Pasqyra tronditëse e krimeve të diktaturës dhe e tranzicionit
Shpëtim KODRA
Visar
Zhiti - poet e prozator, mësues e gazetar. Lindi në Durrës më 2
dhjetor 1952. Ka botuar: “Kujtesa e ajrit”, “Hedh një kafkë në këmbët
tuaja”, “Si shkohet në Kosovë” etj. Ka studiuar për letërsi në Shkodër.
Më 8.11.1979 u arrestua. Më 1980 u dënua me 10 vjet burg. Janë
pushkatuar nga diktatura komuniste gjyshi e xhaxhai i tij. Edhe babai i
tij, Hekuran Zhiti, i cili është autor i një poeme e 7 komedive, u
arrestua gjatë interpretimit në skenë e u burgos.Edhe fati i V.Zhitit, nga mësues e poet ëndërrimtar në skllav galerie miniere e më pas punëtor në një fabrikë tullash – një fat i rëndë i mjaft intelektualëve të shquar në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Rrëfimin V.Zhiti e bën më tepër në vetën e parë: Policia e poezia, Shtëpia Botuese e Sigurimi i Shtetit. “Më futën në burg që të mos futem në letërsi. S’isha poet e shkrimtar, as anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më dënuan për një libër të pabotuar. Jam brezi i tretë që dënohem”.
Biri trashëgon dënimin e të atit. Babai ridënohet tek i biri. Partia të jepte tapitë e armiqësisë, të hipotekuara e të trashëguara brez pas brezi, me detyrim. Vlerësimi dhe mirënjohja ndaj intelektualëve që u dënuan padrejtësisht e në veçanti ndaj krijuesve të aftë, përbën një detyrim moral qytetar tonin. E në këtë vështrim mora përsipër paraqitjen e disa fateve e fakteve të përzgjedhura nga kronika poetike e romanit, si dhe një lloj analize tepër modeste.
Romani i parë i dilogjisë, “Rrugët e ferrit” ka si epigraf: “Rrëfim që s’do të doja të ishte i vërtetë”. Ndërsa i dyti , “Ferri i çarë”: “Roman me ngjarje e personazhe reale e ngjarje të vërteta/ po e vërteta ku është, në ç’burg ?/ në ç’kujtesë e në ç’harrime ?/A mjafton liria e të shkruarit?” Të dy romanet i bashkon e njëjta ide, i njëjti rrëfimtar, njëherazi dhe përjetues i ngjarjeve. Në këto romane, ku vërehet një shkrirje e përkryer e rrëfimit në prozë me talentin poetik, i bëhet një autopsi reale sistemit diktatorial, gjykohet edhe demokracia e pastabilizuar. Frymëzim, erudicion, vërtetësi.
Hetuesia natore, ekspertiza, gjyqi, dënimi. Kryetari i Degës, Agron Konomi dhe shefi i hetuesisë Nexhat Selimi shpërthyen: E di biografinë tënde? Ke shkruar poezi dekadente, hermetike, kundërrevolucionar. Po kartolina armiqësore dërguar F.Reshpes ? Shkrimtari Th.Frashëri i ka bërë ekspertizën. Ke guxuar të flasësh për dhunën, për varfërinë, si dhe kundër kooperativës.
Operativi Bashkim Caka kish konfiskuar në shtëpi 32 fletore, në fshatin Vilë 5. Të dy ekspertizat – cinizëm i neveritshëm, trakte të poshtra të realizmit socialist, me firma si merimanga të helmëta. “Prisja libër, më sollën një antilibër, dosjen e rëndë që hetuesi e mbante në dorë si arkivol të vogël. Nuk firmosa. Akuzën nuk e pranova. Dënoheshin poezia edhe poeti për të njëjtin krim”.
Trupi gjykues – monstër trerrokëshe: Mërgim Dragushi, Hamit Dunga e Ymer Basha. Dëshmitari Bajram Tota u shpreh: Dëgjonte lajme e muzikë në stacione të huaja, mbante flokë të gjatë. Ndërsa Shaban Jata: Ka thënë se nuk jetohet në fshat dhe se varfëria ekonomike çon në varfëri shpirtërore. Gjyqi – një spektakël i mjerë, ku gjykatësit nuk kanë mëshirë për dinjitetin e vetvetes.
Në burg
“Meqë s’dija asnjë lutje, mërmëritja poezi të botës. Eseninin (50 poezi) dhe Uitmanin i dija përmendsh. Ethet e krijimit më dhanë fuqi. Nga prostitutë që më denoncoi, poezia po bëhej Shën Mëria për mua. Poezia – vetëpërmbajtje, ngushëllim, sfidë, protestë, kurajo, emocion. Te poezia “Perëndesha e mbrojtjes” thuhet: “Nënë/ mund të kisha vrarë veten, por ti më mban gjallë…/ Deri tani nuk kam besuar seriozisht në Zot/ të lutem, lutu për mua”. Nën dhunën e egër edhe natyrat më optimiste mund të humbasin besimin e të bien edhe në fatalizëm.
Në s(t)allën e leximit përsëritej tortura për të dëgjuar faqe të tëra nga vepra mediokro- tiranike – asgjëthënëse e E.Hoxhës që besonte në pavdekësinë e vet. 65 vepra – grafomani, shpërdorim i pamëshirshëm i fjalës. Të hysh me dhunë në histori nuk do të thotë se ke hyrë në ndërgjegjen e kombit. Komunizmi antihuman, kundër inteligjencës, familjes, atdheut. Në themelet e tij: krimi kolektiv, lufta civile edhe në kohë paqeje. Atdheu është Partia dhe Partia është Njëshi Zot.
Burgu – një Universitet që të diplomon për armik. Galeria – një gojë e përbindshme, aeropag vdekjeje. Po t’i bashkosh vitet tona të dënimit, del se shqiptarët gjer tani kanë bërë 900.000 vjet burg...
Portrete
Klerikut patriot Dom Mark Hasit, në hetuesi, pasi e torturuan, ia tërhoqën gjuhën në tavolinë e ia shpuan me thikë. Shefi i policisë Idriz Seiti i ulërinte: Fol tani! Dënohej goja e folësi. Patër Anton Harapin e pushkatuan. Edhe dervishin poet Ali Tomori e pushkatuan. Adem Allçi u arratis. U ra policëve me pranga në kokë. Një shok ia vranë, një tjeter ia plagosën. E ndiqte helikopteri. E kapën, e lidhën pas tankut, e tërhoqën zvarrë nëpër qytet.
Esat Myftaraj, gazetar i “Rilindjes”, i dënuar në mungesë në Kosovë, arrestohej e dënohej në Shqipëri. Burgun që nuk e bëri në Jugosllavi, e bëri në atdheun ëndërr, si shumica e kosovarëve që u arratisën përkëtej. Siç pohon U.Butka, H.Lleshi i kish thënë se “kosovarët janë tradhtarë”.
Kur vdiq A.Agaraj, i mirë, i pashëm, djalë deti, ishte i njëjti arkëmort, por i vdekuri ish tjetër. Shkarkonte vdekjen jashtë dhe e futnin prapë brenda atë arkivol mashtrues. Mjeku malazez D.Vujoshevic, i burgosur bashkë me të birin. Dr. Ben Çeta, aq i mirë me të burgosurit,lexonte aq sa tymoste. Vëlla i Anton Çetës që pajtonte gjaqe. Por këta duan vetëm armiq e gjak. Janë të pangopur.
Dane Zdrava, i shkolluar në Napoli. Hapi kinemanë e parë, shtypshkronjë, centrale elektrike, fabrikë oksigjeni në Durrës, fabrikë buke, bleu 1200 armë për kundër fashistëve. Dhe fitimtarët e burgosën. Unazën e gruas së tij e mori hetuesi. Një tryezë të kristaltë ia çuan H.Lleshit. Mërgim Korça me 8 të pushkatuar në familje. Edhe vjehrrin e tij, S.Selfon që e kish ndihmuar aq shumë E.Hoxhën, e pushkatuan. Nëna e E.Merlikës, lauruar për letërsi në Romë, mbante gurë në internim.
Episode domethënëse satirike
Ing. Farka tregonte se si Stalini kish urdhëruar Xherxhinskin t’i gjente llullën. Nga torturat 5 anëtarë byroje kishin pranuar se e kishin marrë, ndërsa lllulla u gjet poshtë divanit… E.Hoxha kishte urdhëruar të gjendej një pistoletë e vjetër e Muzeut. U kapën shumë vetë. Njëri pranoi se e kishte hedhur në pus. Pistoleta kishte rënë pas një stende… Kur komandanti përmendi Konferencën e FAO-s në Meksikë, ku vendi ynë kishte zënë vendin e parë për ushqimin, Mark Prendi pyeti : “Po ata të vendit të dytë çfarë hanë, komandant ?”… Kur e pyetën Xhelal beun në mbledhjen e brigadës, në internim, a e jepte jetën për Partinë, u përgjigj: “E jap posi, ç’e due këtë mut jete !”… Kur i thanë Linçit të bëhej spiun, tha: “Jo, e kam amanet nga shoku Enver. Kur isha i vogël e po qaja, se më kishte bërtitur babai, E.H më premtoi se do t’ia rregullonte qejfin babait tim, por unë të mos bëhesha spiun. Dhe ia rregulloi”.
Librat
“Librat mos m’i ndani, nëse s’doni të mbaroj. Çdo libër është i shenjtë, është dashuri. Librat të shërojnë plagët, të bëjnë më të zgjuar e më të fortë moralisht. Diktaturat e djathta e të majta i kanë frikë librat. Hitlerianët dogjën publikisht 10.000 libra. Diktatura shqiptare ua kalonte të gjthave: dënonte librin, autorin, të afërmit e tij në disa breza, lexuesin, shitësin, librarinë, rrugën, të vdekurin, varrin, të palindurit. Që gjatë Luftës partizanët digjnin libra. Në fshatin Brusnje më 1943 dogjën shtëpinë e luftëtarit Shero Emini; dogjën edhe librat e bibliotekës së të birit, Agos.
Krimi ndaj kulturës, artit, intelektit është më i rëndi dhe pasojat që rrjedhin prej tij janë më të paparashikueshmet. Nga ata që urrejnë librat mund të presësh gjthçka. Aty ku nuk lejohet libri, nuk dëshirohet progresi, zhvillimi, qytetërimi. Përkryerja morale arrihet vetëm përmes kulturës, artit, letërsisë. Arti është kundër dhunës, barbarisë. Realizmi socialist si art monoteist, hyjnizues, si art i besimit të idealit të parealizueshëm, shërbente në komunizëm si instrument i diktaturës së proletariatit. Dhe kush shmangej nga parimet dogmatike, e pësonte.
“Unë mund të vritesha – rrëfen më tej Zhiti - poezia ime duhej të jetonte.Vëllai më erdhi në burg me nusen. Poezitë e mia do të iknin tani me një nuse. Isha bërë mjeshtër në kontrabandën e poezisë. Unë shkrova edhe një roman të vogël që flet për “vizatimet e një mësuesi fshati” që humb mes mjerimit. Mësuesi vizaton portretet e malësorëve pleq në kullat e tyre. Fshati nuk kishte parë kurrë fotograf. Kujtojmë që atë kohë Marubi konkuronte Evropën”.
Artistët
I burgosur Milto Vako, mjeshtër kori që kish studjuar në Moskë. Në burgun e Ballshit basi ndër më të mirët në botë, Lluk Kaçaj.Në burg Sh.Merdani për festivalin XI. i thanë: Ke dëgjuar këngë italiane. Ke përhapur idetë e tyre. Kur Sherifi do të ringjitej në skenë, diktatura do të dilte nga skena. T.Kotunjo do të lotonte, kur të dëgjonte se ai ish burgosur për këngë. P.Jakova, autori i operas së parë shqiptare, vrau veten. Edhe F.Ballanca vrau veten. Kujtojmë fjalët e Jevtushenkos se “nuk ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje”.Gjosho Vasia, kitarist e kupletist i shkëlqyer, me baba të vrarë, do të mbetej në internim. F.Filipeu, lauruar në Athinë për dirigjim e kitarë e që luante mrekullisht në violinë, do të shoqëronte në piano në koncertet e para pas luftës, T.Tashkon.
Shkrimtarët
Intelektualët librazhdas V.Blloshmi e G.Leka, me nxirje në fytyrë e me dëmtime në gjymtyrë, i çojnë te Përroi i Firarit, natën. Breshëri plumbash mbi Gencin. I thanë Vilsonit : Bashkëpuno me ne ! Mbarojeni shpejt punën tuaj – qe përgjigja. V.Blloshmi dinte frëngjisht e anglisht. Poet e përkthyes. G.Leka, mësues shembullor. Poet. Akuza: dituria, talenti. Edhe Bedriu, vëllai i Vilsonit do të dënohej me pushkatim, por iu kthye më pas në 25 vjet. Sot Bedriu kërkon drejtësi, gjer në Strasburg, pasi vrasësit e të vëllait janë ende gjykatës, deputetë, nëpër ministri, tek të drejtat e njeriut. Havzi Nelaj u dënua me varje. Kish shkruar poezi për të drejtat e njeriut.
Në Burrel helmuan tragjedianin tonë të vetëm, E.Haxhiademin. Në burg do të vdiste edhe V.Prendushi. P.Arbnori, burrë i ditur. Mësues. Ka shkruar në burg novelë dashurie e roman. K.Kokoshi, i lauruar në Romë, recitonte në italisht “Komedinë hyjnore”. M.Kutelin, ekonomistin dhe shkrimtarin e shquar, e kish shpëtuar nga vdekja në kampin e Vloçishtit dr. I.Hysenbegasi. S.Malëshova, poet e udhëheqës i Luftës, vdiste në internim. Ashtu si M.Kokalari, me dy vëllezër të pushkatuar. Me disa shokë ajo kish krijuar më 1943 P.S.D dhe gazetën “Zëri i lirisë”.
E.Koliqi që gjatë Luftës shkoi në Itali. Shkroi dramën “Rrënjët lëvizin”, ku parashikon fundin e komunizmit. T.Xhagjika në gjyq recitoi poezinë “Atdheu është lakuriq”. Vëllai i tij, Ylli thirri: Të lumtë! E arrestuan edhe atë. Kur i kërkuan Xhagjikës të thonte fjalën e fundit, ai thirri: “Jam topçi. Dua një top që t’i bie K.Qendror”. E pushkatuan. A.Kasaruho, fisnik, me baba të pushkatuar, kish përkthyer Kafkën. M.Greblleshi kish përkthyer “1001 net”. P.Marko në Burrel shkroi “Hasta la vistën”. Do të burgosej edhe i biri, Jamarbër Marko. Vlerësohen në vepër R.Marku, i pangjashëm me të tjerët, i mprehtë, i dhemshur, kurajoz; F.Haliti, për poemën goditëse të të cilit ishin bërë disa mbledhje, përkthyesit P.Zheji apo R.Vullkani, etj.
No comments:
Post a Comment