Sunday, August 12, 2012

Një Republikë e Re?

Artur Zheji
Emërimi më i fundit i shefit të Shërbimit Informativ duket se plotëson, deri në zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, panoramën e një Republike të Re.
Të gjitha pushtetet dhe postet e kontrollit të Shtetit janë të zgjedhura apo të emëruara pa konsensus të gjerë, brenda ligjit, por në mënyrë të njëanshme. Pra sot, më shumë se dje, Kryeministri është, ashtu si dhe de facto dje, njeriu më i pushtetshëm i Shqipërisë.
Kontrollon apo influencon Presidencën, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shërbimin Informativ (i përket padyshim me Kushtetutë), Qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Këto janë fakte të vërteta dhe jo interpretime.
Parimi i të ashtuquajturës check and balance, me sa duket nuk vlen më. Ne sot duhet të besojmë te vullneti i mirë i Kryeministrit, të mos e paragjykojmë atë dhe ndoshta edhe t’i bindemi, urtë e butë, si qytetarë të rinj, të një Republike të Re…
Le të supozojmë se ne shqiptarët do të zgjedhim bindjen dhe urtësinë, përkundrejt kësaj zgjedhjeje të Kryeministrit dhe të Liderit të Opozitës, që nuk e sheh të arsyeshme të ndërpresë pushimet dhe dërgon si ‘Zeusi’ mesazhe në ‘Twitter’, por pyetja është: përse i duhen Kryeministrit gjithë këto pushtete?
Për të qeverisur në mënyrë më eficiente?
Visho Lika është një informaticien i mirë dhe ka një Cv shumë të respektueshme profesionale, por është edhe një njohje e vjetër e Kundërzbulimit, në vitet 1992-’96. Kjo rrëfen padyshim një eksperiencë profesionale dhe gjithashtu një njohje të vjetër dhe të thellë me Kryeministrin.
Por sërish pyetja shtrohet: përse ky shtrëngim radhësh, përse ky mobilizim, përse kjo ‘mbyllje’ e pushtetit dhe pushteteve në një gjini dhe në një rreth kaq të ngushtë? Përherë edhe më të ngushtë?
Ne nuk duam dhe nuk do të donim të paragjykonim Kryeministrin, si dhe vullnetin e tij të mirë, për më shumë demokraci dhe më shumë prosperitet në këtë vend, por gjithë këto pushtete në një dorë të vetme ngrenë ca shqetësime, krijojnë një pasiguri. Apo hajt, le të themi se krijojnë iluzionin e një pasigurie, për ne të papushtetshmit.
Me Bahri Shaqirin nuk kam pirë asnjëherë ndonjë kafe dhe mendoj që me të drejtë i kish ardhur koha që të tërhiqej nga posti i tij. Krimi ekonomik dhe krimi në përgjithësi është në lulëzim. Dhe padyshim nuk është normale që Shefi i Shërbimeve Informative të mos ketë marrëdhënie të mira me Kryeministrin, është një anomali që ka zgjatur përtej masës, në kohë dhe në veprim.
Nëse kjo dilemë u zgjidh, forma, shpejtësia dhe mënyra e korrigjimit të kësaj dileme lënë një vazhdë pikëpyetjesh dhe nuk është aspak mirë që këto pikëpyetje të shprehen nga selia e Ambasadës Amerikane (simbas VOA), përfaqësuesja e aleatit tonë më të madh, historik dhe gjeostrategjik.
Unë personalisht nuk kam frikë të jetoj në një Republikë të Re, por do të doja, si një ndër tre milion qytetarët e kësaj Republike, të kuptoja më shumë, të dija paraprakisht më shumë, pasiqë paguaj taksat dhe jam shqiptar.
Jemi tashmë në një vit elektoral dhe kemi një superkontroll të të gjitha pushteteve, që përbëjnë Shtetin dhe Republikën.
Pse?!
Pse duhet e gjithë kjo? Do të doja të dija kush është dhe ku fshihet ‘Armiku’, që të kuptoj justifikimin e të gjithë këtij përqendrimi maksimal dhe mendoj të padobishëm pushtetesh. Është kjo vallë një sindromë pasigurie e vetë Pushtetit? Apo një tendencë e natyrshme, e shprehur në trajtë të panatyrshme, për të pasur kontroll, gjithmonë e më shumë kontroll, me çdo kusht dhe me çdo çmim?
Të kontrollosh edhe shiun, edhe breshrin edhe diellin, është e pamundur, këto i kontrollon dot vetëm Zoti, tek i cili besoj idealisht dhe për të Cilin, Zotin pra dhe vetëm Atë, thuhet se i di dhe i kontrollon të gjitha.
Një nga ‘defektet’, verifikuar gjithmonë në Historinë e Njerëzimit, është tendenca e vdekatarëve, e ne njerëzve pra, që të ngjasojmë sa më shumë me shëmbëlltyrën e Zotit dhe kjo është një gjë e mirë, përderisa nuk do të ëndërronim të kishim dot edhe ne, robt e tij,  ‘Fuqinë e Tij’, ‘Fuqinë e Zotit’.
Pushtetin e tij.
Njerëzimi ka reflektuar ndër mijëra vite eksperimentesh sociale dhe shtetformuese krijimin dhe mbajtjen e një Pushteti, ku gjithmonë e më shumë njerëz pyeten dhe kanë të drejtën e votës. Të votës politike, morale dhe intelektuale.
Ndarja e pushteteve parandalon përqendrimin e pushteteve në një Pushtet të Vetëm. Historia e këshillon Njerëzimin se kjo është, pavarësisht zigzageve, Rruga më e shëndetshme dhe Rruga më e qëndrueshme.
Megjithatë, duke mos dyshuar, ose më saktë duke mos dashur të dyshojmë te vullneti i mirë i Kryeministrit, që do t’i keqpërdorë këto pushtete kaq të shumta, nuk mund të lutemi në Altarin e Iluminizmit, por duhet të mbajmë sytë hapur.
Dhe të themi sa më shpesh të Vërtetën.
Për të mirën e të Gjithëve.
Edhe për të mirën e Kryeministrit.

No comments: