Tuesday, May 21, 2013

SPD - nga shoqatë punëtorësh në parti moderne qeverisëse

Partia Socialdemokrate gjermane është themeluar para 150 vjetësh. Ajo është partia më e vjetër demokratike në botë. Ajo çka filloi si një lëvizje punëtore, u kthye më vonë në një parti që i dha formë shtetit social
.
Babai themelues i SPD-së, Ferdinand Lassalle Babai themelues i SPD-së, Ferdinand Lassalle
Çdo parti ka mitin e saj të themelimit. Për partinë më të vjetër demokratike të botës, ky mit gjendet shumë prapa në kohë. Kështu ora e lindjes së Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) i përket asaj epoke të largët, kur punëtorët pa të drejta u ngritën në revoltë kundër patriarkëve të sipërmarrjeve. Veprimi i tyre i organizuar dhe politik i dedikohet në radhë të parë një njeriu: Ferdinand Lassalle. Në 23 maj 1863 djali i kamur i një tregtari u bë forca lëvizëze e themelimit të Shoqatës së Përgjithshme të Punëtorëve gjermanë në Leipzig. 150 vjet më vonë Lassalle konsiderohet si bashkëthemelues i lëvizjes socialdemokrate, e cila në vitet deri në fund të shekullit të 19-të u zhvillua më tej në Partinë Socialdemokrate gjermane (SPD). "Mesazhi i themeluesit ishte: nëse ju punëtorë doni të ndryshoni pozicionin tuaj, atëherë duhet të obligoni shtetin t'ju bëjë qytetarë me të drejta të barabarta dhe të siguruar ekonomikisht", kujton politikani i njohur socialdemokrat, Erhard Eppler.
Ish sekretari i përgjithshëm i SPD-së Franz Müntefering Ish sekretari i përgjithshëm i SPD-së Franz Müntefering
Përmes shoqatave të punëtorëve dhe socialdemokracisë së re, mëditësve të varfër për herë të parë iu dha mundësia të kualifikoheshin profesionalisht dhe politikisht. Më shumë se gjysma e qytetarëve në vend ishin asokohe analfabetë, e drejta e votës së lirë dhe të fshehtë nuk ekzistonte. Ish-sekretari i përgjthshëm i SPD-së Franz Müntefering, kujton me kënaqësi historinë e atyre dhjetë burrave që punonin atëherë në një fabrike cigaresh: "Nëntë prej tyre bënin punën dhe njëri u lexonte me zë të lartë nga një libër, të cilin e kishin blerë bashkarisht, në mënyrë që të merrnin pak formim politik dhe shoqëror." Premtimi i Lassalle, se ngritja sociale është e mundur përmes arsimimit, vlen edhe sot si një nga kërkesat qendrore të SPD-së.
Përndjekja, radikalizimi dhe qëndresa e socialdemokracisë
"Nga momenti kur kjo shoqatë të ketë edhe vetëm 100.000 punëtorë gjermanë, ajo do të jetë një fuqi me të cilën duhet t'i bëjnë llogaritë të gjithë", shkruante Lassalle në programin e parë të partisë së socialdemokratëve të rinj. Dhe ai pati të drejtë: shpejt nga partia e punëtorëve në kohën e Perandorisë gjermane, shtetit të parë kombëtar gjerman nga 1871 deri 1918, u krijua një parti e masave me gati 1 milion anëtarë. Në zgjedhje ajo mori një të tretën e votave. Socialdemokratët patën një sukses aq të madh politik sa u ndaluan nga ish kancelari i Rajhut, Otto von Bismarck, me të ashtuquajturat ligje të socialistëve. Për 12 vjet socialdemokratët e afërt me sindikatat u përbuzën, u poshtëruan dhe u detyruan të emigronin. "Në fund ligjet e socialistëve i ndihmuan madje socialdemokratët", thotë ish politikani drejtues i SPD-së Erhard Eppler, "pasi SPD kishte tashmë martirët e saj dhe shumë shpejt u bë e qartë se nuk mund të na shtypnin pasi numri i punëtorëve ishte rritur me shpejtësi."
Bastisje në shtëpi në kohën e ligjit për socialistët, 1879 Bastisje në shtëpi në kohën e ligjit për socialistët, 1879
Përndjekja pati megjithatë si pasojë radikalizimin e një pjese të partisë, pasi gjithnjë e më shumë socialdemokratë përqafuan idetë e marksizmit revolucionar, i cili parashikonte rrëzimin e rendit ekzistues dhe lindjen e një sistemi të ri politik pa ndryshime klasore dhe pa pronë private. Rreth fundit të Luftës së Parë Botërore në nëntor 1918, kjo solli në mënyrë të pashmangshme përçarjen e lëvizjes punëtore, në forca të reformuara dhe revolucionare. Kur perandori i fundit i Gjermanisë Wilhelm II. abdikoi, të dy kampet socialdemokrate në 9 nëntor 1918 bënë thirrje njëkohësisht për themelimin e republikave të reja të ndryshme. Anëtarë i SPD-së Philipp Scheidemann shpalli nga Rahjstagu në Berlin një republikë demokratike të moderuar, ndërsa Karl Liebknecht foli për një variant socialisto-komunist.
Otto Wels në Reichstag 1932. Otto Wels në Reichstag 1932.
Megjithatë pak më vonë në vitet 1920 dhe 1930 me emrin e socialistëve u lidh edhe dështimi i fazës së parë të demokracisë në tokën gjermane. Republika e Vajmarit nga 1918 deri 1933, e themeluar dhe e mbështetur nga socialdemokratët e moderuar të shumicës, ishte politikisht e paqendrueshme, situata ekonomike thuajse e pashpresë për shkak të hiperinflacionit dhe papunësisë masive. Këto struktura të dobëta demokratike nuk mund t'i bënin më ballë ngjitjes së nacionalsocialistëve me në krye Adolf Hitler. Vetëm këtë patën mundësi të bënin: në 23 mars 1933 të 94 deputetët e SPD-së në parlament, votuan kundër atij ligji shfuqizimi, me të cilin Hitleri eliminoi demokracinë në Gjermani, për ta zëvendësuar me sundimin e tij arbitrar. "Lirinë dhe jetën mund të na e marrin", tha atëherë anëtari i SPD-së Otto Wels, "por nderin jo". Për kryetarin shumëvjeçar të SPD-së Hans-Jochen Vogel, kjo revoltë pa sukses kundër regjimit nazist vlen ende sot si një nga orët e ndritura të demokracisë gjermane, "pasi të gjitha partitë e tjera votuan pro."
Nga parti punëtorësh në parti popullore moderne
Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore SPD u kthye në një parti të majtë popullore, e cila kryesisht në vitet e para të pasluftës merrej me vetveten. Ndërkohë që partitë konservatore qeverisëse të Gjermanisë çonin përpara rritjen ekonomike të vendit sipas rregullave kapitaliste, SPD korrigjoi qendrimin e saj bazë antikapitalist. Në të ashtuquajturin "program i Godesberg-ut" të vitit 1959, partia pranonte ekonominë e tregut, por me sisteme të forta sigurimi social. Për ish-sekretarin e përgjithshëm të partisë, Franz Müntefering, dokumenti themelor është në mënyrë simbolike i barazvlefshëm me një rithemelim të partisë së tij. "Ishte hera e parë që u ftuan të bashkëpunojnë të gjithë ata që përqafojnë idetë e socialdemokracisë."
Kongresi i partisë SPD në Godesberg,15.11.1959 Kongresi i partisë SPD në Godesberg,15.11.1959
Me fillimin e koalicionit të madh të vitit 1966, nisi dhjetëvjeçari i karakterizuar nga socialdemokratët në Gjermaninë e pasluftës. Nëse politikanët socialdemokratë të brezave të ndryshëm kishin sanksionuar më parë në shtetin social gjerman të drejtën e përgjithshme dhe të barabartë të votës, të drejtën e votës për gratë, ditën tetëorëshe të punës dhe vlerësimin e sindikatave, kancelari socialdemokrat Willy Brandt nga 1969 e vuri theksin para së gjithash tek politika e paqes dhe pajtimit me shtetet socialiste të Evropës Lindore. Në vitin 1971 Brandt mori Çmimin Nobel për paqe për gjunjëzimin e tij në Varshavë, me të cilin në mënyrë simbolike i kërkoi falje si kancelari i parë gjerman popullit polak, për krimet e nazismit. Për Egon Bahr, arkitektin e politikës së Lindjes të kancelarit Brandt, ai mbetet ende sot një moment emocionues: "Ishte instinkti i momentit që e shtyu të bënte atë gjest me të cilin një njeri që nuk mban asnjë faj, kërkon falje për fajin e popullit të tij."
Gjunjëzimi i Willy Brandt në Varshavë Gjunjëzimi i Willy Brandt në Varshavë
Një parti popullore mes krizës së identitetit dhe fillimit të ri
Kryesisht në vitet para dhe pas ribashkimit paqësor të Gjermanisë pas rënies së murit të Berlinit në 1989, SPD nuk pati ndikim politik. Helmut Kohl nga Partia Kristiandemokrate (CDU), konsiderohej si "kancelari i bashkimit", gjë që i solli për vite me radhë në karriget e pushtetit partisë konservatore. Ndërsa socialdemokratët mbetën në stolin e opozitës deri në 1998. Vetëm ndryshimi i qeverisë nën drejtimin e kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder, i dha SPD-së guxim për rinovim. Schröder e transformoi ish partinë e punëtorëve në një parti të "qendrës së re", e cila votohej njëlloj nga nëpunës, profesionistë të lirë dhe nga shtresa në tkurrje e punëtorëve. Papunësia e lartë dhe recesioni ekonomik detyruan megjithatë socialdemokratët që me konceptin e tyre reformator "Axhenda 2010" të nisnin një transformim radikal të tregut të punës dhe sistemit social.
Socialdemokrati gjerman Erhard Eppler Socialdemokrati gjerman Erhard Eppler
Shtresa tradicionale e votuesve të partisë, punëtorë nga industria dhe persona me të ardhura të ulëta, u larguan prej saj, gjë që pas përfundimit të qeverisjes nga Gerhard Schröder (2005) e hodhi partinë në një krizë identiteti disavjeçare.
Për socialdemokratin e orëve të para Erhard Eppler, misioni themelues i SPD-së është megjithatë më aktual se kurrë. Pasi pikërish sot duhet penguar që demokracia të ndryshojë sipas rregullave të lojës së tregut: "Nëse tregjet përcaktojnë se çfarë ndodh, nuk do të kishim më aspak demokraci". Misioni i socialdemokratëve është pra sipas Epplerit, ta ndryshojnë tregun në mënyrë të tillë, që edhe në shekullin e 21 të harmonizojë me demokracinë. "Kjo është një detyrë jo më pak e rëndësishme se ato që kishte socialdemokracia në fillimet e saj", thekson socialdemokrati Erhard Eppler.

No comments: