Festivali i 13 i Filmit Shqiptar prej
disa ditësh ka startuar në Tiranë, një eveniment i cili rikthehet pas
gjashtë vitesh mungesë. Festivali i filmit ishte premtuar nga
organizatorët se do të ishte model, do të kishte të ftuar emra të njohur
të kinematografisë botërore, do të ishte si një festë e filmit shqiptar
aq më shumë do të kishte rëndësi dhe në kuadër të 100-vjetorit të
shpalljes së Pavarësisë.
E ndërsa festivali ishte menduar që do të kishte një atmosferë të tillë festive, në fakt panorama që ka shoqëruar këto ditë zhvillimin e tij ka qenë krejt e kundërt nga ajo që kanë deklaruar më herët drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
E ndërsa festivali ishte menduar që do të kishte një atmosferë të tillë festive, në fakt panorama që ka shoqëruar këto ditë zhvillimin e tij ka qenë krejt e kundërt nga ajo që kanë deklaruar më herët drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Gjatë ditëve të festivalit ka pasur një
mungesë të theksuar të publikut, i cili duket se nuk ka shfaqur shumë
interes për të qenë në sallën e kinemasë ku shfaqeshin filmat, apo dhe
në sallën e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Nga ana tjetër edhe pse ishte
premtuar për një festival i cili do të sillte emra të njohur të
kinematografisë botërore, festivali ka mbetur vetëm me aktorin italian
Remo Girone, ndërsa ftesës për të qenë në festival nuk i janë përgjigjur
aktori italian Raul Bova si dhe aktori Robert De Niro. Në tetor, QKK-ja
kishte konfirmuar se i kishte bërë ftesë De Niros për të qenë i ftuar
nderi në edicionin e 13-të të festivalit, që nisi rrugëtimin me 3 nëntor
për të përfunduar sonte me ndarjen e çmimeve. Ftesa i është bërë dy
javë pasi De Niro, siç kishte shkruar në një komunikatë Zyra e
Presidentit të Shqipërisë, i kishte premtuar kreut të shtetit shqiptar
se do të vizitojë Shqipërinë. E ndërsa festivali i filmit krenohet vetëm
me Remo Girone, të vjen keq kur shikon që drejtuesit e QKK kanë harruar
të kujtojnë se si zhvillohen festivalet e filmit nga privatët në vendin
tonë. Kujtomë se Festivali i Filmit në Durrës apo dhe TIFF kanë arritur
të sjellin emra më të njohur të kinematografisë botërore, edhe pse
mundësitë financiare mezi e kanë lejuar këtë. Mes tyre më herët edhe
regjisori Pirro Milkani për filin e tij solli në Tiranë Michele Placido,
ndërsa organizatorët e festivalit nuk arrijnë të sjellin emra të tjerë.
Me çfarë do të krenohen organizatorët e këtij festivali? Me çfarë
premiere, apo të ftuarish? Si mund të mjaftohet një festival kombëtar
me një Remo Girone dhe Nino Celeste. Festival do të thotë të zbulosh
trendin, të sjellësh premierë dhe të ftuar, këto janë komponentët e
festivalit të suksesshëm, por këtë herë mungojnë, pasi dhe filmat
artistik që shfaqen nuk janë premiera. Ndërkaq që nuk kanë munguar dhe
shumë probleme të tjera gjatë festivalit, kështu në ditën e dytë të tij
për t’ju bërë qejfin ministrave pati dhe shtyrje të orarit të filmave,
duke bërë që një pjesë e të ftuarve edhe të largohen nga festivali. Por
nuk munguan dhe të tjera probleme, të cilat shqetësuan regjisorë dhe
producentë. Kështu regjisori Ilir Harxhi thekson se çudia më e madhe në
këtë festival është se mungojnë dhe programet për festivalin. “Ne
pjesëmarrësve në festival na dhanë një çantë që kishte vetëm një
katalog, i cili në fakt ka dhe një cilësi të dobët dhe kishim dhe një
program. Ka një mungesë të theksuar materiali mbi festivalin. Për mua ky
është festivali më i varfër nga ana organizative. Nuk e di se si mund
ti kenë pasur problemet me fondet, por duke menduar që ky festival bëhet
pas gjashtë vitesh mendoj se duhet të kishte pasur më shumë organizim
dhe vëmendje. Festivali i 13 i Filmit Shqiptar me aq sa kam parë deri
tani ka shkuar në një lloj derexheje ku nuk ke asnjë lloj mjeti
propagandistik, nuk gjen asnjë copë letër që të shohësh programin, kjo
më duket e habitshme. Katalogu ishte një botim pa cilësi, foto me ngjyra
apo dhe bardhë e zi, kishte dhe foto që ishin sterrosur shumë”, u
shpreh Harxhi.
Publiku larg festivalit, salla mbushet me nxënës shkollash
Festivali edhe pse pritej të kishte një
vëmendje të madhe të publikut, gjatë paraditeve salla e kinemasë mbushet
me nxënës shkollash. Duket se mosinteresimi i publikut tregon se
kinemaja shqiptare ka jo pak problem me nivelin artistik të filmave.
Ndërkaq që në orët e mbrëmjes ka pak më shumë publik, kjo duket se është
meritë e ftesave që kanë ndarë organizatorët e festivalit, pasi në këtë
kundërt edhe në orët e mbrëmjes salla e kinemasë do të ishin me pak
publik. Të vjen keq kur mendon që një aktivitet i tillë vjen në
100-vjetor me këtë nivel, pa arritur akoma për të folur për cilësinë
artistike të filmave që u shfaqën. Tapeti i kuq i shtruar në pedonale
këtë edicion është shkelur nga pak personalitete të kinematografisë,
ndërsa nuk mungojnë dhe pohimet se festivali i vitit 2006 ka pasur
organizim më të mirë. Në Festivalin i 13-të i Filmit Shqiptar
konkurrojnë 15 filma të gjatë artistikë që janë krijuar në Shqipëri e
Kosovë, prej vitit 2007 deri më sot. Nga ana tjetër duket se në
përfundim të tij do të ketë jo pak reagime dhe mbi cilësinë e filmave
artistikë dhe dokumentarë, pasi gjatë shfaqjes së tyre janë vënë re dhe
probleme. Nga Julia Vrapi
No comments:
Post a Comment