Saturday, August 18, 2012

Nard Ndoka: Në shtator pres nga Berisha një post ministri

Shtatori mund të sjellë ndryshime jo vetëm në skenën politike shqiptare por dhe në kabinetin qeveritar Berisha. Një prognozë të tillë e ka dhënë dje kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Ai ka pohuar për gazetën "Shqiptarja.com" se është në negociata me mazhorancën dhe kreun e saj Berisha për përfshirjen në një koalicion të djathtë, duke pretenduar për të qënë pjesë e kabinetit qeveritar me një post ministri, pikërisht në muajin shtator.

 "Vijojmë negociatat me mazhorancën dhe kreun e saj Sali Berisha për arritjen e një marrëveshje koalicioni që do të sjellë dhe përfshirjen e PDK në kabinetin qeveritar. Në shtator pritet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar dhe ne shpresojmë për një kontribut real në qeverisjen e vendit, me një post ministror. Ne jemi në pritje dhe gjithçka pritet të përfundojë në muajin shtator", ka qënë deklarata e djeshme e kreut të PDK, Nard Ndoka për gazetën.

Njëherësh ai ka mohuar mundësinë që të përfshihet një një koalicion qeverisës me kontribut në nivel zv.ministri, duke nënvizuar dhe njëherë faktin se nuk ka pasur prishje të marrëveshjes bashkëqeverisëse mes PD dhe PDK, por një ngrirje të kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë kreu demokristian Ndoka nuk ka munguar të shprehet se me koalicionin e majtë nuk i ka shkëputur të gjitha lidhjet dhe se nuk përjashton mundësinë e hyrjes në zgjedhje brenda këtij koalicioni opozitar, nëse nuk plotësohen kushtet që të arrihet një marrëveshje dinjitoze me koalicionin e djathtë qeverisës. "PDK nuk i ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet e bashkëpunimit me PS dhe koalicionin opozitar, pasi kemi qënë shumë kohë në të njejtin front opozitarizmi në tërë këto vite. Pra ne e kemi lënë derën të hapur për një mundësi koalicioni nëse dhe Rama përafron qëndrimet e tij me tonat dhe nëse nuk arrihet një akord me mazhorancën e djathtë. Ne nuk jemi statikë në qëndrimet tona", tha Ndoka.

 Sinjalet për një mundësi të largimit të Ndokës nga koalicioni opozitar në atë të mazhorancës së djathtë janë dhënë muaj më parë. Ato janë forcuar pas debateve për ligjin zgjedhor, ku PS u akuzua nga aleatët se nuk arriti të imponojë korrektimin e sistemit. Ndërsa demokratët përmes Patozit janë shprehur më se njëherë se PDK është natyrshëm në koalicionin e djathtë duke lënë derën hapur për PDK. Me sa duket ndryshimet e reja në qeverisje nuk paskan qenë përfundimtare. Teksa tashmë të fiksuar janë vetëm ministritë e aleatëve dhe ministri i ri i Brendshëm Flamur Noka që s'lëvizin. Ndërkohë që pritet që vala e ndryshimeve të përfshijë ministritë e tjera, jo vetëm për t'i bërë vend kreut të PDK në shtator, por dhe për të bërë një ripërtëritje të kabinetit qeveritar, për të përballuar me fytyra të reja sfidën e ardhshme elektorale të qershorit të vitit 2013.

(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

No comments: