Wednesday, November 20, 2013

Hamit Matjani para gjyqit special: Amerikanët më hodhën diversant

Nga Fatos Veliu
PJESË TË NXJERRA PROCESVERBALI I DEPONIMEVE TË DIVERSANTIT HAMIT MATJANIT I SPIUNAZHIT AMERIKAN, I HEDHUR MË AEROPLAN MË DATËN 1. 5. 1953
Kur mbërrita në Athinë, takova Asim Jakovën dhe disa amerikanë, të cilëve iu komunikova se si kishte ngjarë puna jonë. Mbas dy-tri muajsh, në muajin gusht mua më thirri Asimi dhe disa amerikanë e më njoftuan futjen time përsëri në Shqipëri së bashku me Fetab Xhiken, Bido Kotorin, Naum Sulen, Lek Martinin.
Kësaj radhe na ngarkuan për mbledhjen e informatave dhe të krijonim baza në popull, si mbas fjalës që kishim në Athinë, në drejtim të Grabovës do të nga zbarkonte aeroplani amerikan një radist.


Aeroplani erdhi pikërisht në datën dhe në vendin e caktuar, por mbasi neve na qenë prishur elektrikët e dorës, nuk mundëm t'i jepnim shenjat dhe radisti nuk u hodh nga aeroplani, kështu që shkuam përsëri në Athinë.
Atje takuam amerikanët dhe Asim Jakovën, të cilëve iu treguam se si ngjau puna. Në këtë kohë amerikanët, mua, Haxhi Gjylin dhe Halil Branicën, i cili nuk mund të kalonte herën e parë pasi u sëmur, na çuan në Lutraq, 40 km larg Athinës, ndërsa Xhehalinin e dërguan përsëri në Shqipëri së bashku me vëllain e tij Shefqet Sakollari, Bari Tresovën, Mitat Runin dhe Rusbit Plakun nga Konispoli.
* * *
Unë gjatë kësaj kohe kam qëndruar nëpër hotele të ndryshme të Athinës, duke u takuar me shqiptarët që vinin nga kampet. Në datën 15 prill më morën amerikanët dhe më çuan në një shtëpi që e kishin në dispozicion të tyre. Shtëpia ndodhej në vendin Glifadha në jug të Athinës. Në datën 15 prill më erdhi një amerikan tjetër i panjohur, i veshur civil me emër Çalli, i cili merret me përgatitjet dhe furnizimin e të arratisurve. Ai më mori në një veturë taksi dhe më çoi deri në vendin ku kishte veturën e tij. Atje ishin dhe dy amerikanë të tjerë, që dinin shqip, njëri me emrin Marko dhe tjetri Budo, të cilët i shikoja për herën e parë. Ndërsa Markon e dija që ishte përgjegjës i gjithë punës dhe që urdhërohej nga koloneli. Nga mesi i marsit më thërriti koloneli në Athinë dhe më caktoi si detyrë që të gjeja dy shokë të tjerë dhe të isha gati, pasi do vinim në Shqipëri me aeroplan për të marrë Zenelin.
* * *
Për këtë punë unë shkova në katundin Menith të Athinës dhe atje gjeta Naum Sulën dhe Gani Malushin, të cilët pranuan të hidheshin me aeroplan në Shqipëri sipas urdhrit të kolonelit amerikan. Emrat e tyre ia dhashë Gazit, i cili vajti dhe i mori në katundin Menith, i çoi deri në Athinë, u takuam në një kafene ku aty ishte dhe amerikani që quhej Kthimi. Ky i mori në makinë dhe i çoi tri orë larg Athinës, ku i vendosi në një hotel dhe prej andej, në 14 prill i çoi në katundin Glifadha. Atje më çuan dhe mua. Atje filluam nga stërvitjet dhe mësime të ndryshme. Mësuam përdorimin parashutës për t'u hedhur nga aeroplani, ilaçet që duhet të përdornim kur plagosej njëri ose sëmureshim. Stërvitja vazhdoi 14 ditë. Si instruktor ishin amerikanët, të cilëve u thërrisnim me emër herë Peshku, herë Fresku. Mësimet për përdorimin e parashutës na i jepte amerikani Budo. Mbas mbarimit, në datën 28 prill erdhi në Glifadha Koloneli së bashku me një amerikan tjetër dhe na futën të tre në një dhomë ku flisnim. Përveç Kolonelit dhe atij tjetrit, ishte edhe Budoja dhe Marko. Koloneli na njoftoi nisjen për në Shqipëri dhe na tha se për këtë punë ka dijeni Zogu. Si shenjë për zbarkimin e aeroplanit, Marko na tha që të përdornim të njëjtat shenja që ka përdorur Zenel Shehu. Në zbarkimin tonë mund të përdornim disa sende si kokrra, të cilat na i pati dhënë me vete dhe bënin shenjën si zjarri. Zjarri do të ndizej në formën e shkronjës "T". Si mbaroi këto, na dorëzoi paratë dhe të nesërmen ne ishim duke pritur në katundin Glifadha. Në orën 5:15 të mbrëmjes erdhi amerikani Budo dhe Fresku dhe me një makinë të mbyllur na çuan në fushën e aviacionit të Lepsines. Aty arritëm në orën 7:00. Brenda në aeroplan na futën parashutat, na dhanë armatimin dhe u nisëm. Aeroplani ishte i bardhë dhe dymotorësh në të cilin kishte ardhur dhe Alili. Radisti i aeroplanit e njihte Alilin dhe më porositi t'i bëja të fala.
Fluturuam me aeroplanin 3-4 orë. Kur mbërritëm në vend nuk mundëm të zbarkonim se kishte mjegull dhe u kthyem mbrapsh. Kur u kthyem aeroplani lëshoi letra, dy pako. Në aerodromin e Greqisë arritëm në orën 3 mbas mesnate. Aty na mori Budo me Peshkun, të cilët po na prisnin dhe na çuan në katundin Glifadha. Aty ndenjëm një natë.

Tratativa e dytë
për në Shqipëri
Në një maj na çuan përsëri në aerodrom. Hipëm në aeroplan. U pajisëm me parashuta dhe armatim. U nisëm në orën 7 të mbrëmjes. Mbas tri orësh udhëtim, pilotët na zbarkuan në vendin e caktuar. Por atje ramë në duart e organeve të Sigurimit të shtetit dhe të popullit.
Në procesin e datës 7 maj në faqen e dytë thuhet:
Si mbarova punë tek majori, të nesërmen më thirrën përsëri ku gjeta dhe amerikanin Xhon, të cilët kishin hapur në tavolinë një hartë të Shqipërisë, duke studiuar se ku kishte qarkulluar dhe ku mund të grumbullohej populli për të bërë një zbarkim.
Në procesin e datës 9 maj 1953 në faqen e parë thuhet:
Qendra e zbulimit amerikan në Athinë është në lagjen 'Kolonaq', në rrugën 'Kanari', duke u futur në një rrugë tjetër më të ngushtë, që emrin nuk ia di, por që ndahet nga rruga 'Kanari'. Numri i shtëpisë së qendrës së zbulimit amerikan është 11, shtëpia është e madhe me gati 20 dhoma. Porta është prej hekuri dhe përgjysmë me kangjella. Nuk ka oborr, por me të hyrë nga porta e madhe e shtëpisë, ngjit disa shkallë, kalon nëpër një derë me një kanatë, kthen disa çapa djathtas dhe futesh në zyrën e kolonelit amerikan, emrin e të cilit nuk mund ta marr vesh, pasi ata nuk e tregojnë. Koloneli amerikan, si e dëgjova kur e pyeta një herë Zenel Shehun në kohën që do të niseshim në Shqipëri për herën e parë, ishte me origjinë franceze. Ky kolonel qëndronte gjithmonë civil, ishte i gjatë, i hollë dhe i thatë. Sybardhë dhe leshverdhë. Ishte në moshën afër 35 vjeç. Siç kisha marrë vesh, ky kolonel ishte përgjegjës i të gjithë të arratisurve shqiptarë, rumunë, bullgarë etj., që ishin vënë në shërbim të amerikanëve dhe që dërgoheshin si diversantë nëpër vendet e tyre.
* * *
Gjithashtu me kolonelin amerikan punojnë edhe tre amerikanë me origjinë shqiptare, që quheshin Budo, Marko; këtë e thërritnin Majko dhe Guzepe dhe tjetrin e thërritnin herë Peshku, herë Fresku. Dy prej këtyre (Budo dhe Peshku) kanë qenë në Gjermani në grupin e shqiptarëve që janë nën komandën e major Çaush Aliut dhe kanë ardhur nga Gjermania, i pari në muajin shkurt të vitit 1953 dhe i dyti në muajin gusht të vitit 1952. Ndërsa Majkon e kam parë këtu qysh në vitin 1951, mbasi ky më ka përgatitur kur jam hedhur në Shqipëri në këtë vit nga ana e Lushnjës. Zyra e kolonelit është e madhe. Ka një dritare përballë derës që është në rrugë. Në zyrë ka vetëm një tavolinë dhe 3-4 karrige në formë kolltukësh me pëlhurë mbrapa. Kasafortë nuk kam parë, as telefon. Duhet që zyra e punës së kolonelit të jetë në ndonjë dhomë tjetër të kësaj shtëpie, pasi këtu ku më futën mua duhet të jetë më tepër një vend pritjeje. Në këtë dhomë unë kam hyrë dy herë, një herë para nisjes kur më njoftoi ardhjen në Shqipëri dhe një herë kur u përgatitëm për nisje. Herën e parë takova në këtë dhomë vetëm kolonelin, ndërsa herën e dytë takova Majkon. Nga sa kisha marrë vesh, Budo ishte me origjinë shqiptare nga katundet e Korçës, se kështu më pati thënë një herë vetë, por i lindur në Amerikë. Ky më duket se mbante gradën e nënkolonelit, por unë nuk kisha parë, mbasi qëndronte gjithmonë civil. Ishte gati 40 vjeç, i shkurtër, jo fort i trashë, syzi e flokëzi. Merrej më tepër me stërvitjet e grupeve në parashutë. Ky bëri dhe stërvitjen tonë para nisjes. Gjuhën shqipe e fliste të kuptueshme. Për Majkon kisha marrë vesh që ishte nga Borova e Kolonjës, mbasi kështu më pati thënë edhe vetë. Rrinte civil, gradën nuk ia mora vesh, ishte në moshën 30-35 vjeç, mesatar i trashë, syzi dhe flokëzi. Merrej më tepër me krejt përgatitjen e grupeve që futeshin në Shqipëri dhe gjetkë. Gjithashtu, ky i priste dhe i pyeste këto grupe kur ktheheshin nga ato vende. Edhe mua me shokët e mi, si kur u nisa, ashtu edhe kur erdha, ky më mori në pyetje. Ky na jepte edhe paratë kur niseshim. Na jepte drejtimet e rrugës, mënyrën e njoftimit me anën e radios, parullat. Të gjitha këto mesazhe tonat nga jashtë, në dorën e tij përqendroheshin. Qëndronte në zyrën e kolonelit, bënte përkthime dhe me sa kam kuptuar unë, ky duhet të ishte adjutanti i tij.

* * *
Peshku ose Fresku ishte me ori-gjinë shqip-tare, gati 25 vjeç, mesatar i shëndoshë, sybardhë, flokëverdhë. Duhet të ishte nga katundi Dardhë i rrethit të Korçës, se më pati thënë vetë që "kur të martohem, gruan do ta marr në Dardhë". Rrinte civil, pa grada. Merrej me stërvitjen e përdorimit të barnave, mjekimit të plagëve. Ai më stërviti përdorimin e hartave, përdorimin e armatimit dhe të qitjes me armë dhe për marshime. Gjithashtu, në Athinë së bashku me këta të tre kam njohur edhe një amerikan tjetër, më duket me origjinë greke, mbasi fliste greqisht. Ishte me emrin Sharli. Rrinte civil. Gati 45 vjeç. Burrë mesatar, sybardhë dhe gjysmë i thinjur, që merrej me furnizimin e grupeve me veshmbathje dhe materiale të tjera. Për transportimin tonë prej një baze në një tjetër, ose prej Athinës në ndonjë katund, i cili njoftonte edhe Korofillaqinë për çështje lejesh qarkullimi të grupeve, merrej një grek me emrin Gazi, më duket nga Korfuzi.
Kur kam shkuar te koloneli për herën e parë kam parë edhe një amerikan tjetër, emrin e të cilit nuk e di. Ai duhet të jetë ndihmës i kolonelit, mbasi një herë Budo kur erdhi fjala të pyesë për të, më pati thënë që ai është ndihmësi i kolonelit. Ky është një burrë i gjatë, i hollë, sybardhë, leshverdhë, gati 35 vjeç. I ngjan kolonelit.
(Vijon nesër)

No comments: