Sunday, November 4, 2012

Cedimi i Shën Naumit dhe i Vermoshit

Nga 
Ksenofon Krisafi*

PJESA E DYTË Vendimi i DHPDN iu kalua Lidhjes së Kombeve, e cila gjithashtu, në tetor 1924, ia njohu Shën-Naumin Shqipërisë. Ai iu përcoll edhe Konferencës së Ambasadorëve, me qëllim që të merrte vendimin përkatës për ta detyruar Jugosllavinë ta dorëzonte Shën Naumin. Ajo e mori në shqyrtim çështjen gjatë muajve shkurt-mars 1925 dhe më 27 prill 1925 u shpreh për zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Por Serbia refuzoi dhe vazhdoi ta mbante Shën Naumin nën zotërimin e saj...Marrëveshja Zogu-Pashiç e gushtit 1924 është përmendur dhe është trajtuar për herë të parë nga italiani P. Pastoreli, të cilit i referohet Paskal Milo në botimin Shqipëria dhe Jugosllavia,1918-1927, botuar në vitin 1992. Teksti i saj është botuar i plotë në variantin e gjuhës italiane, 15 vjet më vonë, në mars të vitit 2007 nga studiuesi Marenglen Verli, në punimin “Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli”. Po atë vit Shyqyri Hysi, në monografinë “Rauf Fico shtetar dhe diplomat i shquar”, solli tekstin e plotë të saj në gjuhën shqipe. Të dy alternatet e Marrëveshjes ndodhen përkatësisht në Arkivin Qendror Shqiptar dhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Marrëveshja Zogu-Pashiç, e cila ishte një akt juridikisht i pavlefshëm, synonte të sanksiononte premtimin e pashembullt dhe të paimagjinueshëm të Ahmet Zogut ndaj Nikolla Pshiçit, futjen e shtetit të pavarur shqiptar në përbërjen e shtetit Serbo-Kroato-Slloven. Edhe pse ilegjitime, marrëveshja i lypsej Pashiçit si një dokument për ta përdorur nëqoftëse Zogu do të rikthehej në krye të qeverisë shqiptare. Duke gjykuar mbi bazën e zhvillimit të ngjarjeve, kohës kur u krye, procedurave që u ndoqën nuk është vështirë të konkludohet se nënshkrimi i marrëveshjes së gushtit 1924, u bë në kushte të veçanta për secilin prej të dy protogonistëve kyesorë të saj. Nikolla Pashiçi, shprehës besnik i aspiratave aneksioniste dhe antishqiptare të qarqeve politike serbe, dëshironte të realizonte aneksimin e kamufluar të Shqipërisë dhe me këtë rast edhe kalimin në territorin serb të një rajoni me rëndësi të veçantë ekonomike, strategjike e religjioze, siç ishte Shën Naumi. Kurse Ahmet Zogu, ndodhej në kushtet e “nevojës ekstreme”, sepse ishte përmbysur nga pushteti nëpërmjet një kryengritjeje, ishte strehuar në Beograd dhe bënte përpjekje për t’u rikthyer në krye të vendit. Në se nuk e nënshkruante marrëveshjen rrezikonte përgjithmonë moskthimin në Shqipëri dhe humbjen e pushtetit.

Tratativat
Tratativat për përgatitjen dhe nënshkrimin e saj shoqëroheshin me veprime konkrete ushtarake për zbatimin e planit të rikthimit të Zogut në Tiranë. Lidhur me këtë, historiani anglez Joseph Swire në librin e tij “Shqipëria, Ngritja e një monarkie”, shkruante se “gjatë vjeshtës, Shtabi i Përgjithshëm jugosllav, ... nisi të përqëndronte në kufi forcat e mëposhtme, që do ta mbështesnin Zogun në mënyrë të drejtpërdrejtë, kur të arrinte çasti i duhur. Këto shifra, që janë vetëm të përafërta, dhe detaje janë marrë nga një burim britanik i padiskutueshëm: 1.000 vullnetarë nga ushtria e rregullt jugosllave, shumica rekrutë malazezë dhe shqiptarë; 1.000 rezervistë nga Kërçova, Tetova, Gostivari dhe Dibra... 500 malësorë nga Mati, që kishin ikur me Ahmet Zogun; 800 veta të ushtrisë së refugjatëve të gjeneralit Vrangel, që kishte gjetur strehim në Jugosllavi; 40 oficerë të ushtrisë refugjate të gjeneralit Vrangel;16 oficerë (me uniformë) të ushtrisë së rregullt jugosllave. Gjithashtu u vunë në dispozicion të Zogut njësitë e mëposhtme të ushtrisë së rregullt jugosllave: 2 bateri të artilerisë malore, model austriak, rrezja 9.000 metra, së bashku me artiljerët; 10 mitraloza të rëndë, së bashku me mitraljerët; 20 mitraloza të lehtë, së bashku me mitraljerët.Këta mercenarë qenë paguar mirë. Gjithashtu u vunë në dispozicion të Zogut një furnizim i plotë me municion dhe njësi të motorizuara transporti të ushtrisë jugosllave, për të çuar furnizimet në bazë. Forcat nuk ishin më të mëdha nga ç’duhej për të thyer qëndresën e parashikuar, por mjaft të mëdha që të siguronin suksesin përpara se të ndërhynte ndonjë fuqi tjetër... “
Ndihmat e mësipërme, që ishin të konsiderueshme për kohën, lënë të kuptohet se përkrahja e Beogradit për Zogun nuk ishte e rastësishme dhe as pa interes. Udhëheqja jugosllave e kishte futur atë në një detyrim të madh, të cilin u shtrëngua ta shlyente kur u rikthye në pushtet, me pranimin e nënshkrimit të një marrëveshjeje tjetër, tashmë formalisht legale, që parashikonte cedimin e Shën Naumit dhe të Vermoshit. Pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, në fundin e dhjetorit të vitit 1924. Zogu mori drejtimin e ushtrisë, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Më 15 janar 1925 u konstitua  qeveria e re, e kryesuar prej tij. Po atë ditë u thirr në Tiranë, Asambleja Kombëtare me përbërje të kufizuar, cila më 22 janar e shpalli Shqipërinë Republikë, zgjodhi Zogun President të saj dhe miratoi kushtetutën sipas modelit amerikan. Më 6 janar 1925,  Ahmet Zogu i çoi një telegram Mehdi Frashërit, që ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, me të cilin e ngarkonte të hynte në bisedime me përfaqësuesit e Beogradit për të përfunduar një marrëveshje. Objekti themelor i saj ishte plotësimi i kërkesës jugosllave për cedimin e Shën Naumit dhe një pjese të Vermoshit. Nga tërësia e 16 pikave të Marrëveshjes Zogu-Pashiçc, të gushtit 1924, ishte shkëputur për negociata vetëm pika 10. Ajo thoshte se “Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës së Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe lokalitetet e Vermoshit dhe të Kelmendit të cilat mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.” Këto ishin territore të cilat Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, e viteve 1912-1913 si dhe një varg aktesh të tjera pasuese ia kishin lënë Shqipërisë.
Shën Naumi është një objekt i rëndësishëm kulti, me vlera historike, monumentale e religjioze. Ai ndodhet në bregun jugor të liqenit të Ohrit, në afërsi të rrjedhës së burimeve të Shën Naumit dhe ka qënë rivendikuar gjithmonë nga jugosllavët. Pas përpjekjesh që përshkuan disa vjet traktativa të mundimshme dhe të suksesshme të diplomacisë shqiptare të asaj kohe, iu la Shqipërisë.

Historia e procesit
Historia e gjatë dhe interesante e konfirmimit të përkatësisë shqiptare të tij nis me Vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, të vitit 1913, ku përshkrimi i vijës së kufirit midis Shqipërisë dhe shtetit Serbo-Kroato-Slloven, në segmentin që përfshinte Shën Naumin, ishte formuluar si vijon: “Eshtë vërtetuar tashmë se...rrethi që ndodhet në veri të kufirit grek si dhe ish kazaja turke e Korçës me bregun perëndimor dhe jugor të liqenit të Ohrit, që shtrihet prej fshatit Lin deri në Manastirin e Shën Naumit janë pjesë integrale të Shqipërisë.” Kufiri do të përcaktohej në vend nga një komision ndërkombëtar, i caktuar nga Konferenca me vendimin e 8 gushtit 1913. Ai e nisi punën në fillim të tetorit 1913 dhe arriti të përcaktonte vijën e kufirit nga liqeni i Ohrit deri në Banjat e Dibrës dhe Malin Korab, ku përfshihej edhe zona e Manastirit të Shën Naumit, të cilin ia kishte lënë Shqipërisë, siç thuhej në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve. Punimet e ndërprera për shkak të dimrit, rifillian në majin e vitit 1914, me përcaktimin e vijës së kufirit nga grykëderdhja në det e lumit Buna dhe arriti deri në Vermosh. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore u bë shkak i ndërprerjes së punimeve të mëtejshme të tij.
Gjatë Luftës Serbia e pushtoi Shën Naumin dhe deklaroi në mënyrë abuzive se i takonte në bazë të vendimeve ndërkombëtare. Këtë pretendim ajo e paraqiti zyrtarisht pas mbarimit të saj, në punimet e Konferencës së Ambasadorëve, të Parisit, të vitit 1921, (që ishte një organ i krijuar nga Konferenca e Paqes e Parisit e viteve 1919-1920), e cila do të bënte edhe rivlerësimin e kufijve të Shqipërisë. Beogradi kontestonte kuptimin e frazës “që shtrihet prej fshatit Lin deri në Manastirin e Shën Naumit, janë pjesë integrale të Shqipërisë”. Ai insistonte se shprehja “deri në” nënkuptonte lënien e Shën Naumit jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilën Tirana e interpretonte si përfshirje në territorin shqiptar. Konferenca e Ambasadorëve e Parisit, me vendimin e 9 nëntorit të vitit 1921, riprodhoi pa asnjë ndryshim formulimin e Konferencës së Londrës. Rezoluta tjetër e 6 dhjetorit 1922, konfirmoi me konsensusin e të gjithë anëtarëve të vet se Shën Naumi ishte pjesë përbërëse e territorit të Shqipërisë. Shteti Serbo-Kroato-Slloven, siç pritej, nuk e njohu rezolutën e mësipërme dhe 4 muaj më vonë, më 6 prill 1923, kërkoi zyrtarisht rishikimin e vendimit. Sipas ekspertëve jugosllavë, shkak ishte zbulimi i disa dokumenteve të reja që provonin se më 1913 Manastiri i ishte caktuar Serbisë. Beogradi e mbështeste kërkesën e vet mbi spekulime bënte kërcënime me akuza absurde.  Një prej organeve më të afërta me qarqet politike serbe, gazeta “Vreme”, thoshte ato ditë se “në qoftë se Konferenca e Ambasadorëve do t’ia japë tani Shën Naumin Shqipërisë, qeveria e Beogradit nuk mund ta pranojë një vendim të tillë”.Në përpjekje të mëtejshme drejt zgjidhjes, çështja iu kalua edhe Lidhjes së Kombeve, ku pati diskutime, debate e polemika interesante midis përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre jugosllavë. Spikat angazhimi i vendosur i qeverisë shqiptare për ta mbrojtur me çdo kusht përkatësinë shqiptare të Shën Naumit, veçanërisht kur në krye të vendit kishte ardhur kabineti i Fan Nolit. Ai kishte përcaktuar si probleme madhore në marrëdhëniet me Jugosllavinë ndër të tjera rikthimin e rajoneve të Vermoshit dhe të Manastirit të Shën Naumit. Këshilli i Lidhjes së Kombeve me rezolutën e 17 qershorit 1924 ia përcolli për kompetencë Dhomës Permanente të Drejtësisë Ndërkombëtare (DHPDN) në Hagë, “për shkak të karakterit thjeshtë juridik të problemit”, siç thuhej në rezolutë. Gjykata, me mendimin konsultativ Nr.9, të 4 shtatorit 1924, u shpreh se dokumentet e paraqitura nga jugosllavët nuk sillnin ndonjë element të ri dhe konfirmoi se Shën Naumi i përkiste Shqipërisë. Ky ishte një akt i rëndësishëm dhe njëkohësisht një satisfaksion i jashtëzakonshëm për shqiptarët, të cilët e pritën me gëzim dhe entusiazëm të veçantë. Vendimi i DHPDN iu kalua Lidhjes së Kombeve, e cila gjithashtu, në tetor 1924, ia njohu Shën-Naumin Shqipërisë. Ai iu përcoll edhe Konferencës së Ambasadorëve, me qëllim që të merrte vendimin përkatës për ta detyruar Jugosllavinë ta dorëzonte Shën Naumin. Ajo e mori në shqyrtim çështjen gjatë mujave shkurt-mars 1925 dhe më 27 prill 1925 u shpreh për zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Por Serbia refuzoi dhe vazhdoi ta mbante Shën Naumin nën zotërimin e saj.
Pikërisht në këto çaste kur nuk ishte fashitur ende ndjenja e satisfaksionit të ligjshëm për triumfin gjyqësor ndaj një padrejtësie të hapur, Ahmet Zogu vendosi shkëputjen e Shën Naumit nga trojet shqiptare. Siç u tha, ai kishte hyrë në tratativa me palën jugosllave kur ndodhej i arratisur në Beograd. Në këtë mënyrë nëpërmjet një marrëveshjeje bilaterale u vu dorë mbi aktet ndërkombëtare të kufijve, duke çelur kështu rrugën e një precedenti që shmangte prezencën e Fuqive të Mëdha.

Bisedimet Tiranë-Beograd
Në prill të atij viti, Tirana dhe Beogradi filluan bisedime të drejtpërdrejta, të cilat përfunduan me nënshkrimin e marrëveshjes më 28 gusht të vitit 1925. Qeveria shqiptare pranoi të lëshonte një pjesë të malit të Vermoshit dhe pikërisht sektorin e përroit të Vuçipotogut, në perëndim të Velipojës, në shkëmbim të kullotës së Libovicës midis Veternikut  dhe Gronçarit, si dhe disa toka të tjera të parëndësishme.  Ajo i dha Jugosllavisë edhe Shën Naumin në shkëmbim të fshatit Pishkupije, në jug të Shën Naumit dhe të disa kompensimeve të tjera të parëndësishme. Marrëveshja u ratifikua nga Asambleja Legjislative (Dhoma e Deputetëve) më 14 tetor 1925. Të nesërmen, Kryesia e Asamblesë, nëpërmjet një dokumenti, të firmosur nga kryetari saj Pandeli Evangjeli, njoftonte Kryesinë e Këshillit të Ministrave se “në bazë të shpjegimeve të dhanuna nga Z.Mehdi Frashëri delegat Fuqiplotë i kufivet, aprovoi me vota unanime marveshjtjen  e bamun midis Qeveriës s’onë e asaj të Jugosllaviës si mbas propozimit transakcional të Konferencës  Ambasadoriale e cila i përket rektifikimit të kufijvet të Veriut në nji pjesë të Veljopoles e të Jugut drejt Shen Naumit.”
Vendimi iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve e cila ngarkoi Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve të Shqipërisë për caktimin konkret të vijës kufitare në zonat e ceduara. Në përfundim, ambasadorët e Fuqive të Mëdha (Francës, Anglisë, Italisë dhe Japonisë), Zhyl Kambon, lordi Kru, baroni Avexana, vikonti Ishii, si dhe Karapanosi, Spalajkoviçi dhe Iljaz Vrioni, përkatësisht përfaqësues të Greqisë, shtetit serbo-kroato-slloven dhe Shqipërisë, nënshkruan në Paris, më 30 korrik 1926, Protokollin e caktimit të kufijve midis Shqipërisë dhe shtetit serbo-kroato-slloven. Ai do të ishte akti i fundit juridiko - ndërkombëtar i miratuar për kufijtë e Shqipërisë. Nëpërmjet tij konfirmoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të viteve 1912 – 1913, veprimet e kryera pas Luftës së Parë Botërore për demarkacionin (caktimin në vend të vijës së kufirit) dhe modifikimet në Vermosh dhe në Shën Naum, sipas marrëveshjes shqiptaro-jugosllave të gushtit 1925.
Marrëveshja i  zhgënjeu keqas shqiptarët dhe zhvleftësoi jo vetëm opinionin konsultativ të Gjykatës së Hagës, por të gjithë vendimet e mëparshme të miratuara nga një varg instancash ndërkombëtare, për përkatësinë shqiptare të Manastirit të Shën Naumit dhe të Vermoshit.
Zogu është munduar gjithmonë që, nëpërmjet alibish të stisura keq, të shfajësohej dhe të tregonte se ai qëndronte jashtë këtij transaksioni. P.sh. në mbledhjen e Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, të datës 1 qershor 1925, në fjalën e tij të hapjes së seancës, Zogu dënoi me tone të ashpra demagogjike “vazhdimin e pushtimit të rajonit të Shën Naumit nga trupat jugosllave”, duke dashur që nëpërmjet këtij sulmi propagandistik, siç thotë Swire-i, të hidhte “poshtë mendimin popullor që Zogu kishte rënë dakord me serbët që t’ua lëshonte Shën Naumin dhe Vermoshin Jugosllavisë në shkëmbim të ndihmës së saj në dhjetorin e kaluar”.
Ky ishte një mashtrim tipik, sepse, siç u tha, ai vetë një vit më parë kishte nënshkruar me Pashiçin marrëveshjen e aneksimit të krejt Shqipërisë dhe 10 ditë pas kthimit në atdhe, në janarin e 1925 kishte autorizuar Medi Frashërin të zhvillonte bisedime dhe të lidhte marrëveshjen e cedimit të Shën Naumit dhe të Vermoshit. Marrëvëshja u arrit në rrethana krejtësisht diskrete, pas negociatash të mbuluara nga një tis misterioz. Ajo u miratua fshehtas opinionit shqiptar dhe pas bërjes publike të saj u justifikua me shpjegime të sforcuara, konfuze dhe asnjëherë të qarta. Zogu dhe mbrojtësit e politikës së tij janë përpjekur të shfajësohen nëpërmjet renditjes së disa shkaqeve. Ata p.sh. kanë minimizuar vlerën e rajonit të ceduar, kanë nxjerrë si pretekst detyrimin për përmbushjen e sugjerimeve të shteteve të tjerë, kanë thënë se Shën Naumi u dha për arsye se jugosllavët nuk do ta lëshonin kurrë etj. Sipas mendimit të historianëve që e kanë gjykuar çështjen nga një pikëpamje më e gjerë, asnjëri prej motiveve të mësipërm nuk qëndron. Rëndësia e manastirit të Shën Naumit është e veçantë dhe e shumëfishtë. Përndryshe si mund të shpjegohej insistimi i vazhdueshëm i jugosllavëve për ta mbajtur me çdo kusht?! Ai dhe rrethinat e tij të afërta kontrollojnë rrugën Korçë-Pogradec-Elbasan dhe hyrjen e luginës së Devollit. Nga ana tjetër nga lëshimi i tij Shqipëria nuk pati përfitimet e hiperbolizuara që u përmendën. Manastiri i Shën Naumit si dhe një varg objektesh të tjera fetare në zonën e Ohrit në atë kohë kishin lidhje me Beratin, i cili prej kohësh konsiderohej si qendër kishtare mesjetare me rëndësi ndërkombëtare. Në këto objekte të shenjta kanë shërbyer rregullisht edhe klerikë shqiptarë.
Kurse zona e Vermoshit historikisht kishte qenë pjesë e pandarë e bajraqeve të Kelmendit. Edhe pse qeveria jugosllave pretendonte se sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, ajo i përkiste fisit malazez të Kuçit, deri në luftrat ballkanike, shërbente si vend kullotash për kelmendasit, duke u bërë shpesh objekt grindjesh dhe përleshjesh me armë në mes të shqiptarëve dhe malazezëve. Konferenca e Londrës e 1913-s vendosi që Vermoshi t’i mbetej Shqipërisë, vendim që u rikonfirmua më vonë nga Komisioni i demarkacionit të kufijve veriorë e verilindorë si dhe nga vendime të tjera të forumeve ndërkombëtare që e trajtuan çështjen e tij.
Marrëveshja e cedimit të Shën Naumit dhe të Vermoshit është etiktuar si veprim antikombëtar, si akt tradhëtie nga ana e Zogut dhe organeve të tjerë që e ratifikuan atë. Përgjegjësia e tij e pakontestueshme lidhet me kryerjen e një transaksioni territorial të pamotivuar, me cedimin e dy rajoneve të rëndësishme shqiptare, thjesht dhe vetëm për interesa individuale politike dhe për përfitime personale. Ai e realizoi atë nëpërmjet veprimesh spekulative, procedurale e institucionale dhe përfshiu në këtë qerthull alibish edhe anëtarë të asamblesë parlamentare, të këshillit të shtetit, të senatit, të diplomacisë etj. Megjithatë, asgjë nuk e fsheh, nuk e zbeh apo nuk mund ta spostojë përgjegjësinë e rëndë personale të A. Zogut. Negociatat, kompromiset e paprincipta dhe marrëveshja e realizuar gjatë arratisë së tij në Beograd, në 1924 dhe ajo e gushtit 1925, përbëjnë episode domethënëse të politikës së tij klanore, tribale dhe antikombëtare. Ato tregojnë se në historinë e Shqipërisë ka pasur raste kur interesat e saj, duke përfshirë tërësinë territoriale apo pavarësinë e vendit, janë cenuar jo vetëm nga të huajt nëpërmjet vendimeve apo marrëveshjeve ndërkombëtare, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve, por edhe prej politikave dhe pazarllëqeve të individëve vendas. Të zhveshur nga çdo sentiment kombëtar dhe të prirur nga interesat e mbajtjes me çdo kusht e me çdo çmim të pushtetit të vet, këta nuk kanë nguruar të realizojnë koncensione të rrezikshme për fatet e vendit. Në këtë pikëpamje cedimi i Shën Naumit dhe i Vermoshit edhe pse i takon një periudhe historike relativisht të largët, për nga mënyrat si u realizua dhe pasojat që solli, ka edhe sot vlerën e një ndodhie që bën thirrje për vigjilencë ndaj veprimeve të politikanëve të papërgjegjshëm e të pamoralshëm, që e trajtojnë vendin si pronë private.

11 shtator 2012
*Autori është pedagog i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Evropian të Tiranës. /JAVA/

No comments: