Sunday, November 17, 2013

“Memecët” e qeverisë!

HAMDI JUPE
 
  Menaxhimi i situatës së protestave, të krijuar prej idesë së shkatërrimit të lëndëve kimike siriane në Shqipëri, nxori në plan të parë, krahas të tjerash, një dobësi të theksuar të punës së qeverisë: atë të memecërisë së zëdhënësve të saj. Ajo që ndodhi, në fakt, nuk ishte gjë tjetër veçse një betejë në fushën e informimit dhe të dezinformimit të opinionit publik, dhe këtë betejë qeveria e humbi me sukses të plotë.


Problemi ishte kompleks dhe ruajtja e konfidencialitetit të tij e bënin të vështirë komunikimin e gjerë me publikun për të. Por situata erdhi e tillë që asnjë nga zëdhënësit që paguhen nga qeveria për të folur në emër të saj nuk bëri asnjë përpjekje, sado të vogël, për të sqaruar opinionin se nuk bëhet fjalë për ndonjë hata apo komplot kundër atdheut, përkundrazi. As nga Ministria e Mbrojtjes, as nga Ministria e Jashtme, as nga ajo e Brendshme, as nga ajo e Shëndetësisë, që ka përgjegjësi për shëndetin e popullit. Është fakt se qysh nga mesdita e ditës së enjte, datë 15 nëntor, me mbylljen e punimeve të Parlamentit dhe deri në orën 17:00 të ditës së premte, 16 nëntor, që foli Kryeministri Rama para mediave, pra më shumë se 24 orë, hapësira informative e qeverisë për këtë çështje kaq sensitive ishte tërësisht bosh, me gjithë turmat e njerëzve nëpër rrugë. Ky vakuum i saj u la vend lloj-lloj spekulimeve të mediave të ndryshme dhe të thashethemnajave urbane, të dëmshme natyrisht për informimin e shëndoshë të publikut. Sjellja e medias shqiptare ndaj këtij rasti i dëshmoi të gjitha cilësitë pozitive dhe negative të saj deri në ekstrem. Aty pati edhe informim të shpejtë dhe korrekt, edhe spekulim me informacionin, edhe abuzim me emocionet e natyrshme të njeriut, edhe folklorizëm pa kufi në trojet e Mujit dhe Halilit, edhe keqpërdorim të mikrofonave dhe ekraneve për qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me misionin e medias serioze etj.

Duket se disa grupe mediatike, me ndërrimin e qeverisë, kanë humbur mundësinë për të përfituar financime nga fondet e taksapaguesve shqiptarë. Nuk është e vështirë të kuptohet se cilat media u rreshtuan me zell më të tepruar sesa duhet në anën e atyre që i frynin erës së protestave, me shpresë se mund të nxirrnin ndonjë përfitim prej tyre, qoftë edhe duke u faktorizuar në jetën politike. Amerikanët që mbrojtën pavarësinë e territoreve shqiptare nga copëtimi pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët që çliruan dhe shpallën shtetin e pavarur të Kosovës, amerikanët e vendit më demokratik në botë, papritur ishin gdhirë “imperialistë amerikanë”, antishqiptarë të tërbuar që deshën të zhduknin nga faqja e dheut me armë kimike popullin më proamerikan në Europë. Kjo ishte psikoza e krijuar në turmat e pafajshme të shqiptarëve 20-vjeçarë, të trullosura nga kjo makineri e manipulimit të opinionit publik në kohë moderne. Media jonë është ajo që është, pjesë dhe produkt i shoqërisë sonë, përgjithësisht pozitive, natyrisht. Qeveria nuk mund t’i korrigjojë veset e medias. Por qeveria, nga ana e vet, bën punën e saj për informimin e drejtë të publikut dhe këtu ajo lipset të korrigjojë disa nga veset e saj që u shfaqën në këtë rast. Ajo e ka për detyrë kushtetuese dhe ka në dispozicion mjetet e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë. Ajo, qeveria, nuk ka përse të lejojë që qendra kryesore e informacionit për vendin dhe rreth fateve të vendit, të spostohet prej zyrave të saj në zyra të tjera, për shkak të interesave të caktuara të manipulimit të opinionit publik prej tyre, siç ndodhi në këtë rast.

Të paktën kur në qendër të ngjarjeve është vetë qeveria dhe aktiviteti i saj. Situata e informimit korrekt të opinionit në rastin konkret, doli jashtë kontrollit të qeverisë. Qendrat e informacionit u spostuan nëpër dhomat e lajmeve të televizioneve private që vepronin sipas orientimit dhe interesave (jo vetëm mediatike) të pronarëve të tyre. Ato ia arritën të krijojnë në popull psikozën e një rreziku ndërkombëtar që po i kërcënohej Shqipërisë prej amerikanëve, për qëllime të errta antishqiptare. Qeveria doli kështu jashtë loje në fushën e informimit të opinionit të cilin ajo pretendon se përfaqëson dhe mbron. Pati edhe disa analistë të pavarur që u përpoqën të kontribuojnë me mendimin “kundër rrymës”, d.m.th. të shpjegojnë se nuk ka arsye për panik nga ky rast etj. Por këta u lanë të vetmuar dhe pa ndihmën e nevojshme në fushën e informacionit nga ata që e kishin në dorë këtë monopol të informacionit, pra nga ana e qeverisë. Kështu që ky zë mbeti në minorancë. Një problem tjetër duket se doli në evidencë në këtë rast. Qeveria nuk ka komunikim të mirë me media dhe gazetarë seriozë (jo me spekulantët) që mund ta ndihmonin atë, qeverinë, për të përballuar situata të tilla komplekse në drejtim të informimit të opinionit publik.

Qeveria është gati–gati në raporte armiqësore me mediat e vendit. “Krushqia” midis tyre është e plevitosur, për të mos thënë e ngrirë. Qoftë i gabuar ky perceptim, por këtë mendim kam krijuar dhe arsyet për këtë le t’i gjejë qeveria. Për këtë problem bota ka përvoja të ndryshme pozitive të afrimit të qeverisë me media dhe gazetarë seriozë, të cilët janë po aq patriotë sa edhe anëtarët e qeverisë. Këta furnizohen me informacion konfidencial shtesë, që i ndihmon ata, gazetarët, të bëhen pastaj “zëdhënës” të mirë të qeverisë edhe pa qenë zyrtarisht të tillë. Nuk është hera e parë gjatë këtyre muajve të qeverisë së re që goja e saj rri e mbyllur për probleme të ndryshme të rëndësishme të vendit. Tashmë dihet se të gjithë ministrat kanë këshilltarë dhe zëdhënës. Këta “pëllumba të Rilindjes” duhet të jenë të paktën nja pesëdhjetë të tillë, duke filluar nga kabineti i Kryeministrit dhe deri te ministri më i thjeshtë. Por ne nuk pamë në asnjë rast që ndonjëri prej tyre të dalë në media. Dhe jo vetëm në këtë rast. Tani, pas gati tre muajsh qeverisje, ne nuk dimë akoma emrat dhe fytyrat e zëdhënësve të qeverisë, sepse ata praktikisht nuk kanë as zë dhe as fytyrë në publik. Ata nuk dalin në media, as në gazeta, as në televizione.

Ata janë “memecët” e paguar të qeverisë vetëm për memecërinë e tyre. Kjo nxjerr në plan të parë një pyetje tjetër të madhe: A janë zëdhënësit e qeverisë të paaftë të kryejnë detyrën e tyre ndaj publikut, apo atyre ua ka mbyllur gojën i famshmi Kodi i Etikës, i adoptuar nga qeveria në fillim të punës së saj? Sepse mirë për rastin e fundit që ata nuk dinin gjë dhe nuk kishin për të thënë gjë, siç mund të pretendohet. Por ka mjaft probleme të tjera për të cilat mund të flasin zëdhënësit e qeverisë. Uroj që atyre t’u vijë një ditë goja. Përndryshe, do të ketë përsëri situata të tilla, madje më të komplikuara se kjo që kaluam, duke bërë që qeveria të mbytet me një lugë ujë, si qeveria e Nolit.

No comments: