Sunday, November 4, 2012

Të fshehtat e Bashkimit Sovjetik

Nga 
Leon Aron

Të fshehtat e një ngjarjeje që shoqëroi rënien e Murit të Berlinit dhe rrëzimin e komunizmit. Si mori kthesë perandoria e kuqe, drejt një sistemi të ndryshëm shoqëror dhe çfarë nuk dimë nga ky proces akoma i pandriçuar Çdo revolucion është një surprizë. Megjithatë, revolucioni rus duhet renditur ndër surprizat më të mëdha. Gjatë viteve që i paraprinë 1991-shit , praktikisht asnjë ekspert, studiues, zyrtar apo politikan perëndimor parashikoi kolapsin e afërt të Bashkimit Sovjetik,
dhe bashkë me të, rrëzimin e diktaturës njëpartiake, ekonomisë së zotëruar nga shteti, dhe të kontrollit të Kremlinit mbi perandoritë e tij shtëpiake si dhe të Evropës Lindore.
As disidentët sovjetikë, vetë revolucionarët e së ardhmes, me një përjashtim të vetëm, nuk e parashikuan këtë ngjarje duke iu referuar shënimeve të tyre. Kur Mihail Gorbaçov u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste në mars të 1985-ës, asnjë nga bashkëkohësit e tij nuk e parashikoi një krizë revolucionare. Ndonëse kishte mospajtime mbi masën dhe thellësinë e problemeve të sistemit sovjetik, askush nuk i konsideroi ato të një rreziku vdekjeprurës, të paktën jo për të ardhmen e afërt.
Prej nga atëherë, kjo dritëshkurtësi çuditërisht universale? Dështimi i ekspertëve perëndimorë për të parashikuar kolapsin e Bashkimit Sovjetik mund t’i atribuohen në një farë mase, një farë revizionizmi historik – quajeni edhe antik-komunizëm – i cili prirej të ekzagjeronte stabilitetin dhe legjitimitetin e regjimit sovjetik. Por dhe të tjerë që sërish, vështirë se mund të konsideroheshin të butë me komunizmin, ishin po aq të zënë gafil nga rrënimi i tij. Një nga arkitektët e strategjisë së SHBA në Luftën e Ftohtë, George Kennan, shkroi se duke riparë të gjithë “historinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të epokës moderne” atij i ngjau “e vështirë për të menduar mbi ndonjë ngjarje më të çuditshme dhe befasuese, dhe në pamje të parë të pashpjegueshme, sesa shpërbërja e menjëhershme dhe zhdukja e... fuqisë së madhe të njohur sipas radhës, si Perandoria Ruse dhe më pas Bashkimit Sovjetik”. Richard Pipes, ndoshta historiani kryesor amerikan i Presidentit Ronald Regan, e quajti revolucionin “të papritur”.Një përmbledhje esesh mbi rrëzimin e Bashkimit Sovjetik në një botim të posaçëm në 1993, në revistën konservatore Interesi Kombëtar, titullohej: “Vdekja e Çuditshme e Komunizmit Sovjetik”.
Të kishte qenë më e thjeshtë për t’u kuptuar, kjo rrëshqitje kolektive në gjykim, qetësisht mund t’i ishte lënë në ngarkim një skedari mendor që përmban edhe çudi dhe kapriço të tjera të shkencave shoqërore, dhe më pas të harrohej. Por edhe sot, në një largësi 20-vjeçare, supozimi se Bashkimi Sovjetik do të vazhdonte në gjendjen e tij të atëhershme, apo që më së shumti, do të fillonte medoemos një rënie të gjatë e të zvarritur, ngjan si një konkluzion racional.
Vërtet, Bashkimi Sovjetik në 1985-n zotëronte shumë prej të njëjtave burime natyrore dhe njerëzore që kishte 10 vjet më parë. Sigurisht, standardi i jetesës ishte shumë më i ulët se në shumicën e vendeve të Evropës Lindore, pa folur pastaj për Perëndimin. Mungesat, racionimi i ushqimit, radhët e gjata në dyqane dhe varfëria akute ishin endemike. Por Bashkimi Sovjetik kishte parë gjëma shumë më të mëdha dhe ia kishte dalë pa sakrifikuar qoftë dhe një kokrrizë nga mbërthimi i shtetit mbi shoqërinë dhe ekonominë, pa diskutuar fare ta lëshonte atë.
Nuk pati as ndonjë parametër të performancës ekonomike para 1985-ës që tregonte për ndonjë bela që avitej vërtik. Nga viti 1981 deri në 1985, rritja e PBB-së së vendit, ndonëse e zvogëluar ndaj viteve ’60 dhe ’70, vërtitej rreth një mesatareje prej 1.9 për qind në vit. Deficiti buxhetor, i cili që nga Revolucioni Francez ishte konsideruar si një ndër oguret e spikatura të një krize të afërt revolucionare, ishte diçka më pak se 2 për qind të PBB-së në 1985.
Dhe po, stanjacioni ishte i qartë dhe shqetësues. Por siç ka vërejtur profesori i Ëesleyan University, Peter Rutland: “Sëmundjet kronike, tek e fundit, nuk janë domosdoshmërisht fatale”. Edhe studenti flamurtar i shkaqeve ekonomike të revolucionit, Anders Åslund, vëren se që në periudhën 1985-1987, situata “nuk ishte aspak dramatike”.
Nga këndvështrimi i regjimit, rrethanat politike ishin edhe më pak shqetësuese. Pas 20 vitesh shtypjeje të pandalshme të opozitës politike , praktikisht, të gjithë disidentët e spikatur ishin burgosur, dëbuar (si Andrej Sakarov që në 1980-n), të detyruar të emigronin, apo kishin vdekur kampeve dhe burgjeve. Nuk pati as shenja të tjera të një krize para-revolucionare, duke përfshirë edhe shkakun tradicional të rënies së shtetit që vjen nga presioni i jashtëm. As qëndrimi botëror ndaj Bashkimit Sovjetik, i cili ishte lehtësuar, e as lufta e Afganistanit, kostoja prej 4-5 miliardë dollarësh e së cilës ishte e papërfillshme, nuk ndikuan në krizë. Nuk ishte as Amerika një faktor katalizues.
Me fjalë të tjera, ky ishte një Bashkim Sovjetik në lartësinë e pushtetit dhe ndikimit të tij botëror, si në pikëpamjen e vet ashtu dhe në atë të pjesës tjetër të botës. “Ne priremi të harrojmë”, do të vërente më vonë historiani Adam Ualm, “se në 1985-n, asnjë qeveri e një shteti madhor nuk dukej të ishte aq vendosmërisht e sigurt në pushtet, dhe me politikat e saj të vëna në zbatim aq qartë, sa BS”.
Sigurisht që ka plot arsye strukturore – ekonomike, politike, shoqërore – se përse Bashkimi Sovjetik duhej të ishte rrëzuar ashtu siç bëri, por ato dështojnë në shpjegimin e plotë se si ndodhi dhe kur ndodhi.
Ashtu si në rastin e praktikisht të gjitha revolucioneve moderne, i fundit ndër revolucionet ruse u nis nga një liberalizim ngurrues “nga lart” – dhe shkaku parësor i tij shtrihej shumë përtej nevojës për të korrigjuar ekonominë apo për ta bërë mjedisin ndërkombëtar më beninj. Thelbi i sipërmarrjes së Gorbaçovit ishte padyshim idealist: Ai donte të ndërtonte një Bashkim Sovjetik më moral. Ndonëse përmirësimi ekonomi ishte flamuri i tyre, nuk ka dyshim se Gorbaçovi dhe mbështetësit e tij i vunë theksin moralit të duhur, më shumë se gabimeve ekonomike. Ishte fillimi i një kërkimi të dëshpëruar për përgjigje të përgjigjeve ndaj pyetjeve të mëdha me të cilat fillon çdo revolucion i madh: Çfarë është një jetë e mirë, dinjitoze? Nga çfarë përbëhet një rend i drejtë shoqëror dhe ekonomik? Çfarë është një shtet i mirë dhe legjitim? Cila duhet të jetë marrëdhënia e një shteti të tillë me shoqërinë civile?
“Një atmosferë e re morale po formësohej në vend, – tha Gorbaçovi në një mbledhje të Komitetit Qendror në vitin 1987, – një rivlerësim i vlerave dhe mendimit krijues ndaj tyre është në rrugë e sipër”. Më vonë ai kujton se “nuk mund të ecej më në atë mënyrë, dhe na duhej ta ndryshonim jetën në mënyrë radikale, duke u shkëputur nga keqbërjet e së shkuarës”.
Për Kryeministrin e Gorbaçovit, Nikolai Ryzhkov, “gjendja morale e shoqërisë” në 1985-n ishte tipari “më llahtarisës”: [Ne] vodhëm nga vetja, morëm e dhamë ryshfet, gënjyem në raporte, gazeta, nga podiume të larta, u zhgërryem në jetët tona, i varëm medalje njëri-tjetrit. Dhe e gjithë kjo – nga lart-poshtë dhe nga poshtë-lart.
Që në 1950-n, pasardhësi i Stalinit, Gorbaçovi e kishte parë drejtpërdrejt sesa e pabazuar ishte ngrehina e shtëpisë që Stalini kishte ndërtuar mbi terror dhe gënjeshtra. Por ky brez i pestë i udhëheqësve sovjetikë ishte më i vetëbindur mbi elasticitetin e regjimit. Gorbaçovi dhe të tijtë dukej se besonin që çfarë ishte e drejtë ishte po ashtu e menaxhueshme politikisht. Demokratizimi, deklaroi Gorbaçovi, “nuk ishte një slogan por thelbi i perestrojkës”. Shumë vjet më vonë ai tha: Modeli sovjetik ishte mundur jo vetëm në nivele ekonomike dhe shoqërore; ishte mposhtur në një nivel kulturor. Shoqëria jonë, njerëzit tanë, më të arsimuarit, më intelektualët, e kundërshtonin atë model në një nivel kulturor sepse ai nuk respektonte njeriun, e shtypte atë shpirtërisht dhe politikisht.
Fakti që reformat i dhanë fillesën një revolucioni në 1989-n, kjo ishte falë një tjetër kauze “idealiste”: Neveria e thellë dhe personale e Gorbaçovit ndaj dhunës, dhe prej këtej, refuzimi i tij kokëfortë për të përdorur shtypjen masive kur shkalla dhe thellësia e ndryshimit filluan të tejkalojnë synimin e tij burimor. Të përdorje shtypjen staliniste, sikur edhe për të “mbrojtur sistemin”, do të kishte qenë një tradhti ndaj bindjeve të tij më të thella.
Nga ana tjetër, pritshmëritë që mirëpritën ardhjen në pushtet të Gorbaçovit ishin kaq të forta dhe në rritje, saqë formësuan vetë politikën e tij. Befas, vetë idetë u bënë material, faktor strukturor në revolucionin që shpalosej.
Duke i shkruar një reviste sovjetike në 1987-n, një lexues rus e quajti çka shihte përreth si një “ndarje rrënjësore në vetëdijësim”. E dimë që ai ka të drejtë sepse ai i Rusisë, ishte i pari revolucion i madh, rrjedha e të cilit u skicua në vrojtime të opinionit publik pothuaj që në fillim. Që në fund të vitit 1098, i pari vrojtim përfaqësues i opinionit publik kombëtar, zbuloi mbështetje tronditëse për zgjedhjet konkurruese dhe legalizimin e partive të tjera përveç Partisë Komuniste Sovjetike. Nga mesi i vitit 1990, më shumë se gjysma e atyre të anketuar në një zonë të Rusisë binin dakord se “një ekonomi e shëndetshme” ishte më e mundshme “nëse qeveria i lejon individët të bëjnë siç duan”. Gjashtë muaj më vonë, një vrojtim në mbarë Rusinë zbuloi se 56 për qind mbështetnin një tranzicion të shpejtë apo gradual drejt ekonomisë së tregut. Një tjetër vit kaloi, dhe pjesa e të anketuarve në favor të tregut u rrit në 64 për qind.
Befas, “edukimi i tërë politik” i kombit u bë “veprat e njerëzve të tij të letrave”. Dhe kështu ndodhi në Rusinë Sovjetike. Radhët e gjata në kioskat e gazetave – nganjëherë turmat formoheshin që në gjashtë të mëngjesit me të përditshmet që shiteshin brenda dy orësh – dhe abonimet në rritje shtangëse në gazetat dhe revistat liberale, dëshmojnë fuqinë shkatërruese të eseistëve më të shquar të Glasnostit, apo në thënien e Samuel Johnson, “mësuesit e së vërtetës”: ekonomisti Nikolai Shmelyov; filozofët politikë Igor Klyamkin dhe Alexander Tsypko; eseistë brilantë si Vasily Selyunin, Yuri Chernichenko, Igor Vinogradov, dhe Ales Adamovich; gazetarët Yegor Yakovlev, Len Karpinsky, Fedor Burlatsky, dhe të paktën dy duzina të tjera.
Siç deklaroi Mikhail Antonov në esenë e tij të 1987-s, “Çfarë po na ndodh kështu?” në revistën Oktyabr, njerëzit duheshin “shpëtuar”, jo aq nga rreziqet e jashtme por “mbi të gjitha nga vetvetja, nga pasojat e atyre proceseve demoralizuese që vrasin cilësitë më të fisme njerëzore”. Kjo, arrihej duke e bërë liberalizimin që po lindte, të pakthyeshëm dhe përcaktues. Natyra qerthullore e arsyetimit të tij - për të shpetuar njerëzit duhej shpëtuar perestrojka, por perestrojka mund të shpëtohej vetëm duke ndryshuar njeriun “nga përbrenda” – dukej se nuk shqetësoi ndokënd. “Mjaft!” deklaroi Boris Vasiliev, autori i një novele të famshme të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, i transformuar në një film po aq të mirëpritur. “Mjaft gënjeshtrave, mjaft servilizmit, mjaft burracakërisë. Le të kujtojmë, më në fund se jemi të gjithë qytetarë. Qytetarë krenarë të jë kombi krenar!”
Duke rrëmuar nëpër shkaqet e Revolucionit Francez, de Tocqueville bëri vërejtjen e famshme se regjimet e përmbysura me revolucione priren të jenë më pak shtypëse se ato që i paraprinin. Pse? Sepse, de Tocqueville besonte se ndonëse njerëzit “mund të vuajnë më pak”, “ndjeshmëria e tyre përkeqësohet”. Si zakonisht, ai po thoshte diçka të një rëndësie të jashtëzakonshme. Nga Etërit Themelues tek jakobinët dhe bolshevikët, revolucionarët kanë luftuar thelbësisht nën të njëjtin flamur: përparimin e dinjitetit njerëzor. Është në kërkimin e dinjitetit dhe qytetarisë që ndjeshmëria subversive e Glasnostit jeton dhe do vazhdojë të jetojë. Ashtu si faqet e Ogoniok dhe Moskovskie Novosti duhet të krenohen përkrah Boris Jelcin mbi tank si simbole të revolucionit më të fundit rus, ashtu duhet edhe faqet e internetit në arabisht të qëndrojnë si emblema të revolucionit aktual, krahas pamjeve të turmave në Sheshin Tahrir në Kajro, sheshin e Kasabasë në Tuniz, rrugët e Bengazit, dhe në qytetet e shfarosura të Sirisë. Duke lënë mënjanë gjuhët dhe kulturat politike, mesazhet dhe ndjenjat që frymëzuan ishin mrekullisht të ngjashme.
Frutashitësi Muhamed Bouazizi, vetë-djegia e së cilit i dha shkëndijën revoltës tuniziane që filloi Pranverën Arabe të 2011-s, e bëri diçka të tillë jo sepse ishte i papunë, por sepse ai shkoi të fliste me autoritetet lokale për hallet e tij dhe e kishin rrahur. Shkaku ishte qeveria. Në Bengazi, revolta libiane filloi me turmat që brohorisnin “Populli do që korrupsioni të marrë fund!” në Egjipt, turmat dolën për “vetë-fuqizimin e një populli të shtypur shumë gjatë dhe që nuk donin më të kishin frikë, nuk donin më të privoheshin nga liria e tyre, dhe nuk donin më të poshtëroheshin nga sundimtarët e tyre”, raportonte opinionisti i Neë York Times, Tomas Fridman nga Kajro. Ai mund të ishte duke raportuar nga Moska e 1991-shit.
Në shkurt 2011, Instituti për Zhvillim Bashkëkohor, një think-tank liberal i drejtuar nga Kryeministri Dmitry Medvedev, botoi çka dukej si një platformë për zgjedhjet presidenciale të Rusisë në 2012-n: Në të shkuarën, Rusisë i duhej liria për të jetuar [më mirë]; tani i duhet ta ketë për të mbijetuar... Sfida e kohëve tona është një përditësim kapital i sistemit të vlerave, farkëtimi i një vetëdijeje të re. Nuk mundet ta ndërtojmë një vend të ri mes të menduarit e vjetër... Ishte i njëjti kërkim intelektual dhe moral për vetërespekt dhe krenari që duke filluar me një shqyrtim të pamëshirshëm të së shkuarës dhe të së tashmes së vendit, brenda pak vitesh të shkurtra, zgaflloi shtetin e madh sovjetik, të zhveshur nga legjitimiteti i tij, dhe e ktheu atë në një gëzhojë të djegur që u shkërmoq në gusht të 1991-shit. Rrëfimi i këtij udhëtimi intelektual dhe moral është një tregim absolutisht qendror i revolucionit të fundit të madh të shekullit të 21-të./JAVA/

No comments: