj, si edhe të shkollës amerikane në qytet.

Përveç Shkodrës kapitull i veçantë është edhe ai i Durrësit, Elbasanit, Krujës, Tivarit e në mënyrë të veçantë, ai i Tiranës. Janë tetë foto që i kushtohen Tiranës, kryeqyetit të ri të Shqipërisë: dy foto të rrugëve të Tiranës, një e qëndrës, foto e Kafe Europës, e Hotel Internacional, Pazarit Nacional, Sakakut të Bakërxhijve, shitja e lirit në Pazarin e Tiranës.

Albumi dallohet për dritën si edhe për vlerat artistike, shkencore, prezantuese. Seria e Albumeve Marubi, e bashkë me ta, Albumi Marubi 6 përbën një mjet efikas për prezantimin dinjitoz të Shqipërisë, sepse jep të dhëna efikase për të pasqyruar identitetin tonë, vlerat thelbësore të shqiptarëve.

Kuratorja e Albumit. Drejtoresha e Fototekës, studiuesja e zellshme e fotografisë shqiptare, Semiha Osmani po jep rezultate shumë të kënaqëshme me punën e saj këmbëngulëse. Nga albumi në album ajo po e rrit ndjeshëm profesionalizmin e saj aq sa ka arritur me kompetencë të kurojë e përgatisë për botim gjashtë albume fotografike me fonde nga thesaret e Fototekës Kombetare Marubi.

No comments: