Klodiana Lala
Flet nga burgu ‘ Dhiavata’ i Selanikut, biznesmeni i akuzuar për atentatin ndaj Dritan Lamajt
“Kam prova që s’kam vrarë njeri, bëj fushatë nga qelia”
Arben Frroku, biznesmeni i dyshuar për atentatin ma fioz ndaj
kryekomisar Dritan Lamajt, këmbëngul se nuk ka aspak lidhje me vrasjen e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit. Në një intervistë për “GSH” nga burgu Dhiavata, Selanik, marrë përmes vëllait të tij, Mark Frroku, biznesmeni rrëfen për përplasjen e tij me Dritan Lamajn, në kohën kur i ndjeri mbante detyrën e shefit të komisariatit të Kombinatit, për marrëdhëniet me zyrtarët e lartë të policisë, njerëzit e politikës, arratisjen drejt Greqisë më 1991 dhe hyrjen në biznes. Krejt qetësisht, Frroku shprehet se ka prova që vërtetojnë pafajësinë e tij në krim, siç janë pamjet filmike, apo qeliza e telefonit celular dhe nuk heziton të thotë se në dosjen ndaj tij ka vetëm sajime dhe aludime nga ana e prokurorisë. I pyetur për drekën që nga maxhoranca u përfol se ka pasur me një eksponent të lartë të Partisë Socialiste, Frroku thekson “Unë kam ngrënë dreka disa herë me politikanë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, por nuk kam mbajtur shënime, për orë, data apo emra”. Edhe pse ndodhet prapa hekurave, biznesmeni Frroku u kujton të gjithëve se vijon të jetë në politikë dhe fushatën e tij po e bën nga burgu. Së fundmi Arben Frroku lë të hapur mundësinë e kërkesës për azil politik në Greqi, opsion të cilin ia ka propozuar avokati i tij grek…
Z. Frroku, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të mos pranojë kërkesën tuaj për ndryshim mase sigurie. E prisnit një vendim të tillë?
Prisja që masa e sigurisë do ndryshonte, duke parë që organi i akuzës nuk ka paraqitur asnjë provë. Ne kemi paraqitur të gjitha provat që vërtetojnë faktin që unë në momentin e vrasjes kam qenë shumë larg vendit të ngjarjes. Provat janë filmike, qeliza e telefonit celular dhe GPS e makinës, duke qenë se makina është prodhim 2010 dhe ka të instaluar GPS. Të gjitha këto fakte lidhen me njëra- tjetrën dhe faktojnë se unë kam qenë larg, në dalje të Elbasanit. Në fakt, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e ka shqyrtuar çështjen dhe pastaj ka dalë në konkluzionin se avokati nuk ka tagër përfaqësimi për mua. Ndërkohë që prokura është bërë nga djali im, Grand Frroku dhe veç kësaj, familjarët e mi nuk janë lejuar të hyjnë në seancë, duke i hequr mundësinë tim biri që t’u vërtetonte se është ai personi që ka firmosur prokurën dhe emrin dhe për llogarinë time.
Ku ndodheshit ditën e vrasjes së oficerit Dritan Lamaj?
Ditën e vrasjes së oficerit Dritan Lamaj kam qenë duke parë ndeshjen në Laç midis Tërbunit dhe Kamzës, pasi unë jam presidenti i klubit sportiv “Tërbuni”. Mbas mbarimit të ndeshjes kam ardhur te kompleksi “AML” në “Misto Mame” dhe prej këtej kam lëvizur në drejtim të Greqisë. Ora ka qenë 17.30. Këtë e vërtetojmë dhe përmes kamerave filmike të instaluara në kompleks. Kam ndjekur itinerarin, duke kaluar nga Komuna e Parisit, jam futur në Unazën e Re të Tiranës, më tej rrugës nacionale në Elbasan e pastaj në vijim. Në orën 21: 20 kam kaluar në pikën kufitare të Kapshticës, konform të gjitha rregullave.
Prokuroria ju akuzon vetëm mbi bazë të një bisede telefonike, ku ju shpreheni “mbylla një punë të madhe”. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj?
Prokuroria më akuzon në lidhje me një bisedë të tillë, por unë di të them që kam shumë biznese dhe nuk mbaj mend të kem përdorur një shprehje të tillë, por mund të kem folur për ndonjë punë që lidhet me bizneset e mia, gjë që nuk ka lidhje me çështjen e ndonjë vrasjeje apo vepre kriminale. Plus kësaj, në vendimin e gjykatës merret si provë shqetësimi i familjarëve të mi, por unë mund them se nuk kanë sesi të mos jenë të shqetësuar kur kanë njeriun e tyre të akuzuar dhe në burg për një vepër penale që nuk e kam kryer dhe nuk kam lidhje me të dhe mbi të gjitha, familjarët e mi janë shqetësuar edhe nga fakti se atë natë dhe ditët në vijim janë shoqëruar me orë të tëra në komisariat, mes të cilëve dhe babai im 83- vjeçar, i cili është mbajtur për afro 8 orë në komisariat. A do të jenë të gëzuar familjarët e mi për gjithçka po ndodhte, apo duhet të ishin të gëzuar? Në këtë vazhdë mund të them se akuza ndaj meje është absurde.
Ju dhe të afërm tuaj keni pasur një konflikt të fortë me Lamajn, mund të na tregoni si nisi dhe a pati mes jush mëri personale?
Duhet të them se familjarët e mi s’kanë pasur konflikt me Lamajn, kam pasur unë konflikt me të. Familjarët e mi janë shoqëruar për shkak të këtij konflikti që kisha unë. Sa i përket mërisë personale, mund t’ju them se unë dhe Dritan Lamaj i jemi drejtuar prokurorisë me akuza konkrete ndaj njëritjetrit dhe çështjen unë ia kam lënë drejtësisë për ta zgjidhur. Theksoj se asnjëherë nuk kam tentuar t’i zgjidh problemet në rrugë personale, por institucionale.
T’i rikthehemi një çështjeje mjaft të diskutuar. Ju shfaqeni në një foto me zyrtarët me të lartë të Policisë së Shtetit. Çfarë marrëdhëniesh keni me ta dhe mund të na flisni konkretisht për drekën kur është bërë fotoja?
Marrëdhëniet me zyrtarët e lartë të policisë janë miqësore, si të gjithë biznesmenët e rangut tim, që krijojnë miqësi me politikanë, zyrtarë të lartë të të gjitha rangjeve. Atë ditë kemi qenë për drekë të zakonshme, pas punës së përditshme të gjithsecilit prej nesh. Fotoja është bërë para se të ndodhte konflikti mes meje dhe Dritan Lamajt.
Ju kandidonit për deputet në qarkun e Shkodrës, mos ndoshta kjo ka ndikuar që të viheshit në pranga?
Është e vërtetë që unë aderoj për deputet në qarkun e Shkodrës, i pari në listë për Partinë Kristian Demokrate dhe të në vërtetë, duke parë veten time prape hekurave në formën më flagrante të mundshme, pa asnjë provë dhe fakt nga prokuroria apo policia, ku s’më shkon mendja. Natyrisht që më shkon edhe tek pyetja juaj, që arrestimi mund të ketë prapavija, pasi unë jam i sigurt dhe i pastër, jo për këtë çështje, por edhe për çdo gjë tjetër. Jam biznesmen dhe gjithçka e ngritur prej meje është ligjore.
Keni miq në politikë dhe nëse po, cilët janë?
Në politikë kam shumë miq, të të gjitha kaheve politike. S’më duket etike të flas për emra konkretë.
Është folur shumë për një drekë që ju keni pasur me një nga zyrtarët e lartë të PS- së, si qëndron e vërteta?
Unë kam ngrënë dreka disa herë me politikanë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, por nuk kam mbajtur shënime, por orë, data apo emra.
Kush është Arben Frroku, si ka qenë fëmijëria e tij, jeta familjare, hyrja në biznes dhe tashmë jeta prapa hekurave?
Jam lindur në Lezhë në një familje punëtorësh. Pas disa vitesh qëndrimi në Lezhë jemi transferuar në fshatin tonë, Këcirë në Pukë. Mbas mbarimit të shkollës 8- vjeçare, kam mbaruar dy vite shkollë mekanike në Durrës. Pas kësaj kam punuar si mekanik në parkun e Fushë Arrësit, gjithmonë në kohën e Partisë Punës. Pastaj kam bërë dy vite ushtri në Xhenio tek Rrapi i Treshit, në Tiranë. Direkt mbas mbarimit të ushtrisë në qershor të 1991, jam arratisur drejt Greqisë. Atje kam punuar për rreth 6 muaj, jam kthyer dhe kam hapur një lokal në fshatin tim në Pukë. Prej atëherë i hyra rrugës së biznesit, gjë që vazhdoj ta bëj dhe sot. Si trajtoheni në burgun grek? Në fakt, pesha është e dyfishtë, sepse akuza për një vrasje që nuk e kam kryer më shtohet edhe më shumë, pasi jetoj në një ambient të panjohur, ku nuk flitet shqip dhe që familjarët i takoj më rrallë. Trajtimi në burg është mëse normal, edhe pse kushtet nuk janë aq të mira, pasi kriza greke ka prekur edhe burgjet.
Brenda pak ditësh drejtësia greke pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin tuaj. A ka ndonjë gjasë për t’u refuzuar ekstradimi juaj, pasi avokati shqiptar këmbëngul se në dosje nuk ka asnjë provë fajësie?
Është e vërtetë që brenda katërpesë ditësh do të shqyrtohet nga gjykata greke kërkesa për ekstradimin tim. Jam njohur me dosjen që ka ardhur nga Shqipëria përmes avokatit, e cila është bosh, nuk ka asnjë provë kundra meje, por është e mbushur me sajime dhe aludime. Avokati im, duke u njohur me dosjen dhe duke parë që s’ka asgjë konkrete ndaj meje, më ka sugjeruar dhe madje ka këmbëngulur që unë të kërkoj azil politik. Unë s’e kam vendosur ende një gjë të tillë, pasi jam i sigurt në pafajësinë time. Gjasat janë që drejtësia greke të refuzojë ekstradim tim.
Nëse liroheni nga burgu, do t’i riktheheni politikës?
No comments:
Post a Comment