Sunday, November 4, 2012

Ndryshon harta elektorale, ja llogaritë e reja PS-PD për zgjedhjet

Fejzi Braushi
Sa pa u nxehur ende fushata, partitë do të duhet t’i bëjnë llogaritë me një hartë të re elektorale. Lëvizjet demografike në 4 vitet e fundit kanë shtuar numrin e banorëve të Tiranës, por edhe një mandat deputeti në kryeqytet. Në legjislaturën e ardhshme, Tirana do të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë jo më me 32 deputetë, por me 33.
Shtimi i mandateve për qarkun e Tiranës duket se favorizon socialistët, të cilët në kalkulimet e tyre kanë përfshirë 16 deputetë. Pritshmëritë megjithatë nuk janë përfundimtare, sa kohë llogaritë bëhen me rezultatet zgjedhore të vitit 2009
dhe aktorët elektoralë të atij viti. Mandati i shtuar në Tiranë, për shkak të së njëjtës arsye, pra lëvizjes demografike, pritet t’i hiqet njërit prej 3 qarqeve: Berat, Korçë ose Kukës. Ky ndryshim i ka futur partitë në kalkulime të reja, të cilat pritet të vazhdojnë deri ditën e zgjedhjeve.
Lëvizja e mandateve
Në rast se mandati që vjen në Tiranë do t’i hiqet qarkut të Beratit, atëherë grupimi politik që rrezikon më shumë parashikohet të jetë ai i Partisë Demokratike. Kjo për faktin se mandatin e 8-të në qarkun e Beratit në zgjedhjet e fundit parlamentare e ka marrë pikërisht koalicioni që drejtohej nga PD. Kujtojmë se në 2009, në këtë qark me 8 mandate, PS ka marrë 4 deputetë, PD 3 dhe LSI 1. Në rast se këtij qarku do i pakësohej një mandat, pra në rast se ai do ketë mundësi për të nxjerrë vetëm 7 deputetë dhe nëse aktorët politikë elektoralë do jenë të njëjtë dhe rezultati po ashtu, atëherë do të kishim një shpërndarje mandatesh në këtë qark në këtë mënyrë: PS 4, PD 2 dhe LSI 1. Situata nuk do ndryshonte në këtë qark edhe sikur PD dhe LSI të dilnin në një koalicion zgjedhor. Nga ana tjetër, në rast se mandati që do t’i shtohet Tiranës, do t’i hiqej qarkut të Kukësit, atëherë sërish është koalicioni i PD-së që rrezikon më shumë. Duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2009-ës, mandatet janë ndarë 3 me 1 në favor të demokratëve dhe në rast se do kishim reduktim të numrit të tyre, atëherë raporti do shkonte 2 me 1. Në këtë shpërndarje mandatesh nuk do ndikonte as bashkimi i PD-së dhe LSI-së në një koalicion.
Korça, ku PD-LSI bën diferencë
Të njëjtin parashikim bëjnë ekspertët e zgjedhjeve edhe në rastin e Korçës, që sërish rrezikon të humbë mandatin që do t’i shtohet Tiranës. Në rast se do të kishim dy koalicionet e mëdha të PD dhe PS dhe një koalicion të tretë nga LSI, atëherë do të kishim një shpërndarje mandatesh, ku PD do humbiste një deputet në krahasim me 2009. Kjo pasi sërish edhe në këtë qark në zgjedhjet e 2009-ës, PD ka qenë ajo që ka marrë mandatin e fundit ose të 12-in. Situata do ndryshonte për këtë qark në rast se në zgjedhjet e ardhshme, PD dhe LSI do dilnin në një koalicion. Ky skenar penalizon PS-në me 1 deputet. Gjithmonë duke iu referuar mbështetjes elektorale që kanë marrë këto koalicione në zgjedhjet e 2009-ës, në rast se ky qark do ketë 11 dhe jo 12 mandate sa ka tani, atëherë ato do ndaheshin 6 me 5 në favor të demokratëve. Nga ana tjetër, PD do ta rikuperonte në Tiranë mandatin që do humbiste në njërin nga këto tri qarqe vetëm nëse në zgjedhjet e ardhshme do dilte në koalicion me LSI-në. Kjo pasi bashkimi i votave të PD-së dhe LSI-së në Tiranë do të bënte të mundur që koalicioni i tyre të merrte plot 18 mandate, ndërsa PS po aq sa ka dhe tani, pra 15. Dalja e PD-së me LSI-në në një koalicion do të kishte një efekt të dyfishtë në rast se mandati që i vjen Tiranës, i hiqet Korçës. Kjo pasi nga njëra anë në Korçë, PS do humbiste një mandat, ndërsa në Tiranë, demokratët do merrnin një mandat më shumë sesa kanë aktualisht bashkë me LSI-në.



Si do bëhet ndarja e mandateve në qarqe

Në bazë të ligjit zgjedhor, rreth 5 muaj para zgjedhjeve të ardhshme KQZ-ja do duhet të bëjë shpërndarjen e mandateve të deputetëve që ka të drejtë të zgjedhë çdo zonë zgjedhore apo çdo qark (zona zgjedhore është e njëjtë me qarkun). Për të bërë këtë shpërndarje, KQZ do duhet të veprojë sipas një formule të thjeshtë, ku numrin e përgjithshëm të popullsisë në gjithë vendin do duhet ta pjesëtojë me numrin 140, aq sa janë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Shifra që del pas këtij veprimi është edhe mesatarja e banorëve për çdo deputet. Më pas KQZ do duhet të pjesëtojë numrin e popullsisë së çdo qarku me mesataren e banorëve për çdo deputet. Me anë të këtij veprimi të dytë KQZ do ketë mundësi që të nxjerrë numrin e deputetëve për çdo qark. Dhe pikërisht këto llogari kanë nisur t’i bëjnë forcat politike, të cilat mbi bazën e këtyre të dhënave do bëjnë më pas dhe llogaritë e tyre elektorale. Këtë gjë të paktën e kanë përllogaritur socialistët dhe disa parti të vogla, të cilat konfirmojnë se sipas të dhënave që ata kanë, qarkut të Tiranës i shtohet një mandat. Megjithatë, ata nuk kanë qenë në gjendje të thonë se ky mandat që i kalon Tiranës, kujt qarku i ikën. Duke patur parasysh përllogaritjen e mandateve që bëri KQZ-ja në vitin 2009, qarqet që rrezikojnë më shumë ta humbasin këtë mandat janë Korça, Berati dhe Kukësi. Kjo pasi këto tri qarqe në 2009-ën kanë fituar mandatet e fundit vetëm duke shfrytëzuar përllogaritjen me presje dhjetore, ndërsa qarqet e tjera kanë marrë mandate të plota.



Mandatet për secilin qark

Berat                 8  (-1)            mandate
Dibër                 6        mandate
Durrës             13        mandate
Elbasan            14        mandate
Fier                  16        mandate
Gjirokastër        5        mandate
Korçë              12  (-1)            mandate
Kukës                4  (-1)            mandate
Lezhë                7        mandate
Shkodër           11        mandate
Tiranë              33        mandate
Vlorë               12        mandate


Kodi Zgjedhor

Neni 75

Kriteret dhe procedura për caktimin e numrit të mandateve

1. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish.
2. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit.
3. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar, të përftuar sipas pikës 2 të këtij neni.
4. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni.
5. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore me të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe.
6. Në rast se edhe pas zbatimit të pikës 5 të këtij neni presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është e njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që, pas përllogaritjes sipas pikës 3 të këtij neni, ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.
7. Në rast se dy apo më shumë zona zgjedhore, edhe pas zbatimit të pikës 6 të këtij neni, kanë numër të njëjtë shtetasish, të cilët nuk kanë prodhuar mandat të plotë, mandatet ndahen me short nga KQZ-ja. Hedhja e shortit bëhet kurdoherë publike dhe në prani të subjekteve që kanë përfaqësues të përhershëm në KQZ.
Neni 76

Procedura dhe periudha e përcaktimit të mandateve

1. Si rregull 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile me kërkesë të KQZ-së,  dërgon numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
2. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve.
3. Në çdo rast numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore  miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme

No comments: