Historiani i njohur shqiptar Kristo Frashëri e vlerësoi si të panevojshme thirrjen e autoriteteve për të rishikuar historinë. Profesori 92-vjeçar tha se historianët janë vetë të kujdesshëm për këtë çeshtje dhe të gjithë kanë reflektuar, veçanërisht tani në 100-vjetorin e Pavarësisë. Me rastin e përvjetori të Shtetit Shqiptar, prof. Frashëri foli edhe për fatin e deklaratës origjinale të Pavarësisë, të nënshkruar në Vlorë nga themeluesit. Ai thotë që shpreson shumë që poseduesit ta dorëzojnë një ditë në Tiranë në një muze dinjitoz.
Profesor Frashëri! Ky është viti i njëqindtë i shtetit të
pavarur shqiptar. Cilat janë përjetimet tuaja dhe krijimtaria juaj për
këtë ngjarje historike të Shqipërisë?
Nga jeta ime e gjatë kam patur fatin të kremtoj 25-vjetorin e
pavarësisë më 1937, 50-vjetorin e pavarësisë më 1962, 75-vjetorin e
pavarësisë më 1987, dhe tani 100-vjetorin. Shpresoj që ta arrij edhe
sivjet… Duke i hedhur një sy të kaluarës së këtyre kremtimeve shoh se
përvjetori i pavarësisë është kremtuar për meritat e mëdha që ka patur.
Natyrisht 25-vjetori më pak, 50-vjetori më tepër, e me radhë; sa më
shumë kalon koha, aq më shumë i rritet vlera përvjetorëve të pavarësisë.
Shpallja e pavarësisë është një ngjarje e rëndësishme historike,
madje mund të them si historian se ajo është ngjarja më e rëndësishme në
historinë e Shqipërisë. Shpallja e pavarësisë është si lindja e një
fëmije, është rezultat i një procesi të gjatë ekonomik, politik,
shoqëror dhe kulturor. Është dalja e një populli në arenën e historisë
si një popull i pavarur me vlerat, meritat edhe me dobësitë e veta.
Cilat janë studimet tuaja dhe botimet tuaja për këtë ngjarje?
Unë për çdo përvjetor jubilar kam botuar studime për pavarësinë.
Edhe në 1937 kam botuar një artikull, edhe në 1962 kam botuar një album
për pavarësinë, edhe në 75-vjetor po ashtu. Edhe tani për 100-vjetor,
nga frika se a do të jetoj dot më gjatë, kam botuar dy libra për
pavarësinë. Njëri libër titullohet “Shpallja e Pavarësisë së
Shqipërisë”, që e botova dy vjet më parë dhe këtë vit sapo kam botuar
një album për Ismail Qemalin.
Ky album me titull emrin e tij përshkruan jetën e tij, pikëpamjet e
tij ashtu siç i ka shkruar vetw ai, jo siç i thonë historianët. Ky
album në çdo faqe ka nga një fotografi dhe pranë saj, ka nga një citim
nga veprat e tij. Të gjitha janë citime të shkruara nga Ismail Qemali
për veten e tij, jetën dhe vlerat e punës së tij, për ato aksione që ka
bërë.
Profesor Frashëri! Ju përmendët edhe festimet në vitin 1937
për 25-vjetorin e pavarësisë. Atë vit është publikuar edhe dokumenti i
pavarësisë, një riprodhim që ju shpërnda popullit atëherë në shumë
kopje...
Nuk ishte kartolinë, as fletëpalosje. Ishte vetë deklarata e
pavarësisë e riprodhuar në zinkografinë e asaj kohe, shumë e pastër,
shumë e qartë, veçse me një mungesë. Nuk e di për ç’arsye ndodhi ajo
mungesë. Akti i shpalljes së pavarësisë mbushi dy faqet e letrës,
përpara dhe prapashpinën e saj. Firmatarët nuk i nxuri të gjithë faqja e
parë. Një pjesë e tyre kanë firmosur në prapashpinën e dokumentit. Këtë
faqe nuk e botoi Lef Nosi. Për ç’arsye nuk e di. Ndoshta e ka gjykuar
të pamundur, apo të panevojshme. Nuk besoj se ka patur motive politike,
sepse ata persona që nënshkruan prapa aktit janë miqtë e tij.
Ndoshta ka ndodhur për pamundësi të shtypshkronjave të kohës?
Ndoshta për pamundësinë e shtypshkronjave të kohës, ose ndoshta që
të mos zinte vendin, se donte që të botonte pranë deklaratës së
pavarësisë edhe fotografinë e pjesëmarrësve në mbledhje. Pranë tekstit
në një foto të madhe është kolektivi i gjithë personave që shpallën
pavarësinë. Në foto janë edhe ata persona që nënshkruan prapa letrës,
ndërsa në riprodhimin fotografik të faqes së parë të dokumentit firmat
natyrisht nuk janë. Në atë publikim mungon pra, faqja e prapme që mban
një pjesë të firmave të burrave të pavarësisë.
Prandaj unë kam patur kujdes që në këtë punimin tim të vë në dukje
të gjithë ata që ishin pjesëmarrës. Aty ka dy lloj pjesëmarrësish;
pjesëmarrës që arritën ditën e shpalljes dhe që firmosën. Sw dyti, ka
edhe pjesëmarrës që erdhën disa ditë me vonesë, sepse qe situata shumë e
ndërlikuar. Lufta ballkanike ishte akoma në vlagën e saj. Dhe së treti;
një 2-3 veta nuk deshën ta firmosnin, sepse nuk ishin dakord me
shpalljen e pavarësisë. Ata kanë marrë pjesë në mbledhjen e shpalljes së
pavarësisë, por nuk e kanë firmosur.
Ai është një dokument themeltar i shtetit shqiptar; përmban 2-3
rreshta të shkruara me dorën e Ismail Qemalit në gjuhën shqipe dhe në
turqishte me penën e Qemal Karaosmanit. Këto unë i di ngaqë kam patur
fatin, dhe prirjen time si historian, të interesohem, si historian, qysh
në atë kohë për këto dokumenta.
Profesor Frashëri! Ç’mund të thoni diçka më tepër mbi fatin
e dokumentit origjinal të pavarësisë, pra të deklaratës origjinale të
pavarësisë?
Ky dokument doli në dritë edhe në vitin 1962. Ai që e kishte,
pronari i saj, tha se ia kishte dorëzuar Ismail Qemali me dorën e vet.
Ai kishte edhe një letër të Ismail Qemalit që i thoshte: “Ta kesh
kujdes. Ky është dokument i madh, me rëndësi të jashtëzakonshme”. Ai e
mbajti dhe nuk donte ta jepte. Më 1962 ndoshta kishte frikë se mund ta
përdhunonin atë dokument, mund ta shfrytëzonin për emrat që kishte atje
brenda. Nuk e di për ç’arsye. Unë kam folur vetë me atë pronar, dhe jam
munduar që ai t’ia dhuronte muzeumit kundrejt një shpërblimi. Pastaj u
kalua ajo, dhe ai dorëzoi vetëm disa dokumenta.
Kjo është historia e origjinalit. Unë nuk mund të them më shumë.
Nuk mund të them më shumë. Ai dokument ndoshta ekziston edhe sot,
ndoshta ekziston edhe sot. Kushedi, ndonjë ditë mund të dalë befas,
sepse është një dokument me vlera të rralla. Kushdo që e ka marrë, nuk
ka mundësi ta ketë prishur. Do ta ketë ruajtur. Edhe nga ana materiale
ai ka vlera kolosale.
Profesor! Për këtë person, ose për familjarët dhe pasardhësit e
tij, a keni ju një mesazh, një thirrje që ata ta dhurojnë, ose së paku
ta shfaqin në këtë 100-vjetor? Ky është çasti më i mirë që ky dokument
origjinal të dalë.
Nuk janë këtu në Shqipëri. Nuk janë në Shqipëri. Më duket se nuk
janë. Nuk e di mirë. Problemi është ky; që neve dokumentin, nëse nuk e
kemi në origjinal, e kemi të riprodhuar njësoj si originali. Është shumë
mirë. Unë kam parë në Vienë aktin e shpalljes së pavarësisë së
Austrisë. Me atë hapej. Ishte krenaria e muzeumit. Kjo do të bënte
krenari edhe në muzeumin tonë. Por muzeu tonë nuk është akoma në nivelin
e muzeut të Vienës. Këtu sapo ikën drejtori ndryshojnë edhe kriteret.
Ikën njëri, vjen një drejtor tjetër ndryshon edhe vlerësimin e personave
historikë. Nga kjo anë, më mirë që akoma nuk ka ardhur.
Inshallah një ditë vjen edhe të futet në një muze që të jetë i
qëndrueshëm, që të mos jetë me njerëz politikë në krye, me njerëz
partiakë në krye. Nuk e kam fjalën vetëm për sot, por edhe për dje, edhe
për pardje. Në çdo kohë kështu ka qenë këtu tek ne. Unë uroj të vijë
ajo ditë kur historinë dhe vlerat historike, qoftë edhe arkivi i
shtetit, qoftë edhe muzeu historik, qoftë edhe institucione të tjera të
mos jenë të lidhura me politikën, sepse nuk janë akoma të çliruara nga
politika.
Profesor Frashëri! Cili është komenti juaj lidhur me
debatet dhe kërkesat që dëgjohen në qarqet shtetërore, politike dhe
akademike për nevojën e një rishikimi të historisë, veçanërisht për disa
ngjarje dhe figura të caktuara në historinë e Shqipërisë?
Që në fillim po them se thirrja për të rishikuar historinë është
krejt pa vend. Historia qysh kur ka lindur ka ndjerë nevojën e
rishikimit. Jo sot, por qysh në kohën antike gjenden tekste që e
rishikojnë historinë. Aq më tepër sot kur historiografia, si mjeshtëri e
të shkruarit, ka edhe kërkesat e veta që ndryshojnë sipas kohës.
Prandaj, kërkesa apo thirrja për të rishikuar historinë nuk më duket e
drejtë. Ose më mirë të them, është pa vend. Historinë e shkruajnë
historianët në të njëjtën kohë në mënyra të ndryshme.
Tjetër punë është historia që mësohet në shkollë. Ajo është unike.
Atë duhet ta miratojë jo qeveria, por duhet ta miratojë akademia, e cila
supozohet që të jetë jashtë politikës. Sepse edhe qeveria ka
preferencat e veta për të kaluarën, për partitë, për njerëzit. Nuk është
nevoja që t’u bëhen thirrje historianëve. Unë e kam rishikuar historinë
pa më thirrur kurrkush. Edhe kolegët e mi e rishikojnë historinë pa i
thirrur kurrkush.
Prandaj, do të bëjë mirë politika, dhe e ka për detyrë, të mos
ndërhyjë në shkrimet historike; të mos thotë kjo vlen, ajo s’vlen.
Qeveria nuk ka për detyrë ky vlen dhe ai nuk vlen; se për shembull Fan
Noli është figurë e madhe, ose është një figurë jo e madhe. Kjo nuk i
takon një qeveria demokratike. Qeveritë që flasin për këto dhe
ndërhyjnë, e shkelin parimin demokratik të paanësisë së historisë si
shkencë.
No comments:
Post a Comment