Thursday, May 17, 2012

Nexhmije Hoxha: Liliana më ka frikë se ia di të kaluarën

Nexhmije Hoxha reagon për herë të parë mbi intervistën e dhënë nga Liliana Hoxha. "Unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha... ajo ishte një grua e tmerrshme, e frikshme". Kështu u shpreh ajo në një intervistë të saj ditën e martë te Fevziu.

Reagimi Megjithëse e rezervuar, është hera e parë që Nexhmije Hoxha prononcohet lidhur me shkrimet e intervistat e Lilianës, nuses së djalit të saj të vogël, Sokol, të dhëna në media pas viteve 1990. Është ora 11.00. Formojmë numrin e zonjës Nexhmije, e pas dy zilesh, ngre receptorin. Na përgjigjet me mirësjellje duke na pyetur për punët e përditshme dhe duke përfituar nga situata e pyesim menjëherë.
Zonja Nexhmije, pse ju ka frikë Liliana, ç’ka ndodhur mes jush?
(Në fillim, zonja Hoxha, heziton, e pas disa sekondash artikulon shpejt e qartë opinionin e saj mbi Lilianën).
"Nuk merrem me mendjen e çoroditur të Lilianës. E dini pse ka aq frikë Liliana nga Nexhmije Hoxha? Ajo e di se unë e njoh shumë mirë, se si ka qenë e ç’ka bërë në të kaluarën, në familjen tonë dhe në këto vite pas '90 kur u shkëput nga familja e Enver Hoxhës. Këto i kam të shkruara e të dokumentuara por, s'kam ndër mend të ulem, të merrem e, t’i përgjigjem, si unë e familjarët e mi, marrëzirave të Lilianës. Kaq kisha. Faleminderit."
Ky ishte reagimi i parë dhe i vetëm i Nexhmije Hoxhës në këto 20 vjet mbi Lilianën.
Pritshmëria
Liliana Hoxha, nusja e djalit të vogël të Enverit, Sokolit, tashmë dihet që në çdo intervistë të saj, fokusohet te Nexhmije Hoxha duke sjellë akuza nga më të ndryshmet për të që nga ato më të voglat e deri te ato që shkojnë përtej imagjinatës, duke mos përdorur asnjë fakt përveç dëshmisë së saj, herë-herë dyshuese ose mitologjike siç e quajti dhe Fevziu të martën, një nënvizim të saj. "Nexhmije Hoxha më ka vrarë vëllanë, më ka vrarë motrën, ka vrarë të gjithë shqiptarët, ata që janë vrarë e persekutuar vetëm për pushtetin e saj. Unë atë grua e kam frikë", u shpeh Liliana ndërsa në kartelën mjekësore të kohës rezulton se ata kanë vdekur nga sëmundje e pashërueshme. Në një tjetër intervistë me Fevziun vite më parë, Liliana Hoxha shprehej se nuk e dinte që shqiptarët jetonin me tollonë, diçka e paimagjinueshme kjo për një grua, familja e së cilës nuk jetonte në bllok. Megjithatë pjesën e saj e kemi dëgjuar me të vjetrat e me të rejat duke u kthyer thjesht në legjendë urbane, ndërsa Nexhmije Hoxha thotë se e njeh mirë të kaluarën e saj, por nuk prononcohet duke theksuar se as ajo e as familjarët e saj, s’i përgjigjen marrëzirave të Lilianës.

LilIana Hoxha: “Nexhmija më ka vrarë vëllanë, motrën dhe gjithë shqiptarët”
Keni biseduar ndonjëherë me Enverin për Nexhmijen? Kishte xhelozi mes jush dhe zonjës Hoxha?
Xhelozi? Jo xhelozi jo. Unë kam të drejtën e të gjithë botës, por nuk arrij të urrej, nuk e njoh urrejtjen. Ndoshta do të ishte mirë, sepse urrejtja është ndjenjë shumë e fortë, e të çon përpara ndonëse jo moralisht. Por unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha.
Frikë?
Po frikë për atë që është. Edhe unë nga frika e kam bërë atë libër. Nga frika se Nexhmije Hoxha është ajo që mund të bëjë gjithçka, bashkë me Ramiz Alinë. Ka bërë gjithçka në këtë vend.
Çfarë mund të bëjë Nexhmije Hoxha, një grua 90-vjeçare, e vetmuar?
Po flasim për xhelozitë. Të ishte për karakterin tim për këto pyetje unë do të ngrihesha e do të ikja. Por kam ardhur të sqaroj opinionin shqiptar, ndaj dhe të përballem. Ju po flisni për xhelozi, e unë do flas për fillimet e mia, jo tani. Pikërisht se Nexhmije Hoxha nuk më ka dashur kurrë, pikërisht se Nexhmije Hoxha më ka vrarë vëllanë, më ka vrarë motrën, ka vrarë gjithë shqiptarët, ata që janë vrarë e persekutuar vetëm për pushtetin e saj, unë atë grua e kam frikë.
Kur e keni njohur për herë të parë?
Në vitin 1972.
Përse vajtët në Komitet Qendror?
Sepse unë duhet të ndahesha nga Sokoli sepse thashë nuk dua, nuk më pëlqen atmosfera këtu. Jo Sokoli, se ai më pëlqente shumë, por jetesa në bllok, kisha shumë paqartësi, nuk ndihesha mirë. Nuk desha. Më kishte thënë edhe im atë, që djali i Enverit është i mrekullueshëm, por unë nuk mund të lejoj që vajza ime të dalë me të. Kaq më duhej.
Dhe ju shkuat të takonit Nexhmije Hoxhën?
Unë e "lashë" në fakt Sokolin dhe ai vajti me vrap në familje dhe tha që Liliana më la. Urgjentisht brenda javës ajo më kërkoi në zyrë për të legjitimuar njohjen zyrtare .
Dhe si ka qenë takimi juaj i parë me të?
Kam zbritur e frikësuar. Kam vajtur në shtëpi e frikësuar, më e torturuar se më parë, ta lë apo mos ta lë Sokolin.
Përse?
Se ishte një grua e tmerrshme, e frikshme. Ka qenë gjatë gjithë jetës sime e frikshme.

(el.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments: