Thursday, May 17, 2012

Liljana Hoxha: Si i futi në kurth Teuta Edi Ramën, dhe Ardian Klosin më ’90

Intervistoi: Blendi Fevziu

Liljana Hoxha rikthehet sërish. Me një rrëfim për të shkuarën, por edhe për “trashëgimtarët” sipas saj të regjimit komunist. Në një intervistë të gjatë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, nusja e djalit të Enver Hoxhës pohon se në vitet ’90, Edi Rama, Blendi Gonxhe e Ardian Klosi kishin lidhje me Ramizin e Nexhmijen. “Teuta ka qenë ndërlidhëse e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës me Edi Ramën, Blendi Gonxhen dhe të ndjerin Ardian Klosi. I fuste në kurth nëpërmjet mënyrave femërore dhe i rikatonte më pas”, – akuzon Liljana Hoxha, e cila komenton më pas edhe dyshimet për vjedhjen e thesarit të shtetit apo të bizhuve të shtrenjta e të sekuestruara nga familja e Enver Hoxhës.
Zonja Hoxha, doja t’ju bëja një pyetje për të hyrë drejtpërdrejt në intervistë. Përse ky libër erdhi tani?
Ky libër erdhi tani, sepse tani u poq, në kuptimin që u plotësua mund të them. Mund të vinte edhe më parë, por 2-3 vjet unë nuk kam qenë shumë mirë me shëndet dhe mbeti në sirtar ose kam botuar gjëra më të rralla. Vjen tani sepse në fund të fundit, kur them  u poq,  tani unë jam shumë e qartë për çfarë mendoj, për kush jam si individualitet, kush jemi ne shqiptarët, çfarë kemi kaluar, çfarë po kalojmë dhe se si duhet të kemi të ardhmen.
Si i dini ju këto gjëra? Ku i keni mësuar?
Ato që unë di, i di nga jeta ime. Kurse hollësira për njerëzit e tjerë, që normalisht unë nuk i njoh, as i kam takuar, as kam ndenjur me ta, përsëri i njoh në rrugë institucionale…
Çfarë do me thënë në rrugë institucionale?
Domethënë ashtu siç di që unë kam qenë e ndjekur në kohën e diktaturës.
Si keni qenë e ndjekur? Ju ishit nusja e djalit të Enver Hoxhës…
Kam pasur dosje  në diktaturë . Nuk e di sa qe gjallë Enver Hoxha apo jo, por ka të ngjarë edhe atëherë.
E ndjekur nga kush? Kush tjetër veç Enver Hoxhës mund t’ju ndiqte?
Nga Sigurimi i Shtetit. Sot them nga Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.
Përse Sigurimi i Shtetit duhet t’ju ndiqte juve?
Besoj për mënyrën se si më shikonin ata.
Keni fakte konkrete për këtë?
Kam fakte konkrete, dosja ka ekzistuar, nuk e di tani ekziston apo jo.  Shumë njerëz të mi kanë shprehur këto dhe unë retrospektivisht i vërtetoj të tëra. Ndaj them kam shumë e shumë gjëra të tjera, ku ngërthehet e gjithë familja ime, motra, vëllai, martesat e tyre të detyruara nga Nexhmija. Jo më martesa e Ilirit me Teutën, që kjo e fundit lakon se u dashuruan e të tjera me radhë. Martesat e vëllait dhe motrës time u bënë  që të prishej martesa ime me Sokolin. Siç i di këto të gjitha tashmë, për një kohë të gjatë mezi i kam kuptuar, por i kam vërtetuar me shumë analiza, dëshmi, takime etj, ashtu di çdo gjë, shumë hollësira por kam shprehur vetëm të domosdoshmet  për ata njerëz që unë i kam përmendur aty në zbërthim të çështjes. Për ta plotësuar këtë temë madhore, që në të vërtetë është çështje  kombëtare…. Por katastrofën më të thellë në Shqipëri e ka bërë agjentura.
Çfarë do me thënë agjentura?
Domethënë njerëzit që kanë qenë të lidhur me shërbimet antishqiptare…
Ju mendoni që në Shqipërinë komuniste, ku edhe miza që fluturonte kontrollohej, ka pasur një agjenturë të huaj që vepronte?
Sigurisht, se miza që fluturonte, nuk fluturonte kot.
Kush agjenturë? Cilat ishin agjenturat që vepronin në Shqipëri?
Ka qenë KGB-ja dhe UDB-ja. CIA shumë ka dashur të ketë nën kontroll situatën. Këto kanë ardhur prej Jaltës, kjo është rrjedhojë e Jaltës. Është logjike, po të fillojmë me formimin e partisë, të kalojmë me profilin e Hoxhës, etj mund të thuash shumë dhe kanë rëndësi historike për tu parë . Si detyrim i vendosjes gjeopolitike strategjike të vendit tonë , kjo çështje  mbeti me doemos me pasoja. Por  kanë pak rëndësi për temën tonë.
KGB-ja dhe UDB-ja ishin të pranishme në Shqipëri në nivele të larta, apo jo?
Rezultojnë që ishin të pranishme në Shqipëri, në nivelet më të larta.
Ju keni fakte për këtë, kush e thotë?
Faktet janë gjithçka që ka bërë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.
Ju po thoni që Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin agjenturë e KGB-së apo UDB-së?
Po ishin fitimtarët.
Ç’do me thënë fitimtarët?
Domethënë, pasi bënë të gjithë luftën për pushtet, pasi shkatërruan dhe vranë të gjithë pretendentët..
Pretendentët i vrau Enver Hoxha apo Ramiz Alia me Nexhmije Hoxhën?
I “vrau” Enver Hoxha, sepse ishte ai në krye. Mund të ketë pasur edhe ndonjë firmë aty që në fund të fundit gjatë luftës për pushtet, kur i thua që ky njeri është i rrezikshëm e të tjera, vendimet janë të paracaktuara. Në parantezë, unë pashë filmin dhe kam qarë siç ka qarë çdo grua shqiptare, por këtu po analizojmë, t’i lëmë sentimentet.
Pra ju po thoni që Enver Hoxha përdorej për të eliminuar ata persona që ….
Enver Hoxha nuk përdorej. Është fjalë e dobët, edhe Enver Hoxha për sytë e mi është shumë i fortë dhe ashtu ka dalë i fortë. Por Enver Hoxhës i jepej një informacion i gabuar. Dhe ky informacion i gabuar nuk ka qenë vetëm kur ai u izolua, sepse kur u izolua u bë absolutisht i kontrollueshëm. Dua të them që informacioni i gabuar i jepet çdo lideri nëpërmjet rrugëve institucionale. S’ka bashkëpunëtor që t’i flasë titullarit kryesor, në këtë rast diktatorit, që ky zhvillim që po bëjmë nuk po ecën. Por do t’i bëjë vetëm lëvdata euforike. Kjo është logjika në të gjithë botën.
Përse Nexhmije Hoxha duhet të ishte agjente e KGB-së apo Ramiz Alia i UDB-së, ata ishin drejtues shumë të lartë të regjimit komunist?
Ramiz Alia nuk e merrte kurrë pushtetin dhe Nexhmije Hoxha nuk e merrte kurrë pushtetin, pasi të vdiste Enver Hoxha pa qenë të tillë.
Po e kishte përsa kohë Enver Hoxha ishte gjallë…
Po do të trajtohej nga Mehmet Shehu, ashtu siç u trajtua Mehmet Shehu nga Enver Hoxha, dua të them në emër të tij nga Kadri Hazbiu, Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha.
Pra ju mendoni që Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia kishin frikë nga Mehmet Shehu?
Padyshim.
Përse kishin frikë?
Sepse Mehmet Shehu ishte më i egri i të gjithëve.
Ishte i egër, por të gjithë mendojnë se ai do të sillej mjaft mirë me familjen e Enver Hoxhës…
Kështu mendojnë të gjithë, por nuk mendonte Nexhmije Hoxha kështu.
Ju mendoni se Nexhmije Hoxha kishte realisht frikë nga Mehmet Shehu?
Nexhmije Hoxha kishte realisht shumë frikë nga Mehmet Shehu.
E shprehte këtë?
Familja e Mehmet Shehut është sjellë realisht shumë keq ndaj familjes sonë.
Si është sjellë keq?
Bënin dualizëm të hapur që nuk kishte pse, sepse fëmijët e Enver Hoxhës ishin shumë të thjeshtë. Silleshin thjeshtë, pavarësisht se kanë të tjera kusure në kurriz por ishin të sjellshëm, nuk ishin vanitozë, nuk ushtronin pushtetin e të atit, kurse fëmijët e Mehmet Shehut ishin arrogantë, prepotentë edhe ndaj nesh, edhe ndaj familjes sonë ishin kërcënues. Nuk të përfillnin, kalonin përpara me makina, të fyenin, etj me radhë.
Pra ndihej ky dualizëm në bllok. Kur ka filluar?
Ky dualizëm ndihej vetëm nga fëmijët e Mehmet Shehut dhe Fiqireti ndaj Nexhmije Hoxhës. Jo nga Mehmeti ndaj Enverit. Mehmet Shehu për mendimin tim, priste me durim të vdiste Enver Hoxha. Mehmet Shehu vetë nuk i ka bërë keq Enver Hoxhës. Ndaj për mendimin tim, Enver Hoxha, ka pasur shumë të drejtë të mërzitej për Mehmet Shehun kur ai është vrarë.
Si është vrarë? Është vetëvrarë apo vrarë?
Është vrarë. Unë them që është vrarë, hollësirat nuk është as vendi dhe ato janë hipotetike.
Vrasjen e Mehmetit ju e nxirrni në analizën e sotme, apo e keni dyshuar që në momentin që ndodhi?
Unë e kam ndjerë që është vrarë, sepse nuk mund të vetëvritet një burrë si ai, aq më tepër që Enver Hoxha e kish falur dhe herë tjetër.
Më pas në analizat që keni bërë, ju rezulton i tillë…….
Në të gjitha analizat ashtu më del. Me mërzitjen e Enver Hoxhës ashtu më del. Me gëzimin e Nexhmijes, ashtu më del, edhe të fëmijëve dhe edhe me tablonë sinoptike ashtu më del. Sepse me tablonë sinoptike duhet të qetësonte Shqipërinë, njerëzit, sepse nuk është e kollajshme të vetëvritet një kryeministër, dhe duhet ta deklarojë spiun gjë që edhe mund ta ketë besuar. I KGB-së është, sepse e ka ditur vetë Enver Hoxha dhe e ka lejuar. Ai i dinte se kush është i KGB-së dhe kush jo, pra kë lejonte dhe kë jo.
Ju mendoni që Enver Hoxha e dinte se kush ishin spiunët e KGB-së?
Po. Po
Dhe i toleronte?
Jo i toleronte, i linte në funksion, jua diktonte funksionin. Dhe në rastin e tablosë sinoptike, thotë që më ka dalë poliagjent. Pra më ka dalë edhe në anë tjetër që unë nuk e njoh. Domethënë më ka tradhtuar.
Ju mendoni që edhe midis drejtuesve të lartë të regjimit komunist kishte njerëz që punonin për KGB-në dhe UDB-në?
Po, është e domosdoshme në çdo shtet, kështu është.
Është e vërtetë kjo?
Po është e vërtetë, një në tre veta ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Vëllai  i gruas së vëllait tim, ishte një ndër ata. Dhe vëllai im vdiq 40 vjeç, sepse ishte i pakënaqur me Ramiz Alinë pas vdekjes së Enver Hoxhës. E deklaroi këtë dhe për gjashtë muaj vdiq. Një histori e tillë, e ngatërruar me shumë intriga ndodhi edhe me time motër më vonë, e cila vdiq po rreth 40 vjeç, pikërisht kur do hapej publikisht. Të gjitha këto janë fakte që mua më kanë çuar në rrugën e studimit se çfarë ka ndodhur poshtë tek njerëzit e thjeshtë, pale ata të implikuarit biografikisht. Sepse mua m’i bëri Nexhmija dhe Ramizi, dikujt tjetër ia ka bërë kryetari i ….
Në qoftë se Mehmet Shehu përbënte një kërcënim për familjen Hoxha, sipas Nexhmije Hoxhës, pjesa tjetër e tyre nuk kishte asnjë lloj problemi?
Unë e filloj me Beqir Ballukun sepse atëherë kam qenë dëshmitare, sapo isha martuar. E kam diskutuar këtë gjë madje me Enver Hoxhën. Nuk e gjykoja dot sa fajtor ishte Beqir Balluku, por thosha se çfarë keni me fëmijët edhe fisin. Përgjigjja ishte shumë evazive, po e pakontestueshme që këto gjëra kështu janë, mos u fut. Unë e besoj që Beqir Balluku është likuiduar nga të tjerë, nga Mehmet Shehu dhe pas kësaj atij do t’i vinte radha sepse ai ishte më i fortë se  Ramiz Alia kur u lidh prej  krushqisë me Nexhmije Hoxhën.
Ka mjaft komente që lidhen me atë që quhet trashëgimia e Enver Hoxhës, që ndahet në dy pjesë, atë që duhet trashëgimia kulturore, dokumentare dhe trashëgimia pasurore. Ku gjenden shumë prej dokumenteve origjinale të Enver Hoxhës, ditarët, shënimet e tij, kopje të të cilëve ndodhen sot në Arkivin e Shtetit të transferuara nga arkivi i tij personal në fondin e Komitetit Qendror. Ku gjenden origjinalet?
Origjinalet i ka Nexhmije Hoxha dhe Teuta për pasojë. Jo kot e kam quajtur Nexhmija e dytë Teutën, jo për ilaritet por ato funksione kishte marrë që në gjenezë, që kur u martua me Ilir Hoxhën. U martua me intriga të llahtarshme, intriga që asnjë vajzë 15-vjeçare nuk do ti mbante në kurriz.
Si mund të bëjë intriga një 15-vjeçare?
Epo ja që ajo i ka bërë. Në qoftë se duhet të verifikohet e vërteta ime, duhet të ndalen tashmë se vjen një ditë që thuhen të gjitha. Edhe unë nuk dua ti them të gjitha. Intriga të nënës së saj, një kartomante, një grua që merrej me stregonerira, një manipulatore. E kaluara e të ëmës së saj është shumë e diskutueshme. Kjo grua, e lidhur me Nexhmije Hoxhën që herët, çfarë nuk kanë bërë që e bija, vajza e saj të bëhej nusja e Ilir Hoxhës.
Jeni e sigurt që nuk është motivimi i një problemi xhelozie mes jush?
Po, në qoftë se është motivim xhelozie, fakti që në vitin 1990, ka qenë ndërlidhëse e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës me Edi Ramën, Blendi Gonxhen dhe të ndjerin Ardian Klosi. Të cilët, i fuste në kurth nëpërmjet mënyrave femërore dhe i rikatonte më pas. Kjo ishte metodë jo vetëm e saj, por e diktuar dhe e njohur nga Ramizi dhe Nexhmija.
Ramiz Alia, në fund të fundit e çoi në burg Nexhmije Hoxhën, në mos gaboj në 1991?
Ramiz Alia e çoi në burg Nexhmije Hoxhën sepse u thye paksa gjasme varianti i Katovicës, që nuk ishte Katovicë e Gorbaçovit, por ishte e Ramiz Alisë. Sepse Gorbaçovi nuk bëri Katovicën që në rast nevoje ta kthente pushtetin me gjak dhe hekur, kurse Ramiz Alia e deklaroi që pushteti ynë është i sigurt dhe ne do ta kthejmë pushtetin me gjak dhe me hekur. Kështu që në burg e futi Nexhmijen vetëm për kafe, siç futi edhe të tjerët moralisht jo politikisht. Edhe kjo i doli nga dora sepse ishte presioni i brendshëm, sepse ishte Sali Berisha kryeministër. Sali Berisha, cilido të ketë qenë komunist i egër, apo ekstremist komunist, etj, ishte nën presionin nga poshtë, nga e djathta e mirëfilltë.
Çfarë ka ndodhur me trashëgiminë dokumentare të Enver Hoxhës? Besoni që i ka Nexhmije Hoxha? Keni fakte apo analizë?
Po, po, i ka Nexhmije Hoxha. Ajo edhe për dokumentacionin tonë personal, letërkëmbimin me Enver Hoxhën na ka dhënë kopje, jo origjinalet. Origjinalin ia ka dhënë Ilirit dhe Teutës (trashëgimtarëve të pushtetit). Këtë e di, sepse ma tha vetë, se nuk kisha si ta dija. Edhe Pranverës i ka dhënë kopje, të gjitha të tjerat i ka mbajtur vetë edhe letërkëmbimin tonë, që nuk janë të rëndësishme, janë ditarë, letra.
A rrezikon zonja Hoxha të zhdukë, të shkatërrojë ose të dëmtojë materiale komprometuese, që mund të gjenden në arkiv por që kanë vlerë historike?
Për mua i ka zhdukur, sepse ajo fshihet pas Enver Hoxhës, bën propagandë është dogmatike, aspak patriote, është gjoja konservatore, marksiste leniniste. Por ndërkaq, në këtë formë ajo e degjeneron Enver Hoxhën, i cili qe shumë më pak marksist leninist se sa ishte nacionalist.
A ka pasur një trashëgimi financiare të Enver Hoxhës?
Nuk është e mundur të ketë pasur. Mund të ketë pasur trashëgimi shtetërore.
Kë quani ju shtetërore?
Shtetërore quaj fondin shtetëror. Një shtet ka fondin e vet, që sot ndodhet atje ku i ka çuar i biri i Ramiz Alisë, gjatë vizitës me të atin në Amerikë. Është në libër, se si ata e kanë transferuar fondin shtetëror, thesarin e shtetit në Amerikë dhe e zotërojnë për veten e tyre.
Fond i madh?
Nuk e di. Në këtë mes, Nexhmije Hoxhën e kanë nxjerrë jashtë. Nëse kishte kodin më parë, se ka më tani. Po pa gjë, nuk ka ngelur. E para paguhet nga UDB-ja dhe e dyta ka mënyrat e saj, pjesë tek DEKA.
Kjo është paksa mitologjike?
Mitologji, po qëndron aq sa qëndron parulla që: DEKA është e djemve të Enverit. Nuk do të qëndrojë në qoftë se deklarohet që fëmijët e Enverit nuk kanë pjesë tek DEKA. Në qoftë se jo, ata që kanë pjesë tek DEKA janë Nexhmija me fëmijët e tjerë. Kjo nuk është mitologji, është fakt.
DEKA ka pronarë, dihet kush e ka…
Është çështje aksionesh, që nuk mund të dihet asnjëherë.
A ka pasur pasuri familja Hoxha në fund të viteve ‘90?
Familja Hoxha, Enver Hoxha, nuk kishte si të kishte pasuri. Ai nuk e njihte lekun, nuk ka mbajtur ndonjëherë lek në duar apo në xhepa. Ka qenë një kohë madje që më ka thënë: “Liljana, mblidhni lekë se nuk i dihet jetës!”
Kur jua ka thënë këtë?
Vitet e fundit të jetës.
Por ndërkohë, sipas burimeve që ne jemi ende duke i verifikuar, por nuk i konfirmojmë deri më sot, në familjen e Enver Hoxhës, disponoheshin mjaft bizhuteri, me vlerë të madhe të konfiskuara në vitet ‘44, ‘45, ‘46 nga ato që quheshin klasa të përmbysura, bejlerë, pasanikë të mëdhenj, biznesmenë, që nuk janë regjistruar në pasurinë shtetërore. Nëse del e vërtetë, mbetet për t’u verifikuar…
Përjashtoj faktin që të jenë të Enver Hoxhës. Nuk e përjashtoj faktin të jenë të Nexhmijes dhe të vajzës dhe nuses, sepse edhe jua kam parë në duar, unaza shumë të vyera në atë kohë, që nuk i kishte njeri. Edhe vetë Enver Hoxha i ka kritikuar duke ju dhënë shembullin tim me duar të pastolisura. Sot e kam edhe unë një, disa madje jo aq të vyera mundësuar prej fëmijëve të mi, se sot erdhi koha për të tërë.
Po juve nuk ju ra në sy?
Më binin në sy dhe nuk e dija nga i kishin.
Dhe nuk i kishit pyetur kurrë?
Nuk i pyesja sepse nuk kishim atë marrëdhënie, nuk flisnim midis nesh. Por dhe nuk do e gjeja kurrë të vërtetën. Por më bëri shumë përshtypje sjellja e Nexhmijes tek Bugajski,  kur thoshte: pse s’dija unë që të mbulohesha me ar, të vija gjerdanë etj. Më ka bërë përshtypje se për mentalitetin e gruas së Enver Hoxhës (ashtu siç duhej të ishte ajo), nuk mund të vlonte dëshira, apo të ndjehej e pangopur  për gjerdanë e për unaza. Dëshira për t’i pasur ishte absurde. Ishte për të qeshur ta dëgjoje.
Pra ju nuk keni dëgjuar kurrë për këtë histori, për bizhu që ishin në pronësi…
Unë i kam parë bizhutë në duart e gruas së Ilirit sidomos, edhe të Pranverës. Për vete kam pasur ndonjë gjë të vogël që ma sillte Sokoli, kur ikte jashtë shtetit.
A ka qenë realisht Nexhmije Hoxha e papërfillshme nga Enver Hoxha në atë që quhej drejtim i shtetit?
Deri në vitin 1973 ajo ka qenë një grua intelektuale për hesap të saj dhe kaq. Me sëmundjen e Enver Hoxhës, tek kontrollonte shëndetin e tij, ajo u bë gjithnjë e më e fuqishme si transmetuese, fillimisht. Më vonë nuk mund ta thuash se çfarë bënte nëpërmjet transmetimit. Unë këtu kam sjellë, edhe është e vetmja fotografi që unë po sjell vetë( sepse çdo foto tjetër është prej medias), është një fotografi ku Nexhmije Hoxha flet në telefon, në kohën që Enver Hoxha rri normalisht. Praktikisht ajo po transmeton orientimin me këtë telefon.
Nuk ka shprehur keqardhje as në intervistën e fundit. Në eliminimet, a ka rol Nexhmije Hoxha?
Unë them që ka rol vetëm Nexhmije Hoxha. Shiko, ju keni shkruar me stilin e Montefiores, por Enveri nuk ishte Stalin. Ishte stalinist, sepse Stalini e mbrojti për Kosovën. Enveri në qoftë se do ta njihte Stalinin siç njihet sot  ai do të kishte korrigjuar shumë gjëra. Enver Hoxha  ishte ndryshe. Nuk ishte Stalin. Nuk njihte orgji-dashuri-urrejtje dhe pastaj gjakderdhje. Ishte shumë i kontrolluar, i matur, serioz dhe shumë i ekuilibruar dhe me jetën e tij. Nuk po flas, që e kam shoqëruar në mbledhje, por në shtëpi. Gjithçka e ka bërë Nexhmije Hoxha së bashku me Ramiz Alinë.
Po si mund ta bëjë një grua këtë?
Në emër të Enver Hoxhës. Është përdorur Enver Hoxha.
Keni biseduar ndonjëherë me Enverin për Nexhmijen? Kishte xhelozi mes jush dhe zonjës Hoxha?
Xhelozi? Jo xhelozi jo. Unë kam të drejtën e të gjithë botës, por nuk arrij të urrej, nuk e njoh urrejtjen. Ndoshta do të ishte mirë, sepse urrejtja është ndjenjë shumë e fortë, e të çon përpara ndonëse jo moralisht. Por unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha.
Frikë?
Po frikë për atë që është. Edhe unë nga frika e kam bërë atë libër. Nga frika se Nexhmije Hoxha është ajo që mund të bëjë gjithçka, bashkë me Ramiz Alinë. Ka bërë gjithçka në këtë vend.
Po Ramiz Alia nuk jeton më…
Nuk jeton më, por disa muaj ka që ka vdekur.
Sot ju thatë që keni parë edhe filmin që unë bëra, keni thënë se keni lënë përgjysmë librin sepse jeni ndjerë keq. Vazhdoni pas të gjithë kësaj ta vlerësoni ende Enver Hoxhën ju personalisht?
Unë nuk e vlerësoj Enver Hoxhën absolutisht në rrugë personale. Por në kuptimin se si duhet ta vlerësojë  Enver Hoxhën një qytetar. Por unë e njoha Enver Hoxhën, dhe derisa e njoha nuk kam çfarë të bëj. Në rastin e vrasjeve unë Enver Hoxhën, e kthej përmbys dhe nuk e justifikoj me gjithë legjislaturën që ia lejonte ato.
Por vazhdoni ta admironi si person?
Po. Them që dhe është punuar, që të mos ndalemi tek arsimi, shëndetësia, siguria, kjo e ajo se ato dihen. Ju keni kapur një aspekt dhe në këtë aspekt keni punuar shumë mirë. Unë ju uroj. Do të ketë të tjera punime, ai njeri ka qenë nacionalist.

No comments: