Sunday, November 4, 2012

Kukësi mund sërish Tiranën; Vllaznia “mbytet” në Durrës

 /Panorama Plus/
Tirana nuk sheh dot dritë në fund të tunelit, duke vijuar të mbetet në krizë rezultatesh. Me një reagim të dukshëm pozitiv në lojën e saj, por pa superuar dot Kukësin debutues në Superiore, skuadra 24 herë kampione e vendit është detyruar t’u ulet në gjunjë për të dytën herë radhazi verilindorëve të dyshes Starova-Cungu. Pas disfatës së turpshme në kupë, kur u mund 4-0, vjen edhe humbja në kampionat, me rezultatin 2-1, brenda në “Qemal Stafa”. Rikthimi i Alban Tafajt në stolin bardheblu nuk i bën derman kësaj Tirane, që tashmë ka humbur edhe tifozët e vet të zjarrtë.
Kuksianët dalin me tri pikë të arta nga kjo transfertë, duke pasur 15 të tilla tashmë në klasifikim, të mjaftueshme për të parakaluar kryeqytetasit, që mbeten me 13 pikë pas 9 javësh kampionat.
Ndeshja Tirana e nis me dy mungesa, për shkak kartonësh (Dushku dhe Mucollari), ndërsa kuksianët janë të plotë, teksa është rikuperuar në kohë edhe sulmuesi potent serb, Llazar Popovic. Që në minutën e parë duket një betejë e fortë mes të dyja palëve, me bardheblutë në kërkim të autokritikës dhe njëlloj “hakmarrjeje” për disfatën e turpshme në kupë me verilindorët (humbja 4-0), ndërsa miqtë janë karikuar maksimalisht nga presidenti i tyre. Safet Gjici ka vënë premio prej 20 milioësh të vjetra në rast fitoreje, ndaj kjo i bën “me krahë” lojtarët e Cungut. Rasti i parë serioz, nga i cili u zhbllokua edhe rezultati i ndeshjes i takon minutës së 18-të. Entonio Pashaj, në rolin e një qendërmbrojtësi, në dyluftim ajror, trup me trup me Popovic, duket se shkakton faull, që për kryesorin Jorgji është penallti. Nuk gabon nga pika e bardhë Allmuca, i cili shënon golin e parë të sfidës dhe ngre në këmbë mbi 2 mijë tifozë kuksianë, që nga ana e tyre kanë fituar edhe “ndeshjen” në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”. Ultrasit bardheblu janë të paktë në numër, edhe ata që kanë ardhur në ndërkombëtarin tonë protestojnë me parulla të ndryshme, ku kontestojnë ecurinë negative dhe problematike të skuadrës së tyre të zemrës. Kukësi guxon e beson shumë në vetvete, e sulmon Tiranën, duke ia ngushtuar hapësirat e verpimit. Klodian Duro, i rikthyer në formacionin titullar të kryeqytetasve, së bashku me Karabecin mundohen të ftillojnë lojën e vendësve, por mesfushorët shkatërrues të verilindorëve ua bëjnë të vështirë misionin. Elbasanasi tenton edhe nga distanca, por pa problem për Halilajn. Për debutuesit në Superiore vepron bukur dyshja e sulmit Malindi-Popovic, e cila e mban në alarm prapavijën bardheblu, ndërkohë që Progni nga e majta i jep në mënyrë persistente ndihmë repartit të tij ofensiv. Tafaj bën zëvendësimin e parë që në minutën e 34-t, kur nxjerr Cotën dhe aktivizon Abilaliajn. Pas golit, kuksianët sikur e ulin disi ritmin, tërhiqen në gjysmëfushën e tyre, me 24 herë kampionët që reagojnë fuqishëm, duke krijuar disa mundësi të mira barazimi me Duron, Ahmatajn e Karabecin. Vendësit fitojnë disa goditje këndi radhazi, por mungoj njeriu gol, ai që ta shtyjë topin drejt rrjetës së Halilajt. Lika nga e majta dhe Taku nga e djathta e kryejnë mirë detyrën e tyre, duke e furnizuar sulmin me krosime të bukura e të përpikta, por finalizmi mbetet problemi kryesor. Kjo edhe për meritë të mbrojtjes kuksiane, tepër e kujdesshme dhe e saktë me Malotën, Brahjen, Hallacin e Malakarnen. Klodian Duro ekzekuton bukur një goditje dënimi në minutën e 39-të, por po kaq bukur reagon Halilaj, që i thotë “jo” golit të bardhebluve. Këta të fundit kanë thelluar epërsinë në lojë tashmë, duke mos u shqitur nga zona e kuksianëve, të cilën e vënë në shenjestër herë pas here. Biskup dhe Allmuca kanë shumë punë në qendër të fushës, me shkatërrimin e ofensivës sulmuese të kryeqytetasve, megjithatë arrijnë të bëjnë njëlloj filtri për veprimet e Duros e të Karabecit, tek të cilët është e bazuar faza ndërtuese e lojës së bardhebluve. Në minutat shtesë të pjesës së parë Abilaliaj ka një mundësi të artë shënimi. Pasimi diagonal i Gilman Likës shkon në formë asisti për vlonjatin e Tiranës, i cili tregohet amator në goditje, dy metra larg portës së Halilajt. Edhe pjesa e dytë është nën shenjën e Tiranës, që vijon përpjekjet e saj në kërkim të barazimit, por porta e Halilajt mbetet e paarritshme deri në minutën e 63-të. Tentativat e Ahmatajt e të Duros, me goditje nga distanca, janë të vetmet rreziqe për verilindorët, ndërsa Abilaliaj mbetet tërësisht në hije. Duhej një pasim diagonal i Klodian Duros për në të majtë të sulmit bardheblu, ku vidhet bukur Gilman Lika, që godet saktë dhe barazon shifrat. Përligjen më në fund përpjekjet e mëdha të Tiranës, e cila pas pësimit të golit ka qenë në udhëheqje të lojës dhe ka këmbëngulur sistematikisht në gjysmëfushën mike. Megjithatë, nuk ishte e thënë që të zgjaste shumë gëzimi i rivendosjes së ekuilibrit rezultativ, pasi debutuesit në superiore dalin nga “strofulla” e tyre, duke iu drejtuar portës së Ilion Likës, derisa gjejnë edhe golin e dytë me anë të kosovarit Ylli Hoxha, i futur si zëvendësues në pjesën e dytë. Kukësi është sërish në delir, ndërsa bardheblutë s’u besojnë syve, teksa e shohin veten sërish në humbje. Minutat e mëpastajme janë të tensionuara, me nerva të acaruara, ndaj kryesori Jorgji nxjerr dy kartonë të kuq për Ahmatajn e Mosullin në minutën e 79-të. Megjithatë, rezultati 2-1 mbetet në fuqi, duke shtuar tri pikë të tjera në llogarinë e kuksianëve, të vëtmit që nuk e kanë shijuar ende humbjen në këtë kampionat, ashtu si edhe korcarët e Skënderbeut.
Vendos Mancaku, Teuta mund Vllazninë
Në “Niko Dovana” luhej përballja e 151-të mes Teutës dhe Vllaznisë. Bregdetarëve u mungonte Tairi për arsye kartonësh, ndërsa te kuqeblutë nuk luante rumuni Dragoi, ende i parikuperuar plotësisht nga dëmtimi. Vllaznia e nis me Hysën, të vetëm në majë të sulmit, i asistuar nga pas prej malalezit Delic. Hajdari po ashtu merr pjesë aktive në detyrat ofensive të kuqebluve, duke lëvizur sa në njërin kah, aq në tjetrin. Teuta ia ka besuar golin sulmuesit të saj kryesor, Daniel Xhafaj, deri tani në hije te durrsakët, ndërsa nuk mungojnë të godasin nga distanca edhe Nika me Mancakun. 15 minutat e para të sfidës zhvillohen të qeta e pa shumë ngacmime serioze në portat respektive. Lojtarët angazhohen më së shumti në dyluftime e qarkullim të dendur topi në mesfushë, ku “xhirohet bosh” më së shumti, pa iu afruar golit. As Vllaznia dhe as Teuta nuk arrijnë t’i marrin dot iniciativën njëra-tjetrës, kështu që Rizvani dhe Vujadinovic mbeten të paarritshëm. Derisa vjen minuta e 28-të, kur veterani i durrsakëve, Mancaku, në mënyrë intuitive finalizon me kokë një lëmsh në zonën shkodrane. Zhbllokohet kësisoji rezultati i këtij ballafaqimi, që nuk u ngrit dot mbi mesataren në pjesën e parë. Zgjohet pas këtij momenti formacioni i Duros, që e sposton disi lojën në gjysmëfushën vendëse, por sërish i mungon frymëmarrja dhe organizimi i nevojshëm në mesfushë. Delic nuk është në ditën e tij më të mirë, ndërsa Hysa mbetet i izoluar nga mbrojtësit durrsakë. Në minutën e 35-të ka një moment të diskutueshëm, kur Da Silva e prek topin me dorë në tentativë për ta larguar atë nga zona e tij. Kryesori Jemini akordon goditje dënimi mbi vijën ballore të zonës durrsake, ku Delic godet jo saktë, duke shpërdoruar momentin më kulmor të miqve në 45 minutat e para. Vllaznia nxjerr Hajdarin për Begajn, që në startin e pjesës së dytë, teksa trajneri Duro i “përzien letrat” në formacionin e tij. Janë dukshëm më kërkues shkodranët në këtë fraksion loje, teksa nuk pajtohen kurrsesi me disavantazhin. Nuk mungojnë goditjet, nga të gjitha pozicionet e me të gjitha mënyrat drejt kuadratit të Rizvanit, por prapavija e Teutës tregohet në lartësinë e duhur. Hysa e ka të pamundur ta cajë murin mbrojtës të durrsakëve, ndërkohë që në ndihmë të tij vijnë edhe mbrojtësit. Beqiri dhe Smajli shihen dendur në sulm, por ashtu si pjesa tjetër e skuadrës, edhe ata nuk kanë qetësinë dhe qartësinë që të shpie te goli. Përvesh mëngët formacioni i Begejës, që ia bën hyzmetin totalisht mbrojtjes së golit të Mancakut, duke tentuar rrallëherë kundërsulmin, por pa forcë në këtë drejtim. Kuqeblutë i janë afruar ndjeshëm barazimit afër fundit të ndeshjes, kur Delic nga goditja e dënimit e përplas topin në trekëndëshin e Rizvanit, që kthehet së andejmi dhe impenjon Begajn në një roveshiatë të bukur, por pa rezultat. Mbyllet gjithcka me fitoren minimale të vendësve, ndërsa Vllaznia nuk arrin të dëshmojë vijueshmëri të rezultateve pozitive
Barazim i bardhë në Berat
Ndeshja tjetër, e luajtur në Berat, ka përfunduar pa gola, në barazim të bardhë. Dështon sërish Tomori i Kristaq Miles për të gjetur fitoren e parë në këtë kampionat, edhe pse ka luajtur para tifozëve të vet. Mallakastriotët e Agim Canajt janë shfaqur një “kockë e fortë” për beratasit, duke dalë me një pikë të cmuar nga kjo transfertë. Ky ishte barazimi i dytë radhazi për Tomorin, pas atij të një jave më parë në Fier, ndërkohë që Bylisi vijon të paraqitet kompakt e me vijueshmëri rezultatesh pozitive. Skuadra e Miles mbetet në vendin e fundit, pas asnjë fitore deri më tani. Me katër pikë në klasifikim, ata kanë shoqërinë e fierakëve pranë (që kanë një pikë më shumë), ndërsa Bylisi barazohet me pikë me Kastriotin dhe Flamurtarin, duke u pozicionuar në mesin e artë të renditjes.
Ndeshjet e së shtunës
Java e 9-të e Superiores sa i gjente kryesuesit e Skënderbeut në një transfertë delikate, sikurse rezultoi në fakt, në Kavajë. Barazimi 1-1 ishte fryt i një sfide të luftuar fort, e përcjellë nga tensioni e momentet e diskutueshme arbitrale. Një penallti e humbur nga Pero Pejic, nga një gol në secilën portë, shënuar në pjesën e dytë, kushtëzuan në total këtë 90-minutësh, që në fund ndau nga një pikë për të dyja skuadrat. Skënderbeu eviton kësisoji humbjen e parë në kampionat, ndërsa mbetet në krye të renditjes. Në të njëjtën orë, Flamurtari i pretendimeve të mëdha, por i një stonature të pashpjegueshme deri dje, priti në Vlorë Kastriotin, në përpjekje për t’u rehabilituar dhe ngjitur në renditje. Golat e Veliut, në fundin e pjesës së parë, të Muzakës e Memellit “in extremis”, kanë sjellë më së fundi, në javën e 9-të të kampiontit, fitoren e parë në shtëpi, e cila vjen direkt e radhazi pas asaj në Gjirokastër, 7 ditë më parë. Duke thyer kësisoji një tabu të kuqezinjve, të cilët janë shfaqur më të kolauduar se kurrë në lojën e tyre. Krutanët kanë luajtur pjesën e dytë me një lojtar më pak, pas daljes me të kuqe të Rigers Hoxhës në momentin e faullit, që solli edhe goditjen e dënimit e prej saj golin e Veliut. Më herët Laci dërrmoi bluzinjtë e Gjirokastrës, me rezultatin 3-0, duke ia prishur debutimin Edi Martinit, ndërsa ka shijuar në kahun tjetër suksesin e parë në drejtimin e bardhezinjve Ramadan Shehu. Vucaj, Buljan dhe Nimani janë “heronjtë” e kurbinasve në këtë ballafaqim. Në Peqin ka pasur mjaft tension, sidomos pas lojës, ku incidentet mes tifozëve vendës dhe policisë nuk kanë munguar. Pavarësisht këmbënguljes së pambarimtë të Shkumbinit, goli nuk ka dalë në dritë. Edhe kur është prekur rrjeta e Micos, nga Roland Dervishi, ka anuluar gjithcka anësori për pozicion jashtë loje, cka i ka ndezur gjakrat e tensionet në maksimum, duke prodhuar edhe ato skena mes tifozërisë e policisë pas ndeshjes.
Java e 9-të
04.11.2012
TEUTA-VLLAZNIA  1-0
Golat: Mancaku 25′
Gjyqtarë: L.Jemini, G.Qirici, E.Bicaku

TOMORI-BYLIS   0-0
Gjyqtarë: S.Cekaj, G.Koka, M.Dervishi
TIRANA-KUKESI   1-2
Golat: G.Lika 63′ / Allmuca 19′ (pen), Hoxha 74′
Gjyqtarë: E.Jorgji, R.Preca, E.Ganxhi
03.11.2012
BESA-SKENDERBEU   1-1
Golat: Mihani 67′ / Plaku 78′
Gjyqtarë: L.Alla, E.Barushi, D.Korreshi
FLAMURTARI-KASTRIOTI   3-0
Golat: Veliu 45′, Muzaka 88′, Memelli 90+2′
Gjyqtarë: E.Sino, O.Grabova, N.Rrapaj
LACI-LUFTETARI   3-0
Golat: Vucaj 12′, Buljan 16′, Nimani 65′
Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Doda, D.Rexha
SHKUMBINI-APOLONIA   0-0
Gjyqtarë: D.Jubica, M.Qeseri, Gj.Bori
/PANORAMA SPORT /

No comments: