Megjithëse, Rohani duket se ka një
mbështetje disi në qarqet ndërkombëtare më të afërta e deri tek ato të
largëta, Netanyahu nuk mendon kështu.
Madje, ai i tërheq vëmendjen të
gjithëve, me në krye sigurisht Amerikës, të kenë kujdes dhe të mos
ëndërrojnë për një regjim demokratik e të ndryshëm nga ai i
Ahmadinexhadit.
Gjatë
takimeve elektorale në fushatën zgjedhore, Rohani u zotua të kërkojë
“një ndërveprim konstruktiv me botën” që përfshin përpjekjet për të
lehtësuar shqetësimet e ngritura nga Perëndimi në lidhje me programin e
Iranit, si dhe heqjen e sanksioneve ndërkombëtare që kanë prekur rëndë
ekonominë. Perëndimi dhe aleatët janë ende nën shqetësimin se Irani mund
të jetë drejt zhvillimit të një arme bërthamore.
Si
gjithmonë, me fytyrën e vrenjtur dhe kundër të gjithëve edhe kësaj here
Benjamin Netanyahu, Kryeministri i Izraelit nuk bën ndryshim. Arsyeja?
Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Hasan Rohani. Megjithëse, Rohani
duket se ka një mbështetje disi në qarqet ndërkombëtare më të afërta e
deri tek ato të largëta, Netanyahu nuk mendon kështu. Madje, ai i tërheq
vëmendjen të gjithëve, me në krye sigurisht Amerikës, të kenë kujdes
dhe të mos ëndërrojnë për një regjim demokratik e të ndryshëm nga ai i
Ahmadinexhadit.
Janë
të vjetra përplasjet e Izraelit dhe Iranit dhe dy udhëheqësve,
Netanyahu dhe Ahmadinexhad. I pari kërcënonte dhe deklaronte se ishte i
gatshëm të “shtypte butonin” ndaj Iranit, ndërsa tjetri i gatshëm ta
asgjësonte shtetin fqinj me armë bërthamore. Por çdo gjë mbeti në
foltoret e sallave për konferenca për shtyp. Sot një erë tjetër po fryn
në Iran. Ahmadinexhad nuk është më. Në vend të tij, në zgjedhjet e
sapopërfunduara është ngjitur Hasan Rohani. Për këtë, Netanyahu
paralajmëron se edhe Rohani herët apo vonë “do ta nxjerrë kokën”.
Kush është Rohani?
Vetëm
një javë pas fitores së zgjedhjeve në 2005 nga Mahmud Ahmadinexhad,
negociatori “nuklear” kryesor Hasan Rohani dha dorëheqjen pas disa
mosmarrëveshjeve me Presidentin e ri. Vendimi çimentoi reputacionin e
Rohanit si një moderator, i cili pati guximin të refuzonte qasjen
luftarake të Ahmadinexhadit në çështjet botërore, duke u vendosur në
mbështetje të filozofisë së armikut kryesor të Ahmadinexhadit,
ish-Presidentit Rafsanjani. Por për shumë reformatorë dhe liberalë në
Iran, 64-vjeçari Rohani është pasqyrim apo imazh i Rafsanjanit, i cili
predikonte se Irani mund të mbante programin e tij bërthamor, por
njëkohësisht të zbuste tensionet me Perëndimin.
Rohani
u shpall president të shtunën e kaluar, pasi fitoi me 50.7 % të votave.
Ai e merr detyrën në muajin gusht. “Rafsanjani ishte me të vërtetë
zgjedhja e vetme për të riaktivizuar reformatorët”, thekson Rasol
Nafisi, një iranian që punon në Universitetin e Virxhinias. “Rohani mori
mbështetjen e tyre sepse mes dy burrave që garonin ai mund të ketë një
natyrë të dyfishtë: Rohani si fytyra publike dhe Rafsanjani në
prapaskenë si nuni i tij i fuqishëm dhe mbrojtës.
Edhe
pse të gjitha politikat kyçe të programit bërthamor janë të drejtuara
nga klerikët sundues, aleanca me Rafsanjanin mund t’i japë Rohanit një
hapësirë më të madhe për të vendosur vulën dhe firmën e tij mbi
negociatat e Iranit me fuqitë botërore pas dështimit të katër raundeve
të bisedimeve vitin që shkoi. Gjatë takimeve elektorale në fushatën
zgjedhore, Rohani u zotua të kërkojë “një ndërveprim konstruktiv me
botën” që përfshin përpjekjet për të lehtësuar shqetësimet e ngritura
nga Perëndimi në lidhje me programin e Iranit, si dhe heqjen e
sanksioneve ndërkombëtare që kanë prekur rëndë ekonominë.
Perëndimi
dhe aleatët janë ende nën shqetësimin se Irani mund të jetë drejt
zhvillimit të një arme bërthamore. Nga ana tjetër, Rohani këmbëngul se
vendi ka si qëllim të vetëm përdorimin e reaktorëve bërthamorë për
energji dhe aplikime mjekësore. “Ne nuk do të lejojmë që të vazhdojë i
njëjti ritëm i viteve të kaluara”, tha Rohani gjatë një takimi
elektoral. “Ahmadinexhad solli sanksione për vendin. Ata janë krenarë
për këtë. Unë do të ndjek politikën e pajtimit dhe paqes. Ne do të bëjmë
paqe me gjithë botën”, thotë Rohani.
Ai
ndoqi studimet fetare në moshën e adoleshencës. Ai së shpejti doli
hapur kundër Shahut, i cili mbështetej nga Perëndimi dhe mbrojti tubimet
antimonarkisë, qëndrimet e tij tërhoqën vëmendjen e Ajatollah Komeinit,
liderit eventual të Revolucionit Islamik të vitit 1979. Ai u diplomua
për drejtësi dhe ndoqi Universitetin Glasgow Caledonian ku u specializua
për çështjet ligjore. Jashtë Iranit ai përjetoi me shumë emocione
Revolucionin Islamik.
Rohani
u kthye në Iran dhe rriti denoncimet e tij ndaj Shahut, por u largua
nga vendi për t'iu shmangur arrestimit. Ai pastaj u bashkua me Komeinin,
i cili vetë ishte në mërgim në Francë bashkë me pjesën tjetër të
mbështetësve, mes tyre edhe Rafsanjani. Pas revolucionit, Rohani mori
disa role të ndryshme, duke përfshirë edhe organizimin e partisë, ai u
bë deputet, si dhe mbikëqyrte transmetuesit shtetërorë, ai u bë edhe
zëdhënës i Komeinit. Ai forcoi lidhjet e tij me Rafsanjanit gjatë luftës
1980-1988 me Irakun dhe më vonë u bë këshilltar i lartë i Rafsanjanit
për çështjet e sigurisë.
Rohani
vijoi rolin e tij si reformator gjatë presidencës së Mohamed Katamit, i
cili e emëroi Rohanin si të dërguar special për çështjet bërthamore të
vendit. Rohani mori përsipër portofolin bërthamor në vitin 2003, një vit
pasi u zbulua projekti 20-vjeçar i Iranit. Më vonë, Irani pezulloi
përkohësisht pasurimin me uranium për të shmangur sanksionet e mundshme
nga Këshilli i Sigurimit në OKB.
Ahmadinexhadi
kundërshtoi me forcë një lëshim të tillë. Ai kishte një marrëdhënie të
tensionuar me Rohanin për shkak të mbështetjes që ky i fundit kishte me
Rafsanjanin. Rohani dha dorëheqjen si negociator bërthamor pas takimesh
gjaknxehta me Ahmadinexhadin. Në takimin elektoral përmbyllës të Rohanit
një këngë u bë himn i politikës së tij: “Dashuria e reformave duhet të
jetojë”. Por është vetëm fillimi dhe deklaratat e tij duken sa të
besueshme aq edhe të pabesueshme.
Skepticizmi absolut i Netanyahut
“Le
të mos mashtrojmë veten”. Benjamin Netanyahu duket i prerë. Në një apel
lëshuar ndërkombëtarëve, Netanyahu deklaron se Rohani nuk është ai që
hiqet përmes deklaratave paqësore, e kaluara e tij, mbështetësit e tij,
aktivitetet e tij sipas Kryeministrit izraelit e dëshmojnë këtë. Në një
heshtje të plotë reagimesh nga ndërkombëtarët, Netanyahu nga dita në
ditë forcon thirrjet e tij, të cilat duket se po bien në vesh të
shurdhët. “Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të kapet nga dëshirat apo
të joshet duke ndalur presionet ndaj programit bërthamor të Iranit.
Të
gjithë duhet të kujtojnë se sunduesi i ri iranian e cilësonte Izraelin
si “djalli i madh sionist”. Duhet të kuptoni se nuk është Rohani ai që
do të drejtojë, ai është thjesht një kukull. Drejtimin e ka lideri
suprem i Iranit, Ajatollah Komeini, është ky i fundit që do të drejtojë
politikën bërthamore të Iranit. Ndaj dhe sa më shumë të rritet presioni
ndaj Iranit, aq më shumë do të rriten shanset për të ndaluar programin
bërthamor të Teheranit, i cili mbetet kërcënimi më i madh për paqen në
botë”, shprehet i alarmuar Netanyahu.
Efekti dhe jo efekti i sanksioneve
Nga
ana tjetër, një komandat i trupave amerikane në Lindjen të Mesme ka
theksuar se sanksionet aktuale dhe përpjekjet diplomatike për ta ndalur
Iranin të përfitojë nga programi bërthamor, nuk janë duke funksionuar.
Gjenerali James Mattis, kreu u komandës kryesore të SHBA-ve, ka thënë se
Teherani ka krijuar një histori mohimi dhe mashtrimi dhe se është duke e
bërë pasurimin e uraniumit përtej çdo qëllimi paqësor. Në Pentagon,
sekretari i Mbrojtjes, Chuk Hagel tha se, përgjatë bisedimeve me
homologun e tij izraelit, Ehud Barak, ka thënë se Uashingtoni është i
përkushtuar që të ndalojë Iranin në krijimin e bombës bërthamore.
Nga
ana tjetër, kreu i Agjencisë Bërthamore të OKB-së, ka thënë të hënën se
ai nuk mund të garantojë që aktivitetet bërthamore të Iranit kanë
qëllim paqësor, përderisa Teherani të mos jetë më bashkëpunues dhe
inspektorët të lejohen të kenë qasje për të vëzhguar në ato vende ku ata
mendojnë se punohet në ndërtimin e bombës bërthamore. Vetë Irani është
shprehur se shkaku kryesor i vendosjes së sanksioneve ndaj Iranit nga
ana e SHBA është se Uashingtoni me anë të këtyre sanksioneve synon
eliminimin e rivalëve të tij ekonomikë.
Irani
pretendon se Amerika me anë të sanksioneve ndaj Iranit ka për qëllim të
krijojë krizë në ekonominë e rivalëve të saj. Zyrtarët iranianë
pretendojnë se Irani është vendi i 4 në botë për nga posedimi i naftës
dhe vendi i 2 në botë me gaz, ndërsa burimet energjetike të Iranit dhe
shfrytëzimi i drejtë i tyre ndikon që shumë vende të ruajnë marrëdhëniet
e tyre me Iranit dhe janë të gatshëm që të marrin parasysh edhe ftohjen
e marrëdhënieve me SHBA.
Përgatiti: Blerina Toslluku
No comments:
Post a Comment