Sunday, August 12, 2012

Rudina Magjistari rrëfen jetën pas ekranit: S’jam penduar për asgjë

Jonida Hitoveizi
Moderatorja e njohur, në këtë intervistë për MAPO-n tregon emocionet e para në ekran dhe rrugën e vështirë të suksesit. “Mendoj që kam ecur jo pak, por kam ende shumë rrugë përpara. Duke mos marrë asgjë si të sigurt, por duke punuar çdo ditë, në sfidë me veten dhe duke ndjekur zërin e zemrës”

Rudina Magjistari sapo ka mbyllur sezonin e tretë të “Takimit të pasdites” në Tv Klan, dhe këto kohë ia ka kushtuar pushimeve. Ka qenë një sezon tepër impenjativ siç thotë prezantuesja e njohur “plot me ngjarje, tema, njerëz interesantë, histori të rralla, emocione të shumta, adrenalinë, kënaqësi, përgjegjësi, stres, motivim, energji”. Rudina vjen në këtë intervistë duke folur më shumë jo vetëm për emisionin që drejton dhe lidhjen me televizionin; për këto gjithmonë ka folur me dashuri. Ajo rrëfen për veten jashtë kamerave, personat e zemrës, lumturinë dhe dëshirën për të shkruar një libër një ditë, pse jo… Po jo vetëm kaq. Edhe marrëdhënia e Zotit me Rudinën është e veçantë, beson në një fuqi të mbinatyrshme, por pohon se nuk lutet. ”Nuk lutem, pasi më duket e padrejtë të kërkoj unë, kur ka të tjerë që kanë më tepër nevojë për të. Zoti më ka dhënë mendjen, sytë, krahët, këmbët. Të tjerat janë detyra të miat”. E ëmbël, sensuale me mirësinë që shoqëron pamjen e saj, Rudina preferon t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve tona në këto ditë të nxehta vere ku kryefjala e shumë njerëzve është det, pushime, relaks, për t’u rikthyer në shtator më energjikë dhe me ide të reja. Gjithmonë për të përmirësuar diçka, mbi të gjitha vetveten.
Somario
 Mendoj përgjegjësinë dhe kohën që do të kërkonte një fëmijë i birësuar dhe s’më duket se jam personi i duhur. Por unë, nëpërmjet programeve që kam bërë e që do të vazhdoj të bëj, jam munduar të jap gjithmonë një kontribut për këtë kategori sociale.

Rudina, sapo keni mbyllur sezonin tuaj të “Pasdites”. Si kanë qenë këta muaj për ty ?
Muaj shumë intensiv, plot me ngjarje, tema, njerëz interesantë, histori të rralla, emocione të shumta, adrenalinë, kënaqësi, përgjegjësi, stres, motivim, energji. Ka qenë një nga sezonet, i treti, shumë i suksesshëm, i cili e ka renditur “Takimin e pasdites”, në programet absolutisht më të ndjekura dhe më të dashura shqiptare. Në fakt është bërë shumë e zakonshme të dëgjosh secilin që shprehet për programin e vet, se ka audiencën më të lartë dhe kjo sikur e zhvlerëson termin. Ndaj unë jam krenare ta theksoj diçka të tillë, jo thjesht nga konstatimet e mia personale, por nga sondazhet e vlerësimet që kanë bërë vetë televizionet apo kompani të specializuara për këtë. Dhe ajo që më lumturon, është se publiku jo vetëm e ndjek, por edhe e do këtë program, sepse aty gjen veten, sheh jetën e tij, ndjen përkushtimin me të cilin trajtohet çdo temë, ku qëllimi final është të shërbejë për diçka: të mësojë, të edukojë, argëtojë dhe informojë.
A të ka ndodhur ndonjëherë që të të lodhë televizioni, duke pasur parasysh vitet e gjata që jeni pjesë e tij?
Sigurisht që po, aq më tepër kur sezonet janë të gjata, si ky program i përditshëm që po bëj aktualisht. Por për fat të mirë, Zoti ka shpikur pushimin, në mënyrë që të rigjenerojmë energjitë e të nisim me forca të reja. Por nëse qëllimi i pyetjes ishte nëse më është mërzitur ndonjëherë televizioni, kjo s’ka ndodhur kurrë, përkundrazi. E dua gjithnjë e më shumë.
Rudina, a i mban mend emocionet e para në transmetim?
I mbaj mend shumë mirë, sepse vazhdoj t’i përjetoj në çdo daljen timen televizive. Emocionet e bukura të finalizimit të një pune, të cilën ke kohë që e përgatit, e ku publiku me autoritetin e tij të padiskutueshëm do të japë vlerësimin e vet. Janë elektrizuese këto emocione të përgjegjësisë, të cilat të bëjnë të kërkosh gjithnjë e më shumë nga vetja. Kurse hera e parë, pa diskutim është një kujtim i papërsëritshëm, pasi ke përballë të panjohurën, ku pasiguria shkrihet me dëshirën për t’ia dalë mbanë.
Si iu fute televizionit dhe kush ka qenë personi i parë që besoi tek aftësitë e tua?
Është një histori që fillimet i ka më të hershme se prezantimi para kamerave televizive. Aktivitetet e ndryshme artistike në shkollë, sikur shtruan shtegun e kësaj rruge të gjatë, në mënyrë që takimi me një regjisor të vërtetë që punonte në televizion, me emrin Gjergj Rita, të rezultonte i rëndësishëm. Duke më pikasur dhe besuar drejtimin e programit të Vitit të Ri, (në atë kohë, programi më i rëndësishëm i vitit), ai më njohu me një alternativë profesionale, të cilën do ta ktheja në zgjedhjen e jetës sime.
Cila ka qenë dëshira më e madhe në fillim, fama apo fakti që ishe pjesë e ekranit të vogël?
Në fillim ishte si një lojë. E nisa pa patur një qëllim të përcaktuar. E nisa, sepse ma propozuan dhe unë desha ta bëja mirë, ashtu siç në përgjithësi kërkoj t’i bëj gjërat. Ndoshta në atë moshë, në vitet e gjimnazit, kur ekzistonte një kanal i vetëm televiziv, fama ishte rezultati i menjëhershëm. E kushtueshmja famë, me të cilën pak nga pak fillon dhe mësohesh.
Çfarë mendon tani pas kaq vitesh kur kthen kokën mbrapa?
Mendoj që kam ecur jo pak, por kam ende shumë rrugë përpara. Duke mos marrë asgjë si të sigurt, por duke punuar çdo ditë, në sfidë me veten dhe duke ndjekur zërin e zemrës.
Gjatë kësaj rruge ke pasur më tepër dashamirës dhe njerëz që të kanë besuar, apo edhe “shkopinjtë nën gomë” nuk kanë munguar?
Unë besoj që njeriu që punon gjithmonë e gjen suksesin, pavarësisht vështirësive, që janë të natyrshme në çdo rrugë që merr njeriu. Por kjo teoria e “shkopinjve nën gomë” më tingëllon shumë më tepër si justifikim i atyre që s’dinë të bëjnë tjetër veçse të ankohen e ta kërkojnë tjetërkund fajin. Nga ana tjetër është fat të ndeshësh në jetë njerëz që besojnë tek ty, që të mbështesin, që të motivojnë me punën e tyre, dhe unë në këtë pikë mund ta konsideroj veten njeri me fat.
E ëmbël dhe e qetë, kjo është ajo që reflekton pamja juaj. E tillë jeni edhe kur punoni?
Jam tolerante shumë kur punoj, por kur të njëjtën kritikë detyrohem ta përsëris për të disatën herë, atëherë po që qetësia ia lë vendin nervozizmit dhe atmosfera “romantike” zhduket. Por mendoj që edhe këto momente kanë anën e tyre pozitive. Mobilizojnë më shumë.
Si reagoni ndaj padrejtësive në përgjithësi?
Me logjikë, argumente dhe punë.
Në jetë jeni më tepër luftarake, apo i besoni asaj që fati servir?
Besoj që jam luftarake, por edhe tolerante. Mbi të gjitha, këmbëngulëse.
Rudina sa kohë i kushtoni vetes por edhe punëve të shtëpisë? Si është e ndarë koha juaj mes të dyjave?
I kushtoj shumë rëndësi dhe kohë kujdesit për veten. Sistematikisht kryej trajtime të fytyrës apo masazhe të trupit. Jo vetëm për t’u ndjerë mirë, e relaksuar, e rigjallëruar, për të luftuar stresin dhe për të qenë gjithmonë në formë. Përveç këtyre, ky kujdes është investimi më i mirë për të ardhmen e trupit dhe fytyrës tënde. Shtuar këtu edhe dy momentet e tjera të rëndësishme: ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik, të cilin e praktikoj çdo ditë në mëngjes. Kurse punë shtëpie nuk bëj, sepse e para s’kam kohë, por edhe s’është se më pëlqejnë shumë. E kam gjetur një zgjidhje të përshtatshme dhe komode. Por brenda mureve të shtëpisë më pëlqen shumë të gatuaj. Dhe kur kam realisht kohë, përgatis pjata të mrekullueshme (qesh).
Ju pëlqen të rrini në shtëpi, apo preferoni më tepër të jeni përherë jashtë me miq?
Preferoj qetësinë e shtëpisë në shumicën e rasteve, por edhe daljet me miqtë kanë bukurinë e vet. Dhe akoma më bukur është kur miqtë i fton në shtëpinë tënde, i gostit me ushqimet e përgatitura, teksa shijon bisedat e këndshme.
Rudina, nëse do të shkruanit një roman për jetën tuaj, si do të ishte ai?
Duhet të presësh ca për përgjigjen.
A e keni menduar ndonjëherë?
Po, por të shkruash një roman, s’është një fjalë goje.
A keni një person special në zemrën tuaj?
Në zemrën time ka shumë njerëz të dashur dhe specialë.
Cili do të ishte ai ideali për të ndenjur krah jush?
Së pari duhet të më bëjë të qesh, ta shohë të bukurën aty ku e shoh edhe unë, të më tërheqë fizikisht dhe të më dojë shumë.
Dashuri apo kompromis, cila ju udhëheq Rudina?
Më udhëheq zemra.
Rudina, shumë femra të famshme në botë birësojnë fëmijë në nevojë, ndërsa në Shqipëri duket se ka një mentalitet për këtë gjë. Ju si e shihni?
Ato femrat e famshme në botë kanë edhe mundësitë. Të birësosh një fëmijë, nuk është një lojë apo trend. Kërkon të marrësh përgjegjësi prindërore, detyrë e cila është nga më të vështirat. Në Shqipëri ka një lloj paragjykimi, por besoj se nëse dikush do ta dëshironte shumë, do ta bënte.
A do ta bëje në një moment të jetës këtë gjë?
Nuk e di. Mendoj përgjegjësinë dhe kohën që do të kërkonte një fëmijë i birësuar dhe s’më duket se jam personi i duhur. Por unë nëpërmjet programeve që kam bërë e që do të vazhdoj të bëj, jam munduar të jap gjithmonë një kontribut për këtë kategori sociale.
Lumturia për ju, a ka një emër?
Pesë emra. Prekje, nuhatje, dëgjim, shikim, ndijim.
Cili është personi që merr më tepër në telefon gjatë ditës?
Stafi i ngushtë me të cilin punoj. Me ata komunikoj gjatë gjithë kohës dhe shpeshherë në telefon.
Për çfarë je penduar në jetë?
Për asgjë, përderisa edhe nga çdo gabim kam nxjerrë një mësim. Jeta është e gjatë, do më duhen.
Sa herë i lutesh Zotit? A beson?
Besoj në një fuqi të mbinatyrshme, që s’do dija ta përkufizoja saktë. Po fjala Zot e përfaqëson mirë për momentin dhe nuk lutem, pasi më duket e padrejtë të kërkoj unë, kur ka të tjerë që kanë më tepër nevojë për të. Zoti më ka dhënë mendjen, sytë, krahët, këmbët. Të tjerat janë detyra të miat.

No comments: