Sazani nuk është vetëm një ishulli shkretë që Ivanka Trump dhe Jared Kushner zbuluan papritur duke lundruar me jahtin e Rothschild -ëve në ujërat fundorë të Adriatikut. Ai është një nyje ushtarake në ujërat e NATO-s, rojtari i vetëm i Ngushticës së Otrantos dhe pika fundore e gazjesllësit TAP – Trans Adriatic Pipeline. Tani mund të shndërrohet në një resort luksoz, pa asnjë kontratë publike.
Nga Zoom.al
9 milje larg bregdetit të Vlorës, Iishulli i Sazanit ngrihet si një anije misterioze prej guri, e mbetur peng mes historisë dhe legjendave. Për dekada me radhë, ky bastion i izoluar fshehu nën barkun e tij një labirint tunelesh dhe sekretesh ushtarake, duke ushqyer mistikën e një toke të ndaluar që të gjithë e shihnin nga larg, por askush s’guxonte ta prekte.
Sot, Sazani po zhvesh ngadalë uniformën e tij të rreptë, duke joshur turizmin me plazhe të virgjëra dhe një natyrë të paprekur që duket se merr frymë jashtë kohës. Vizitorët që shkelin në brigjet e tij jo vetëm shijojnë bukurinë, por përfshihen në një udhëtim emocional mes rrënojave të komunizmit dhe egërsisë së detit të hapur. Është një vend ku e shkuara enigmatike dhe e ardhmja luksoze shkrihen nën diellin e ngrohtë të Mesdheut, duke e kthyer ishullin në sekretin më magjepsës të Shqipërisë.
Por përtej natyrës, Sazani është një nyje ushtarake në ujërat e NATO-s, rojtari i vetëm i Ngushticës së Otrantos dhe pika fundore e Trans Adriatic Pipeline. Tani një grup miliarderësh e ka përfshirë në planet e tij për ta shndërruar në një resort luksoz, ekskluziv i financuar nga kapitale private të huaja, pa asnjë kontratë publike të publikuar.
Për të kuptuar rëndësinë mes të qënit një aset ushtarak apo një investim strategjik për turizmin, do të duhet të nisemi nga historia dhe pozicioni i tij gjeografik.
Zotërimi i Sazanit iu caktua Italisë me Traktatin e Londrës të vitit 1915, pastaj u njoh si tokë shqiptare me Traktatin e Parisit të vitit 1947. Deri në vitet gjashtëdhjetë, ishte vendstrehimi i vetëm i bazës së nëndetëseve sovjetike në Mesdhe, duke u bërë një nga pikat e nxehta të Luftës së Ftohtë.
Historia ushtarake e Sazanit nuk mbaron me nëndetëset sovjetike. Në epokën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ishulli dhe brigjet shqiptare u shndërruan në një arsenal të vërtetë. U ndërtuan qindra bunkerë, projektuar për të rezistuar ndaj një sulmi bërthamor dhe për të strehuar mijëra ushtarë me gjashtë muaj furnizime, të lidhur nga një rrjet i nëndheshëm tunelesh. Zona perëndimore e ishullit është ende sot plot me municion të pashpërthyer. E quajnë edhe si “porta e ferrit”.
Kjo trashëgimi lufte përfaqëson një barrë konkrete mjedisore, logjistike dhe të sigurisë, që ndërlikon çdo plan zhvillimi civil të zonës.
Ngushtica e Otrantos është më pak se 72 kilometra e gjerë. Ajo është dalja e vetme nga deti Adriatik drejt Mesdheut. Kush kontrollon atë kalim, kontrollon lëvizjet e flotave ushtarake dhe tregtisë detare në njërin nga rrugët më të frekuentuara të Europës. Sazani është, në këtë kuptim, rojtari shqiptar i kësaj ngushtice, një grykë detare ku disa kilometra mund të bëjnë ndryshimin mes lirisë së lundrimit dhe bllokimit total.
Shqipëria është në NATO që nga viti 2009 dhe Sazani konsiderohet tashmë një aset në ujërat e Aleancës. Pranë tij ngrihet baza detare e Pasha Limanit, ku Turqia ka të drejta operative të përhershme dhe ku kompania italiane Fincantieri po ndërton një qendër të re detare. Ishulli, pra, nuk është një pikë e izoluar, por është pjesë e një sistemi sigurie kolektive që përfshin disa vende anëtarë të Aleancës.
Nën fundin e detit të të njëjtit brez kalon Trans Adriatic Pipeline (TAP): segmenti i fundit i Korridorit Jugor të Gazit, infrastruktura e madhe energjetike që sjell në Itali e pastaj në pjesën tjetër të Europës, gazin natyror nga deti Kaspik, nëpërmjet Azerbajxhanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë. TAP përfaqëson edhe mekanizmin europian për të reduktuar varësinë nga gazi rus, i përshpejtuar pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Përkimi gjeografik mes zonës së Sazanit, bazës së Pasha Limanit dhe trasesë së TAP nuk është i rastësishëm. Ata që analizojnë sigurinë e infrastrukturave energjetike do ta konsideronin ishullin një pikë natyrale vrojtimi dhe mbrojtjeje për gazsjellësin poshtë tij.
Sot, për mediat botërore ky ishull është shndërruar në qendër të vëmendjes për shkak të planeve të Ivanka Trump dhe Jared Kushner për ta shndërruar atë në një resort ekskluziv, me vila dhe hotelet më luksoze në botë. Ky fakt ka shkaktuar një pakanaqësi në rritje në vend dhe jashtë Shqipërisë. Mediat botërore shkruajnë se Edi Rama po ia jep dhëndrrit të Trump ishullin në këmbim të mbështetjes politike nga Shtëpia e Bardhë. Në internet gëlon konspiracioni se Sazani do të shndërrohet si ishulli i Epstein.
Por përtej zhurmës së internetit, pakënaqësia ndërkombëtare nuk ka të bëjë me marrëveshjen për ndërtimin luksoz. Çështja është më e thellë dhe ka të bëjë me sovranitetin e Shtetit shqiptar mbi një zonë me rëndësi strategjike ushtarake, pais ishulli nuk është njësoj i çdo hapësirë tjetër pranë bregdetit shqiptar.
Një nyje ushtarake e vendosur në ujërat e NATO-s, me gjithçka që kjo nënkupton për sa i përket detyrimeve ndaj Aleancës, kontrollit të infrastrukturave energjetike dhe pozicionimit gjeografik, do të dilte nga sfera publike për të hyrë në një mjet privat, i financuar nga qeveri dhe kapitale të huaja. E gjithë kjo, sipas asaj që ka dalë në dritë, pa u bërë kurrë publike asnjë kontratë ndërmjet Shtetit shqiptar dhe palëve të përfshira.

No comments:
Post a Comment