Ismet Hasani
*Islihati – Pleçësia për pajtimin e gjaçeve…
Kush del para Islihati e ka
me borxh me e tregue drejt rastin e vet e me u pajtue me Vendimin e Islihatit.
Jemi mbledhë këtu Paria e 12-të fiseve e për secilin pajtim e maresë do t’i
caktojmë dorëzont’. Qysh të vendoset këtu, ashtu edhe mbetet – mbrapa nuk ka!
(Avdyl Hoxha – Kryepleçnar në
Islihat)
Kulla tradicionale shqiptare trekatëshe prej
guri
Burrë e trim shqiptar âsht q’ai që nuk e ban veten m’i vra dikush,
as nuk vret kô’ për bigari
hak! Burrëni e trimëni âsht me qitë pushkë për vatan!
(Avdyl Hoxha, kryepleçnar i ”Islihatit*” - Junik)
Islihati
– Pleqësia për pajtimin e gjaqeve, mbajtur në Odën e Junikut
Si
i pashë dhe si e ndëgjova filmin me titull ”Oda e Junikut - islihati” me ç’rast
Pleçësia për pajtimin e gjaqeve e të ngatërresave sjelli Pleqnitë -Vendimet e veta. Filmi është
xhiruar në vitet e ’90-ta nëpër odat e Junikut, të cilin prej fillimit e
përshkon ”Kanga malsorçe” dhe bën fjalë
për Pleqnitë e prueme të Islihatit mbi ngjarjet – gjaqet dhe ngatërresat e
viteve të 20-ta e më parë të shekullit të kaluem.
Pleçnarët
në Islihat:
1. Tofë
Sahiti, 2. Zenun Hoxha, 3.Sadik Rruca, 4. Ahmet Sadrija, 5.Zenel Sadiku, 6.Tofë
Maka, 7. Islam Hebibi, 8. Sadik Rama, 9. Rexhep Xhuli, 10. Smajl Xhema, 11.
Halil Shabani, 12. Avdyl Shala, 12. Zenel Dina, 14. Kadri Shabani, 15. Isuf Rama, 16. Mehmet Rama, 17. Tahir Bajraktari, 18. Sherif Haxha, 19. Rrustem Llulluni, 20. Xhafer Shala, 21. Avdullah
Qesta, 22. Xheladin Hoxha, 23. Rexhep Ademi 24. Zeqë Gaxherri.
Në tingujt e ”Kangës malsorçe” ni çoban
duke i kullotë delet në kodrën ”Moronica” të Junikut, vjen ni burrë hypun mbi
kalë dhe:
-
Tungjatjeta burrë! – ia
ban çobanit
-
Tungjatjeta! –ia kthen
çobani disi habitshëm këtij njeriu të panjofshëm, dhe e pyetë:
-
Prej kah kështu o burr’
i dheut?
-
Drejt e prej Rrafshit
të Kosov’s! N’jeva se n’Junik o dalë
Islihati, thanë se Avdyl Hoxha*(Kryeplak i Islihatit nga Juniku) i ka mbledhë burrat n’Odë e po i pajtojnë
gjaçe e ngatërresa?! – e pyet kalorsi.
-
Po pasha Zoten,
Islihati ka dalë! Avdyl Hoxha e Ramadan Shabani* (Pleqnar nga Kijeva, Kosovë)
t’tana gjaqet e ngatërresat janë kah i qesin n’ujdi. Islihat ma t’fortë e ma të
drejtë kurrë n’Junik s’ka dalë! – i përgjigjet çobani.
-
Ç’ashtu n’iem edhe na
n’Rrafsh t’Kosov’s! Hajt t’ymermeç*( t’lasha mirë, ditën e mirë!) ia ban
kalorësi.
-
Kadal bre burrë e ta
mbështjellim ka n’i duhan se edhe kali t’u paska lodhë, e? – e luti çobani.
-
Duanin besa nuk ta pi,
e kohë nuk po kam, s’e due me dalë në Islihat – hajt t’ymermeç! Dhe i grah
kalit drejt shkon në Odën e Junikut ku mbahej Islihati dhe me dorë
në zemër ia ban burrave në odë:
-
U koftë mirë burra!
-
Mirë se vjen! I përgjigjen
burrat në odë dhe ky ulet aty ku kishte mbetë n’i vend – të dera. Nga shiqimi i
burrave në odë dihej se ky asht i largët –
si i thonë i panjofshëm - jabanxhi* (i jashtëm).
*
Njëni nga pleqnarët i
drejtohet Kryepleqnarit me këto fjalë:
-
Po Avdyl Hoxha, mundem
me ia nisë. Paria e 12-të fiseve1* na kanë ardhë, kanë ardhë burra
edhe nga Kosova, dorëzont’2* janë
shti për gjaqet dhe ngatërresat e sodit.
________
1* Dymbdhjetë fiset: 1. Hoti, 2 Gruda, 3. Gashi, 4.
Shala, 5. Krasniqja, 6. Kuqi,
7.
Kelmendi, 8. Berisha, 9. Morina, 10. Kastrati, 11. Bytyqi, 12 Thaçi;
2* dorëzont- garantuesit në Vendimin e Islihatit.
Kryepleqnari
Avdyl Hoxha: Burra! Edhe sod do të jet këtu
Islihati. Dje i pajtuem 3 gjaçe, 2 ngatërresa, e ni gjysmë varre. Edhe n’iherë
po ju them se né do t’i pleqnojmë t’tana rastet dhe do t’i prêjmë ashtu qysh né
na duket se asht drejtë. Kush del para Islihatit e ka me borxh me e tregue
drejt rastin e vet dhe me u pajtue me
Vendimin e Islihatit. Jemi mbledhë
këtu 12-të fiset dhe për secilin pajtim dhe m’aresë do t’i shtijmë dorëzont’.
Qysh t’vendoset këtu, q’ashtu mbetet – mbrapa s’ka! Ma s’pari po fillojmë me
ngatrresen e Sylë Salihut dhe të Rexhep Hysenit. Edhe Syla edhe Rexha tek janë
këtu.
-
Cili prej juve po flet
i pari? – pyet kryepleqnari Avdyl Hoxha.
-
Le t’flet Syla i pari! – tha Rexhep Hyseni.
Mashkujt e mi kanë shti /qitë pushkë e ja kanë vra djlain e Sylës, pra Syla le
të flet i pari dhe rendi asht që ai me folë ma i pari! – tha Rexha.
Sylë
Salihu: unë do t’ju kallxoj qysh e kam pa e qysh e kam ndie këtë ngatërresë
tonën. Le t’flet edhe Rexha, ta thotë t’veten. Sh’pia e Rexhës dhe e jemja gjithmonë e kemi que
mirë, kemi hy e jemi dalë në mes veti. Kurrnjiherë në mes veti fjalë nuk kemi
pasë. Bashkë kemi punue tokën, bashkë jemi rritë, bashkë i kemi ruejt
gjânë*(bagëtinë), kemi qenë miq e
jarana, jemi kojshi dhe jemi n’ni fis. Para 6 javëve djemtë e Rexhës: Zeqiri,
Rama e Hyseni, kanë dalë e ma kanë vra djalin – Jetishin. Cili prej tyne ka
qitë pushkë nuk e di, as që kam dashtë m’i dijtë, ma kanë vra e m’i kanë lanë
jetimat n’derë.
*
Këty
Syla ndalet dhe tregohet inserti nga filmi:
Njerëzit
tuj ardhë në t’pame për djalin e Sylës, e tuj ju thanë atyne n’oborr:
-
Zoti ju lashtë sh’nosh, o burra!
-
Zoti ju paft!
Tuj
ardhë njerëz pa nda, Sylë Salihu në odë e dvetë të vëllain:
-
A kanë ardhë të gjithë me pa kush ka pasë me ardhë me
pa?
-
Po bacë, të gjithë kanë ardhë!
-
Jo! Ia ban Syla. Nuk ka ardhë Rexhep Hyseni më m’pa
për dekë q’i m’ka ndodhë!
-
A i ki que fjalë? – Çou e shko, se pa ardhë Rexhep
Hyseni me t’tanë mashkujt më m’pa, unë nuk e shti djalin n’dhé! – ia ban Syla.
Syla ju shpjegon
Islihatit: - U habita qysh Rexha s’m’erdh n’t’pame, e gjithmonë e kemi pas adet
që edhe vrasësi me ardhë në t’pam’ – kemi qenë kojshi dhe t’ni fisit.
S’vonon shumë e vjen Rexha me krejt mashkujt. N’oborr
tuj ardhe Rexha me mashkujt e tuj ju thanë. ”Zoti ju lashtë shnosh!” e keta tuj
ua kthye: ”Zoti ju paft!”- mashkulli i fundit e nxjerri alltinë prej shoke e ja
dorëzoi njonit prej atyne n’oborr, e Rexha me mashkujt, me duer t’lidhuna mbas
shpine hypen në divanhane (paradhomë) tuj ua bâ: ”Zoti ju lashtë shnosh!” dhe
me duer të lidhuna mbas shpine hynë në odë dhe u ulën në gjunj, deri sa Syla
Salihu nuk ua bani:
-
Rahatonu burra!
Rexha
me mashkujt i zgidhen duert u ulen – disa kam’bkryq e disa qysh mujshin me ndejt
ulun, e tek q’atëherë Rexha po ja u ban:
-
A po merzitëni burra?
-
Jo, jo…! . dëgjohen disa zëra të
burrave në odë. Rexha i drejtohet Sylës:
-
A po mërzitesh burrë?
-
Jo Rexhë! – iu pergjigj Syla. Nuk po
merzitna – djali jam e paska pasë exhel*(dekën) e ju tkasiratë*(fatkeqësi).
Ndërkohë edhe të tjerë ja bojnë: - A po mërzitësh Sylë? – Jo, jo!
përgjigjet Syla. – Zoti ju lashtë sh’nosh! – Zoti ju paft’! – ua ban Syla. Dhe
Syla i drejtohet Rexhës:
-
A po mërzitesh Rexhë? Që na ndodhi kjo e
papritne në mes nesh?
-
Besa fort, beso burrë! Edhe djali im më
m’pas dekë nuk m’u kish dhimb’t ma shumë.
-
Mbaju burrë e mos u merzit – e mramja na
ardhë me hajr! Ia bani Syla.
Sa
kryhet ky insert, vazhdon inserti i filmit mbi varrimin e djalit të Sylës te
vorret plotë njerëz, ndër ta edhe Rexha me krejt mashkujt. Sylë Salihu e mbante
Qyrkun* krahëve (setër e trashë me jakë prej leshi). Imami i xhamisë – Hysni
Hoxha këndoj lutjet dhe ”talkinin” – lutjet e fundit për të vdekunin. Pas
varrimit inserti kah hajnë bukë të gjithë në nji koritë prej druni (”gjyveq”) e
me ta edhe Rexha me mashkuj.
Kur
ngjiten në odë, Sylë Salihu i drejtohet Rexhës me këto fjalë:
-
Rexhë, sonte mbylluni mirë në shtëpi e
mos lejo mashkujt me t’dalë as n’oborr se kam frikë mos po ju vret kush pa
dijen teme. Prej nesrit, nji muej do ta mbajë t’pamen dhe pres më m’ardhë
n’t’pame me krejt mashkujt tu. Bashkë t’i presim e bashkë do t’i percjellim
gjinën (njerëzit) që vijnë me na pá! – i tha Syla.
-
Ashtu edhe do të bahet , o Sylë Salihu! Faleminderës
për burrninë tande se vdekje e madhe t’ka konë! Mendon pak Rexha dhe ju
drejtohet:
-
”Izën” burra” ( m’ë epni lejen burra)
dhe çohet me krejt mashkujt.
Vazhdon
Syla me rrëfye para Islihatit:
-
Ni muej ditë erdh Rexha n’t’pame me krejt
mashkujt e vet, ka pritë e ka përcjellë – ka bâ gajret të madh. Kur u krye
t’pamit, dola e përcjella Rexhën dhe i
thashë:
-
Rexhë, t’pamen e mbyllem sod. Prej
nesrit besë nuk ké!
-
Zoti t’lashtë shnosh! – ia bani Rexha
dhe i habitun u nis me mashkujt e vet.
Sa
shkoj Rexha me mashkuj, Syla ju drejtohet mashkujve të vet që ishin n’aborr:
-
Cilin djalë e ka Rexha ma t’mirin?
-
Qysh po mendon babë – ma t’mirin?! E
dveti Sylën njoni djalë.
-
Cilin djalë e ka mas punëtori, mas
trimi, mas t’vyeshmin, cili ia kish këputë shpirtin nëse vritet?
-
Zeqën babë, Zeqirin! – i përgjigjet ai
djali që edhe e dveti.
-
A Zeqën? Zeqirin vrajeni! Urdhnoi Syla.
Syla
ngjitet në odë dhe i tregon rrjedhen Islihatit: - u mbyllen… ni javë ditë e
mbajtem n’er pushkë po nuk i vramë. Mujsha me ja vra do nipa e do djem’ t’ri,
po nuk deshtëm – dojsha me ja vrá Zeqirin.
Nji
natë djali i Sylës (ai që i kish thanë babës për Zeqirin) e merr pushkën dhe i
afrohet oborrit , ndalet të mullarët e sânëve dhe vëzhgon, kur papritmaz
ndëgjohet zani i nji grueje, ajo ashtë nana e Zeqirit, e cila prej oborrit
thirrë:
-
Zeqir, Zeqir! O Zeqir!
-
Nanë, a m’thirre ja ban Zeqiri prej
dyshekllakut*(shumë dritare ne divanhane me shiqim kah oborri i shpisë)? – ia
ban Zeqiri nanës.
-
Hajde me nanën se ”Lara” (lopa me lara)
nuk asht mirë!
-
Qe nanë, menjiherë! Ia ban Zeqiri dhe
zbret poshtë n’oborr e me nanën shkojnë të lopa, e kah kthehen ia ban nanës:
-
Leee nanë, kurgja nuk ka, ka hangër
tepër!
Dhe
porsa e kryen fjalën me nanën – tak kerset pushka e djalit të Sylës dhe Zeqiri
rrëxohet për se vdekuni. Nana e vet e kap mos të rrëzohet, por trupi i tij i
randë dhe bjen përtokë, e nana e mjera ja ban:
-
Zeqir, Zeqir, qeli sytë Zeqir! E mjera
nana.
Djali
i Sylës, por sa e vrau,qiti edhe tri herë pushkë përpjetë në shenj se e mora
hakun për vëlla. Ndihen të lehurat e qenve, e djali i Sylës largohet me pushkë
në dorë.
-
Kaq! – ju tha Syla – tuj mendue se ua
shpjegoj krejt ngjarjen.
Avdyl
Hoxha: Fol Rexhep Hyseni. Rendin e ke me folë?
Rexha:
Nuk kam shka t’tham kurgjâ. Qysh ka folë Syla, q’ashtu asht, veq ni gjâ kisha
me e shtue: - djali i Sylës asht vra rastësisht, janë ngatërrue diçka në mes
veti dhe djemt e mi e kanë vra djalin e Sylës.
Avdyl
Hoxha: O Ramadan Shabani! A po na folë ti a po flas unë i pari?
Ramadan
Shabani: Fol ti Avdyl Hoxha, unë veq po n’goj!
Avdyl
Hoxha: Kjo punë të mshelet me kaq! Gjaku derdhë ô n’te dy anët. Vrasje për vrasje.
Të qitën dorëzont dhe me i dhanë fund kësaj ngatërrese – jeni kojshi, jeni n’ni
fis, keni edhe mashkuj shumë e me ja nisë prap kësaj pune, me vazhdue hakmarrjen
– faroheni krejt! Qonu burra, merrnu
ngryk e bonjani hallall njani-tjetrit. Qohen të dytë: Rexhep Hyseni e Sylë
Salihu, merren gryk dhe ja shtrijnë dorën njani-tjetrit, ia falin
njani-tjetrit. Avdyl Hoxha ju afrohet dhe ja u shtrin dorën e ju thotë: -
Kofshi faqebardhë burra! E menjiherë të gjithë burrat në odë: - Zoti u nderoftë
burra! Ai që ia tha Avdyl Hoxhës në fillim “ O Avdyl Hoxha, mundemi me ja
nisë!”, tash ua shkepi burrave ka ni cigare.
Avdyl
Hoxha: Kjo maresë u mshel me kaq. Burra kofshi faqebardhë! Dhe pyetë:
-
Kush e ka rendin me dalë para Islihatit?
-
U’ do t’dal para juve burra! Edhe u’ kam n’i
ngatërresë . U’ jam Shaban Hadri prej Skivjani*(katund afër Gjakovës). Shpi e
fortë dhe shpi e madhe: 20 mashkuj t’pushkës i kam n’shpi. E kam ni
ngatrresë t’keqe me Mehmet Alinë prej Pozhari*(katund afër
Deçanit) – kryeparin* (bajraktarin) e fisit t’Berish’s. Mehmeti ma ka borxh n’i
gjak, e unë lypi hak. Lypi hak, po nuk kam dashtë m’i marrë gjakun, kur n’jeva
se do te del Islihati këtu n’Junik. Pra, po e lô o pleqnarëqë Islihati ta pleqnon
këtë punë dhe qysh ta pleqnon Islihati këtë punë, unë rri mbas fjalëve t’juaja
e nuk luej. Po tham edhe niherë: Kam mujt me marr hak, me qitë pushkë, po nuk
kam dashtë! – thotë Shaban Hadri.
Ramadan Shabani: A asht këtu Mehmet Alija?
Mehmet Alija: Po, unë jam Mehmet Alija!
Ramadan
Shabani: - A po folë ti i pari si ja
paske ni gjak borxh, apo t’folë i pari
Shaban Hadri?
Mehmet A: Shabani ka lypë me dalë n’Islihat, le t’fol
Shabani i pari!
Ramadan Sh: E ku ô nisë kjo ngatrresë?
Shaban H: N’shpi t’ Mehmeti ô nisë!
Ramadan
Sh: E atëherë , Mehmeti le t’flet i pari!
Mehmet A: - M’erdh Shaban Hadri e m’hini n’odë. E
prita qysh o rendi po nuk e dveta për shka o ardhë. Po Shabanin e kam pa njohtë
edhe ma përpara, s’kemi pasë n’aj miqasi po jemi njoftë, e besa m’habiti kur
m’kallxoj pse kish ardhë.
(Tregohet
inserti nga filmi si ka ngja në odën e Mehmet Alisë):
Shaban
H: - Mehmet, lej ato fjalë, qikën me ma dhonë, mik ma t’mirë tybe nuk gjonë!
Mehmet
A: - Mirë se ki ardhë Shaban, rrijmë e bojmë tjetër muhabet, ma andej mos me
shti – qikën nuk muj me ta dhonë!
Shaban
H: - Qe besa mundesh më ma dhonë edhe mirë bile! Pse s’mundesh më ma dhonë, mik
ma të mirë nuk gjonë tybe!?
Mehmet A: - Asht e vogël, Shaban-o, 14 vjeqe, e pos
kësaj… ( e nderpret Shabani):
Shaban H: - Qy, qy, po pej kurit koka e vogël qika 14
vjeqe? Nuk asht e vogël, jo, po asht taman, me konë ma e madhe as qe ta kisha
lypë, a po pritë lute-a (lutje), po qou e boma perhajr!?
Mehmet
A: - Nuk ta kam rendin për miqasi!
Shaban H: - Nuk ma kije rendin… kush po t’vetë a ma
kije rendin a jo! Mos ma paq ti mue rendin, ta kam unë ty rendin – veq
kije më ma dhonë!
Mehmet
A: - Shaban Hadri, mendoj se nuk âsht rendi me këso fjalësh më me hi e më me ranue n’odë, me t’mirë e me t’butë po
t’thom: rob për ty nuk kam! Ma gat’ mos ma qo!
Shaban
H: - N’go kha shka po t’thom Mehmet Alija! 20 mashkuj t’pushkës i kam! 17 shpi
i kam kojshi e akraba, të tonë e dijnë se unë sod kam ardhë me ta lypë qikën
për djalë tem, u’ duer thatë nuk kthehna. Me bo e me y kthye duerthatë, m’vesin
(dvesin) e m’thonë: Mehmet Alija nuk t’paska bâ kabull*(pranue) për mik! Po,
mos ma bo k’tohen!? Qe besa unë di edhe ndryshe!
Mehmet
A: - Ni herë për niherë s’e kam ndermend m’i dhonë qikën! E qysh po mendon ti
Shaban, ndryshe?
Shaban
H: (tuj qesh me ironi, e djali i Mehmetit veq po e vezhgon muhabetin midis
Shabanit e babës vet) – E po q’po don më m’shti telasheve, boll po pritoj, po
m’vet qysh-a? Qe qysh: dal n’udhë qes pushkë e lajmëroj krejt katundin si ma ki dhonë qikën për djalë, e ti n’mujsh
m’i nalë – nale (ndale)! (tuj ju ngërdhuzë Mehmetit i dalin sytë duq).
Mehmet
A: (tuj e kqyrë me habi) – Kofsh faqebardhë
që po kallxohesh kaq trim, po besoj se je burrë e nuk ma ban këtë kori
(marri)?!
Shaban H: - Mehmet!? Ty ka nisë me t’mlue pleqënija, e
djalin e kije t’vogël, e shka mundesh më m’bo ti?! Njeri pa Zot, o Mehmet! Nuk
ta qet me mue, po qou e boma perhajr qysh e do adeti e zakoni!
Mehmet A:- M’as këtyne fjalëve që m’i thé, mendjoj se
në mes nesh nuk mund të ketë miqasi!
Shaban H: - Ashtu-a? E atëherë na koftë përhajr
miqasia! Qohet Shabani e del n’aborr (Mehmeti me djalë mbas tij) e kap kalin
për frèni dhe ja ban Mehmetit:
-
Mbas 5 javëve t’i bije paret e ma bon
qikën gati! E Mehmeti ja ban:
-
Mos burrë, mos em bon telashe! Kjo punë muerr fund me
kaq!
Shaban H: - E mbaj menden – kismet n’koftë, pa hi
n’dimën m’i martue djalin. Mirë u pafshim bre mik e NA KOFTË PËRHAJR! Dhe e
nxjerr’ alltinë e qet 4 herë përpjetë (n’aborr t’Mehmetit) dhe niset…
Mehmeti me djalë mbeten tuj e kqyrë seri… djali i
Mehmetit po i thotë babës:
-
Babë, ky na muerr fjalën me zor!?
-
N’gom mirë shka po t’thom djali i babës: Veq ty t’kam
para dere, po bone e i kallxove kujt për ketë t’zezë qe na bani Shaban Hadri,
me dorën teme t’vras! – ja boni Mehmeti , djalit.
-
Motrën me zor nuk je
‘epi! I tha djali, Mehmetit
-
Këtë punë leja ti babës, pa ja dhonë s’kemi qare, se
na m’i ndalë qikën, ngjehet qika e lëshueme! – I tha Mehmeti.
*
(Ky
insert filmi, u bëri me dije krejt qysh o shkue muhabeti në mes Shabanit e
Mehmetit në odë të Mehmetit. Dhe tash Mehmet Alija po e vazhdon fjalën para
Islihatit:
-
As burrave të fisit, as kërkuj s’i
kallxova qysh u bo puna e fejesës se qikës teme. Vendosa me ja dhonë qikën
Shabanit. N’krye t’pesë javëve m’erdh apet Shaban Hadri, e kish marrë me veti
edhe ni kushëri t’vetin, dhe:
Shaban
Hadri (n’odë t’Mehmetit): - Ashtu qysh jemi marrë vesh, ti pruna paret për
qikë. Sod dy javë, n’koftë kysmet vi e marr nusen!
Dhe
ja gjuen ni truq pare të mbeshtjelluna në ni marhamë/peshqir, dhe me ngërdhuzje
ja ban Mehmetit: - ngjehi paret! N’tu dokshin pak, t’bie apet, veq qele gojen e
lypi paret. Robin e du më ma bo gati qysh o ma se miri, le ta di edhe ajo se
nusja e kujt asht e n’çfarë shpije po shkon. Ngjehi paret! Ia ban ngerdhuzshëm.
Mehmet
A: - Kofsh faqebardhë Shaban Hadri, nuk ka nevojë me pru mâ, boll ki pru!
Shaban H: - Qehre Mehmet Alija, për gëzim kemi ardhë
me ”da vade”*(caktue afat), he, he, he… e ti po m’rrin mazun*(i mrrolur). Kjo
dynjé asht për t’fortin! Ku asht i forti q’aty asht drejtësia!
*
Vazhdon Mehmeti
dhe u shpjegon në odë:
-
I pruni paret qysh ô rendi, I pruni
paret e vet e dajti vaden, e djati vaden vet n’odë teme. E bona qikën gati dhe
mbas dy javëve erdhen kryshqit: (nga inserti filmik shifet kjo ndodhi): Krushqit
me flamur kombëtar rrijnë n’kamb n’oborr t’Mehmetit, Shaban Hadri ju rri
përpara, tuj u end si mos me ju nxanë vendi vend. Del Mehmeti n’derë t’ahrit e
veq ua lëshon ni sy krushqive, të cilët bojshin hajgare me të, e pas pak del
Mehmeti n’derë e ju thotë:
-
Burra, nusen e bona gati, e qita n’kerr!
I afrohet Shabani e ja ban:
-
Pasha Zoten m’ki dal burrë, ashtu qysh
t’kam mendue, hajde boma përhajr, dhe Mehmeti ia zgjat dorën si ”rrejshëm” dhe
merren ngryk. Ndihem disa krisma të alltisë, tak, tak, tak, e Shabani ju thotë:
-
Mallin e muerrem e s’kem shka presim!
Dhe nisen kryshqit e dalin prej oborrit të Mehmetit. Mbas tyne del kerri i
nusës i mbuluem me qylym e ni varg thmish i shkojnë përmbrapa …
Kthehet Mehemti e don me hyp
n’odë, kur të dera e ahrit, i takon do kushëri qe kokan konë mbrenda n’odë, e
po dojnë me shkue, e ju thotë:
-
Burra, hajde hina brenda e ta pijmë ka
ni kafe!?
-
Boll kemi pi, e po shpërndahemi nëpër
shpija! – ja ban njani kushëri.
-
Po, po, po hijmë mbrenda se kam me ju
thonë nja dy-tri fjalë! – ju thotë Mehmeti dhe ju prinë përpara e ngjitën në
odë e ulën, e Mehmeti ju tregon qysh ja muerr Shaban Hadri fjalën e qikës…
-
Koka bô e zezë dita! Pse Mehmet mos me
kallxue? M’e pas dijtë, kurrë për t’gjallë s’e kish marrë qikën! Edhe tash s’osht vonë! Qohi burra e t’i kapim armët, e
t’i nxomë pritat, e ta kthejmë qikën n’shpi!
-
Kadale burra, mos merrni zjarm! Ja u ban
Mehmeti. Na qikën mujm m’i tkhye, po çka bojmë mandej? Na jetë qika vejushkë, e
ky nuk asht kurrfarë denimi për Shabanin, ai apet e marton djalin n’gjeti*
(tjetër kund), e né na jetë fytyrë e keqe!
-
Mirë e ka Mehmeti! Thotë njeni nga
kushërijtë dhe shton: Po çka me bo ore Mehmet?
-
A doni me luftue për ftyrë teme e për
ftyrë t’fisit? I dvetë Mehmeti.
-
Po! Të gjithë kushërijtë n’ni zâ.
-
Unë sod pushkë po qes, veq ta dini. Janë
kallabllak, kanë shumë mashkuj e armë : 17 shpi janë akrabatë e Shabanit, veq
shpija e Shabanit i ka 20 burra t’pushkës. Unë pushkën po e nisi, po ku do
t’nalet ajo pushkë, ni Zot e din!? Ju tha Mehmeti.
-
Le t’nalet ku t’nalet, na paska koritë
Shaban Hadri, pa luftue nuk kemi qare!- ju thon njoni prej kushërijve.
-
Atëherë burra, po ja bojmë kështu:
mbledhni burrat e fisit, të tonë kush ban pushkë, me dalë m’i rrethue Skivjanin
edhe shpinë e Shaban Hadrit. Ju dy djemt me shkue të Shabani e më ma qitë
perjashta dhondërrin – djalin e Shabanit. Thueni jemi
ardhë me lujtë e me to me u mahitë…
-
NA KOJFTË PËRHAJR E U DAFSHIM
FAQEBARDHË! Ju thotë Mehmeti.
*
Në shtëpinë e Shaban Hadrit në
Skivjan kishte dasmë. Shabani, tuj e mbështjellë n’i duhan e tuj ba muhabet me
një kushëri, hyjnë mbrena ata dy djemët të cilëve Mehmeti ju kishte thonë me ma qitë dhondërrin përjashta,
dhe ja bojnë Shabanit dhe atij kushërinit të tij:
-
Marhaba burra, e përhajr ju koft!
-
Marhaba, e hajr paçi e kofshi shnosh! Ja
u kthen Shabani.
-
A e kemi dhondërrin kësajde?
-
Po kësajde asht, diku o mshef se po i
vjen marre! Ju thotë Shabani.
-
Për q’ata jena ardhë: me e ngucë pak e me
ja hjekë marrën.
-
Ngucne, ngucne, ha, ha, ha…! Ja u ban
Shabani dhe e thirrë djalin:
-
O dhondërr! – kush e di ku e ka shtij
kryet? Ju thotë Shabani.
Dhondërri e paska ndije dhe o nis
me ardhë ta baba.
(mbrapa zidit (murit) të oborrit
vjen Mehmeti hypun n’kali e me pushkë n’dorë dhe iu afrohet dyerve të oborrit
që ishin qelun). Dhondërri tuj ardhë të baba (Shabani), taman afrohet ngat, kur
kurset pushka e Mehmetit: tak dhe t’ia ngjet dhondërrit e Shabani mundohet mi
mbjajtë mos me u rrëzue ne tokë (këta dy djemt, përvidhen e dalin për dere e
përjashta), tuj e mbajtë Shabani djalin e vramë, i mbushen duert me gjak dhe
kur kqyr, qe ju ka afrue Mehmeti, e Shabani ja ban:
Shaban
H: - Mehmet, dikush ma vrau dja…(dhe Mehmeti ja pret fjalën ë fyt dhe ja ban me
dij se ”unë…!”, e Shabani ja ban: - Ti!!!??? Mehmeti i dredhet e i thotë
Shabanit:
-
Krejt Skivjanin e kam rrethue me burrat
e fisit, edhe shpinë tande e kam rrehtue. I kije edhe 3 djemë, njonin sonte
bane dhondërr e shtine të qika! Bane e ma lé sonte qiken pa burrë, mashkull
t’gjallë n’derë nuk t’lo! Dhe Mehmeti kthehet me kali e del për dere, Shabani e
lëshon djalin e vramë, e me duer të përgjakuna e kqyr Mehmeti habitshëm…
Dhe me kaq, Mehmet Alija e kryen fjalën para
Islihatit, dhe e përfundon me fjalët:
-
Kaq! Tash ju o pleqnarë, pleqnojeni qysh
të dini e qysh të doni?! Ju thotë Mehmet Alija pleqnarëve në Islihat.
Këtu
përfundoj pjesa (1) v i j o n
E-
post: ekspertih@hotmail.com
No comments:
Post a Comment