1. Shqipëria kufizohet me popullsi shqiptare
Me ndarjen e kufijve që u bënë në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Shqipëria mbeti i vetmi vend në botë që kufizohet me popullsinë e vet. Edhe pse ndarja e kufijve ishte një padrejtësi e madhe historike, bëri që të krijohej një çudi e prodhimit shqiptar. Minimalisht edhe pse është një e keqe e madhe, kjo na bën që të jemi me krahët e ngrohtë për sa i përket mbështetjes në kufij. E vetmja pjesë ku ne jemi në mënyrë të drejtpërdrejt në lidhje me një shtet fqinj është Italia, por ky është kufi detar.
2. Relievi shqiptar, me të gjithë komponentët e vetë gjeografikë
Edhe pse jemi 28000 km2, në relievin tonë ka det, ka lumë, ka mal, ka fushë, ka kodra, ka lugina. Shumë shtete të tjera të cilat mund të kenë një sipërfaqe shumë më të madhe se sipërfaqja e Shqipërisë, shumë nga komponentët e relievit i mungojnë. Mjafton të përmendin Zvicrën, e cila ka një territor malor, por nuk ka det. Po pa det është dhe Kosova, por dhe shumë shtete të tjera. Shqipëria jo vetëm që laget nga deti, por nga dy të tillë madje. Relievi shqiptar është një dhuratë natyrore e pakrahasueshme.
3. Të fitosh pavarësinë i fundit
Shqipëria është një nga vendet që ka luftuar më tepër Perandorinë e Gjysmëhënës, por ishte e fundit në vendet ballkanike që e fitoi Pavarësinë. Në fillim të viteve 1900 shumë vende ishin të lira dhe të pavarura nga Perandoria Osmane, e cila i kishte mbajtur me shekuj me radhë nën pushtimin e vet, duke vendosur administratën osmane në këto vende. Të tillë si Greqia Serbia apo dhe të tjera e fituan Pavarësinë duke mos luftuar aq sa vendi ynë. Ne e shpallëm Pavarësinë në kohën kur Perandoria Osmane ishte në agoninë e vet.
4. Vjetërsia e gjuhës shqipe
Gjuha shqipe dhe pse është një nga gjuhët më të vjetra në botë, dëshmia e parë e shkruar nuk i kalon 800 vjetët. Një nga gjërat që i bën shqiptarët të jenë krenarë dhe të vetëkënaqur është dhe gjuha. Sidomos gjuha e folur. Që në lashtësi kjo gjuhë ka qenë prezent përkrah gjuhëve të tjera të mëdha si greqishtja latinishtja etj. Por çudia qëndron në faktin se dëshmia e kësaj gjuhe nëpërmjet dokumenteve vjen jo më larg se afro 800 vjet më parë. Pra deri në këtë kohë kjo gjuhë ka qenë vetëm e folur.
5. Rrëzimi i komunizmit
Komunizmi në Shqipëri ka qenë në formën më të egër të vet, ndërkohë që ne ishim vendi i fundit i ish-bllokut të Lindjes që e rrëzuan atë. Enver Hoxha qëndroi plot 40 vjet në krye të vendit, duke instaluar një regjim tepër të egër. Shqiptarët regjimin e tij e vuajtën në përmasa të frikshme. Por e çudia qëndron në faktin se dhe pas vdekjes së diktatorit, komunizmi vazhdoi duke u bërë që të jetë i fundit në vendet e Lindjes që rrëzohet. Do të duhej pikërisht fillimi i viteve ’90, kur në Shqipëri ndodhën proceset transformuese, që të përfundonte edhe regjimi diktatorial.
6. Ndarja e pushtetit gjatë Luftës së Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore kur shtete të ndryshme forconin radhët për të luftuar nazifashizmin, në Shqipëri bëheshin llogari se si do të ndahej pushteti pas çlirimit midis forcave politike. Mjafton të përmendin disa konferenca të njëpasnjëshme siç ishte ajo e Mukjes, ajo e Pezës, ku vendosej se si do të ndahej pushteti. Vendi ynë ishte nën pushtim dhe me një rrezik real për t’u copëtuar. Vendet e tjera shtonin radhët e tyre kundër pushtuesve, ne kërkonin ndarjen e pushtetit. Kjo çudi e hidhur historike pas luftës u kthye një bumerang për gjithë shqiptarët.
7. Vendi më i varfër që qarkullon më tepër para në Ballkan
Jemi ndër vendet më të varfra të Evropës (vendin e fundit kemi disa vite që ia kemi lënë Moldavisë) dhe megjithatë zëmë vendin e parë në Ballkan për paranë që qarkullohet për banorë. Kjo sigurisht që është e dhënë e saktë e Bankës Botërore. Kjo nuk na bën të kemi ndonjë të mirë të madhe, pasi këto para janë informale dhe në shumicën e rasteve janë vënë në mënyrë të dyshimtë dhe jo korrekte, siç janë aktivitet e ndaluara, trafikimi i drogës, i mishit të bardhë dhe të tjera si këto. Kjo statistikë përbën një çudi të radhës së shqiptarëve.
8. Fetarët shqiptarë, “nga fryn era”
Shqipëria është vend unik për sa i përket historisë së fesë, kushdo pushtues që ka ardhur këtu e ka pasur të lehtë që të imponojë fenë e vetë, duke hasur fare pak në vështirësi. Që nga lashtësia deri më sot, vendi ynë ka ndryshuar disa herë besimin fetar. Nga paganizmi i hershëm, vjen pushtimi romak, pushtimi bizantin, ai serb, pushtimi turk deri me fitimin e Pavarësisë. Ndryshimi i feve në shumicën e rasteve ka ndodhur nga përfitime të momentit të popullsisë sonë, por nuk përjashtohen dhe rrugët e tjera të përhapjes së fesë si dhuna, arbitrariteti, abuzimi, etj.
9. Shqiptarët, të gjithë politikanë
Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare lidhur me faktin se sa shqiptarë merren me politikë, është e sigurt që në Shqipëri shumica e popullsisë flet për politikë. Nëse në vendet e tjera homologe të Shqipërisë bëhen plane, projekte dhe punohet në mënyrë tepër cilësore, diskutimet në Shqipëri bëhen veçse për politikë. Ky sigurisht është një perceptim apriori, pasi nuk ka një studim apo anketim të posaçëm, por është e sigurt që këtë të dhënë nuk e hedh dot njeri poshtë, pasi është një fenomen që ndeshet për ditë në çdo familje shqiptare.
10. Të të vlerësojnë personalitetet të tjerët
Vendi ynë ka shumë figura të shquara në fusha të ndryshme. Ata më tepër janë vlerësuar nga të huajt se sa nga shqiptarët. Këtu mund të përmend një numër të madh të figurave shqiptare, që nga Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Karl Gega e plot të tjerë, të cilët kanë arritur të kenë një famë botërore, duke e gjetur veten më të vlerësuar në arenë ndërkombëtare sesa në vendin e vetë. Kjo është çudi për vet faktin se ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi luksin të kemi shumë figura të shquara siç mund të ketë një vend të tjetër me një popullsi disa herë më të madhe se ne.
11. Shkollat greke në Shqipëri, “pa nxënës”
Numri i shqiptarëve që ndodhen në Greqi është më i madh se i minoritetit grek në Shqipëri, mirëpo në Shqipëri po hapen disa shkolla greke, ndërkohë në Greqi nuk ka asnjë të tillë. Një luftë e gjatë diplomatike është bërë midis shtetit grek dhe atij shqiptar për një shkollë në gjuhën greke në Himarë. Kjo luftë përfundoi me realizimin e dëshirës së palës greke. Ndërkohë në qytetet greke numri i shqiptarëve është me mijëra, një shkollë shqipe nuk gjen dritë në vendin helen.
12. Dëshirë për shkollë apo shmangie nga puna
Në asnjë vend të botës nuk ka një kërkesë aq të madhe për shkollë sa në Shqipëri, ndërkohë për sa i përket punësimit ne jemi një vend me papunësi tepër të lartë. Kur mbarojnë shkollën e mesme shqiptarët në këto vitet e fundit i dëgjon se do të vazhdojnë shkollën e lartë dhe masterat pa pyetur fare se me çfarë rezultatesh e kanë përfunduar gjimnazin. Kjo është sigurisht një çudi shqiptare, pasi në çdo vend tjetër njerëzit pas gjimnazit në varësi të rezultateve kërkojnë shkollë ose punë. Madje më tepër shkojnë në punë sesa vazhdojnë arsimin e lartë.
13. Burri dhe gruaja, me të drejta të ndryshme
Ky është sigurisht një problem që ka ecur në vijimësi me shoqërinë njerëzore që nga lashtësia deri në ditët e sotme. Por në Shqipëri hendeku midis burrit dhe gruas ka qenë disa herë më i madh se në vendet e tjera. Mjafton të përmendin një zakon të para disa viteve, ku ishte e ndaluar të ulej në një tavolinë burri dhe gruaja. Kjo sigurisht ka qenë një handikap shumë i madh, por në realitetin tonë ka qenë prezent. Në vitet e fundit janë bërë përpjekje për një barazi midis gruas dhe burrit, por që është tepër larg asaj që duhet të jetë.
14. Kabineti qeveritar shqiptar, më i madh se ai kinez
Shqipëria ka diçka më tepër se tre milionë banorë. Në kabinetin qeveritar të para disa viteve ka pasur 19 ministri, ndërkohë që shteti kinez, i cili ka afro 1.5 miliardë banorë, nuk i ka pasur kaq ministri. Ka qenë qeverisja socialiste e udhëhequr nga zoti Fatos Nano, e cila krijoi disa ministri krejt të çuditshme. Disa me portofol, të tjerë pa të. U krijua një situatë e çuditshme, pasi për të kënaqur ambiciet për karrierë të disa kolegëve të vetë, kryeministri i asaj kohe i bënte ministra.
15. Parti, më tepër se anëtarë
Në raport me popullsinë që kemi, jemi vendi i parë në botë për numrin e partive, plot 114 të tilla janë të regjistruara zyrtarisht. Numri 114 është një numër i cili konfirmohet nga regjistrimi i këtij viti, ndërkohë që të tjera mund të jenë shtuar. Kjo situatë ka të bëjë me çudinë që përmendëm më lart, që shqiptarët flasin më tepër për politikë. Po t’i referohesh standardeve që duhet të këtë një parti politike, në vendin tonë as që mund të flitet për to. Ka parti që i voton vetëm farefisi.
16. Popull mysliman, Heroi Kombëtar, i krishterë
Shqipëria në pjesën më të madhe të popullsisë është myslimane, ndërkohë Heroin e vetëm Kombëtar e ka katolik. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u ndesh me turqit për plot 25 vjet, njihet në të gjithë botën dhe si një mbrojtës i flaktë i krishterimit, duke mos lejuar që ordhitë otomane të shkonin në drejtim të Perëndimit. Ai për hir të së vërtetës historike nuk qëndroi vetëm i krishterë, pasi u konvertua në mysliman gjatë kohës që shkoi nizam në Stamboll.
17. Vendi i varfër, me jetëgjatësinë më të madhe
Teksa shoqëritë e tjera vuajnë nga shëndeti i tepërm, qytetarët shqiptarë gëzojnë shëndet të mirë edhe pse jetojnë në një vend të varfër si Shqipëria. Jetëgjatësia e qytetarit shqiptar është 67 vjet për burrat dhe 74 vjet për gratë. Këto të dhëna të bëjnë të mendosh se, Shqipëria është vendi i çudirave. Kjo e dhënë bëhet dhe më e larmishme kur treguesi i moshës më të re i takon përsëri vendit tonë, duke u bërë kështu një nga vendet me moshën mesatare më të re në Evropë.
18. Populli më i armatosur, duke mos bërë asnjë luftë
Nga vitet 1945 deri në vitin 1990 kemi qenë shteti me popullsinë më të armatosur, ndërkohë që gjatë kësaj kohe nuk kemi zhvilluar as edhe një luftë të vetme. Enver Hoxha, Sekretari Parë i Partisë Komuniste Shqiptare, që nga viti 1941 deri në vitin 1985 në projektet e tij politike kishte armatimin e vendit, pasi sipas tij, vendet imperialiste do të sulmonin vendin tonë, sulm që nuk erdhi asnjëherë. Koha e zborit ushtarak kujtohet jo pa nostalgji nga brezi i dytë dhe i tretë në vendin tonë.
19. Gjakmarrja shqiptare, me përmasat e Mesjetës
Gjakmarrja është një çudi shqiptare. Në asnjë vend të botës ky fenomen obskurantist nuk aplikohet, me përjashtim të vendit tonë. Në zonat rurale, por jo vetëm të vendit, fenomeni i gjakmarrjes është me përmasa të frikshme. Kështu në një vend që ka Kushtetutë dhe ligje të sanksionuara është e patolerueshme që të ketë individë që bëjnë vetëgjyqësi. Për sa i përket vendit tonë ky fenomen absolutisht negativ e vendos vendin tonë në një kuadër me shumë vende të prapambetura. Gjakmarrja në Shqipëri procedon si teori kompensimi “më vrave, të vrava”.
20. Të humbasësh në zgjedhje dhe të mos njohësh humbjen
Jemi i vetmi vend në botë që kemi 16 vjet në demokraci dhe humbësi nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve. Që nga vitit 1996 e më pas, thuajse çdo herë humbësi i zgjedhjeve i ka klasifikuar si të manipuluara. Ky është një fenomen vetëm shqiptar, pasi të gjithë vendet e tjera me demokraci nuk hasin në një problem të tillë, i cili duket se ka fituar kombësinë shqiptare.
21. Të shpallesh mbret se të mbushet mendja
Mbreti Ahmet Zogu u vetëshpall mbret i shqiptarëve pa pasur as origjinë dhe asnjë vendim të posaçëm për një post të tillë. Që jemi vend me çudira, këtë e vërteton një mori veprimesh dhe qëndrimesh që kanë ndodhur në historinë e Shqipërisë. E tillë është vetëshpallja Zogut mbret i shqiptarëve. Ky moment në historinë e vendit tonë është trajtuar gjatë dhe veprimi i Ahmet Zogut është cilësuar si i çuditshëm. Në historiografinë shqiptare figura e mbretit Ahmet Zogu është parë më konfiguracione.
22. Të jesh kohën më të madhe në luftë dhe të mos sulmosh asnjëherë
Një nga vendet që ka bërë më tepër luftëra, ndërkohë që nuk ka sulmuar asnjëherë një vend tjetër, është Shqipëria. Që në lashtësi deri në Luftën e Dytë Botërore, ne kemi qenë përherë në furinë e sulmeve të huaja. Por për çudi të së vërtetës historike, ne asnjëherë nuk kemi sulmuar asnjë vend të huaj, duke qëndruar gjithmonë në pozita paqësore kur nuk kishte luftë ose në pozita mbrojtjeje kur kishte të tillë. Sot në historiografi kjo është parë dhe se një pamundësi për të sulmuar nga pala shqiptare.
23. Izolimi nga bota, absurd shqiptar
Në vitet ’60 dhe ’70 vendet kërkonin që të vendosin marrëdhënie diplomatike me njëra-tjetrën, Shqipëria vetizolohej, duke u larguar nga bota. Politika e vendosur nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij ishte për një mbyllje me botën e jashtme. Me përjashtim të disa vendeve, të cilat për shkak të regjimit të njëjtë me ne, me të tjerët, sidomos me perëndimorët u krijua një barrikadë tepër e madhe. Për të gjithë shqiptarët marrja e informacionit apo kulturës perëndimore ishte një utopi. Deri më sot as një vend të tjetër nuk ka krijuar një hendek kaq të madh me vendet e tjera sa vendi ynë.
24. Shpif se diçka do të mbetet, normë e kulturës shqiptare
Në periudhën post-komuniste në Shqipëri politikanët i kanë lejuar të drejtën vetes që të shajnë, të shpifin për këdo dhe për çfarëdo, dhe të mos mbajnë përgjegjësi. Kemi një kategori politikanësh, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme akuzojnë, shajnë dhe fyejnë ata që nuk janë në linjën e tyre. Kjo sigurisht që ndodh dhe në vende të tjera, por ajo që në vendet e tjera do të ishte e papranueshme është fakti se këtu nuk kanë marrë një herë të vetme mundimin që të vërtetojnë qoftë dhe një akuzë të vetme.
25. Emri Fronti Demokratik, në krye qëndronte Enver Hoxha
Ndërkohë që emrin vazhdonte ta mbante Fronti Demokratik Popullor, pushteti i Enver Hoxhës degradonte drejt një diktature të egër. Historia e Shqipërisë në periudhën e komunizmit ka njohur dhe një absurditet tjetër, i cili ka të bëjë me emërtimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Diktatori komunist e quante Fronti Demokratik Popullor, ndërkohë që në vend ishte instaluar një regjim totalitar i egër, duke u cilësuar si më ashpri në tërë Evropën e asaj kohe. Pushteti i Enver Hoxhës për nga jetëgjatësia dhe ashpërsia cilësohet si një çudi që i kalon kufijtë e Shqipërisë.
26. E pavërteta bashkëjeton me të vërtetën
Pas viteve ’90 çdo shpifje apo thashetheme i serviret publikut nga politika si një fakt i vërtetë, duke e manipuluar. Mjafton të kujtosh të gjitha deklaratat e politikanëve në vendin tonë dhe është më se e mjaftueshme që ta vërtetosh këtë konstatim, i cili padyshim futet tek çuditë shqiptare. Janë thënë e çfarë nuk janë thënë dhe përsëri të gjithë kanë ngelur të habitur kur asnjë gjë prej atyre që janë thënë nuk janë vërtetuar. Po të shikosh një shoqëri perëndimore, ajo një fenomen të tillë e përbuz me të madhe, duke u treguar shqiptarëve që janë shumë larg qytetërimit evropian.
27. Kush është me ne, është i yni, në të kundërt e kemi kundërshtar
Politikanët shqiptarë në ditët e sotme i ndajnë njerëzit në dy grupe, ata që janë me ne, janë tanët, ndërsa ata që nuk janë me ne, janë të kundërshtarit. Shumë nga bashkëqytetarët tanë shikohen dhe si armiq edhe për faktin se nuk kanë bindjet e caktuara politike. Kjo sigurisht injektohet nga politikanët që i klasifikojnë njerëzit në të tyre dhe në të kundërshtarit, duke harruar që pjesa më e madhe janë jashtë politikës dhe nuk iu intereson fare nëse ekzistojnë këta lloj politikanësh.
28. Për shqiptarët, më e vlefshme besa se kontrata
Nëse një shqiptar dhe një huaj iu duhet të lidhin një marrëveshje biznesi, shqiptari e kundërshton kontratën (sipas Edith Durham), pasi e quan ofendim, duke i besuar më tepër besës së dhënë. Kjo për shoqërinë moderne duket një gjë absurde, por për fatin tonë të keq ka qenë realitet në shoqërinë shqiptare, e cila me këtë lloj mentaliteti ka qëndruar në vend. Në vendet evropiane kjo lloj marrëveshjeje përdoret dhe si barsoletë, duke u bërë kështu histori e mirënjohur. Kjo çudi ka qenë prezent vite më parë, pasi sot shqiptarët në këtë drejtim janë integruar në shoqërinë moderne duke qenë edhe biznesmenë të suksesshëm.
29. Nga një shtet laik, me 245 shoqata fetare
Kemi qenë për më tepër se 45 vjet si një vend laik nën regjimin komunist, ndërkohë që aktualisht në Shqipëri ekzistojnë as më pak dhe as më shumë, por 245 shoqata fetare. Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës dhe komunistëve, në vitin 1945 u hoq në mënyrë graduale dhe e drejta për të besuar në zot. Kështu doli një ligj që ndalonte çdo lloj aktiviteti fetar dhe duhet të shembesh të gjithë objektet e kultit si kisha, xhamia, teqe, etj.
30. Të flasësh një gjuhë unike, në të gjithë rruzullin
Shqiptarët flasin një gjuhë, e cila nuk është e ngjashme me asnjë gjuhë tjetër në botë. Historia e gjuhës shqipe është shumë e vjetër për sa i përket kohës. Ajo cilësohet si një nga gjuhët më të vjetra në Evropë. Por e çuditshme është fakti se kjo gjuhë, pra gjuha shqipe, nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër në botë. Të gjitha gjuhët e tjera janë krejt të ndryshme nga shqipja. Të gjithë gjuhëtarët e vlerësojnë tepër gjuhën shqipe për këtë fakt tepër interesant. Gjuha shqipe ka një zanafillë që nga kohët më të hershme të shoqërisë njerëzore.
31. Prezumimi i pafajësisë vetëm në vendin tonë nuk ka gjetur vend
Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë, ku nuk merret fare parasysh prezumimi i pafajësisë. Ka apo nuk ka një vendim gjykate, për këtë nuk do t’ia dijë njeri, kjo sidomos për sa u përket njerëzve publikë dhe politikanëve në veçanti. Nëse në çdo vend të botës quhesh fajtor për një faj vetëm në rastin kur autoritet e drejtësisë së atij vendi të kanë shpallur fajtor, ndërkohë që këtu vetëm në rastin kur e ke kundërshtar ai të akuzon, madje jep dhe definicione për akuzën e tij, duke të treguar burgun.
32. Nga jugu në veri, Shqipëria me vijë bregdetare
Vendi ynë përcaktohet si një nga vendet më malorë në të gjithë Evropën, por për çudi ajo ka një vijë bregdetare e cila shtrihet nga jugu deri në veri të vendit. Nuk gjen shembull tjetër në kontinentin plakë që një vend të ketë një pozitë gjeografike të tillë kaq të çuditshme, pse jo dhe për të pasur zili. Në vendin tonë kjo mrekulli e natyrës nuk është marrë në konsideratë, duke mos u shfrytëzuar këto resurse të paçmuara. Sot me shtrirjen që ka ku ndërthuren deti dhe mali, Shqipëria duhet të ishte një qendër turizmi për të gjithë rajonin.
33. Vendi më malor që merret me bujqësi
Në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit edhe pse ishim një vend kryesisht kodrinor malor, përsëri ne i shpenzonim energjitë tona drejt bujqësisë. Në të gjithë periudhën e komunizmit Shqipëria ishte e orientuar kryesisht nga bujqësia për sa i përket ekonomisë. Kjo për çudinë e të gjithëve pasi ne më tepër duhet të merreshim me blegtori apo dhe me industri të rëndë apo të lehtë. Në komunizëm doli si devizë dhe një thënie e udhëheqësit komunist Enver Hoxha, i cili deklaroi në mënyrë pompoze “t’u qepemi maleve e kodrave dhe t’i bëjmë pjellore”.
34. Shqiponja në flamurin shqiptar, me dy kokë
Në flamurin e Shqipërisë, i cili e ka zanafillën e vet në kohën e Skënderbeut, ekziston një shqiponjë e cila është me dy kokë. Arsyetimet historike me këtë fenomen janë të ndryshme. Një variant thotë se këto dy koka përfaqësojnë gjithë përfshirjen e vendit nga Jugu në Veri. Varianti i dytë pretendon se ushtarët e Skënderbeut luftonin aq shumë sa shikonin dhe para dhe mbrapa. Ndërkohë që varianti i tretë thotë se, një kokë shikon Pirron e Epirit dhe koka tjetër shikon Aleksandrin e Madh.
35. Kanuni 500-vjeçar “krenaria” e Shqipërisë
Kanun pa dyshim që kanë pasur edhe vende të tjera gjatë historisë së ekzistencës së tyre, por ashtu siç zbatohet në vendin tonë vështirë se gjen. Me përjashtim të periudhës së komunizmit kur kanuni pati një hapësirë më të vogël për sa i përket gjakmarrjes, pas viteve ’90 kjo është bërë një normë e zakonshme. Shumë vrasje dhe konflikte që ndodhin këtu zgjidhen me vetëgjyqësi. Kjo çudi e dhimbshme shqiptare është një nga arsyet që vendin tonë e mban larg nga strukturat euroatlantike.
36. Rezervat ujore sa për 100 Shqipëri
Nëse në çezmat e familjeve shqiptare mungon uji apo vjen me mangësi, kjo ndodh sepse administrimi i tij është skandaloz. Po t’u referoheshin statistikave dhe fakteve, të rezulton se Shqipëria ka rezerva ujore sa për të mbajtur edhe një qind shtete të tjera me përmasat e saj. Sigurisht kjo është një dhuratë nga natyra, por që nuk është shfrytëzuar ashtu siç duhet. Sot thuajse asnjë qytet nuk furnizohet rregullisht me ujë. Duke pasur një reliev kryesisht kodrinor dhe malor, uji është i bollshëm aq sa herë-herë rrezikohet dhe përmbytja e zonave të caktuara.
37. Tri veta, një bunker gjatë komunizmit
Enver Hoxha e bëri vendin tonë të mbushur me beton. E them këtë pasi po t’i referohesh kohës u ndërtuan aq shumë bunkerë, sa sipas statistikave, na rezulton që për tre shqiptarë të kishte një bunker. Arsyeja e ndërtimit të këtyre bunkerëve ishte kryesisht të mbroheshim nga ndonjë sulm eventual nga jashtë. Në opinionin publik të periudhës së komunizmit ekzistonte një mentalitet se, Shqipëria nga momenti në moment mund të sulmohej nga vendet imperialiste që ishin kundërshtare të drejtpërdrejta të regjimit komunist të instaluar në Shqipëri.
38. Të mos lëvizësh dot brenda për brenda vendit
Nga viti 1945 deri në vitin 1990 ishte e sanksionuar dhe e ndaluar me ligj lëvizja nga fshati në drejtim të qytetit. Në asnjë vend të botës nuk është e ndaluar lëvizja e qytetarëve me vullnetin e tyre. Nga fundi i viteve ’40 deri në vitin 1990 ishin tepër të kufizuara, vetëm kur duhej një urdhër i posaçëm për të bërë një transferim me banim nga një zonë në një tjetër. Për të lëvizur nga fshati ishte thuajse e pamundur. Duke qenë se Shqipëria ishte një vend që bazohej tek forca punëtore, ishte e nevojshme që të kishte sa më tepër popullatë në fshat.
39. Organ gjyqësor që sulmon verbalisht
Vetëm në Shqipëri ndodh që organet gjyqësore e sulmojnë një të akuzuar përmes mediave, duke krijuar opinion të keq për të dhe duke helmuar opinionin publik në influencimin e gjykatës. Me rregullat demokratike, në çdo vend të botës nëse për një individ të shoqërisë ka një akuzë për shkelje të ligjit, përgjithësish veprohet sipas hallkave që ka gjyqësori. Në vendin tonë kjo ndodh rrallë, ku mund të akuzohesh verbalisht duke mos ndjekur një rrugë institucionale. Organet e zgjedhura për këtë punë shpesh herë dalin jashtë funksionit.
40. Me kapitullimin e Italisë në Shqipëri i cila kishte qenë një pushtuese e egër, ushtarët që ngelën peng nga italianët u bënë pjesë e njësiteve partizane të Shqipërisë kundër ushtarëve gjerman.
41. Në Shqipëri, vendi ku figurave ju këndohet këngë
Kur një figurë bëhet publike dhe ka një kontribut për shoqërinë, që të ngelet në histori atij patjetër duhet t’i këndohet një këngë. Kënga këndohet në nderim të tij. Shumë nga figurat historike të vendit tonë, për të mos të thënë që të gjithë, u është kënduar një këngë. Ky merret si një lloj nderimi dhe është e pamundur që pas çdo akti heroik apo patriotik të mos thuren dhe disa vargje, dhe më pas të kthehet në melodi. Që nga Skënderbeu, Ismail Qemali dhe deri dhe tek Enver Hoxha, në arkivat e muzikës shqiptare e kanë një këngë.
42. Shqipëria, atje ku vendi i varrit gjendet me vështirësi
Përpara se të vdesësh, në vendin tonë duhet të bësh mirë llogaritë për të gjetur dhe një vend varri. Këto kohët e fundit është bërë tepër problematike, sidomos tek qytetet e mëdha gjetja e një cope toke për të dërguar për në banesën e fundit ata që ikin nga kjo botë. Kjo mund të ndodhë vetëm në vendin tonë, pasi në as një vend tjetër një problem i tillë nuk haset.
43. Botimi i librit në Shqipëri, një procedurë e kollajtë
Pas viteve 1990 mjafton të kesh një shumë të hollash dhe nisesh për tek botuesi për të botuar një libër. Censurë nuk ka, kritikë, gjithashtu, për cilësi as që bëhet fjalë. Aq shumë libra janë botuar këto kohët e fundit, sa të duket se njerëzit këtu në Shqipëri merren vetëm me shkrime. Në çdo vend tjetër të zhvilluar kulturor, një libër që të shohë dritën e botimit duhet të kalojë në disa filtra, të cilat tregojnë nëse është i denjë ai libër apo jo.
44. Vdis të të duan, ndodh vetëm në Shqipëri
Ç’zakon të çuditshëm që kanë shqiptarët! Kur je gjallë, të turren sa mundin e s’të lënë gjë pa thënë (ose s’të zënë fare në gojë). Kur vdes, të bëjnë të madh dhe vënë kujën për ç’kanë humbur. Shumë njerëz të cilët kanë kontribute të vyera në shoqërinë tonë, sa janë gjallë ose lihen mënjanë ose dhe denigrohen. Ky fenomen ka ndodhur jo rrallë në vendin tonë, pasi vetëm duke e humbur një njeri, atëherë kujtohen për të.
45. Të shpikësh lajmin pa pasur fakte
Në Shqipëri jo pak gazetarë shpikin lajme. Pa pasur asnjë lloj argumenti apo fakti, shumë gazetarë diletantë marrin si të mirëqenë diçka të paqenë. Kjo ka ndodhur jo rrallë. Më tepër të goditur nga ky fenomen janë figurat publike, por edhe njerëzit e tjerë nuk kanë shpëtuar nga një metodë obskurantiste e të shkruarit.
46. Le të humbas, dorëheqjen nuk e jap
Në vendin tonë kultura politike është në atë stad sa, nëse një politikan humbet zgjedhjet nuk jep dorëheqjen, ndërkohë që në kulturën perëndimore, por dhe në gjithë vendet e tjera të botës, ky është një element fillestar i demokracisë. I gjen me vështirësi rastet kur një politikan pas humbjeve të largohet. Edhe në rast se është larguar, është larguar përkohësisht duke u bërë përsëri protagonist i jetës aktive politike.
47. Edhe pse i vdekur mund të votosh
Vetëm në Shqipëri mund të shikosh në listën e zgjedhësve emra të cilët mund të kenë vite që kanë vdekur, ndërkohë që dalin se kanë votuar. Në shumë palë zgjedhje tek ne ka pasur anomali, por këto anomali kanë arritur deri në kufijtë e absurdes. Mjafton të kujtojmë rastet kur njerëz të cilët nuk jetojnë më, janë prezent me emrin e tyre në listat e zgjedhjeve. Madje, çudia vazhdon kur rezulton që të jetë dhe votues për një kandidat apo subjekt politik.
48. Shqipëria dhe Greqia, vende mike që urrehen
Shqipëria dhe Greqia historikisht nuk kanë bërë asnjë luftë njëra me tjetrën, ndërkohë urrejtja që ekziston midis tyre është e atyre përmasave si të jenë në luftë të vazhdueshme. Po t’i referohesh historisë së dy vendeve, të rezulton se në asnjë rast të vetëm këto vende nuk kanë zhvilluar luftë ndërmjet njëra-tjetrës. Po të shikosh dhe raportet zyrtare, këto dy shtete janë munduar t’i mbulojnë kontradiktat e herëpashershme. Ndërkohë që nën zë të dy vendet kanë një urrejtje për njëra-tjetrën dhe pse jo në kufijtë ekstremë.
49. Numri i banorëve të fshatit, më i larti në Evropë
Shqipëria e cila ka një popullsi relativisht të vogël shquhet dhe për një fakt tjetër që përfshihet tek çuditë shqiptare. Pjesa më e madhe e popullsisë në vendin tonë jeton në zonat rurale. Duke qenë se ne vijmë nga një sistem totalitar, ku primare në atë kohë ishte bujqësia dhe blegtoria, shumica e forcave të punës ishin të përqendruara në fshat. Me ardhjen e demokracisë ky raport ka filluar të ndryshojë në favor të popullsisë që banon në qytet, por që ngelet shumë larg në krahasim me vendet e tjera evropiane.
50. Vetëm në Shqipëri (dhe në Afrikë) vidhen zgjedhjet rregullisht
Vetëm në Shqipëri (edhe në disa vende të Afrikës), vidhen zgjedhjet si pa gjë të keqe. Vetëm në Shqipëri një lider politik edhe pse humbet qëndron sërish në politikë. Dhe po vetëm në Shqipëri të gjithë shqiptarët “vdesin” pas politikës.

No comments:
Post a Comment