Saturday, May 19, 2012

Kalinihta Eladha

Rracizmi grek ndaj shqiptarëve, provokacionet e bandave, ulurimat e
togave të ushtarëve duke marshuar me këngë atishqiptare, pretendimet
historike për "Vorio Epirin", "fshesat" e famëshme, rrahjet dhe
mbajtja pa ngrënë me dit' e net' të tëra nëpër biruca të ftohta e
gjyhnahqarëve që hynin në Greqi përmes maleve etj. etj. kishin qënë
hiçasgjë. Tani Greqia po na kërcënon, jo me ekspansion, por me një gjë
më të tmerrëshme, me kolaps.
Greqia me demokracinë më të vjetër të botësë është shembur e po zvarriset.
Shqipëria, demokracia më e re e rruzullit, pavarësisht se ç'lehin
klyshat e kurvit, është ngritur më këmbë e po vrapon.
Si fqinjë gjeografikë dhe historikë që jemi na përket t'i bëjmë
Greqisë ndonjë sugjerim për shërim në këto ditë të zeza. Ndihmë të
sinqertë. Jo si Gjermania, e cila, plakës, nga njëra anë i jep borxhe,
nga ana tjetër i shet fshehtaz armatime qindra milionëshe.
Që punët t'i venë mbroth, tre gjëra duhet të bëjë një vend; të punojë,
të shesi, të blejë.
Meqënëse tashmë plakaruqa Greqi nuk punon dot, njëra nga dy të tjerat
që i mbetet të bëjë është, të blejë. Ku ma gjen që Greqia të mund
blejë, dhe të bjerë rehat Ballkani, Europa dhe Bota. Por për të blerë
duhen para, që Greqia nuk i ka. Mbetet të shesë. Çfarë mund të shesë
Greqia që të shpëtojë nga kriza ? Kjo është çështja.
Borxhet astronomike për shkak të gabimeve katastrofike
politiko-ekonomike të Greqisë, janë aq të mëdhaja sa prej tyre zor se
shpëton dot edhe sikur të shitet e tëra. Mirpo në këtë eventualitet,
që s'ka pse të mos merret parasysh, pra që Greqa të shitet me kuç e me
maç e me gjith' lecka, del një vështirësi. Mund të jetë blerësi i
Greqisë ndonjë shqiptar, turk, apo amerikan. Por shitësi i saj nuk
mund të mos jetë grek. Gjë që nuk mund të ndodhi. Sepse pas çdo
shitjeje, duhet tq dali dikush të thotë; E shita. Që do ishte greku
shitës, i cili, duke e shitur greqinë të tërën, domethnë bashkë me
veten, në këtë rast do mungonte. Kjo është arësyeja që shitja e të
gjithë Greqisë është e pamundur.
Shitja e ishujve, e Korfuzit për shembull, për të cilin edhe është
folur, duket si zgjidhje. Por po ta shohësh thellë, kjo shitje është
krejt e paarsyeshme, dhe e pamundur, mbi të gjitha e padrejtë. Sepse
as ishujt e mekullueshëm jonianë, as gjijtë e magjishëm shkëmborë, as
kodrat e pafundme me ullinj, as plantacionet e portokalleve, nuk u
përkasin aspak vetëm grekërve të sotëm, të cilët krahasuar me qindra
milionë grekërit e vdekur dhe grekërit që ende s'kanë lindur, janë
pakicë absolute. Në fund të fundit, fajin ku është katandisur sot
Greqia, nuk e kanë ishujt, plantacionet, etj., që janë sende, por
njerëzit, bijtë dhe bijat e sotëm të plakës së dikushme të hirshme dhe
madhështore. Të cilëve u përket, sa të mbajnë përgjegjësitë, dhe të
marrin masat për të mos e lënë plakën të vdesë. Pra sakrificat për
shërimin  dhe shpëtimin e plakës së lekosur dhe të telendisur, nuk i
bën dot vet' e sëmura, por bijtë e saj plangprishës, grekët, ata të
cilët me dhjetra vite për vete hëngrën e pinë sa deshën, por për
shëndetin e nënës aspak nuk u merakosën.
Në kushtet e tanishme, kur as ata as plaka nuk punojnë dot, dhe kur
për shkak të borxheve as nuk blejnë dot, e vetmja gjë që mbetet të
bëjnë është të shesin. Mirpo, meqënëse për arësyet e mësipërme, vet'
Greqia dhe si dhe gjymtyrët e saj nuk mund të shiten, çfarë mbetet për
tu shitur, janë gjymtyrët e grekëve.
Asgjë për tu tmerruar përderisa është e vetmja shpresë.
Cilat gjymtyrë të tyre mund të shesin grekët për ta shpëtuar plakën dhe veten ?
Në emër të vetsakrifikimit për shpëtimin e plakës, shitja me vullnetin
e vet, e, ta zemë, kokave të 1 milionë grekëve, në vështrim të parë
s'duket gjë e pamundur. Por ka një vështirësi. Tregu ndërkombëtar i
organeve nuk shet e blen koka grekësh. Sepse pasoja e parë do të ishte
diçka tmerruese; Eksportimi i budallallëkut politiko-ekonomik grek
anembanë botës në vendet ku ato 1 milionë koka do shiteshin. Dhe bota
ska pare të tepërta që të blejë budallallëk grek. Gjë që, edhe po të
ndodhte, do ishte një shpërthim i budallallëkut helen në përmasa të
papara dhe me pasoja krejt të paparashikueshme për mbarë njerëzimin, i
cili, meqë ra fjala, edhe pa budallallëkun helen, s'i ka punët fort'
mirë.
Shitja e njërit sy, mund të ishte gjithashtu një zgjidhje. Treg për sy
ka. Sidomos tani që duke ndejtur çdo ditë me orë të tëra para
kompjuterit shikimi i njerëzimit po keqësohet, syri është një produkt
që kërkohet, dhe paguhet mirë, si në tregun e organeve dhe në atë të
kirurgjisë estetike. Syt e Zinj mediterranë të femrave greke, me nam
për bukurinë e tyre në të gjithë botën, shitja e disa milionë syresh,
mund të ishte një biznes shpëtimtar. Por nuk është. Sepse ngaqë
kompjuteri dëmton njësoj të dy sytë, askush s'të blen një sy, por
vetëm dy. E greku, sado t'i dhimset Greqia, njërin sy edhe mund ta
shiste, por të dy jo. Për më tepër që në këtë eventualitet Eladha do
mbushej me miliona Homerë që s'do kishin asnjë haber nga poezia epike.
Për të njëjtat arësye që grekët nuk mund të shesin sytë nuk mund të
shesin as veshët.
Shitja e një këmbe, një dore, një gjuri, disa brinjëve, disa gishtave,
a një shpute këmbe, të nja 3 a 4 milionë grekërve, janë të mundura.
Realizimi i kësaj shitjeje që do ta mbushte Greqinë përplot me të
gjymtuar çalamanë dhe doracë, edhe mund të kapërdihej. Por çmimi i
ulët i blerjes së këtyre gjymtyrëve në tregun e protezave e bën të
paleverdisshëm edhe këtë variant.
Zemra nuk shitet. Se po u vu në diskutim edhe shitja e zemrës helene,
pastaj më mirë merri hidhi në det të gjitha, Lashtësinë helene,
filozofët e asaj lashtësie, Gjuhën greke, Panteonin, Mitologjinë,
Athinën, Pireun, buzuqet, të tëra.
As mushkëria. Se edhe mushkëria, duke qënë e vetme si zemra, është vitale.
Por ekziston veshka. Që Perëndia e ka bërë dy. Pa një prej të cilave
mund të jetohet.
Të bëjmë një hesap. Ta zemë se 10 milionë grekë, në emër të shpëtimit
të plakës, do shesin nga një veshkë. Në tregun ndërkombëtar të
organeve, një veshkë sot paguhet rreth 20.000 Euro. Në këtë mënyrë
Greqia do fitonte 200 miliardë Euro. Goxha shifër. Plakës do t'i
kthehej frymëmarrja, do niste t'i qarkullonte gjaku. Mungesa e një
veshke është diçka që nuk bie në sy. Shitja e 1 veshke nga 10 milionë
grekë do ishte një operacion me shumë leverdi që do realizohej i tëri
në fshehtësi. Duket zgjidhje e paqme. Por duhet pritur derisa të
mësojmë nëse do dalin 10 milionë grekë që për të mirën e Eladhës ta
shesin vullnetarisht njërën veshkë.
Deri atëhere le të shqyrtojmë një mundësi tjetër.
Partia neonaziste "Agimi i Artë" është një parti që mund të përfshihet
në ndonjë koalicion qeveritar. Pjesëmarrja e neonazistëve në një
qeveri të ardhëshme greke, me gjasa do rriste pretendimet e Greqisë
për "rritjen e bazës së ekonomisë", me fjalë të tjera zgjerimin e
Greqisë në trojet e lashta helene të 2000 e kusur viteve të shkuara,
në po atë shtrirje gjeografike të stërgjyshit Aleksandër, shtrirje kjo
që do përfshinte Turqinë, Arabinë, Egjiptin, etj. Nuk duket keq pra
përfshirja e "Agimit" nazist në ndonjë qeverisje, një nga efektet
imediate të së cilës përfshirje do ishte 20 deri në 30 fishimi i
hapësirës së kultivimit të ullinjve. Çka do ta kthente Greqinë në një
lloj OPEC-u të vajit (Oil) të ullirit dhe vetë Greqinë në një Kuvajt
Ballkanik. Por po ta shohësh me kthjelltësinë e duhur as nazizmi nuk
është zgjidhje. Sepse, siç dihet nga përvoja gjermane, zgjidhjet
naziste nuk janë zgjidhje për përfitime gjatë kohës së luftës, por
zgjidhje që sigurojnë begatim pasi lufta të ketë mbaruar, pra zgjidhje
që vonojnë. Dhe Greqisë do t'i duhej një Hitler. Që nuk e ka. Botës
një Stalin, një Ruzvelt, dhe një Churchill, që edhe ata zor se mund të
gjinden në kohën e sotme.
Atëhere, çfarë mbetët të bëhet që të shpëtohet Eladha ?
E thjeshtë.
Pasi t'i sigurojmë se nuk do apliojmë asnjë lloj racizmi, nuk do t'i
provokojmë me banda, nuk do përdorim "fshesa", nuk do t'i rrahim, nuk
do t'i lemë pa ngrënë dhe nuk do t'i mbyllim nëpër biruca, t'i ftojmë
grekët të vijnë të punojnë në Shqipëri. Ku do paguhen. Jo me Euro, dhe
as me Dollarë, e aq më pak me Dhrahmi, por me Lekë. Lekët e kursyera
nga puna në Shqipëri, grekët do t'i dërgojnë pranë familjeve të tyre
në Greqi në stilin e njohur "Jepni për Nënën". Në këtë mënyrë,
pakngapak monedha e Greqisë nuk do jetë as famëkeqja Dhrahmia e cila
para ca vitesh pushtoi Sarandën, Himarën, dhe deridiku krejt jugun,
dhe as e pasigurta Euroja, por i forti Leku. I cili, i përdorur prej
grekërve me të njëjtin nikoqirllëk dhe zgjuarsi si shqiptarët, do tu
japi fund përgjithmonë të gjitha brengave helene.
S'ka zgjidhje tjetër.
Në mos, Eladhës s'i mbetet tjetër veçse t'u thotë stepave, Kalimera.
Ndërsa Europës, Amerikës, NATO-s, dhe gjithë të tjerave, Kalinihta.

gazeta MAPO, 18 maj 2012
www.edisonypi.com

No comments: