Saturday, June 22, 2013

Prof.Gezim Uruçi –studiuesi enciklopedik, ndryshe “Enciklopedia e gjallë e Shkodrës”

Në epokën e hapjes dhe të integrimit, veçmas brenda vetes, për cilido intelektual, krijues apo studiues serioz, shanset e njohjes sa me vetveten, sa me të tjerët, janë nga më brilantët. Dhe, në këtë vështrim, njohja me individë të spikatur, në domethënien e tyre ekzistenciale, për një vullnet dhe guxim permanent, përballë sfidave në fushën e vet, padyshim dhe patjetër artikulohet brenda teje si një kënaqësi e veçantë. E kisha dëgjuar këtë emër përmes shokëve dhe miqve të tij, por asnjëherë nuk më kishte
qëlluar rasti të shkëmbenim qoftë edhe dy fjalë me njëri-tjetrin. Papritur, ndërsa po kaloja para ish-Prefekturës, kanë qenë, besoj, fillimvitet  2000, ndalon në krahun tim të djathtë një burrë i bukur, me sytë gjithë jetë, mbi një biçikletë të modelit klasik”Montabink”.
          Dhe, ndërsa unë, po ndiqja me kureshtje interesimin e njeriut  të sapoardhur, gjithë fjalë respekti dhe nderimi për qytetarët e vetmisë brilante, siç është ajo e krijuesit, ky i fundit më drejtohet: “Ju jeni Kadri Ujkaj, studiues i Kadaresë, madje edhe njëri nga idhtarët e tij më të zjarrët, së paku, në Shkodër?!”. Po, i përgjigjem, i tëri, por jo si idhtar në kuptimin dogmatik,  sepse idhujtaria, si prolog startimi i  këtij lloj vizioni, nuk i shkon kritikut , kurse vlerësimi real i  vlerave artistike po. Natyrisht, kur jemi dy, e mirëkuptoj mendimin ndryshe të tjetrit, qoftë ky edhe për  “Kadarenë”. Ndërkohë, si u prezantua, ai zbriti nga triçikli, përqafohemi dhe m’u lut të pinim bashkë një kafe.
          Sapo kishte dalë në qarkullim libri im”Kryqëzimi modern i gjenive”, ku oponoja kundër gjithë asaj urdie mediokriteti, gati si një kryqëzatë kundër Kadaresë dhe Migjenit, mjerisht, në Shkodrën time, të lashtë  gati sa Roma, “qytet-shtet” në specifikën e saj si  identitet, të cilën, falë asaj tradite elitë në fushën e kulturës dhe të humorit, gjithnjë e kam ndjerë dhe e ndjej brenda vetes  “timen”, çka më ka bërë të mos hesht përballë idhujtarisë   sa politike, sa të djepeve, po aq kundër konformizmit patologjik, postmodern, viruse që rrezikojnë identitetin e çdo civilizimi, sado koherent të jetë brenda vetes.
            Pikërisht në këtë kontekst sa real, sa sureal do të takoheshim për të  mbetur si dy miq dhe për të mos u ndarë deri në ditët e fundit të jetës së tij, me Profesor  Gezim My. Uruҫin  qytetarin  shpirtmadh dhe hulumtuesin  serioz, që urrejtjen “nuk e njihte”, edhe pse i dallonte qartë ata që nuk u gëzoheshin sukseseve të shkëlqyera, sfidave të fituara prej tij, si pak kush në Shkodër, Shqipëri dhe në Evropë, në fushën e studimeve spileologjike. Vërtet ai jetonte shpirtërisht me malet dhe shpellat, por po ashtu jetonte edhe me statusin e fjalës si vlerë universale: Gezimi ishte edhe një poet që të mrekullonte. Në studion e tij ruante, si gjëra të shenjta, rreth 200 poezi të  krijuara prej tij, në të cilat spikaste niveli artistik, larmia e strofave dhe vargu klasik deri tek ai modern. Nuk e di pse s’po i botonte, ndoshta mania për të rrokur maksimalisht gjuhën poetike, në ato nivele, që ai shquhej, botërisht, në ”gjuhën e spileologjisë”, pasioni brilant i jetës së tij.
             Dhe nuk mund të ishte ndryshe: Pasioni i jashtëzakonshëm  në këtë fushë do të ishte gjithë laitmotivi i jetës së tij prej spileologu të shquar. Me orë të tëra më ka takuar të ndiqnim,  bashkë, në kompjuterin e tij gjithë atë dokumentacion të fotografuar, arshivuar dhe të mbajtur me kujdes, ku mbaheshin model mbi 80 mijë negativa të skeduara sipas sistemit  të mirënjohur të Fototekës”Marubi” si dhe afro 100 mijë fotografi të realizuara me aparatin e tij në veprimtari të ndryshme kulturore, patriotike, shkencore:

                                                                      
                                                                         2
Aktualisht një mundësi e përsosur  për  të përformuar  fotoekspozita të ndryshme  lidhur me  malet, shpellat,  etnografinë, monumentet e kulturës, folklorin dhe objektet antike të Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë. Profesor Gezimi fliste, mirë, disa prej gjuhëve të huaja, ҫka kam arritur ta  kuptoj sa nga të afërmit e tij, sa nga ndjekja me 3-4 orë rrjesht  në kompjuterin e tij të punës, të  veprimtarive të zhvilluara: konferencat shkencore, me dialogjet e polemikat, deri te kongreset  jashtë shtetit, prej ku ftesat atij i vinin së bashku me biletën e udhëtimit, me studiues gjermanë, norvegjezë, italianë, rusë, anglezë, serbë, bullgarë etj.Përvoja të tilla me të huajt, të jipnin mundësinë  që të  kuptoje që ai fliste mjaft mirë: gjermanisht , anglisht, italisht, serbisht, bullgarisht dhe rusisht.
           Profesor  Gezim My.Uruҫi gjatë viteve  90-të, që banonte në Kassel Trier, në Bon të Gjermanisë, krahas përgatitjes vullnetare,  për rreth 4 vite, të  studentëve për trajnerë të huaj, speleologë, në Universitetin e Bonit, do të jepte një kontribut të shquar prej patrioti edhe në përgatitjen speciale të trupave të UҪK-së së Kosovës. Rrjedhimisht, ai njihte nga afër, ruante raporte konfidenciale dhe takohej me raste, krejt miqësisht,  me ish-liderët e njohur të UҪK-ës: Hashim Thaҫin, Jakup Krasniqin, Ramush Haradinajn etj.  
            Megjithatë  fusha pasionante e tij qenë hulumtimet në  spileologji, ku arriti të eksplorojë rreth 3200 shpella, brenda dhe jashtë vendit, duke merituar , kështu, në vitin 1994 sodisfaksionin e titullit ”Profesor Honoris” në shkencat spileologjike nga Unioni Internacional i Spileologjisë në Bruksel. Viti 2001- një tjetër sfidë e arritur në spiralen e  arritjeve të Profesor Gezim My.Uruçit: Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshin  në elitën e intelektualëve më të shquar të botës. Shtoji këtij suksesi edhe vlerësimet  e bëra me medalje bronxi dhe ari, në vitet 1993 dhe 2004, nga Federata bullgare e Spileologjisë,  ҫmimin”Juri Gagarin”, në fushën e astronomisë, dhënë në Salamanka të Spanjës, në 1994-ën etj.dhe do të bindesh pse Prof. Gezim My.Uruçi  do të përfshihej me aq dinjitet profesional, si njëri nga spileologët brilantë,  në 8 enciklopedi ndërkombëtare.
            Jo rastësisht, në vitin 1995, Qendra Nacionale e Speleo-alpinëve të Shqipërisë do t’i jepte titullin ”Eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave”, sikurse më 10 maj 1989 i akordohej titulli ”Laureat i çmimit të Republikës” si projektues i të parit shatërvan  në Shkodër .”Në shtëpinë e tij një muze, por edhe një bibliotekë me mbi  6000 vëllime, në 17 gjuhë të huaja, krahas shumë librave në dorëshkrim, që presin të botohen, do të gjesh edhe thesarë të rrallë si vegla prej koci dreri për mbushjen e dhëmbëve, bile edhe dhëmbë të mbushur me pluhur kocke, zbulime fenomenale të vetë atij.
             Ai ishte gjithashtu edhe themeluesi i Shoqatës Kombëtare të Speleo-alpinëve të Shqipërisë në vitin 1991, sikurse edhe njëri  nga anëtarët  dhe  bashkëpunëtorët,  me të drejta të plota, i disa federatave dhe unioneve ndërkombëtare si  atyre të:  Gjermanisë,  Anglisë, Austrisë, Italisë, Spanjës, Rusisë, Kinës, Japonisë, Meksikës, Portugalisë, Afrikës së Jugut, Greqisë, Maqedonisë, Kosovës, Norvegjisë, Jugosllavisë, Francës dhe Greqisë ”ҫka do ta bënte mikun e tij, të mirënjohur prej nesh,“Mjeshtrin e Madh” Fadil Kraja ta vlerësonte Profesor Gezim My.Uruҫin ”Enciklopedia e gjallë e Shkodrës” (Seminari VI shkencor ndërkombëtar ”Shkodra në Shekuj”, fq.123). 
             Nuk e kam kuptuar asnjëherë se ҫfarë i mungonte këtij personaliteti të  shquar të spileologjisë shqiptare, evropiane dhe më gjërë, që institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë të mos i akordonte, pas gjithë kësaj karriere brilante, titullin”Mjeshtri i

                                                                       3
Madh”. Megjithatë, këtij njeriu që s’kurseu asnjë nga jeta e tij, vetmohuese, për të përfaqësuar si pakkush në botë vendin e tij, Shqipërinë dhe Shkodrën që e deshi aq
shumë.Megjithatë, edhe pse kjo e fundit, borxhlije për jetë ndaj nderimit të merituar për njërin nga bijtë e saj më të denjë, si Gezim My.Uruҫi, nuk do të denjonte t’i vinte në dipozicion asnjërin nga  institucionet  publike, pa le më Teatrin”Migjeni”, në ceremoninë mortore,  të përcjelljes në banesën e fundit, më 17 dhjetor  2012, të djalit të Saj. 
Dhe, kur kujtojmë se Profesor Gezim My.Uruҫin, në vitin 1994,  do të  shpalosej si heroi i alpinizmit sa shqiptar, sa evropian duke ngritur në Polin e Veriut Flamurin Kombëtar të
Shqipërisë, do të ndjeni neveri ndaj atij trajtimi mjeran, që i bëhej : vetëm me 4000 lekë asistencë, në muaj, në Shkodrën “heroinë e punës demokratike” –“ djepi i kulturës”, pra as sa paga minimale e një pastrueseje zyre përballë atij kontributi aq elitar .
           Dhe, nëse doni të bindeni, ndryshe të jini vetvetja, ngjituni dhe shihni se ҫ’ pasuri shkencore, me interes  të pashoq sa kombëtar edhe më gjërë, ruhet  në  apartamentin më të epërm, të një pallati 5katësh, me nr.1265, në lagjen “Ura Dervishbeg” - Perash, prej ku  ulej dhe ngjitej ҫdo ditë, ndryshe jetonte enciklopediku ynë, invalid, njëri nga spileologët më të shquar, shqiptarë dhe evropianë. Kujtojmë se, krahas  vlerësimeve të  ndryshme  deri  atë me  “Medalje Ari”, Federata Bullgare e Speleologëve do ta nderonte Profesor Gezim My.Uruҫin edhe me titullin tjetër të nderit: ”Ambasador i Paqës në botë”.
          Megjithatë, le të shpresojmë që  në nderim të 64-vjetorit të lindje së tij, 30 korrik 2013, këshilli bashkiak i qytetit të  Shkodrës të ketë dinjitetin e duhur të reflektimit, në liri të plotë brenda vetes, siҫ i ka hije një  parlamenti lokal, për ta nderuar hulumtuesin enciklopedik, spileologun e shquar  shkodran “enciklopedinë e gjallë të këtij qyteti”, Profesor Gezim My. Uruçin, me titullin”Qytetar Nderi i Shkodrës”.
              

                  Shkodër, më 20 qershor 2013                          Kadri Ujkaj,intelektual

No comments: