Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kritikon ashpër javët e para të qeverisë së re.
Në
një intervistë për “ABC News”, ai thotë se nuk do të mbështesë më
publikisht Ekzekutivin e ri dhe shton se, nëse vazhdohet në këtë rrugë,
së bashku me aleatët e tjerë të së majtës do të kërkojnë një
kryeministër tjetër.
“Do
angazhohem me gjithë koalicionin që ose të rregullojë trajektoren, ose
të gjejmë kryeministër tjetër. Më hapur se kaq nuk mund të flas.
Shenjat
janë shumë të këqija. Ka prishur gjithë marrëveshjet. Elitën
politike të partisë së tij e ka abandonuar. Më duket se nuk e kupton”.Pse keni munguar? Ju ishit zëdhënia zyrtare e opozitës së asaj kohe. Ishte pauzë reflektimi, testimi apo keni pritur?
I kam hequr mbështetjen kësaj qeverie. Nuk kam ndonjë intencion t’i bëj marrëdhëniet me publikun, le ta bëjë vetë.
Përse?
Ka shumë arsye dhe, me sa shoh, po bën gabime që do ta rëndojnë shumë.
Cilat janë disa prej tyre?
Kryesorja nuk po qeveris dhe po krijon tension në emërime. Ka një tension të brendshëm të nocionit administratë që ka vetë PS-ja. Me një sfidë djaloshare jo të një burri shteti, të çosh drejtor të Tatimeve njeri të panjohur në një kohë që këtu është bërë kërdia me korrupsion, më duket paaftësi ndaj shtetit. Kryeministri duhet ta kuptojë që nuk është regjim që vjen pas një lufte partizane, por është shtet borgjez dhe duhet të respektosh administratën, sepse këtë e vuan kapitali. Këtu s’ka pasur korrupsion, por krim shtetëror. Ta trajtosh kështu ose nuk di gjë fare çfarë bëhet, ose ke ndërmend të vazhdosh që anija të mbytet.
Rama ka theksuar luftën kundër korrupsionit. E shikoni që po shkohet drejt saj?
Edhe Saliu luftën kundër korrupsionit kishte, edhe Mubarak. Kjo s’do të thotë gjë. Unë dua të di kush është lufta. Ajo nuk është me armë, por me ligj. Trego reformat. Ka nevojë për reformë kushtetuese dhe gjithë aspektet e jetës ekonomike. Duhet të thirreshin të gjithë njerëzit e aftë që do drejtojnë shtetin. Ç’është kjo maxhorancë që del me një zë të vetëm dhe thotë, ik ti këtu e shko ti atje. Nuk ka grumbulluar një ekip. Të paktën të kishte respekt për ekspertizën e vjetër që ka brenda partisë së tij. Është njësoj si qeveritë e pashallarëve. Ka filluar shumë keq, unë s’kam si mbështes një qeveri me një Kryeministër të tillë. Rama duhet të ndërrojë trajektoren sa më shumë shpejt të jetë e mundur. Lëri takimet me diplomatët, ku kanë vlerë ato! Njerëzit duan një gjuhë që t’i japë shpresë dhe një kryeministër që të tregojë forcë në funksion të moralitetit. Jo të një grupi që ka atje, ca koço e ca moço. Pse me ata do ta drejtojë shtetin ai? Pse do ta mbështes unë? Absolutisht nuk e mbështes.
Po mbizotëron Rama në këtë qeverisje?
Rama nuk drejton. Ky nuk është drejtimi i një Kryeministri. Ai nuk kishte eksperiencë për administratën, por kjo s’do të thotë se s’duhet të kishte staf.
Kur thoni nuk e mbështes më Ramën, do të thotë shkëputje?
Jo, përkundrazi, do angazhohem me gjithë koalicionin që, ose të rregullojë trajektoren, ose të gjejmë kryeministër tjetër. Më hapur se kaq nuk mund të flas. Shenjat janë shumë të këqija. Ka prishur gjithë marrëveshjet. Elitën politike të partisë së tij e ka abandonuar. Më duket se nuk e kupton.
Keni komunikuar për këto çështje me Ramën?
Jo, nuk kam pse komunikoj, po i them këtu. Janë çështje që i flasin të gjithë. Gjendja është e rëndë. Ka konflikte të brendshme që duhet t’i zgjidhë nëse do të ketë jetëgjatësi.
Brenda PS-së apo gjithë koalicionit?
Brenda koalicionit. I gjithë koalicioni ka marrë 280 mijë vota. Janë 1 milion shqiptarë që duan ndryshim. Muajt e parë janë të elokuencës së një Kryeministri, që duhet t’i thotë shoqërisë cilat janë prioritetet. Emërimet janë qesharake dhe njerëzit humbasin besimin se këtu mund të ketë një tronditje. Administrata duhet reformuar. Ajo ishte administratë që ka rënë në pellgun e korrupsionit.
Njëri prej emrave pranë Ramës është Koço Kokëdhima, i cili ka komunikuar edhe me ju…
Gabim i rëndë nëse e drejton ky. Zërat brenda PS-së thonë që e drejton ky. Si mund ta drejtojë ai? Nëse e drejton ky, është fatkeqësi e rëndë. Gjendja më duket e rëndë. Nisja është e gabuar. Rama duhet të ndërrojë trajektoren. Ndërrimi i saj është krijimi i kompromisit me të gjithë ata që është konfliktuar, që janë shumë të fortë dhe persona që kanë krijuar vetë partinë. Rama ka rënë në entuziazëm patologjik për ngritjen me katapultë që u bë kryeministër apo ka arsye të tjera? Nuk ka rëndësi fare, por duhet të kthehet te gjuha e marrëveshjes. Duhet të ketë mendjen, sepse gjithçka mund të ndodhë. Nuk mund të lihet anija t’i bjerë ajsbergut, sepse paska ky ca koço, ca moço, ca loço. Në të kundërt, do biem atje ku ishte Saliu. Kjo nuk do të thotë që kryeministri i ri vjen me një maxhorancë kaq të kualifikuar, të bëhet fatkeqësi e maxhorancës. Kjo nuk tolerohet.
Sa i përket debatit të fundit, opozita thotë se është vrarë konsensusi kur është miratuar ligji për shërbimin civil.
Konsensusi politik ishte domosdoshmëri dhe, po të mos donte opozita e atëhershme, ligji nuk bëhej, sepse Saliu nuk kishte 84 vota. Që ti të kesh oreksin tënd që, pasi e ke bërë administratën lesheli me njerëz të pashkolluar, me diploma të blera dhe pastaj këta t’i garantosh të zhvatin popullin, kjo s’mund të ekzistojë. Ligji për administratën shtetërore është garanti për një administratë të re. Por unë po shoh që nuk ka administratë të re. Më shqetëson fakti që qeveria që ka ardhur, Kryeministri aktual nuk po di të ndërtojë një të re. Ai s’ka bërë asnjë shkelje ligji. Ka të drejtë t’i bëjë ato të gjitha, por t’i bëjë jo në favor të tij dhe krokodilëve që ka pranë, por t’i bëjë në favor të shoqërisë. Shqiptarët duan që njerëzit e tyre më të mençur të jenë ata të cilët të drejtojnë administratën shtetërore. Nëse ti ke optikën që do thërrasësh njerëzit që kanë mbaruar në Perëndim, që janë të gjithë në rresht për të ardhur dhe për të ndihmuar shoqërinë, nëse thërret të gjithë eksperiencën dhe botën akademike për ndihmë për të krijuar një administratë e cila nuk do jetë një kukull që do ta drejtojë ai dhe të thotë ti merr Telekomin, unë marr Albpetrolin… ky është turp. Nuk mund të flitet kështu. Puna dhe kapitali duhet të gjejnë një harmoni të madhe mes tyre, që nuk ekziston.
Thatë se një qeveri duhet të ketë 84 vota për të mirëqeverisur…
Problemi është që ti i kërkon popullit 84 vota dhe t’i dha. Por është shumë vështirë. 84 mund të krijojë dehje patologjike dhe, të bësh gabime si këto, që të marrësh senatorët e gjimnazeve dhe t’i çosh për të administruar shtetin. Senatorët e gjimnazeve flasin fjalë të përgjithshme. Të marrësh senatoret e gjimnazeve dhe t’i bësh ministra është naivitet ose frikë. Pasoja është e dëmshme.
Marrëveshja me Metën është e vetmja marrëveshje e qëndrueshme për Ramën?
Ajo nuk është një marrëveshje e qëndrueshme, sepse Rama e ka të detyruar. Rama nuk ka fituar zgjedhjet. Duhet të fitonte në 2009-n, por nuk fitoi dot. Ishte turp. Ne e përkrahëm, por nuk fitoi. Duhet ta kishte rrëzuar qeverinë në Gërdec. Atëherë nuk kishte eksperiencë. E gënjyen injorantët që ka rrotull dhe i thanë po iku Saliu, ti nuk fiton dot. Sa i përket marrëveshjes me Metën, rezultoi e mirë. Ky nuk ka numrat. Meta nuk ka prishur asnjë marrëveshje politike. Rama ka prishur marrëveshjen politike me Metën, por, po të kish marrë 72, ky me këto që po shohim, nuk dihej ç’do kish ndodhur. Meta është i përgjegjshëm ndaj shtetit. Jam i bindur se 70% e këtyre që thashë unë, janë dhe vërejtjet e tij, unë nuk kam biseduar me të. Meta tani quhet i rehabilituar. Unë po të isha, Meta nuk kishte pse të vinte ministra. Ishte vetëm kryetar i Kuvendit. Problemi qëndron që gjendja nuk është në favor të maxhorancës. Këta mendojnë se është në favor të Kryeministrit. Jo, duhet të jetë në favor të vendit.
No comments:
Post a Comment