Friday, May 24, 2013

Standardi i gjuhës shqipe, sigurisht, duhet kuptuar si synimi më i lartë

Me Gjovalin Shkurtaj
Anëtar i Grupit Hartues dhe i Redaksisë së “Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” (ADGJSH) (vepër madhore e gjuhësisë shqiptare, vëllimi I, Napoli, 2007, vëllimi II, Napoli, 2008, bashkautor me J. Gjinarin, B. Becin, Xh. Gosturanin). Anëtar i Grupit Shqiptar të “Atlas Linguarum Europae” (ALE) dhe Anëtar i Komitetit Kombëtar Shqiptar për ALE (Atlas Linguarum Europae). Sekretar shkencor i përmbledhjes “Dialektologjia shqiptare” (I-VI).Anëtar i Redaksisë së revistës “Studime Albanologjike” të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.Anëtar i Redaksisë së revistës “Studime Filologjike” të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.Anëtar i Redaksisë së revistës “Sfidë” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Anëtar i Redaksisë së AIITC “Univers”, revistë shkencore kulturore e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.Kryredaktor i revistës “OPTIME” të Albanian University, UFO, Tiranë.Anëtar i Këshillit të Profesorëve të Albanian University, UFO, Tiranë. Anëtar i Redaksisë së Revistës “Fryma e Filozofisë ” -Graz (Austri), themeluar dhe drejtuar nga Kristë Shtufi.Anëtar i Rrethit Gjuhësor Ndërkombëtar “Amici Linguarum” me qendër në Gotteborg, Suedi dhe Moskë (Rusi). Po lejohem t’ju përgjigjem me një perifrazë gazmore. Kam shkruar shumë libra dhe, shpesh, më duket vetja si nënat që lindin shumë fëmijë dhe që, nganjëherë, ua ngatërrojnë edhe emrat. Kam filluar me studime mirëfilli dialektologjike, së pari, për të folmen e Kastratit dhe të folmen e Bregut të Matës, të Ishullit të Lezhës e të Ishullit të Shëngjinit, para se të emërohesha në Institutin e Gjuhësisë, pastaj atje, si punonjës shkencor e sipas planit të përcaktuar nga Sektori i gramatikës dhe i dialektologjisë, ku kam punuar 22 vjet, kam studiuar të folmet e tjera të Malësisë së Madhe dhe kam botuar monografi të gjera për Hotin, Kelmendin, Rranxat e Mbishkodrës, për të folmen e shqiptarëve të Malit të Zi dhe për të folmen e qytetit të Lezhës, të cilën e kam pasur edhe si tezë disertacioni për gradën “Doktor i shkencave”. Por, qysh në fillesat e punës e deri sa jam shkëputur nga Instituti (në maj të vitit 1989), gjithmonë, përveç detyrave që ishin pjesë e planit të punës, kam pasur shumë të zjarrtë edhe “mallin e shtampës” dhe kam shkruar e botuar shumë studime, artikuj e libra që ishin “jashtë planit” të Institutit,por ishin në planin e dëshirave të mia,buronin nga ato që punoja kryesisht mbas orarit të punës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, gjithmonë mbasi kisha realizuar e plotësuar të gjtha detyrat e caktuara nga Instituti ku punoja. Motoja e asaj kohe ishte: “Plani është detyrë, tejkalimi është nder!” Madje, atëherë kishim edhe “tabelë nderi” ku shpalleshin fotot e punonjësve më të dalluar dhe aty kam qenë edhe unë për shumë vjet radhazi. Kam shkruar artikuj për shtypin shkencor, sidomos në revistat “Studime filologjike”, “Gjuha jonë” dhe “Kultura popullore”, “Gjurmime albanologjike” “Zjarri”, “Mondo Albanese” etj. dhe në gati të gjitha revista e gazetat kryesore të kohës, sidomos te ”Nëntori”, “Lettres Albanaises”, “Shkenca dhe jeta”, “Ylli”. Kam botuar shumë artikuj edhe në gazeta, më shumë te “Mesuesi”, po edhe te gazetat e mëdha të përditshme,aq sa nuk besoj të ketë mbetur ndonjë organ i papërfillur e pa botuar ndonjë shkrim në të. Kam qenë i pamungueshëm në të gjitha konferencat shkencore kombëtare qysh nga Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (1968), në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), në Konferencën Kombëtare të Studimeve Etnografike, në konferencat shkencore përkujtimore kushtuar “Kongresit të Manastirit” (1998, 2008), “Konsultës së Prishtinës” (2008) dhe “Kongresit të Drejtshkrmit” (1982,1992,2002 dhe 2012 në Universitetin e Korçës). Kam marrë pjesë dhe kam mbajtur kumtesa dhe në shumë konferenca e kongrese gjuhësore ndërkombëtare jashtë shtetit, si në Itali (Romë, Kozencë, Palermo, Salerno, Bolonja, Bari, Termoli), në Rumani (Iiashi), në Greqi (Selanik), në Angli (Glasgou), në Poloni (Krakov), në Letoni (Riga) dhe kam botuar artikuj e studime në disa revista e përmbledhje studimesh në disa vende të Evropës, si dhe në revistën prestigjioze “International Journal of the Sociology of language“, 178, 2006, Belin-New York, të drejtuar nga Joshua A. Fishman. Qysh nga viti 1968, duke qenë se jepja edhe lëndën Kultura e gjuhës në Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës dhe e regjisë, jam marrë me shumë pasion edhe me shkrime të kësaj fushe, botova edhe librin “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran”, që është i pari i llojit në historinë e librave për kulturën ligjërimore në shkollat e larta artistike.E kam dhënë atë lëndë për shumë vjet në ILA (sot Universiteti i Arteve) dhe ai libër ka ardhur duke u përpunuar e përsosur dhe e kam botuar disa herë, duke ia përshtatur edhe detyrave e kërkesave të kohës: “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe”, Kristalina-K-H”, Tiranë, 2003 (250 f.), “Kultura e gjuhës” (SHBLU, 2006) dhe, së mbrami, “Shqipa e sotme”, UFO Press, 2010. Për problemet e gjuhës së teatrit e të filmit kam shkruar shpesh edhe në revistën “Skena dhe ekrani” dhe në gazetën “Drita”. Gjatë periudhës 1991-2011,si pedagog në UT, për nevojat e mësimdhënies e të pajisjes së lëndëve me tekste universitare bashkëkohore, kam hartuar e botuar disa tekste dhe monografi studimore, të cilat kanë shërbyer dhe vazhdojnë të jenë si bazë e disa lëndëve kryesore, si: Dialektologjia, Sociolinguistika, Bazat e shkrimit akademik. Qysh në vitin 1996, bashkë me prof.Gjinarin, hartuam librin ”Dialektologjia”, që është varianti më i gjerë (dhe deri sot më i ploti) i kësaj lënde, pastaj themelova lëndën e re të Sociolinguistikës dhe botova librin përkatës, i cili, gjithashtu ka pasur disa ribotime, gjithmonë edhe me shtesa e plotësime thelluese, deri te varianti më i plotë ”Sociolinguistikë e shqipes” (2009), si dhe “Etnografia e të folurit” (2004, 2009, 20012) dhe ”Onomastikë dhe etnolinguistik” (2001). Po ashtu, në vitin 1996 kam botuar librin “Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut, me bashkautor, libër që ka pasur edhe ai disa ribotime nga Shtëpia Botuese “Toena” dhe vazhdon të ketë kërkesa për të nga shumë vende të botës.
Vazhdimi dhe përqendrimi juaj në fushën e Gjuhësisë, fillimisht ka qenë dëshirë e juaja apo një rastësi në dhënien e bursave të studimit të asaj kohe? Në çfarë dege ju doli e drejta për studimet e larta dhe si u ndjetë, çarë emocione provuat?
Qysh i vogël kam pasur dy dhunti të këndshme për ata që më donin: këndoja bukur dhe më pëlqente t’i imitoja njerëzit simbas zërit e të folurit. Në dialektin verior kësaj vetie i thonë “me shpotit” ose “me vu në shpotë”. Të kënduarit, mbas adoloshencës zërin e bukur të djalërisë e humba, kurse aftësia për t’i imituar të folmet e njerëzve të ndryshëm jo vetëm më ka mbetur, por edhe më ka shërbyer sidomos në anketimet dialektologjike. Në vendet ku shkoja për ekspedita, gjithmonë, jam përpjekur ta përshtas të folurit tim me atë të vendasve. Këtë e kam bërë, jo vetëm në Malësi të Madhe, po edhe gjetkë, në Shqipërinë e Jugut, në Kosovë, në Mal të Zi dhe, madje, edhe te arbëreshët e Italisë. Në Kosovë, për të qenë sa më i atillë që të mos ndruhen prej pyetjeve të mia, edhe emrin e ndërroja. Atje u thosha se quhem Xhemajl, kurse te arbëreshët e Italisë natyrshëm unë quhesha Xhovan ose Xhuanin. Por, si i thonë fjalës, le t’i lëmë “mahitë” dhe po i përgjigjem pyetjes suaj. Në vitet 1958-1962 ndoqa dhe kreva Shkollën e Mesme Pedagogjike të Shkodrës dhe ajo periudhë ka qenë fatlume për mua, sepse shumica e mësuesve tanë ishin aq cilësorë në mësimdhënie, si dhe aq të përgatitur teorikisht e shkencërisht, saqë edhe na përudhën në dëshirën për dije e, në mos tjetër, na dhanë modelin se si duhej të gjakonim të bëheshim. Kishim asokohe mësues të gjuhës e të letërsisë si Neki Lezha, Luigj Franja, Shefik Osmani, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Tomor Osmani etj., të cilët, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik (sot Universiteti) i Shkodrës, do të ishin nga më të parët pedagogë të tij. Pra, sigurisht, dëshira që të bëhesha, nuk po them gjuhëtar, por së paku mësues i gjuhës e i letërsisë shqipe, më është zgjuar qysh në shkollën e mesme. Kjo dëshirë do të shkonte më tej, kur pata, përsëri, fatin e mirë të fitoja bursë shteti për Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega e gjuhës dhe e letërsisë (1962-1966). Në ato vite aty jepnin mësim figurat më të dallura të gjuhësisë shqiptare, si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Selman Riza, Anastas Dodi etj. si dhe kishim, gjithashtu, pedagogë të lavdishëm të letërsisë botërore e shqiptare, si Zijaudin Kodra, Mark Gurakuqi, Muzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami, Nasho Jorgaqi etj. Kishim pedagogë të latinishtes e të gjermanishtes që ishin figura të mirënjohura të filologjisë shqiptare, si Henrik Lacaj në latinisht, Pashko Geci në gjermanisht, Shpresa Kseno në rusisht etj. Prej tyre morëm jo vetëm dije të vlefshme, po edhe modelin e bukur të mësimdhënësve sa të zotë e të përkushtuar, aq edhe objektivë e të drejtë. Sidomos të drejtë e të paanshëm. Prej asaj cilësie të tyre, natyrisht, kam pasur edhe unë fatin e lumtur që të vlerësohesha e të cilësohesha si student me prirje për t’u marrë me studime gjuhësore. Dhe, po përmend vetëm një fakt të paharrueshëm e që më ka mbetur për gjithë jetën si peng nderimi e mirënjohjeje. Kur mbrojta diplomën me temën “Vëzhgime për të folmen e Kastratit”, megjithëse nuk ishte oponent zyrtar, për temën time foli edhe prof. E.Çabej, idhulli ynë i atëhershëm dhe i përhershëm, i cili, ndër të tjera, tha se për rastin tim duhej të mendohej që të kisha edhe një vend pune në fushën e dialektologjisë. Ajo fjalë e mirë, ndonëse në fillim do të emërohesha në Breg të Matës si mësues, pa shkuar shumë kohë, në vitin 1967 do të realizohej dhe unë fillova punën si dialektolog. Për 10 vjet radhazi, kam pasur gëzimin e nderin të isha në një zyrë me Eqrem Çabejn. Ato dhjetë vjet në atë zyrë, ku punonin edhe disa kolegë të tjerë, unë i quaj si shkolla ime e vërtetë pasuniversitare. Mbi të gjitha aty kishte disiplinë pune dhe kjo për hir të pranisë dhe metodës së punës që na impononte pikërisht prania aty e një figure kaq të madhe e kaq serioze si Ai. Më ka dashur dhe më ka afruar shumë, gjithmonë me stilin e tij gjermanik, pa lejuar asnjë konfidencë të tepërt, por kurdoherë me dashamirësi e gatishmëri për të na ndihmuar. I jam gjithmonë mirënjohës atij dhe kolegëve të tjerë më të moshuar, më të rëndësishëm se ne, por që na mbajtën pranë dhe prej modelit të tyre edhe ne ecëm përpara. Në Institutin tonë të Gjuhësisë e të Historisë në ato vite ka pasur burra të shquar (e që rrallë mund t’i përsëriten kombit tonë), si Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Injac Zamputi, Stavri Naci etj. prej të cilëve edhe pse ishin historianë e në sektorë të ndarë prej nesh, dëgjonim sidomos diskutmet në mbledhjet e mëdha të analizës vjetore, kumtimet dhe raportet e punës që na gdhendeshin në tru si modele gojëtarie e ligjërimesh panagjerike. Kur diskutonte prof. Aleks Buda na dukej sikur fjalët i kishte të shkruara në pentagram dhe i këngëzonte në atë mënyrë që na linte me gojë hapur. Aty kemi pasur edhe një brez kolegësh më të rinjë se të lartpërmendurit, por që dinin shumë gjuhë të huaja dhe ne më të rinjtë përfitonim prej tyre dhe flisnim ndonjëherë edhe për t’u ushtruar në frëngjisht, në italisht, gjermanisht etj. Kjo ndodhte sidomos kur dilnim për të pirë kafe, aty nga ora dhjetë e mëngjesit dhe, në oborr e deri te bufeja ku pinim kafen, diku te Toena e sotme, dalloheshin disa grupe dijetarësh: grupi i gjuhëtarëve dhe historianëve; grupi i përkthyesve të Shtëpisë Botuese “N.Frashëri”, ku shquheshin sidomos Jusuf Vrioni e Zef Simoni; grupi i studiueve të psikologjisë e pedagogjisë, ku danin në shenj sidomos Hamit Beqja, Nuri Çaushi e Shefik Osmani. Ndonjëherë edhe përziheshim duke pritur radhën për kafe dhe shkëmbenim ndonjë “batutë”. Njëherë ishim me Ferdinand Lekën dhe takuam një prej miqve të tij përkthyes, poliglot, i cili i tha latinisht: “Multa tempus eripit mihi linguae stranierae studendi” (Më duhet shumë kohë për të nxënë gjuhë të huaja). E mbaj mend edhe mbas kaq shumë vitesh. Kam shumë përmallim për atë kohë.
Në vitet 1966 -1967 ju emëruan mësues në fshatin Rrilë të Lezhës. Çfarë kujtimesh keni për mësuesinë e atyre viteve?
Diku në shënimet e mia kam edhe një sasi faqesh të shkruara me dorë, kur nuk kisha kompjuter, me titullin “Kujtimet e Bregut të Matës”. Gati i kisha harruar dhe do t’i gjej, mbase, ndonjëherë, kur të lirohem nga disa punë e projekte që ende i kam për t’i kryer, do t’i marr në dorë, por mbaj mend se ai vit shkollor në Shënkoll të Bregut të Matës, ndonëse nuk e kisha menduar se do të caktohesha aty, sepse edhe ëndërroja e shpresoja për “më lart”, në mos tjetër në një shkollë të mesme, p.sh.në Koplikun tim, e jo në një shkollë tetëvjeçare dhe aq larg, kur nëpër gjimnaze, qoftë në Shkodër, qoftë edhe në qytetin e Lezhës, kishte ende arsimtarë pa shkollë të lartë katërvjeçare. Por, si i thonë fjalës, shpejt ai vend dhe banorët e tij të mirë më bënë për vete. Më kanë dashur, më kanë pritur e më kanë dhënë materiale të vlefshme dialektore dhe onomatike. Mbi atë bazë, brenda atij viti shkollor, hartova edhe një studim të gjerë për të folmen e Bregut të Matës dhe e botova, së pari, të përmbledhur në almanakun “Lissus”, nr.1,1968, që e nxirte rrethi shkencor i arsimtarëve të Lezhës, pasatj e kam botuar më të gjerë në “Studime fililogjike”. Kam qëndruar vetëm nëntë muaj si mësues atje, por ish-nnxënësit e mi të atij viti më kanë kujtuar e më kujtojnë shpesh.Disa edhe kanë ardhur ndonjëherë në Tiranë, si Pjetr Mili, Kol Gjeto Leka, Pjetër Vata etj. Në atë brez miqsh hyn edhe gazetari i shquar Fran Gjoka, i cili pikërisht sepse është nga ajo zonë, jo vetëm nuk i kam thënë “jo” për intervistat që i kam dhënë, po edhe e vlerësoj se përfaqëson cilësitë më të vyera të malësorëve të Lezhës. Ishulli i Lezhës, gjithashtu, më kujton ditët kur mblidhja lënë për studimin tim të cituar dhe aty,një nga mësuesit,Ndue Lala, edhe pse ishte me origjinë nga Mirdita, më ka shoqëruar dhe më ka gjetur informatorë shumë të mirë. Prej tij, gjithashtu, kam shënuar toponimin Divel, të anëve të Velës së Vendit në Mirditë dhe unë, pastaj, e kam shtënë në punë për të përqasur me toponimin e hershëm ilir Dimali, që e ka shpjeguar E.Çabej si “dy+male”. Kam gjetur, pastaj, edhe motërzimin Dimele (dy male) në Çamëri dhe i kam shqyrtuar gjerë të sythi toponimet e shqipes të fortmuara nga numërorë.
Krahas ushtrimit të mësuesisë kini dalë me monografinë e parë studimore “Të folmet e Bregut të Matës”. Si është pritur studim i parë juaji?
Kur u emërova si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë, në shtator të vitit 1997, ndonëse kisha vetëm një vit punë mbas diplomimit, në krahasim me kOlegët që filluam punën njëherësh, unë kisha përparësinë se kisha botuar në “Studime filologjike” monografinë për të folmen e Kastratit (në dy numra, 2 dhe 3,1967) dhe ato ditë sapo kishte dalë nga shtypi. Po kisha botuar në “Lissus” shkurtoren e monografisë për të folmet e Bregut të Matës,të Ishullit të Lezhës e të Shëngjinit. Gjithashtu, isha miratuar edhe si kumtues në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, që do të mbahej në janar të viti 1968, kushtuar 500-vjetorit të Gj. Kastriotit-Skënderbeut dhe, ashtu “fringo” i ri në pamje, përballë kolegëve të Institutit ku fillova punën, përveç nishanit në ballë që ma ka falë Zoti, kisha tashmë edhe dallimin se kisha botuar disa punime. Kjo natyrisht edhe më trimëronte e më bënte të punoja sa më shumë që të mos e prishja atë fillim. Dhe, sikundër thotë fjala popullore “fillimi i mirë është gjysma e punës”. E fillova mirë dhe, me modestinë e nevojshme, mund të them se kjo hulli e nisur në Breg të Matës do të më dilte për mbarë. Shumë nga fjalët e mbledhura e të botuara në studimet e mia filluan të citoheshin edhe nga E.Çabej në studimet etimologjike,ndërsa monografinë për të folmen e Kastratit, prof.Gjinari ua rekomandoi si model pune studentëve të degës së gjuhës, që do të merrnin tema diplome nga dialektologjia.
Për kulturë të lexuesit, mund të na thoni përse dialekti toskë u zgjodh bazë për gjuhën zyrtare, atë standarde? Mendoni se është i nevojshëm ristandardizimi i gjuhës shqipe?
Ideja ime e hershme dhe e sotme mbetet se kahu me i mbarë i përbashkimit dhe i njësimit gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dhe mbetet ai që niset prej dialektit dhe shkon te gjuha e njësuar, duke qenë ato, kurdoherë, si uji në enët komunikuese.Ajo që vjen prej dialekteve, edhe kur sjell ndonjë turbullim të pjesshëm, e pasuron gjuhën, kurse ajo që vjen prej standardit dhe përhapet në nënstandardet e deri te të folmet popullore, pa dyshim, e kthjellon dhe e zhdërvjelltëson shprehjen dhe fuqinë realizuese të kumtimit mbarëshqiptar. Madje, sikundër ka shtjelluar me kompetencë të lëvdueshme Mikele Familjeti (Famiglieti) për diasporën arbëreshe të Italisë, edhe në raste të gjuhëve në kontakt e të diasporave, rruga më e drejtë është nga pikëpikëpamja psiko-pedagogjike dhe formative, ecuria që shkon: nga dialekti te gjuha e përbashkët, pra edhe nga “gjuha e zemrës” te “gjuha e bukës”, aq sa (ku dhe kur) është e mundshme. Standardi, sigurisht, duhet kuptuar si synimi më i lartë, si pika më e përtejme e mbërritjes, kurse e folmja a idiolekti i individit, bashkë më sociolektin përkatës të njësisë a qelizës më të vogël: mjedisit familjar, farefisnor dhe dalëngadalë krahinor a vendor, është kurdoherë vetëm pikënisja. Sipas fazave e stadeve zhvillimore moshore e në përputhje me faktorët jashtëgjuhësorë (arsimorë, kulturorë, mendësiorë etj.) të gjithë sa janë, përderisa e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe, do të shfaqin edhe prirjet e veta e do të marrin kahun e përparuar, largvajtës që do t’i shpjerë drejt standardit ose, përkundrazi, do t’i mbajë të mbërthyer në një tjetër tip ligjërimor, ku lakmia për standardizim mund të jetë më e pakët ose edhe e aspaktë. Ka pasur, ka e do të ketë njerëz që, gjatë gjithë jetës së tyre, p.sh. si bujq a blegtorë pa shkollë ose me shumë pak shkollë, pa lidhje e përfshirje në parti e në lëvizje politike a shoqata të ndryshme, të dhënë e të mbyllur kryesisht pas punës së vet, të cilët jo vetëm që nuk e lakmojnë standardin subjektivisht e vullnetarisht, por edhe mund të shfaqin mospëlqim të hapur ndaj tij e, për pasojë, ata do të na shfaqen gati gjithmonë si dialektalë, me ligjërim të prekur pak ose aspak nga zhvillimet e vetëdijshme e me vetëdashje, por ata do të kenë marrë aq sa merret kudo e kurdoherë në mënyrë të pavetëdijshme e të pavullnetshme. Gjithashtu, ka pasur, ka e (kushedi) ndoshta do të ketë edhe më tej, njerëz që, me dashje, me vetëdije të plotë, dalin në të kundërtën e rrjedhës zhvillimore të kahut normativues e standardizues, duke e quajtur dialektin e vet si “gjuhë” tjetër nga varianti standard, sikundër jemi mësuar tashmë ta dëgjojmë si rrufe në qiell të kthjellët nga ndonjë analist e gazetar në hapësirat shqiptare kompakte ballkanike, si dhe në diasporë. Nuk ka munguar, gjithashtu, edhe një zogori pseudogjuhëtarësh e “specialistësh për gjithçka”, të cilët, kryesisht për arsye protagonizmi e me mëtime të dukshme turbulluese e punëprishëse i hakërrohen standardit e procesit përbashkues e përnjësues shpirtëror e kulturor të shqiptarëve, duke shitur si të reja, çfarëdo mendimesh a qëndrimesh separatiste e tribaliste që janë tejkaluar e duhet të mbetën të mbyllura në periferitë e së shkuarës së errët e të pamirë të kulturës shqiptare. Hapja e tyre, qoftë edhe për arsye “historiati”, nuk i ka sjellë e nuk do t’i sillte asgjë të mirë as gjuhës shqipe, as kulturës shqiptare. Bashkohem plotësisht me vlerësimin dhe konceptimin e shëndetshëm dhe fatmirësisht mbizotërues ndër dijetarët më të autoritetshëm të letrave shqipe, se “qëndrimet e tilla, deshëm s’deshëm ta pranojmë, na ballafaqojnë me një alternativë prapakthyese politike dhe kombëtare”.
Faleminderit!

No comments: