Friday, November 22, 2013

Personi i dytë në aksident me Olldashin, Prokuroria merr tabulatet e Igli Carës

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me indiciot e përhapur, se në makinën e Sokol Olldashit ka pasur edhe një person të dytë, i cili ka shpëtuar pa shumë dëmtime. Ekspertiza ditën e djeshme ka shpjeguar shkaqet e vdekjes së deputetit të PD-së, Sokol Olldashi.
Pak të dhëna që janë vënë në dispozicionin e hetuesve të çështjes nga personat që kanë patur dijeni rreth atij momenti fatal për jetën e Sokol Olldashit,
ekspertët kanë bërë të mundur edhe hartimin e mekanizmit se si mund të ketë ndodhur aksidenti. Sipas të dhënave të hetimit bëhet me dije se dyshohet se që në momentin kur i ka ikur makina rruga ka qenë e mbushur me ujë dhe Olldashi nuk ka mundur të shquajë drejtimin e rrugës, kjo edhe falë errësirës. Ekspertët mendojnë se duke qenë se po fliste në telefon me shoferin e tij, manovra që ka tentuar të kryejë ka ndodhur vonë, çka ka bërë që makina të pësojë spostim në krahun e shoferit.  Sipas të dhënave shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit nga ana e ish-ministrit të Transporteve.
Sokol Olldashi, ka humbur jetën nga plagët e shumta që ka marrë në kokë. Ky ka qenë konkluzioni i nxjerrë nga ekspertët e mjekësisë-ligjore. Ata kanë përcaktuar si shkak vdekjeprurës pikërisht përplasjen e kokës në xhamin e makinës, në momentet që automjeti ka nisur të rrotullohet në anë të rrugës. Informacionet mjeko-ligjore janë vënë edhe në ndihmë të ekspertëve teknikë si dhe hetuesve të çështjes, të cilët punuan në vendin e ngjarjes që në momentin e parë që u vunë në dijeni. Referuar të dhënave të besueshme që vijnë nga prokuroria, bëhet me dije se, dje është bërë i mundur koordinimi i ekspertizave të ndryshme, ndonëse ende nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar. Makinës i janë hapur “air-bag”-ët dhe ekspertët thonë se nëse nuk do të ekzistonte tavani prej xhami (baxho) atëherë aksidenti mund të mos rezultonte fatal.
Ndërkohë, hetuesit flasin për një person të dytë i cili fatmirësisht ka shpëtuar gjallë nga aksidenti i rëndë. Sipas burimeve nga prokuroria, dinamika e aksidentit ka bërë që ky person ka dalë krejtësisht jashtë gjatë rrotullimit të makinës. Kështu ai ka arritur fatmirësisht të shpëtojë. Megjithatë, ekspertët thonë se personi ka dëmtime në brinjën e djathtë dhe dyshohej fillimisht për shembje të brendshme. Një version tjetër i prokurorëve është se personi i dytë që gjendej në makinën e Olldashit ka shpëtuar për shkak të “air-bag”-ëve të shumtë në “Benzin” luksoz.
Dy prokurorët e çështjes, Blerim Tominaj dhe Ramadan Troci, po hetojnë dhe më tej, për të zbardhur çdo detaj mbi ngjarjen tragjike dhe në ditët në vijim pritet të marrin në pyetje dhe deputetin e Partisë Demokratike, Igli Cara, i cili njoftoi në sallën operative për aksidentin për të shpjeguar sesi ka rënë në dijeni për ngjarjen e rëndë. Cara është pikërisht personi, që pritet të hedhë dritë mbi misterin e madh, që mbuloi aksidentin, për praninë e një personi të dytë në makinë me deputetin e ndjerë, për shkak se dyshimet sa vijnë e shtohen.
Ende nuk është e qartë se si ka marrë dijeni deputeti Cara për aksidentin, nëse ka qenë pas të ndjerit duke udhëtuar, apo është njoftuar nga burime të tjera. Prokuroria ka kërkuar marrjen e tablateve të telefonit, për të verifikuar nëse deputeti Cara ka marrë telefonatë lidhur me çfarë kishte ndodhur në Qafë-Kërrabë.
Cara: Olldashi ishte vetëm në makinë
Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka qenë ndër të parët që ka marrë vesh aksidentin tragjik të ish-ministrit Sokol Olldashi. Ai ka qenë duke e pritur në Tiranë për t’u takuar, kur është njoftuar nga shoferi i Olldashit për atë që kishte ndodhur në Kërrabë. 
"Isha në një lokal me shoferin e Olldashit. Isha në lokal dhe me një person të tretë mik i të dyve. Olldashi na tha se po kthehej nga Elbasani. Pas 5 minutash na thotë shoferi që shefi, Olldashi është aksidentuar. Hipëm në makine dhe u nisëm, si dhe lajmëruam policinë me telefon. Mbërritëm 30 sekonda para policisë. Dyert ishin të kyçura, nuk hapeshin. Ishte e pamundur që t’i jepnim ndihmë. Nuk kishte njeri tjetër në makinë, ishte vetëm. Nuk mund të aludohet ndryshe", tha Cara.
Shkaku i vdekjes 
Duke parë edhe vendin e ngjarjes, ekspertët kanë arritur në përfundimin se në atë vend ku edhe makina ka dalë nga rruga është kryer manovër. Supozohet se makina është rrotulluar dy herë derisa është vendosur në pozicionin që është gjendur. Gjithashtu duke parë edhe plagët e shumta që i ndjeri kishte marrë në pjesët e kokës ekspertët pretendojnë se është përplasur në xhamin e makinës, ku përplasja ka qenë mjaft e fortë. Ai kishte dëmtime të rënda në qafë, gati fatale, dhe mpiksje gjaku në kokë nga goditjet.
Rrotullimi ka bërë që dyert të mbyllën hermetikisht duke e vështirësuar ndërhyrjen që t`i jepej ndonjë ndihmë, nëse do të kishte qenë e mundur që ta mbante në jetë. Mirëpo, sipas mjekëve përplasja ka qenë mjaft e fuqishme për sa kohë ka shkaktuar plagë të tilla në pjesën e kokës.
/Shekulli Online/ E.L./

No comments: